Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Punimet për parkimin nëntokësor në sheshin e Çerçizit në Gjirokastër vijojnë dhe ecuria është brenda planit të hartuar, për ta transformuar në një zonë këmbësore. Kryeministri Rama u ndal edhe në këtë kantier, për të parë nga afër ecurinë e punimeve, ndërkohë që aktualisht punohet për implementimin e fazës së parë të projektit.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se “gjatë gërmimeve kemi pasur në plan të parë dhe gjetjeve të mureve rrethues, por edhe nga studimet e arkeologëve janë pjesë dhe mure mbajtës të këtij sheshi që datojnë rreth 1920-ës, lidhen me fillimin e ndërtimit të këtij sheshi, së bashku me hotelin. Aktualisht kemi lidhur dhe marrëveshjen trepalëshe me arkeologët, nëse do kemi gjetje të tjera. Është bërë dokumentimi i pjesës së murit, i cili do rilidhet më pas me të gjithë tregimin e sheshit të sistemuar si pjesë e gjetjeve të gjithë ndërhyrjes”.

Parkimi është pjesë e planit të menaxhimit tërësor të qytetit dhe është një ndërhyrje shumë e nevojshme për të zgjidhur problematikën e parkimit, si për banorët, ashtu dhe për turistët e shumtë që vizitojnë këtë qytet historik. “Kjo, – theksoi Margariti, – do jetë një nga rekomandimet e plotësuara për të gjithë ndërhyrjen e qendrës historike e do t’i shtojë dhe vlerë bizneseve përreth, që do jenë lehtësisht e aksesueshme në çdo orar”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.