Kryeministri Edi Rama mikpriti sot, Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë Pfizer, Albert Bourla, i cili erdhi në Shqipëri për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave dhe për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me vaksina Pfizer, në përmbushje të planit të vaksinimit AntiCovid.
Pas vizitës në mjediset e QSUT-së, me praninë edhe të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama dhe Drejtori Ekzekutiv i Pfizer-it vizituan Qendrën e Vaksinimit Air Albania, në Tiranë, ku aktualisht vijon procesi i vaksinimit. 500,000 doza të vaksinës Pfizer mbërrijnë në Shqipëri duke nisur nga mesi i tetorit, teksa është marrë tashmë edhe garancia për një tjetër kontratë të sigurtë me Pfizer gjatë vitit të ardhshëm.
Në një komunikim të shkurtër me mediat, Kryeministri Rama dhe Drejtori Ekzekutiv i Pfizer-it Bourla u shprehën:
Kryeministri Edi Rama: Sot është një ditë e veçantë për procesin e vaksinimit, sepse kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim shefin e madh të Pfizer-it, i cili mund ta them me shumë nderim që është bërë një mik i Shqipërisë. Na hapi derën në momentin më të vështirë, kur ne shkuam në New York për të trokitur në derën e Pfizer-it në kushtet kur nuk kishim asnjë perspektive të qartë, pasi të gjithë vendet e rajonit nuk u përfshinë në skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave. Folëm gjatë në New York dhe edhe pse nuk na premtoi aty për aty se çështja do të zgjidhej, na dha fjalën që do të bënte gjithçka për ta zgjidhur dhe falë angazhimit të Zotit Bourla, ne mundëm të marrim vaksinat më parë sesa të tjerët.
Ndaj dua që edhe në sy të opinionit publik t’ia shpreh atij vetë në sy, në shqip, atë që e kam shprehur në mënyrë të përsëritur, qoftë këtu, qoftë në takimet që kemi patur, mirënjohje pafund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë.
*Drejtori Ekzekutiv i Pfizer-it, Albert Bourla: Dua ta falënderoj shumë Kryeministrin për nderin që të jetë me mua sot dhe që më ftoi e më priti në Shqipëri. Sigurisht, e njihja Kryeministrin, pasi ai është një udhëheqës i njohur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në Europë në përgjithësi, por pata kënaqësinë që ta takoja personalisht vitin e kaluar, në fillim të pandemisë, kur shprehu vullnetin për të ardhur në New York, për të diskutuar furnizimin me vaksina të vendit të tij. U befasova, pasi ishte një kohë kur askush nuk vinte si vizitor apo të udhëtonte. Ishin kohë shumë të vështira dhe unë iu ofrova ta zhvillonim takimin përmes videos, por ai më tha, “dua t’ju takoj personalisht” dhe e vlerësova vërtet. Më pas, hapëm zyrat në New York, që të zhvillonim këtë takim.
Ishte shumë i qartë, jo vetëm meraku për vendin e tij, por edhe se kishte një plan sesi mund t’i kryente vaksinimet. Kjo për mua ishte tejet e rëndësishme, sepse kuptova që vaksinat që mund të shkonin në Shqipëri do të përdoreshin për qytetarët dhe isha shumë i lumtur, që, më në fund, qemë në gjendje të ndihmonim Shqipërinë. Kam mbetur shumë i befasuar nga udhëheqja e Kryeministrit. Që prej takimit të parë, jemi parë sërish. Po ashtu dua t’ju them se ndihem si miku juaj dhe është nder i madh për mua. Sigurisht nuk do ta harroj dhuratën që më bëtë, një pikturë krijuar nga ju vetë, që e mbaj në zyrën time, në New York. Faleminderit shumë!
*Përkthim simultan