Në zonat më të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit të qarku të Fierit dhe Vlorës ishte sot Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.
Gjatë takimeve me banorë të këtyre qarqeve dhe me drejtuesit e Shtabeve të Emergjencave Civile të ngritura në këto dy qarqe, Zëvendëskryeministri Peleshi garantoi për marrjen e masave sa më të shpejta për kapërcimin e këtyre situatave.
Zëvendëskryeministri Peleshi u shpreh se këto përmbytjeve vijnë si shkak i motit të pazakontë por edhe si pasojë e mungesës së investimeve përgjatë viteve të kaluara.
“Është një përmbytje e pazakontë por gjithsesi dua ta them që në fillim se sa për shkak të fenomeneve natyrore aq edhe për shkak të mungesës shumëvjeçare të investimeve ndodhin këto përmbytje. Dinamika e zhvillimit të qyteteve sidomos të qytetit të Vlorës që është rritur shumë vitet e fundit nuk është shoqëruar me investimet e duhura dhe të zgjuara,” – u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi.
Pasi vizitoi disa prej banesave të të dëmtuarve në Vlorë Zëvendëskryeministri Peleshi bëri me dije se tashmë janë 6 milionë euro fonde të cilat do të investohen për emergjencat civile, ndër këto 4 milionë në Qarkun e Vlorës.
“Ne kemi filluar një punë shumë të mirë me një grant prej 6 milionë euro nga BE dhe me menaxhimin e UNDP-së dhe PNUD-it për të investuar kryesisht në zonën e Vlorës. Janë rreth 4 milionë euro që po investohen këtu në disiplinimin e shtretërve të lumenjve dhe për mbrojtjen nga erozionin. Në mënyrë që aq sa punojmë me këmbëngulje dhe me vendosmëri për të zgjidhur dëmet dhe pasojat e emergjencës po aq të vendosur të jemi edhe për të parandaluar këto pasoja,” – u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi.
Gjithashtu Zëvendëskryeministri Peleshi shprehu vullnetin e qeverisë për të mbështetur organet e pushtetit vendor si dhe ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm të Drejtorisë së Emergjencave Civile.
“Ne jemi këtu në gatishmëri, në krah të Bashkisë, në krah të Prefekturës. Drejtoria e Emergjencave Civile ka reaguar ë në momentet e para të përmbytjeve. Bashkia ka bërë një punë të mirë për të tejkaluar emergjencën e krijuar në një kohë sa më optimale” – shtoi Zëvendëskryeministri Peleshi.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, sqaroi se në këtë bashki janë ngritur dy komisione, i pari për verifikim e arsyeve të kësaj gjendje ndërsa komisioni i dytë për të verifikuar dëmet e shkaktuara.
“Në bashkinë e Vlorës janë ngritur dy komisione për të vlerësuar dëmet që u janë shkaktuar qytetarëve. Ata janë shpërndarë në terren sipas rajoneve dhe janë duke iu gjendur qytetarëve pranë.” – tha kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli.