Kryeministri Edi Rama përshëndet Festivalin e muzikës në natyrë, UNUM, me pjesëmarrjen e 5 mijë të rejave e të rinjve nga rajoni, Europa e jo vetëm, në Shëngjin:
Shumë faleminderit!
Do doja t’ju pyesja, kush është për herë të parë në Shqipëri?
Tani doja t’ju pyesja, sa frikë kishit kur erdhët? Fare?
A e prisnit atë çka gjetët?
Bazuar në atë që dëgjoni për Shqipërinë, a e prisnit këtë vend të ishte kaq fantastik? Nuk kishit frikë se do të vriteshit, se do grabiteshit, se do dhunoheshit, sepse shtypi në Holandë kështu thotë. Më tha dikush që është nga Holanda dhe po e pyesja, a ishe e përgatitur për t’u vrarë, për të të vjedhur, për të të dhunuar, për të të rrëmbyer, marrë peng?
Jam shumë i lumtur t’ju vizitoj! Është shumë i bukur ky aktivitet, ku rreth 5000 njerëz kanë ardhur për këtë Festival. Dikush tha, do të bëhet zëdhënësi më i mirë për vendin, për të përhapur lajmin që Shqipëria është gjithçka, përveç asaj që thuhet se është. Sigurisht kemi problemet tona, por jemi një destinacion shumë i bukur dhe në Shqipëri gjeni njerëzit më mikpritës dhe të bukur dhe ne jemi krenar për këtë.
Më vjen shumë mirë që falë edhe mbështetjes së disa miqve nga Kosova dhe punës së ministrit të Turizmit, ne e mikpritëm këtë festival me rreth 5000 të reja e të rinj që vijnë nga rajoni, nga Europa dhe njëri kishte ardhur deri dhe nga Kuala Lumpuri këtu në Shëngjin. Pa diskutim që gjithë këta njerëz bëhen zëdhënësit më të mirë të Shqipërisë së vërtetë, reale, që është shumë e ndryshme nga ajo që shkruhet, sidomos në shtypin holandez, se këtë zonjën e kemi nga Holanda, megjithëse jeton në Berlin e faktikisht është shumë e lumtur që nuk i ka ndodhur asgjë nga ato gjëra që thotë shtypi në Holandë, që të ndodhin po të takosh shqiptarët, apo të vish në Shqipëri.
Unë jam shumë i lumtur të dëgjoj që ju nuk vini thjesht për të bërë pak zhurmë dhe për të prishur natyrën, por jeni shumë të ndjeshëm për bukurinë dhe për pastërtinë e vendit, sepse ju pastroni çdo gjë.
Ne jemi në zgjedhjet për bashkitë dhe bashkia këtu, e tanishme, nuk është shumë e mirë me pastrimin, kështu që ju duhet ta bëni vetë. Faleminderit që e bëni dhe që jepni shembullin, sepse vërtetë nuk e kemi ende bashkinë këtu në terezi dhe me pastrimin sidomos ka probleme. Keni ardhur, do këndoni, do bëni zhurmë, do i bëni të gjitha ato që keni në plan, por në fund do pastroni para se të ikni, se përndryshe na krijoni probleme.
Po ashtu, fantastike është se ju mezi prisni të riktheheni. Nuk është thjesht “prek dhe ik”, por është krijimi i një lidhje të fortë. Nuk është thjesht për një natë, por është martesë, apo jo?
Kjo është ana tjetër e mirë, që Festivali vjen për herë të parë, por dëshira e organizatorëve është që ta bëjnë për vite me radhë. Kështu që nuk është vetëm një ndalesë, por është një martesë e gjatë.
Gjithashtu jam shumë i kënaqur që takova një nga DJ më të mirë në botë, siç më thanë. Kështu që faleminderit që erdhe, është një nder të të kemi këtu.
Faleminderit!