Tre fabrika të reja moderne me mbështetjen e IPARD

Tre fabrika të reja moderne përpunimi po ngrihen falë mbështetjes së Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor (AZHBR), nëpërmjet programit IPARD. Tre fabrikat do të rrisin kapacitet përpunuese e do t’i japin një shtysë së re tregut në vend, por edhe eksporteve dhe cilësisë ushqimore. Kryeministri Edi Rama, bashkë me drejtoren e AHZBR, Frida Krifca, vizituan këto tre kantiere të fabrikave që shumë shpejt do të kthehen në një model suksesi për bujqësinë dhe agropërpunimin shqiptar.

E para është një fabrikë përpunimi frutash, e cila jo vetëm synon të zgjerohet në treg, por do të ofrojë dhe  risi në përpunimin e frutave. “Fabrika do përdorë një proces teknologjik infuzimi të frutave që nuk ekziston aktualisht në Shqipëri. Është një biznes i konsoliduar, ka pasur një fabrikë ekzistuese, por e kishte të pamundur të kryente eksporte të frutave të infuzuara, pasi nuk e certifikonte dot fabrikën me standarde europiane, siç e kërkon tregu. Me këtë investim, kjo gjë do jetë e mundur”, – u shpreh Krifca.

Kompania aktualisht eksporton produkte të përpunuara në Kosovë, Itali, Spanjë dhe Holandë. “E rëndësishme është që sektori i bujqësisë po del në Europë”, – theksoi administratori i kompanisë.  “Ky është një nga projektet më komplekse që ne kemi”, – shtoi Krifca, – “dhe rreth 13 të tjerë në proces, të madhësisë së tillë, për punimin e fruta-perimeve. Masa tre e programit IPARD. Mbështetja është 50% grant. Ajo që kemi mundur të bëjmë ne e që ka lehtësuar kryerjen dhe përshpejtimin e afateve të prurjes së këtyre investimeve, është fakti që kemi mundur të ndërtojmë një procedurë paradhënie për investimet, për shkak edhe të besimit që kemi krijuar në BE, nëpërmjet një kontrate garancie me bankat. Ky 50% paradhënie ka dhënë likuiditetin e nevojshëm. Jemi i vetmi vend në rajon që e ka mundësuar këtë procedurë parapagese dhe pjesa më e madhe e përfituesve të kontratave që ne kemi, e kanë jetësuar këtë. Ka qenë e vetmja mënyrë si mund të alokonim fondet në periudhën e duhur”.

Një tjetër kompani, e cila ka përfituar mbështetje nëpërmjet programit IPARD është edhe AMG Food, e cila ushtron aktivitetin në fushën e përpunimit të mishit. “Ky është një ndër projektet e rëndësishme të AZHBR-së sa i përket përpunimit të produktit dhe nënprodukteve të mishit. Gjithashtu në këtë sektor kemi mbështetur me grant rreth 4 milionë euro vetëm nëpërmjet këtij programi, ndërkohë që vlera e investimit shkon diku tek 10 milionë euro. Qëllimi kryesor dhe objektivi final është rritja e sigurisë ushqimore për produktet e mishit. Në këtë sektor duhej ndërhyrje e duhur që të lidhet blegtori me thertoret e pastaj me përpunimin e mishit, që konsumatori final të ketë mundësinë të konsumojë produkte të standardizuara me cilësinë e duhur ushqimore”, – theksoi drejtoresha e AZHBR, Krifca.

AMG Food synon jo vetëm tregun vendas, por edhe zgjerimin në tregun europian, falë rritjes së kapaciteteve, investimit në pajisje moderne dhe standardizimit të procesit. “Edhe pse nuk diskutohet që akoma ka probleme, ne kemi kaluar nga faza e therjeve në rrugë e në fusha në një standard thertoresh, edhe pse ka edhe jashtë sistemit. Tani, në momentin kur thertoret lidhen në zinxhir me një pikë si kjo dhe kur pika si kjo, për shkak të zgjerimit në treg ka nevoja më të mëdha, rritet puna e thertoreve, kanalizohet shumë më mirë dhe interesi i blegtorëve që shkojnë në thertore, edhe çmimet fillojnë ndryshojnë dhe për ju kalohet në një nivel komplet tjetër. Faza tjetër do jetë kur ju të ktheheni në energji për rritjen e prodhimit blegotral dhe kur të bëheni promotorë të një zinxhir të tërë që punon lidhur me ju, duke i dhënë gjithë parametrat, duke i dhënë dhe para financimin. Kjo e fut blegtorinë komplet në një tjetër zinxhir. Edhe diçka tjetër që mendoj që ne mund të ndihmojmë është që t’ju hapim rrugën e tregut me Lndjen e Mesme, që është pastaj volum i madh”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Përpunimi i frutave të thata është një tjetër sektor ku investimet dhe interesi i sipërmarrësve është në rritje. Kompania Palma, jo vetëm që është një kompani ekzistuese në treg, e cila synon të zgjerohet, por mbi të gjitha është një kompani 100% shqiptare. “Prej 20 vitesh grumbullojmë nga të gjithë fermerët që prodhojnë fruta të thata. Bashkëpunojmë me rreth 100 fermerë tani që flasim dhe me anë të investimit të ri synojmë që të rrisim numrin e fermerëve që bashkëpunojmë deri në 250 brenda 3 viteve të ardhshme. Paralelisht, synojmë eksportin. Gjithashtu synojmë që të rrisim dhe numrin e të punësuarve dhe brenda 3 vjeçarit të ardhshëm mendojmë që 100 persona do jenë të punësuar në këtë fabrikë që po ndërtojmë”, – u shpreh administratori i kompanisë.

Kryeministri Rama në përfundim të vizitës në këto tre fabrika pioniere të zhvillimit bujqësor në vend, u shpreh se, “këto janë fabrika të një gjenerate tjetër, sepse krijojnë premisa për të pasur kampionë të prodhimit e të përpunimit vendas dhe ne duhet të vazhdojmë t’i mbështesim e do ti mbështesim. Plus, është shumë e rëndësishme në tërësi, përtej bujqësisë, që përmes këtyre jepet dhe shembulli që kush do vërtetë, kush ka vizion, kush ka vullnet, kush ka ambicie, nuk ka nevojë të iki jashtë shteti se këtu fiton më shumë”.