Certifikata e Vaksinimit, së shpejti pjesë e sistemit të BE-së

Shtatori është muaji i hapur i vaksinimit dhe procesi vijon në të gjithë vendin, duke shënuar rritje të interesit të të gjithë grupmoshave për vaksinën antiCOVID. Nga Qendra Shëndetësore nr.1 në Tiranë, Kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve për t’u vaksinuar sepse vetëm kështu shmanget rreziku i humbjes së jetës nga infeksioni COVID-19. Ndërkohë po punohet për njohjen së shpejti të Certifikatës së Vaksinimit, si pjesë e integruar në sistemim e  Bashkimit Europian.

Bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe me Dr. Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Kryeministri Rama vizitoi ambientet e qendrës shëndetësore nër.1 në Tiranë ku kryhen rreth 400 vaksinime në ditë, por dhe ku nga 1 shtatori ka rinisur kontrolli bazë mjekësor, i njohur ndryshe si check-up.

“Sfida e vaksinimit vazhdon dhe është kthyer në sfidën e shëndetit publik për të rritur numrin e vaksinimeve. Sfida tashmë është rritja e mbulesës vaksinale tek studentët, pedagogët dhe mësuesit. Në të gjitha qendrat shëndetësorë vijon vaksinimi dhe kjo është një prej qendrave model, sepse kryhen rreth 400 vaksinime në ditë. Ne vijojmë të sigurojmë vaksina, aktualisht më shume se 2 milionë janë vaksinat e mbërritura, ndërkohë që deri në fund të dhjetorit, me kontratat e angazhuara, me donacionet presim të arrijmë mbi 3 milionë vaksina dhe krijojmë gjithë disponibilitetin e nevojshëm për të rritur mbulesën vaksinale. Këtu kemi dhe një fillim të ri të kontrollit mjekësor bazë. Prej 1 shtatorit është hapur dhe ka rifilluar punën. E pamë të nevojshme hapjen e kontrollit mjekësor bazë edhe në raport me monitorimin e shëndetit të popullatës, por dhe sa i përket faktit që do duhet të kemi dhe një monitorim të ‘long-covid’ dhe patjetër t’i sigurojmë qytetarëve mundësinë për të bërë analizat falas një herë në vit e për të krijuar një raport të parandalimit me ndjekjen e rasteve”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

Kryeministri Rama nënvizoi nevojën për t’u vaksinuar pasi “vaksina jo domosdoshmërish të mbron nga infektimi dhe edhe pse numri i të infektuarve mes të vaksinuarve është jashtëzakonisht i ulët, por në momentin që infektohesh të mbron nga vuajtjet dhe nga rreziku për jetën”.

“Është shumë e rëndësishme të përsëritet në vijim që studentët që nuk do vaksinohen, nuk do të hyjnë në auditorë, sepse nuk ka mundësi që pjesa që është e vetëdijshme, që do të mbrohet, të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit apo me frikëra që janë komplet antishkencore, të pabazuara, të pajustifikueshme. Natyrisht që askush nuk i merr me forcë, por në mjedise ku janë dhe të tjerë, je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë vlen për administratën. Aty ku janë mjedise publike, ku mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët. Nuk ta ka borxh pjesa tjetër protestën ndaj shkencës apo marrëzinë në raport me realitetin. Natyrisht që mirë është të vaksinohesh sepse jetën duhet ta mbrosh, por në fund të ditës nuk mund të kërcënosh jetën e të tjerëve. Nëse Shqipëria, sot ka stabilitet dhe është shumë më mirë sesa shumë kush tjetër rreth e rrotull, kjo vjen si rezultat i vaksinimit. Ne kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv e prandaj jemi shumë më të mbrojtur sot. Nëse nuk do kishim patur këtë sukses në këtë proces, nëse nuk do kishim siguruar sasitë për vaksinimin masiv që në krye të herës, sot do ishim duke numëruar, larg qoftë, dhjetëra të vdekur në ditë. Ky është fakt. Siç po numërojnë të tjerët e që kanë humbur fazën e parë”, – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri përsëriti thirrjen drejtuar studentëve, pedagogëve e mësuesve për t’u vaksinuar, ndryshe do të vazhdojnë ta bëjnë mësimin online. “Në fund fare le të marrin përsipër kostot që ka kjo gjë për dijen e tyre, por kjo nuk mund të jetë një histori luftërash me mullinjtë e erës se shkencën nuk mund ta rrëzojmë ne për ta kthyer në opinion. E gjithë bota po e bën, por në këtë rast, ne e kemi më të butë si masë. Nuk do? Vazhdo, por në mjedise publike ku të tjerët marrin mësim, sepse duan të studiojnë, duan të japin mësim, duan të punojnë në shërbim të administratës, nuk hyn dot”, – nënvizoi Kryeministri.

Ministrja Manastirliu informoi se në universitete dhe në konvikte jemi duke përgatitur grupet e vaksinimit për t’iu dhënë mundësinë që të vaksinohen pranë universitetit apo pranë konviktit ku je rezidencial.

Përsa i përket pasaportës së gjelbër, ministrja Manastirliu theksoi se “tashmë kemi përfunduar gjithë procedurat me BE-në për të integruar sistemet, jo vetëm për kalimin e kufirit, por edhe për aksesin në shërbimet në Europë, të njihet ky sistem”.