Shqiptarët përkujtojnë këtë janar, 555 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Në kujtesë të kësaj dite, nxënës të shkollave të mesme, me rezultate të shkëlqyera dhe pjesëmarrës të olimpiadave në lëndën e historisë u mblodhën sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, në një bashkëbisedim mbi figurën simbol të qëndresës së kombit shqiptar, Skënderbeun.
Kryeministri Rama iu bashkua këtij bashkëbisedimi, të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me pjesëmarrjen edhe të studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Aurel Plasari, i cili dhuroi për nxënësit veprën e tij “Skënderbeu një histori politike”.
* * *
“Mirëmbrëma të gjithëve, shumë faleminderit! Duke menduar se çfarë mund të bëjmë diçka të veçantë në vigjiljen e një date shumë të rëndësishme për historinë tone, por dhe të një përvjetori, përvjetorit të vdekjes të Heroit tonë Kombëtar, thashë që asgjë më interesante nuk mund të gjendej sesa të bëhesha unë kumbarë i një bashkëbisedimi mes nxënësve më të mirë të historisë në Tiranë dhe në Aurel Plasarit. Aureli nuk ka nevojë për prezantime madje kam përshtypjen që i ka dhe bezdi kështu që unë po ia kursej këtë bezdi dhe e falënderoj shumë që pranoi këtë ftesë. Dhe unë thjeshtë dua t’i bëj vetëm një pyetje për të hapur këtë bashkëbisedim dhe pastaj bashkëbisedimi është mes tij dhe jush.
Dhe dua ta nis nga një frazë, një pyetje retorike që ngre Fan Noli kur thotë: A ka një njeri më të gjallë sesa vetë Skënderbeu. Dhe si autori i një libri që unë e dua shumë, e dua librin shumë më tepër se autorin për hir të së vërtetës, “Skënderbeu”.
Aureli është njeriu i duhur këtu për t’iu përgjigjur dëshirës që të kemi një bashkëbisedim lidhur me figurën e Skënderbeut. Shkas është sigurisht libri i tij për mua, por shumë më përtej librit besoj,
Aureli është në dispozicionin tuaj për këtë moment dhe përsëri duke e falënderuar po i kaloj fjalën dhe i jam mirënjohës që, jo vetëm është i pranishëm por ka sjellë me vete dhe një sërë imazhesh me të cilat do të ilustrojë dhe bisedën e tij!” – u shpreh Kryeministri Rama.