Policia e Shtetit në krye të detyrës dhe pranë qytetarëve

Fjala e Kryeministrit Edi Rama me drejtues të Policisë së Shtetit:

 

Sot dëshiroj që t’ju komunikoj edhe publikisht një sërë shqetësimesh, por mbi të gjitha pritshmërish dhe objektivash, të ndara sëbashku me ministrin e Punëve të Brendshme, lidhur me punën e Policisë së Shtetit.

Së pari, dua t’i uroj punë të mbarë të gjithë drejtuesve të rinj të qarqeve dhe duke shpresuar që këto lëvizje, të cilat do të shoqërohen me lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e Policisë së Shtetit deri në nivelin e komisariateve, të vlejnë për një rienergjizim të domosdoshëm në një fazë të re ku hyn reformimi dhe transformimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit.

Pa diskutim, Policia e Shtetit, sot ka jo pak arsye për të qenë krenare lidhur me punën e saj, por nga ana tjetër, pikërisht pse Policia e Shtetit ka dhënë provën se në këtë vend mund të ketë një Polici Shteti të standardeve europiane, edhe pritshmëria, edhe pakënaqësia e qytetarëve është në një nivel domethënës.

Pritshmëria nga njëra anë lidhet me domosdoshmërinë që Policia e Shtetit, si të gjitha strukturat e shtetit, si dhe vetë qeveria, të ecin më shpejt dhe të japin rezultate në çdo hap e më domethënëse, pakënaqësia shkon bashkë me pritshmërinë.

Dua ta nis këtë renditje të problematikave pikërisht nga raporti i Policisë së Shtetit me qytetarët, që është A-ja dhe Zh-ja e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit.

Është e pajustifikueshme që rasatet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët, sidomos nga ana e forcave Shqiponja dhe nga patrulla e përgjithshme, të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura. Rritja e rasteve të mungesës së etikës në komunikimin me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të Policisë që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet, nevojat dhe ankesat e qytetarëve.

Imazhi shumë pozitiv i ndërtuar dhe i konsoliduar në këto vite i Policisë së Shtetit në sytë e qytetarëve nuk mund në asnjë mënyrë të cënohet e aq më pak pastaj të lëndohet, duke afektuar gjithë Policinë e Shtetit në optikën e opinionit publik. Ky është edhe prioriteti i prioriteteve për të gjithë drejtuesit e rinj të policive vendore që shenjtërinë e uniformës dhe mbrojtjen e imazhit të Policisë së Shtetit duhet ta kenë dritë në syrin e tyre.

Policia e Shtetit është botërisht e shikuar dhe e respektuar prej disa vitesh si një ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë dhe cënimet etike, si dhe lëndimet e imazhit të saj nga rishfaqja kohët e fundit e rasteve të korrupsionit të vogël, sidomos tek strukturat e Policisë Rrugore janë të patolerueshme. Dua këtu të vlerësoj rolin e SHÇBA-së dhe njëkohësisht ta nxis publikisht SHÇBA-në që të  veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve.

Ne kemi rritur, edhe në harmoni besoj me pritshmërinë e qytetarëve, rolin ndëshkues të policit rrugor, ndaj shkeljeve në rrugë. Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për qëllimin e neveritshëm të përfitimit të ryshfetit dhe është e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkuese të policit rrugor, falë ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, qytetarët të mos ndjejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor, ky është fakt.

Vetë strukturat e Policisë së Shtetit dhe struktura e SHCBA-së konstatojnë që në punën e komisariateve, rastet e denoncimeve të qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në kohën e duhur e për më tepër, sot, kur ne jemi tanimë në sezon turistik dhe numri i lartë i pushuesve që hyjnë dhe dalin në vend është domethënës, të kemi Policinë e Shtetit përmes individësh të padenjë që t’i shkojnë kundra detyrimit të të gjithëve bashkë, të çdo strukture të shtetit për t’i pritur dhe për t’i sajdisur të gjithë pushuesit, sipas traditës më të mirë shqiptare e sipas standardeve më të mira të një vendi që pretendon të bëhet kampion i turizmit në Ballkan. Mungesë etike, mungesë komunikimi, implikimi në veprime abuzive nga personeli policor, janë shfaqje të neveritshme që duhen luftuar pa asnjë kompromis dhe me zero tolerancë.

Këtu dua të nënvizoj shumë fort një fakt që në vetvete është shumë sfidues. Është shumë sfidues për ligjin, është shumë sfidues për shtetin, është shumë sfidues për Policinë e Shtetit. Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë abuzivizmi të atillë që degjeneron deri në krisma e në plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur aty në lokal. Kush janë këta?

Jua them unë, kush janë këta.

Këta janë tutorët e Policisë së Shtetit në ato territore, këta janë korruptuesit e Policisë së Shtetit, këta janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e Policisë së Shtetit, që tërheqin prej hunde policë, shefa komisariatesh, duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm.

Rasti i Sarandës ishte një rast alarmant dhe e kam ndarë këtë gjë me ministrin e Brendshëm dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë, jo në hetime administrative, në masa ordinere, por në përjashtime imediate dhe ndëshkimin penal të personave përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për nxjerrjen e armëve e për sakatimin e njerëzve në lokal në 01:00 të natës, përveçse ata të cilët kanë lejuar që ai aktivitet të zhvillohet në shkelje totale të ligjit e jo në ndonjë luginë të humbur, por në mes të qytetit. Një sfidë ndaj ligjit e ndaj qytetarit të mirë, ndaj popullit komplet atje që respekton ligjin, në mes të qytetit.

Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë Policinë e Shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë, apo se dy palë futen në një konflikt që degjeneron në shkrehje karikatorësh në trupin e njëri-tjetrin në mes të natës, por ama nga ana tjetër, unë nuk mundem dot të ndahem nga i gjithë opinioni publik kur Policia e Shtetit e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie, pas mesnatës, që mbaron me plumba.

Ne jemi përballë edhe disa faktesh të ekspozuara nga veprimtaria e disa eksponentëve të Policisë së Shteti në të shkuarën jo të largët, të implikuar në veprimtari kriminale. Është shumë pozitive që këta individë ekspozohen dhe marrin atë që meritojnë, por është shumë domethënëse për të kuptuar se nga çfarë duhet të mbrojmë, ruajmë dhe parandalojmë në trupin e Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, nuk e di në cilin vit kemi hyrë tani, por me një llogari të thjeshtë, është viti i disatë kur ne shikojmë me keqardhje që Policia e Shtetit dhe drejtuesit kryesorë të saj në nivel vendor, akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht e nuk e kanë bërë pjesë organike të punës së tyre misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimit dhe menaxhimit tonë të shtetit për dekada ndarja e Policisë së Shtetit nga ky mision. Ne e kemi njehsuar këtë mision me Policinë e Shtetit në të gjithë aspektet e cënimit të pronës publike e të mjedisit. Për cilën arsye në botë, ne duhet të kemi akoma shfaqje, sado sporadike, të ndërtimeve pa leje? Për cilën arsye në botë?

Vetëm për një arsye, korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit. Asnjë arsye tjetër nuk ka, bashkëpunimi në krim, ndërkohë që në Parlament, në muajt e fundit ka kaluar një tjetër paketë përforcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët shqiptar nuk kanë arsye të paguajnë asnjë cent e jo më miliona për ato kosto.

Parametrat e sigurisë rrugore dhe garantimi i pacënueshmërisë së territorit nga ndërtuesit pa leje duhet të jenë prioritet i palëvizshëm për çdo drejtues të ri të Policisë së Shtetit që raportin me qytetarin të strukturës që ai drejton dhe raportin me territorin duhet ti ketë si dy anët e të njëjtës medalje të punës së përditshme. Kanë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli, për një gardh, për një mur dhe ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale t ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore, arkeologjike e kshtu me radhë, megjithëse në mënyrë të përsëritur e kemi nënvizuar dhe unë personalisht e kam nënvizuar edhe me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit që është e turpshme, e frikshme, sht e pa gëlltitshme që strukturat e policisë në territor të shpenzojë energji, kilometra, kohë për të shkuar dhe për të futur në telashe dhe ndjekje penale fshatarë që rregullojnë avllitë ndërkohë që para syve të tyre dhe me miratimin e tyre dhe pjesëmarrjen e tyre në korrupsion, hidhet beton në pjesët më të bukura të trupit të vendit tonë, kultivohen puçrra me qelb në trupin e një bukurie siç është Shqipëria, që duhet që me bukurinë dhe falë gjithë ne, të prodhojë mirëqenie të lartë për fëmijët e vetë.

Bëhen ndërtime pa leje brenda vijës së verdhë të bashkive, hidhet beton, çfarë bën Policia e Shtetit në kto kuadrate që janë të ndara qartësisht mes komisariateve? Kthejnë sytë nga ana tjetër dhe këtu nuk flitet për skena krimi ku në pak sekonda del një armë dhe ata që gjuajnë ikin me motor. Këtu flitet për skena krimi aktive me orë, me ditë, me jav e netë të tëra. Është krim i përcaktuar si i tillë, e zeza mbi të bardhë, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të ndërtosh pa leje. Është njësoj si çdo krim tjetër madje me dënime shumë të rënda dhe këto skena krim zhvillohen në sytë e policëve, që kanë detyrimin ligjor të veprojnë menjëherë. Kjo nuk ka asnjë emër tjetër dhe nëse nuk i vëmë gjërave emrin e tyre, e kemi shumë të vështirë pastaj që të ndryshojmë gjërat. Emri është korrupsion, nuk ka tjetër. Ky është emri; korrupsion, ryshfet, bakshish, poshtërsi, neveri, shëmti.

Nga ana tjetër, ajo që unë konsideroj problematike në Policinë e Shtetit është mosnjohja dhe mosinformimi permanent me ligjin, normat dhe parimet ligjore mbi të cilat vepron Policia e Shtetit. Nuk mjafton që ta njohë dhe ta zbatojë ligji trupa drejtuese. Ligjin duhet ta njohë dhe zbatojë çdo nëpunës policie, çdo punonjës policie, çdo polic në çdo cep të territorit. Policia e Shtetit duhet të jetë një vatër dije për praktikat e teknologjisë dhe inovacionit, dije për praktikat ligjore dhe administrative, dije për praktikat e mira deri tek sjellja dhe që kjo vatër dije të funksionojë plotësisht, duhet që edukimi në vazhdim, trajnimet, provimet brenda për brenda strukturës të jenë të pandërprera për të gjithë. Të gjithë kemi nevojë të mësojmë çdo ditë sepse ka çdo ditë diçka për të mësuar.

Qëllimi i këtyre ndryshimeve në Policinë e Shtetit është shumë i qartë dhe synimi i materializuar në personat me emër dhe mbiemër që sot drejtojnë, falë besimit që kanë marrë nga Drejtori i Përgjithshëm, është që njerëz me profesionalizëm, integritet dhe rezultate të marrin në dorë drejtimin e Policisë në këtë fazë të re. Një fazë e re e planifikuar prej kohësh, e përgatitur prej kohësh, e përshpejtuar edhe nga ngjarjet e fundit, që kërkon ngjitjen e mëtejshme në një nivel mesatar europian, pra në mesataren europiane me shifra dhe standarde të Policisë së Shtetit.

Nëse do rendisja prioritetet me numra, do ju thoja; prioriteti numër 1 është raporti me qytetarin, që kërkon që patrullat e rendit, forcat Shqiponja, Policia Rrugore dhe Policia Kufitare të hyjnë në një proces shkundjeje shumë të fortë dhe lëvizjesh shumë domethënëse brenda për brenda për të promovuar oficerë policie si ju vetë, që jeni promovuar dhe keni marrë një besim të ri dhe për të garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë A-ja dhe ZH-ja e vlerësimit për çdo nëpunës, punonjës, oficer, drejtues policie. A-ja dhe ZH-ja! Sepse nuk duhen shumë, mjaftojnë shumë pak individë që flasin përçart për të degraduar imazhin e të gjithëve. Nuk janë të gjithë punonjësit e Shqiponjave, nuk janë të gjithë punonjësit e patrullës së përgjithshme, nuk janë të gjithë punonjësit e Policisë Rrugore apo Policisë Kufitare që ndalojnë njerëzit në rrugë për lekë. Janë shumë pak prej tyre por janë mjaftueshëm për ta degjeneruar imazhin e të gjithë atyre bashkë.

Prioriteti i dytë i Policisë së Shtetit është kontrolli i plotë mbi territorin, në sensin e mbrojtjes pa kompromis të pronës publike dhe të mjedisit. Nuk mund dot të zhvillohen veprimtari të paligjshme mbi trupin e Shqipërisë. Policia e Shtetit është gardiane për pacenueshmërinë e trupit të këtij vendi, që siç thotë Vaso Pasha “burrat e dheut e thërrisnin zonjë”. E pra, këtë “zonjë” është Policia e Shtetit që duhet ta mbrojë nga çdo cënim i bukurive dhe hireve të saj. Nga çdo puçërr me qelb që ja nxjerrin në trup abuzuesit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Janë të gjitha vepra në bashkëpunim këto, nuk janë vepra që zhvillohen në hapësirë dhe në kohë jashtë syve të punonjësve të Policisë, janë të gjitha vepra në bashkëpunim dhe këtu të gjithë ju duhet të godisni pa asnjë mëshirë.

Operacioni i nisur dhe i ndërprerë përkohësisht, për shkak të sezonit, që do vazhdojë në shtator, duhet të jetë një operacion permanent deri në fund për shembjen dhe pastrimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë zonën turistike dhe në të gjitha zonat sensitive të vendit, por një gjë dua ta ritheksoj, e kam shprehur si shqetësim edhe me ministrin dhe me Drejtorin e Përgjithshëm. Leximi i vëmendshëm i Kodit Penal thotë se pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale. Nuk ka rëndësi nëse ndërtimi pa leje u kap tani apo u kap nesër. Nuk ka rëndësi. Nuk mund të shkohet në territorin e bregdetit, të konsumohet gjithë ajo energji, gjithë ato trupa dhe kohë dhe në fund fare kostot t’i marrë shteti dhe populli edhe për të pastruar inertet.

Pas çdo ndërtimi pa leje, ka persona që Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë thotë që duhet të shkojnë në burg, kwshtu thotw, shumw qartw. Një zinxhir i tërë madje! Madje, Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë thotë që jo iniciatorët, jo investitorët, jo pronarët e firmave zbatuese por çdo person i përfshirë në ndërtim pa leje është subjekt i ligjit sepse nuk mund të thuash që unë jam këtu thjesht inxhinier dhe nuk e dija ka apo jo leje sepse është njësoj si të thuash që unë jam thjesht shofer dhe nuk e di që në karrocerinë e makinës time kanë futur drogë, është e njëjta gjë komplet, nuk ka asnjë dallim. Prandaj, leximi mirë i gjithë këtyre ndryshimeve që janë bërë dhe zbatimi pa asnjë tolerancë i ligjit është një prioritet absolut i të gjithë drejtuesve të rinj të Policisë.

Prioriteti numër tre i Policisë së Shtetit është standardi unik në zbatimin e ligjit, jo dopio standardi. Lufta e vendosur kundër dopio standartit. Nuk mund të ketë dy standarde për të njëjtin ligj dhe Policia e Shtetit duhet të jetë shembulli dhe pasqyra e këtij fakti. Nga Policia e Shtetit duhet të mësojnë të gjithë se kjo gjë është jo vetëm e detyrueshme por edhe e mundur. Çfarë do të thotë kjo që 28 mijë kilometra katrorë nuk u kontrollokan metër për metër për të gjithë aktivitetet abuzive që bëhen haptazi? Unë jam me ju kur vjen fjala për uljen e shifrave të kriminalitetit, që kërkon durim dhe bëhet me gradualitet dhe ka një limit, se po të ishte e mundur të zhdukej kriminaliteti, që tw mos kishte më vrasje, që tw mos kishte më plagosje, do e kishin bërw të tjerët por nuk e ka bërw asnjë. Një nga policitë më të fuqishme, nw mos më e fuqishmja e botës nw Shtetet e Bashkuara përballet çdo ditë me vrasje, e me plagosje e me tmerre, kwshtu qw në këtë pikë unë jam me ju, jo me moralistët dhe komentatorët që nuk dinë çfarë flasin. Ndërsa në pikën e kontrollit mbi territorin të veprimtarive që bëhen haptaz dhe që zgjasin me orw, me ditw dhe javë, më vjen keq por jam absolutisht kundër kujtdo ndër ju që e justifikon këtë si një gjë të natyrshme. Kjo është e panatyrshme, kjo është e shëmtuar, kjo është e turpshme, që t’i themi me fjalët e duhura, sepse nuk jemi mbledhur këtu që të bëjmë bilance suksesi. Suksese Policia e Shtetit ka pasur plot, por ne jemi këtu për të vënë gishtin në ato plagë që ju drejtuesit e rinj të Policisë duhet të nxitoni me shpejtësi dhe t’i kuroni me shpejtësi.

Prioriteti numër katwr i Policisë së Shtetit është sigurisht një prioritet pwr tw cilin nuk është Policia e Shtetit në kuptimin e Drejtorisë së Përgjithshme apo e drejtuesve vendorw që duhet ta realizojë, por nw rradhw tw parw wshtw qeveria dhe Ministria e Brendshme lidhur me avancimin e mëtejshëm të revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit. Policia ka një flotë të re mjetesh, por ka nevojë për mbështetje të fortë për monitorim teknologjik të territorit.

Për këtë arsye, ne jemi duke punuar intesivisht që më në fund të realizojmë monitorimin me kamera të rrugëve kryesore e pastaj të shtrihemi në gjithë territorin, për t’i dhënë mundësi policisë që të ketë një sy në territor 24 orë dhe përmes teologjisë t’i spostojë trupat nga rrugët, të bëjnë rolin e kamerave dhe t’i çojë në vende të tjera. Po ashtu shtrirjen e sistemit të kamerave të trupit, edhe pajisjen apo vënien në dispozicion të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të Policisë së Shtetit të super teknologjisë me dronët super inteligjentë për një monitorim non stop të territorit, duke patur praktikisht një sy në qiell që të japë informacion në kohë reale për çdo rrënje kanabisi, për çdo ndërtim pa leje, për çdo cenim pyjesh, për çdo problem trafiku, për çdo lëvizje mjetesh dhe forcash kriminale, kur Policia e Shtetit është në kërkim apo në ndjekje, për çdo tokë bujqësore, për çdo lum, për çdo pyll e kështu me radhë. Edhe këtë, ne duhet ta bëjmë. Jo ju, ne qeveria dhe Ministria e Brendshme do t’ua vëmë në dispozicion.

Prioriteti i fundit është vënia në përdorim me një standard tjetër, me një teknologji më të avancuar dhe me një protokoll më rigoroz i Komisariatit Digjital. Komisariati Digjital ka qenë një ndihmë shumë e madhe dhe tani kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër, në mënyrë që çdo qytetar atë komisariat ta ketë në xhep dhe ai komisariat të jetë syri juaji dhe partneri juaj në drejtim që t’iu mundësojë të kryeni me shumë efikasitet dhe sukses detyrën tuaj.

Te Komisariati Digjital do të përmend një element që është shumë shqetësues; denoncimet për dhunën në familje.

Është shumë shqetësuese që Policia e Shtetit ka një ndjeshmëri të ulët ndaj këtij fenomeni. Është shumë shqetësuese që në komisariate të caktuara shpërfillen totalisht klithmat e grave, vajzave që dhunohen në familje. Shpërfillen totalisht vuajtjet dhe dhimbjet e patregueshme të atyre që mund të ishin gra, motrat e secilit prej jush e secilit prej nesh. Kjo është e pakomentueshme. Në këtë aspekt duhet ndërtuar brenda përbrenda gjithë sistemit një rrjet me persona përgjegjës. Jo një çështje midis çështjeve të tjera, por një rrjet me personat përgjegjës. Çdo komisariat duhet të ketë personat përgjegjës, – numrin e caktoni ju, nuk e caktoj unë se nuk është detyra ime, – që të merret me dhunën në familje. Çdo thirrje të trajtohet me maksimumin e përkushtimit dhe respektit për ato gra e për ato vajza që pastaj në fund fare përfundojnë në tehun e sopatës. Nuk mund të ketë në asnjë rast dhe për asnjë arsye mirëkuptim me burrat në këtë fushë. Policia e Shtetit nuk mund të jetë një kopje karikaturë e atyre gjykatave dhe atyre gjykatësve që bëjnë kërdinë në kurriz të grave dhe vajzave, duke marrë lekë nga abuzuesit, duke i nxjerrë të lirë direkt në sallë dhe duke i hedhur prapë në fyt të bashkëshorteve apo të vajzave që dhunojnë.

Dua ta mbyll aty ku e nisa, për t’iu thënë që pritshmëria është e lartë dhe ky fakt është shumë motivues, është shumë frymëzues, është shumë domethënës. Aty ku është pritshmëria e lartë, domethënë besimi që gjërat mund të bëhen është i pranishëm, se po të mos ishte i pranishëm edhe pritshmëria nuk do të ishte e tillë, siç nuk ka qenë në të shkuarën, në kohëra të zymta kur Policia e Shtetit është përballur e vetme me fenomenet negative dhe kur njerëzit s’kishin asnjë pritshmëri. Sot, pritshmëria është shumë e lartë. Është shumë e lartë nga unë personalisht, është shumë e lartë nga shumica e dalë nga zgjedhjet, është shumë e lartë nga gjithë strukturat, është e shumë e latë nga Policia e Shtetit. Kësaj pritshmëria duhet t’i qëndrojmë përballë, sepse është arritja juaj kjo.

Kjo nuk është arritja e askujt tjetër. Është arritja juaj që Policinë e Shtetit, nga një nivel i ulët e keni çuar në një nivel të konsiderueshëm, por ende jo në nivelin më të lartë që mund ta çoni.

Prandaj edhe pakënaqësia është aty hije e pritshmërisë. Për çdo gjë që ndodh, menjëherë gishti i vihet Policisë ë Shtetit me të drejtë, pa të drejtë kjo nuk ka rëndësi fare për diskutimin, por për diskutimin ka rëndësi që kjo është rezultat i pritshmërisë. Qytetarët nuk kanë asnjë arsye të ndeshen me ato fenomene, të cilat unë i trajtova dhe që ju i  njihni shumë mirë. Nuk ka arsye fare që një qytetar i Republikës së Shqipërisë të ndeshet me një polic që e ndalon dhe i kërkon leke, që e ndalon dhe t’i thotë “o patentën o lekët”, që e ndalon dhe në sytë të gruas, në  sy të fëmijëve i bën atë presionin mizerabël të pengmarrësit në mes të rrugës. Nuk ka arsye, nuk ka pse.

Forca e shembullit tuaj është themeli i kësaj faze të re. Nëse ju do të qëndroni me gjithë  forcën e shembullit tuaj e nëse ju do t’i ndiqni prioritetet me të gjithë vendosmërinë dhe këtë besim që keni marrë, do ta ktheni mbrapsh, jo tek drejtori që ju ka emëruar, as te ministri, as të unë e as te qeveria, por te populloi shqiptar, brenda pak kohe, gjithçka do të fillojë të lëvizë në drejtimin e duhur për të arritur në një nivel të ri.

Unë dua t’iu them se keni 100 ditë kohë. 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal, nga i pari tek i fundit. 100 ditë. Asnjë ditë më shumë, që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër.

Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se për këtë arsye edhe jeni zgjedhur. Gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Kjo duhet bërë në respektin e vetes, në respektin e masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe nuk ka pse të paguajë kostot e një pjese që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit. Nuk duhet zhdukur në drejtim të paditur, duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë përpara drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë që nuk ka pandëshkueshmëri në Policinë e Shtetit, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta. Ju nuk e keni fare problem as t’i gjeni, as t’i kapni nga krahët dhe as t’i çoni përpara drejtësisë. 100 ditë. Ky është një objektiv i palëvizshëm në çdo qark. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, Shqiponja, skifterë, çakej që rrinë si të infiltruar brenda trupit duhet të shkojnë para drejtësisë. Në çdo qark! Në 100 ditë! Shumë faleminderit!