Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U përkujtua sot 70 – Vjetori i krijimit të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, një pjesë e veçantë e historisë shkencore dhe intelektuale të vendit, i cili e nisi rrugëtimin e tij menjëherë pas Luftës, si Instituti i Lartë Mjekësor me 67 studentë e ku ndër dekada u formuan breza të tërë profesionistësh burra dhe gra, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në shërbimin tonë kombëtar shëndetsor.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e rastit i dorëzoi rektorit të Universitetit “Yllin e Mirënjohjes Publike”, në nderim të punës 70 vjeçare të Universitetit Mjekësor të Tiranës, me motivacionin  Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në këtë prag 70 vjetori, për përkushtimin e treguar në formimin profesional të brezave, edukimin e tyre me vlerat njerëzore, me vlerat bazë të mishëruara në betimin e Hipokratit, si dhe për kontributin e veçantë, gatishmërinë e treguar në çdo kohë, por posaçërisht në një kohë shumë të vështirë, si ajo e pandemisë Covid 19.” 

* * *

Mirëmbrëma  të gjithëve! Në radhë të parë do tju kërkoj që në fillim ndjesë sepse unë duhet të largohem pas kësaj fjale. Jam i sigurtë se nuk ju ka marrë malli se më keni çdo ditë në shtëpi, por sot e kisha vërtetë të pamundur që të refuzoja praninë dhe ju falenderoj për ftesën sepse realisht është një moment shumë i rëndësishëm për këtë universitet dhe ndërkohë është një universitet që për hir të së vërtetës, në, sidomos vitet e fundit na shërben shumë edhe si një shembull se si shkohet përpara, jo duke  kërkuar çdo gjë nga qeveria, nga shteti, por edhe duke marrë vetë iniciativën.

Dëshiroj të falenderoj dhe t’ju shpreh edhe nga ana ime mirëseradhjen të gjithë të huajve që janë këtu në sale, të cilët janë partnerë të universitetit dhe janë edhe ata dëshmitarë shumë të besueshëm të progresit që ka bërë universiteti, i cili kur ka nisur si institut i larte mjekësor ka pasur një staf akademik të diplomuar në universitete prestigjioze jashtë vendit dhe ka pasur vetëm 61 studentë, ndërkohë që sot është një universitet me një numër të konsiderueshëm studentësh, gjë që nga ana tjetër del e bëhet gjithnjë e më e qartë për ne, se duhet gjendur rruga për t’u rritur si numër, duke shpërndarë pak edhe barrën e mbarëvajtjes së studimeve të tyre. 

Por gjëja që vlen këtu të theksohet , besoj unë, edhe të vlerësohet me konsideratën më të lartë është ajo që preka pak një çikë më përpara dhe që lidhet me shkëmbimet sistematike tanimë, që universiteti i Mjekësisë ka me Universitetin e Bolonjës, që dihet se çfarë institucioni me vlerë të madhe është në mozaikun e institucioneve të Arsimit të Lartë në Europë dhe me  Universitetin e Chietit në Pescara. 

Nga ana tjetër,  universiteti i Mjekësisë në Tiranë është i pari në renditjen për fondet e përthithura nga programet e BE dhe ky është një ogur shumë i mire për të nesërmen sepse ndërkohë që ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur bazën e financimeve të mundshme për institucinet tona IAL nga bashkimit Europian, është e domosdoshme që IAL-të të përgjigjen dhe të krijojnë kapacitete që mund t’i thithin këto fonde dhe faktikisht këtë periudhë të fundit, do të thosha edhe falë lidershipit të ministres së Arsimit në sistetmin tonë universitar ka një rritje të ndjeshme të fondeve të përfituara nga BE.

Nga ana tjetër, shtoj këtu edhe faktin që janë rreth 300 studentë dhe profesorë të këtij Universiteti që kanë përfituar nga shkëmbimet, programet e shkëmbimeve të BE-së dhe të gjitha  këto  së bashku përbëjnë një arsye shumë të fortë për të besuar që, nëse ne do të arrijmë dhe kjo është përpjekje që po e bëjmë në mënyrë shumë këmbëngulëse me BE-në, – do të  jetë pjesë edhe e diskutimeve të nesërme në Samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor që universitetet tona, të vendit tonë dhe gjithë rajonit të pranohen në sistemin e IAL-së të Bashkimit Europian, do të jetë një fitore shumë e madhe, do të jetë një autostradë e re që do të hapet përpara institucioneve tona të arsimit të lartë dhe unë jam i bindur qe ndër më të përgatiturit, është universiteti juaj, Univeristeti i Mjekësisë në Tiranë.

Nuk dua të zgatem shumë sepse besoj që kjo është dita për të ndarë ju, me njëri- tjetrin kaq shumë gjëra që janë për t’u ndarë në 70 vite histori, por nuk mund të ndalem këtu pa i shprehur shumë sinqerisht dhe jo për arsye formale dhe jo protokallare repsektin dhe vlerësimin më të lartë rektorit tuaj, Arben Gjatës.

E përsëris, jo sepse duhet thënë një fjalë si kjo, po sepse realisht nga të gjitha informacionet dhe nga të gjitha analizat që ne i bëjmë punës sonë të sistemit të arsimit të lartë, realisht Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, rezulton një ndër më të mirëadministruarit, një ndër  më aktivët dhe siç e thashë më parë, një ndër universitetet me nivelin më të lartë të iniciativës së brendshme.

Dhe natyrisht që kjo është meritë e të gjithë atyre pedagogeve dhe pedagogëve që janë të përfshirë në sistemin tuaj po patjetër është meritë e komandantit që udhëheq punën dhe po ashtu dua t’i shpreh një konsideratë shumë të lartë me shumë respekt të gjithë pedagogëve më të vjetër, nëse mund ta përdor këtë term, atyre që sot janë në pension, me duket se kur hyra më zunë sytë profesor Besim Elezin. Është një legjendë e mjekësisë shqiptare, është një legjendë e universitetit të Tiranës.

Nuk kam pasur fatin e mirë që të bija në dorën e tij në thikë, por nga çkam dëgjuar nga ata që kanë kaluar nga thika e tij, kam vlerësimet maksimale, kështu qe të hysh në zemrat e njerëzve “me thikë’’ nuk është diçka që mund ta bëjë kushdo dhe  professor Besimit dhe gjithë të tjerëve, ju shpreh mirënjohjen dhe respektin maksimal.

Dhe këtu kam shumë gjëra të mira që ne kemi bërë për ju, për mjekësinë, për shëndetësinë etj, etj, po jua kursej për sot. Ndërkohë që do doja që para se të largohem, t’i lutesha rektorit që të vijë këtu për t’i dorëzuar një medalje simbolike të mirënjohjes e cila është një medalje që ne në Kryeministri e japim me jashtëzakonisht shumë kursim, kështu që, nuk jeni më shumë, por me ata që jeni, jeni në një shoqëri realisht të mirë dhe të respektueshme. 

Kjo është dhe certifikata që provon se medalja nuk është false. Dhe nëse mund të lexoj motivacionin: “Universitet të Mjekësisë, Tiranë, Ylli i mirënjohjes Publike me motivacionin në këtë prag 70 vjetori, për përkushtimin e treguar në formimin profesional të brezave, edukimin e tyre me vlerat njerëzore, me vlerat bazë të mishëruara në betimin e Hipokratit, si dhe për kontributin e veçantë, gatishmërinë e treguar në çdo kohë por posaçërisht në një kohë shumë të vështirë si ajo e pandemisë Covid 19.” 

Një mjek i famshëm i kahershëm ka thënë se nuk ka asnjë profesion tjetër në botë që i kombinon interesat intelektuale me interesat morale si mjekësia. 

Dhe unë dua me këtë rast të shpreh me të gjithë fuqinë e zemrës dhe të mendjes sepse për shkak të detyrës më është dhënë mundësia që shumë pjesë të realitetit të sistemit tonë të mjekësisë t’i prek nga afër, solidaritetin tim më të plotë me të gjithë njerëzit e këtij sistemi që mbajnë bluzën e bardhë dhe që jam i bindur ndjehen shumë shpesh keq kur futen në një thes, edhe baltosen sikur janë një ushtri njerëzish që nuk shërben, por rrëmben sepse e di shumë mirë që në fakt e kundërta është e vërtetë dhe me shumë mirënjohje, me shumë respekt dhe me solidaritet, duke qenë një tanimë veteran i mbajtjes së baltës në kurriz ju them: Mos u mërzisni sepse në fund të ditës kush punon, kush dallohet, kush bën sidomos vepra të mira e ka për taksirat të marrë edhe një pjese të baltës. 

Gjithë të mirat, edhe 100 vjet të tjera!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.