*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbrëmjen solemne përkujtimore, pranë skulpturës emocionuese të “Katërit të Radës”, në Otranto:
Kur disa kohë më parë erdhëm në Brindizi, padashje thashë diçka jo të mirë, diçka që nuk u pëlqeu barezëve. Thashë se Brindizi është më i bukur se Bari.
Tani ju kërkoj ndjesë brindizinëve, sepse duhet të them se Otranto është më e bukur se Brindizi. E them me të vërtetë këtë dhe jam shumë i nderuar dhe shumë i kënaqur që jam këtu sot dhe që mund të admiroj bukurinë e jashtëzakonshme të këtij qyteti, që me siguri i shton më shumë asaj që mbetet në kujtesen tonë si bukuria e shpirtit të këtij populli të bregut puliez, që 30 vjet më parë na hapi dyert, kur ishim ne atëherë afganët e sotëm, ndërkohë që iknim, arratiseshim nga një ferr i ngjashëm në themelet e veta. Sepse, ndonëse regjimi i Tiranës nuk ishte një regjim islamik, fondamentalist, ishte një regjim në themel ideologjik, i cili bazohej mbi terrorin dhe mbi mohimin e plotë të tjetrit.
Dëshiroj me të vërtetë të shpreh mirënjohjen më të thellë për Kryetarin e Bashkisë së Otrantos, për faktin se është ai që organizoi këtë ceremoni përkujtimore, e cila na jep mundësinë të takohemi, por njëherësh të mos harrojmë. Duke mos harruar na jep mundësinë që të kemi një projektim në të ardhmen, një projektim, i cili sidoqoftë mbështetet në këtë kujtesë kaq shumë të rëndësishme.
Jam me të vërtetë i kënaqur që kam mundësi ta shoh nga afër këtë vepër, e cila është konceptuar nga një artist i madh. Kam nderin ta njoh këtë artist dhe ta admiroj atë, jo vetëm nëpërmjet veprave të tij, por edhe si person. Pata kënaqësinë edhe ta përqafoja pak më parë. Nuk e di a vazhdon të jetë ende këtu me ne apo ndoshta është zhytur në ndonjë projekt tjetër të ri.
Një realizim artistik ky, i cili do të thotë shumë për mua, për ne shqiptarët. Diçka, e cila vërtet na bën të mendojmë për ato gra, për ata fëmijë që humbën jetët e tyre në këtë anije, por njëherësh na bën të reflektojmë mbi fatin e madh që kemi patur dhe që vazhdojmë të kemi ende sot, fatin që jemi pranë Italisë dhe veçanërisht pranë Pulias. Më duket sikur gati gati është Shqipëria e Italisë.
Me siguri na tregon shumë që ne të mund të mësojmë që ai progress që ka ndodhur në Pulia, veçanërisht gjithë çfarë është bërë lidhur me novacionin me drejtimin drejt së ardhmes, që nuk mbështetet vetëm në përfitimet që mund të kemi nga turizmi apo burimet natyrore, bën që ajo të jetë një burim i jashtëzakonshëm dhe një shembull i mirë i qeverisjes së mirë.
Por përveç kësaj, mendoj që është e nevojshme të shpreh një falenderim dhe një mirënjohje të veçantë për të gjithë rektorët e universiteteve pulieze që janë këtu të pranishëm, sepse në një moment si ky i rrugëtimit tonë drejt modernizimit dhe zhvillimit të Shqipërisë, ata janë duke na ndihmuar që të arrijmë të realizojmë, shpresojmë në një kohë jo shumë të largët, një ëndërr. Është ëndrra e mundësisë së hapjes pas dyerve të universiteteve shqiptare, programeve të universiteteve pulieze dhe t’u japim mundësi studentëve shqiptarë që të studiojnë në universitetet pulieze pa patur nevojë të largohen nga Shqipëria, por duke vbazhduar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe jam i sigurt që më tej do të na ndihmojë të afrojmë universitete të tjera apo seli universitetesh të tjera europiane, duke u dëshmuar atyre këtë shembull fantastik, siç tha më parë një nga rektorët, të “ndotjes” së mirë.
Përveç kësaj, do të doja të thoja që ndihem veçanërisht i nderuar që përfaqësoj këtu sot, qeverinë e një vendi që 30 vjet më parë vinte nga një histori e gjatë, e dhimbshme terrori dhe që sot është në gjendje që të mund të ktheje nderin që i është bërë, që të mund t’u hapë dyert vendeve mike, ashtu siç ne në atë kohë largoheshim nga një tjetër lloj regjimi, por nga I njëjti lloj terrori, nga e njëjta lloj frike dhe dhimbjeje.
Është një nder që të kemi mundësinë për ta kthyer këtë nder, pasi, ashtu siç ne e kemi mësuar, si në rastin kur ishim ne ata që largoheshin nga vendi i tyre, ashtu dhe kur ishim ne ata që vuanim, në jetë vjen një moment që duhet të kërkosh dhe të marrësh, por vjen dhe një kohë që t’i jep dhe përqafon ata që ndodhen në të njëjtën situatë në të cilën ti ndodheshe më parë. Sigurisht kjo të bën një përshtypje të caktuar, fakti që është Shqipëria, ajo që duhet të presë më shumë refugjatë afganë sesa shumë vende të tjera të pasura evropiane, por ne nuk e bëjmë këtë për asnjë arsye tjetër, veçse për të nderuar historinë tonë, për të nderuar gjyshërit tanë, që bënë që Shqipëria të ishte vendi i vetëm në Europë që strehoi më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore, por dhe para Luftës së Dytë Botërore, pasi asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve. Madje ka patur shqiptarë që kanë vdekur në kampet e përqëndrimit, pasi kanë mbrojtur me jetën e tyre, morën mbi vete përgjegjësinë për të mbrojtur, duke thënë se ishin ata hebrenjtë. Hebrenjtë i lanë me familjet e tyre dhe humbën jetën në kampet e përqëndrimit. E pra, të nderosh këtë histori është një detyrim i madh.
Më duhet të them se është e rëndësishme ta bësh këtë gjë sot, për fëmijët tanë, sepse vendi ynë nuk është një vend i pasur, nuk ka pasyri materiale kaq të konsiderueshme sa që t’ua lëmë trashëgimi fëmijëve tanë, por kjo, sipas mendimit tim, është një pasuri shumë më e rëndësishme që duhet të trashëgohet nga fëmijët tanë, humanizmi, ndjenja e të qenit udhëtar, ndjenja e të mos qenit apo të mos ndjerit pronarë të kësaj toke ku për një periudhë të caktuar kohe kemi fatin të jetojmë, por ku kemi edhe detyrimin që të mendojmë gjithmonë se toka u përket atyre që do të vijnë pas nesh.
Unë shpresoj shumë që të mos vijë kurrë në Shqipëri dita kur zhgënjimi, ndjenja e margjinalizimit apo të gjitha ato që janë probleme të shoqërisë sonë të zhvilluar të mund të jenë një arsye për t’u mbyllur derën atyre që kanë nevojë.
Shqipëria është një vend që sot duhet të bëjë një reformë të drejtësisë që të mund jo vetëm të ketë akses në BE, por që të mund të bëhet një vend ku shteti i së drejtës është një realitet institucionesh. Të ndërtosh disa institucione, të cila funksionojnë dhe që kanë aftësinë për të shërbyer qytetarët e vet, pa ndërmjetësimin e pushteteve të forta dhe të korrupsionit, është e lehtë ta thuash, por është e vështirë ta bësh. Për nga tradita nuk është se kemi trashëguar shumë nga pikëpamja e kulturës demokratike apo e kulturës institucionale, sepse historia jonë ka qenë pak bujare. Kemi kaluar nga një perandori në tjetrën, pa patur mundësinë për të zgjedhur dhe jetuar në një hapësirë të lirë, në një hapësirë ku secili kishte dhe thoshte zërin e vet. Por, sidoqoftë, unë besoj se duhet të jemi krenarë për faktin se Kushtetuta jonë e parë, edhe pse nuk ishte një Kushtetutë e mirëfilltë, ishte një Kanun , i cili nuk synonte të krijontë institucione demokratike, sigurisht ishte në mesjetë, krijoi një institucion moral që sot vazhdon të jetë një institucion i rëndësishëm për shqiptarët, institucioni i mikëpritjes.
Pikërisht, kur flitet në Kanunin tonë thuhet që “shtëpia e shqiptarit është shtëpia e Zotit dhe e mikut”. Përkthimi perfekt do të ishte “është shtëpia e Zotit dhe e udhëtarit”, sepse për çfarëdolloj arsyeje, dikush që troket në derën tënde, ti je i detyruar t’i hapësh derën, sepse në atë derë po trokitet pasi është vullneti i Zotit. Pra, edhe nëse ai që është pas dere është njeri i panjohur, do të thotë që ka mbërritur para shtëpisë tënde pasi është vullneti i Zotit dhe ti duhet ta respektosh këtë vullnet. E për të gjithë kohën që tjetri ka nevojë për mikëpritjen tënde, ti duhet t’ja ofrosh atë.
Është një kapitull i tërë në Kanunin tonë që flet për mikëpritjen dhe që do t’i pëlqente mikut tim të madh, magjistratit Mikeles dhe mikut tim tjetër të madh Franceskos, një tjetër magjistrat. Në Itali keni shumë magjistratë dhe jam shumë i kënaqur që disa prej tyre janë dhe miq të mi. Për fat të mirë i kam njohur pasi kishin ushtruar detyrat e tyre si magjistratë. Xhustitucionalizmi i tyre qëndron në shpirtin që ata kanë dhe jo në mënyrën si ata punojnë. E pra, do të jenë shumë të kënaqur të mësojnë që ekziston një ndëshkim shumë i rreptë në Kanun për të gjithë ata që nuk pranojnë t’i hapin derën dhe të nderojnë detyrimin e mikëpritjes për të gjithë ata që kanë nevojë të mikpriten.Kanuni thotë se ai që nuk respekton mikun, nuk mund të marrë pjesë në asnjë ngjarje publike, veçse në varrime dhe se do të mallkohet për gjithë jetën e tij.
Unë nuk po shpresoj aspak në mallkimin e atyre që mendojnë të kundërtën e kësaj gjëje, por po shpresoj fort që me pasurinë që sidoqoftë rritet, kujtesa të mos shndërrohet në një shkretëtirë në këtë Europë, e cila me siguri vuan, me siguri ka problemet e saj, por kur shohim rreth e rrotull dhe kur shohim realitete të tjera, atëherë duhet të mendojnë dhe të kuptojnë që europianët jetojnë në një parajsë. Në këtë parajsë, e rëndësishme është të ruajmë humanizmin dhe të mos e shndërrojmë zemrën e projektit europian, i cili frymëzoi etërit themelues, në një bankomat dhe të ndahen njerëzit në persona që kanë dhe që duhet të kenë gjithmonë dhe në persona që nuk kanë dhe që nuk duhet të bezdisin, nuk duhet të shqetësojnë, por duhet të qëndrojnë jashtë asaj hapësirë, kur ekziston një mundësi për të gjithë. Kjo nuk është Europa që unë do të ëndërroja për fëmijët tanë.
Mendoj që këto fjalë mund të thuhen në një vend si ky, sepse edhe këtu në Pulia, edhe këtu në Itali jemi në Europë. Pulia dhe Italia dëshmojnë këtu që gjërat mund të bëhen edhe ndryshe, sepse afganët, 30 vjet më parë zbritën me anije, dukeshin të rrezikshëm, por Pulia nuk u zhduk nga faqja e dheut, as Italia nuk u zhduk dhe të gjithë ata që në atë kohë dukeshin si një arsye për të patur frikë, sot japin kontributin e tyre për ekonominë italiane.Janë më shumë se 40 mijë sipërmarrje. I rrisin fëmijët e tyre në Itali, flasin dy gjuhët në mënyrë perfekte. E së fundi, do të thotë që nuk fitoi vetëm humanizmi me xhestin që puliezët dhe Italia bëri duke hapur dyert, por fitoi e ardhmja e Italisë nga pikëpamja ekonomike, shoqërore dhe në shumë drejtime të tjera.
Ky do të ishte shembulli që do të duhet t’u tregojmë fëmijëve tanë, për të mos i lënë ata në duart e frikës dhe për të mos i lënë ata vetëm përpara të gjithë atyre që përpiqen të përfitojnë nga frika.
*Përkthim simultan