-Revolucioni digjital 2020 transformon në themel marrëdhënien e qytetarëve me shtetin
50 shërbime publike të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë prej 1 janarit do të merren online në e-albania.al. Ndërkohë që gjatë vitit 2020 edhe shumë shërbime të tjera online do t’i shtohen këtij numri, duke transformuar rrënjësisht marrëdhënien e qytetarëve me shtetin.Kryeministri Edi Rama ishte sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikes, për të parë nga afër mënyrën dhe lehtësitë e bërjes së një aplikimi online, në vetëm tre minuta, për procedura që kërkonin mesatarisht 1 javë. Teksa u demonstrua mënyra e aplikimit për një licencë që jepet nga kjo ministri, drejtuesi i sektorit të licencimit u shpreh se “Tani çdo gjë është shumë e thjeshtë. Nga rreth 1 javë periudhë kohore, tani për 3-4 minuta bëhet aplikimi dhe më e rëndësishmja është që qytetari e ndjek online se ku është aplikimi dhe vjen vetëm për të tërhequr licencën”.
Shërbimet online të ofruara nga kjo Ministri dhe institucionet e varësisë do të shtohen përgjatë vitit, duke e vënë administratën në shërbim të plotë të qytetarit, pa radha dhe pa shpenzime korruptive. “Ne kemi 23 shërbime aktualisht që janë të aksesueshme dhe përpunohen online. Nga këto, siç po themi, 9 janë shërbimeve të vlerësimit të pasurive dhe 14 shërbimet e tjera kanë të bëjnë me projektimin. Të gjitha strukturat e varësisë bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë sot ofrojnë 50 shërbime online dhe kemi deklaruar që deri më 30 qershor të shtojmë dhe 46 shërbime të tjera duke arritur 96 dhe në janarin e 2021 të kapim shifrën e 162 shërbime”, – shpjegoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes Belinda Balluku.
Kryeministri Rama theksoi se administrata do të marrë një tjetër rol në funksion të qytetarit dhe do të vihet përpara përgjegjësisë nëse nuk e përmbush atë siç duhet. “Sportelet do mbyllen, por këtyre do t’u shumëfishohet puna sepse do bëjnë punën për qytetarin. Nuk do jenë aty si polic trafiku që “e ke dosjen në rregull kalo, nuk e ke, ik mbushe”, por do ta mbushin vetë. Në rast se një dokument shtetëror që duhej të merrej, nga brenda administratës mungon, do konsiderohet i dhënë, nuk do i thuhet qytetarit “prit” dhe do gjobitet zyra përgjegjëse. Drejtuesi i zyrës do gjobitet për shkelje të ligjit. Një herë, dy herë, herën e tretë të iki fare pastaj sepse ndryshe nuk funksionon, nëse ne i themi qytetarit do e plotësojmë ne dosjen dhe pastaj për shkak të mosplotësimit nga ana jonë, të vonohet qytetari. Kjo praktikisht e zhduk komplet ryshfetin, radhën, se nuk ka më”.
Të njëjtat lehtësi sa i përket aplikimit online do të ofrohen edhe për qytetarët shqiptarë që ndodhen jashtë shtetit, të cilët do të asistohen nga Konsullatat përkatëse për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. “Për qytetarët që janë jashtë, duhet që vula elektronike shqiptare, që në shtetin tjetër ka nevojë për një sigël, duhet ta marrë përsipër konsullata dhe çdo konsullatë duhet të marrë përsipër këtë njësoj si administrata. Direkt, nga Italia, nga Gjermani, nga Australia, qytetari bën aplikimin, e merr online dhe në ato raste kur duhet dokument për shtetin atje që ka të bëjë me vulë të thatë, shkon në konsullatë dhe i vë vulën”.