Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e përjavshëm me koordinatorët e Platformës së Bashkëqeverisjes:
Ky është takimi javor i bashkëqeverisjes, përmes të cilit synojmë të rrisim sa më shumë të jetë e mundur ndjeshmërinë e qytetarëve dhe t’u japim atyre sa më shumë arsye për të besuar te bashkëqeverisja, jo si një slogan, por si një mekanizëm në dispozicion të tyre, falë Platformës www.shqiperiaqeduam.al.
Më vjen shumë mirë që pas takimit të javës së kaluar ka pasur një rritje të pjesëmarrjes në Platformë dhe tanimë jemi në 10500 raste të evidentuara nga vetë qytetarët përmes Platformës, nga të cilat janë 9349 të përfunduara dhe shifra më e rëndësishme, 8264 qytetarë kanë marrë zgjidhje, pasi më parë janë vonuar, janë penguar, janë torturuar në labirintin e burokracisë.
Po ashtu është shumë e rëndësishme që, duke bërë prezent raste konkrete, të përcillet tek të gjithë mesazhi që Platforma nuk njeh privilegje për askënd dhe garanton barazinë e gjithsecilit. Që do të thotë, nuk ka asnjë rëndësi nëse jeton në qytet, apo jeton në fshat, nëse je i pasur apo i varfër, nëse ke një mbiemër të njohur, apo një mbiemër krejt të panjohur, nëse je i moshuar apo i ri, nëse je burrë apo je grua, mjafton që si qytetar i Republikës së Shqipërisë të shpenzosh maksimumi 3 minuta, për të pasur për 3 minuta në krah ministrin apo ministren në fushën ku ka lindur shqetësimi yt dhe për të zgjidhur sëbashku një problem që të është bërë i pazgjidhshëm në kundërshtim me ligjin dhe në cenim të së drejtës tënde.
Është e mirëkuptueshme mungesa e besimit, hija e dyshimit, inercia në një rrugë të gjatë e të lodhshme të së shkuarës e në vend se njeriu menjëherë të mendojë gjënë e parë, që unë sot e kam fuqinë t’i kundërvihen kësaj padrejtësie që po më bëhet, të fillojë nga kërkimi i shtigjeve të vjetra të mikut, të deputetit, të partisë, të krushqisë dhe të ryshfetit. Kjo është e mirëkuptueshme, por me fuqinë e të gjitha provave të materializuara deri më sot dhe ditë për ditë, unë do të vazhdoj dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos që t’u themi njerëzve jo, këtu ka ndryshuar diçka themelore.
Zyrat e dikurshme të pritjes së popullit, zyrat e dikurshme të marrëdhënieve me publikun, zyrat e dikurshme të letrave pafund që nuk merrnin kurrë përgjigje, të pritjeve sa për të larë gojën, të radhëve ku duhej mik edhe për t’u dëgjuar, ia kanë lënë vendin një sporteli të zyrës së ministrit, që gjithsekush mund ta ketë në xhep përmes aplikacionit www.shqiperiaqeduam.al. E për të gjithë ata që nuk kanë një smartphone, apo që janë në një moshë të caktuar dhe nuk përdorin internetin, në zyrat e Postës, në zyrat e njësive administrative, në zyrat e bashkëqeverisjes që janë ngritur nga Partia Socialiste në të gjithë Shqipërinë ka një numër alternativash për të shkuar dhe për të pasur në dispozicion vajza e djem, që e bëjnë aplikimin menjëherë për këdo.
E nuk ka pikë rëndësie bindja politike. Nuk ka pikë rëndësie për kë ke votuar. Nuk ka pikë rëndësie nëse e do, apo nuk e shikon dot me sy qeverinë. Kjo është për të gjithë. Mjafton që të harxhojmë 3 minuta.
Paraprakisht, iu jam shumë mirënjohës të gjithë zonjave dhe zotërinjve që janë këtu sot të pranishëm dhe që kanë pranuar të shpenzojnë kohë nga koha e tyre e çmuar për të ndihmuar të tjerët. Pasi kanë gjetur vetë zgjidhjen, kanë pranuar të vijnë të na ndihmojnë ne, që të ndihmojmë të tjerët, që, duke ju parë drejtpërdrejtë dhe duke dëgjuar historinë tuaj, mbase do të besojnë më shumë dhe do të kenë bindje më të shpejtë, sesa duke dëgjuar fjalimin tim të radhës.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Unë dua të prezantoj këtu, rastin e qytetarit Joni Dervishi. Qytetari iu adresua Platformës me një ankesë për të denoncuar një akt abuziv nga subjekte që ofrojnë transportin urban ndërqytetës. Ankesa konsistonte në çmimin e ndryshëm të paguar, krahasuar me çmimin e biletës. Rasti u ndoq me përparësi nga strukturat e administratës tatimore, të cilat bënë kontrolle në subjektet që ofronin këtë shërbim. Në bazë të shkeljeve që u identifikuan në 3 nga 4 subjektet e kontrolluara, u vendosën penalitetet përkatëse, bazuar në Kodin e Procedurave Tatimore. E ftoj Jonin që të dëshmojë historinë e tij.
Joni Dervishi: Iu drejtova portalit shqiperiaqeduam.al dhe sot po marr përgjigjen e duhur, administrata tatimore ka filluar të gjitha kontrollet e nevojshme lidhur me rastin tim për çmimin e tarifave për autobusët ndërqytetës. Sot mora përgjigjen e duhur dhe ju falënderoj pafund.
Kryeministri Edi Rama: Në fakt, shumë sinqerisht, të falënderoj unë ty, Joni, se është një dëshmi e një të vërtete të thjeshtë, që aty ku deri dje dukej krejtësisht e papërfytyrueshme që një qytetar të mund të vendoste drejtësi në një sektor, duke denoncuar një abuzim dhe që të mund ta bënte këtë brenda 10 ditësh, falë kurajos dhe besimit tënd, kjo u bë realitet dhe për hir të të vërtetës është një zgjidhje që ka marrë vetëm një javë. E them këtë, për t’iu thënë të gjithëve, hallall talljet, sharjet, ironitë, estrada në komentet tuaja në Facebook, hallall të gjitha, vetëm kur vjen puna te halli juaj personal provojeni Platformën, harxhojini 3 minuta dhe zëreni se do keni një arsye më shumë që të talleni dhe që të vazhdoni me avazin që “nuk bohet ky vend, mor jahu”. Janë të njëjtat minuta që duhen për të bërë një koment pa lidhje në Facebook dhe pastaj për të bërë “ha, ha, ha”, duke pirë birrë në emër të popullit që s’ka bukë.
Koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Unë jam koordinator në Kryeministri dhe përveç të tjerave monitoroj dhe punët te Ministria e Financave. Sot kam kënaqësinë të paraqes dy raste suksesi, dy zgjidhje për dy qytetarë pensionistë, të cilët ishin ankuar në Platformën e Bashkëqeverisjes për diferencën që pretendonin në pensionin e tyre dhe madje edhe vonesa në pagesat e tyre. Zoti Luan Hajçe është një qytetar, ish-ushtarak, pensionist nga Tirana. Kur është paraqitur në zyrën e pagesës së pensioneve në fund të muajit maj i është thënë që i është ndërprerë pensioni pa asnjë arsye. Zoti Luan iu drejtua menjëherë Platformës së Bashkëqeverisjes. Ne e deleguam ankesën tek ISSH dhe menjëherë situata për zotin Luan u vu në vend. Si rezultat i një auditimi të kryer në këtë Institut të disa dosjeve ishte bërë dhe pezullimi i pagesës së zotit Luan, ndoshta në mënyrë të padrejtë. Me këtë rast, në dosjen e zotit Luan, gjatë auditimit u pa dhe një diferencë nga e kaluara, ku zoti Luan tashmë do të marrë jo vetëm pensionin, por do të marrë dhe një diferencë kreditore nga e kaluara.
Luan Hajçe: Jam pensionist prej 3 vitesh, ish-oficer policie. Vete të marr pensionin, menjëherë më thonë pa një farë takti, të është ndërprerë pensioni. Unë aty u ofendova me thënë të drejtën, se kishin mundësi të lajmëronin më herët. Menjëherë iu drejtova Platformës, komshia menjëherë më hapi kompjuterin dhe e përpilova dhe jam aq i kënaqur se mu zgjidh problemi brenda një kohe shumë të shkurtër. Jo vetëm që mora pensionin, por kisha 3 muaj që më mbanin edhe gjëra të tjera dhe m’i dhanë të gjitha sëbashku, plus edhe mu shtua gati 3% pensioni. E falënderoj zotin Kryeministër për këtë dritare që ka hapur për të gjithë. U bëj thirrje edhe skeptikëve që paragjykojnë, që t’i drejtohen këtij portali se do gjejnë zgjidhje, ndryshe le të rrinë të enden zyrave.
Kryeministri Edi Rama: Qëllimi nuk është që Platforma të zgjidhë dhe administrata të lidhë. Qëllimi është që Platforma të zgjidhë, por, njëkohësisht, ata të cilët në rastin konkret janë sjellë keq dhe pa asnjë ndjeshmëri e në shkelje të ligjit të kanë ndaluar pensionin të ndëshkohen. Mesazhi të shkojë në mënyrë intensive, që çdo qytetar, një pensionist që në pamje të parë është në njeri pa asnjë lloj fuqie dhe që për njerëzit që i kanë folur keq, mbi të gjitha i kanë bërë keq, është thjesht një kalimtar për t’u shpërfillur, në fakt mund të të marrë në qafë nëse drejtohet te Platforma. Sepse mund të të bëjnë të njëjtën gjëmë që mund të të bëjë një njeri i pushtetshëm, kur t’i nuk jep një të drejtë. Kjo është rruga për t’i dhënë pushtet çdo qytetari, në kuptimin e vërtetë të fjalës. 20 e ca vite kemi dëgjuar “vota juaj-fjala juaj”, “zëri im-zëri juaj”, “pushteti im-pushteti juaj”, “jeni ju, pa jemi ne”, ndërkohë që e vërteta është se Platforma e krijon këtë mundësi, që një qytetar i zakonshëm, një pensionist të ketë akses te ministri më shpejt se një deputet. Deputetët mund të çojnë mesazhe dhe po t’i dëgjoni, ankohen se nuk iu përgjigjen ministrat. Ndërkohë që në Platformë nuk ka “nuk na përgjigjen”. Është një sistem i tërë, i ngritur me të gjithë ju që jeni këtu, vajza e djem, që punoni me orar dhe pa orar, pas ekranit dhe njëkohësisht është dhe një procedurë transparence llogaridhënie nga çdo ministër për çdo rast që figuron i vonuar, apo i pazgjidhur.
Unë iu bëj apel qytetarëve të kuptojnë që ky nuk është teatër. Këtu nuk jemi në një shfaqje. Këtu jemi në një pasqyrim besnik të jetës reale dhe të rasteve konkrete të shfrytëzimit të një mekanizmi që e ka sjellë vota. Kemi kërkuar votën për të bashkëqeverisur me njerëzit dhe iu kemi vënë njerëzve në dispozicion një mekanizëm, falë teologjisë, që na e jep këtë mundësi. Tehu i kësaj shpate është i dyfishtë, nga një anë për të zgjidhur problemin, nga ana tjetër për të ndëshkuar ata që e kanë krijuar problemin padrejtësisht. Kështu administrata të fillojë të kuptojë më në fund dhe deri në fund, që nuk bëhet shaka me fatin e një qytetari, sepse, nëse qytetari të vë përpara përgjegjësisë, atëherë do mbash të gjithë përgjegjësinë dhe do shkosh në ndjekje penale, do largohesh nga puna, apo do marrësh një vërejtje për të mos e përsëritur, sipas shkallës së abuzimit, apo të dëmit të bërë. Në këtë mënyrë mund të arrijmë realisht të kemi një administratë shtetërore që i shërben publikut, me korrupsion zero.
Për çfarë duhet të paguash ryshfet për të zgjidhur një problem, për të marrë një certifikatë, për të trajtuar çështjen e pensionit, për të trajtuar çështjen e mbifaturimit të OSHEE-së, nëse kjo ndodh, për të trajtuar çështjen e një gjobe, apo të një procedure të padrejtë nga ana e inspektorëve tatimorë, për të trajtuar çështjen e legalizimit, për të trajtuar çështjen e hipotekimit?
Është më e lehtë të paguash ryshfet, sesa të harxhosh 3 minuta, duke nxjerrë telefonin nga xhepi, apo pak më shumë kohë në rast se nuk e ke fare këtë akses, për të shkuar te njësia administrative, për të shkuar te Posta për ta bërë këtë gjë?!
Thjesht njerëzit duhet të na provojnë. Kush na provon, është dhe dëshmitar.
Koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër është për zotin Çelik Alla, pensionist nga Kavaja. Zoti Alla u ankua në Platformë për dy gjëra; E para, sepse nuk ishte i kënaqur me masën e pensionit të tij, i dukej më e vogël. E dyta, se kishte 5 muaj që nuk merrte kompensimin për energjinë elektrike, që e marrin një masë e caktuar pensionistësh. Rezultoi që ankesa e tij ishte e drejtë. U sistemua shuma e pensionit të zotit Alla, u pa dhe që padrejtësisht i është mbajtur dhe shuma për 5 muaj të kompensimit të energjisë elektrike dhe në muajin qershor, zoti Alla do të marrë pensionin e saktë, diferencën kreditore nga e kaluara dhe 5 muajt e papaguar për energjinë elektrike.
Çelik Alla: Kam 2 vjet që kam dalë në pension dhe nuk më është dhënë ajo që më takonte. Në janar kërkova kompensimin e energjisë elektrike, por pas 5 muajsh u detyrova t’i drejtohen Platformës. I thashë një shoku, se nuk kisha mundësi nga telefoni im dhe e gjeta zgjidhjen menjëherë.
Kryeministri Edi Rama: Imagjinoni, kompensimi i energjisë elektrike për kategorinë tuaj është detyrim ligjor. Jam i bindur që ju nuk jeni i vetmi, që abuzoheni nga sistemi. Ashtu sikundër kompensimi i energjisë elektrike për familjet me ndihmë ekonomike është detyrim ligjor. Jam i bindur që jo të gjithë arrijnë ta marrin kompensimin për abuzime, për indiferencë, për mungesë të plotë ndjeshmërie dhe vetëdije të duhur për detyrën të njerëzve që duhet t’i garantojnë të gjitha këto të drejta që janë të shkruara në ligj. Për këtë arsye është e domosdoshme që secili të mos presë, por të bashkëpunojë me ne dhe të marrë të drejtën e vet. Ndërkohë, ata, të cilët e kanë penguar të drejtën, të largohen nga administrata. Ata paguhen nga taksat e njerëzve. Ne kërkojmë nga njerëzit të paguajnë taksat. Taksat paguhen për të marrë shumë gjëra mbrapsht dhe kryesorja, për të marrë shërbimin dinjitoz nga të tjerët që me taksat e njerëzve paguhen dhe marrin rroga.
Si mundet të tolerojmë që ata që marrin rroga nga kontributet e të gjithëve, t’i trajtojnë të gjithë si të ishin jetimë në këtë vend!
Si mundet ta rregullojmë këtë situatë të 28 viteve, nëse nuk kemi bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të viktimave, nëse viktimat nuk flasin, nëse nuk ngrenë zërin, nëse nuk ndjekin rrugën më të shkurtër dhe më të thjeshtë, por iu bien rrugëve të gjata, të lodhshme dhe poshtëruese të kërkimit të dikujt, apo të pagesës nga xhepi për të marrë një shërbim që shteti duhet ta japë sipas ligjit dhe në kohë!
Nuk mundemi vetëm! Por kemi të gjithë vullnetin për të bërë gjithçka, në rast se jemi bashkë. Ne na duhet që brenda këtij mandati, administratën ta kemi transformuar në një shërbëtor të qytetarëve dhe ne këtë mund ta realizojmë nëse qytetarët duan t’i kenë shërbëtorë punonjësit e zyrave dhe të mos i pranojnë, sikur i kanë skllavopronarë të të drejtave të tyre.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Si një përfaqësuese e Platformës së Bashkëqeverisjes pranë Ministrisë së Drejtësisë kam kënaqësinë të kem prezentë 2 prej qindra qytetarëve, të cilët kanë marrë zgjidhje prej kësaj Platforme. Realisht, sot është pajisur me lejen e legalizimit zoti Bardhyl Dervishi, i cili është prezent këtu dhe zoti Përparim Imeraj, sot është pajisur me certifikatën e pronësisë.
Bardhyl Dervishi: Kisha paguar faturën e ALUZNI-t. Më thanë që do presësh dy javë. Kisha shkuar më shumë se 10 herë. Aplikova tek portali dhe falë Zotit nuk kam ca them tjetër, vetëm se t’u falënderoj të gjithëve.
Përparim Imeraj: Mua, një pjesë të madhe të bibliotekës ma zënë dosjet e korrespondencës me institucione të ndryshme shtetërore për 22 vjet rresht. Unë jam në gjendje të punoj, kam akses në internet dhe dua t’ju falënderoj për hapjen e kësaj Platforme ku gjejmë mundësinë të zgjidhim problemet. Në rastin konkret, pashë se si zgjidhet problemi, pashë përkushtimin e punonjëses së administratës, por kanë tjetër mentalitet punonjësit e Platformës. Unë në këtë rast bëra një aplikim dhe zhgënjehem. Më vjen tjetër gjë. Më vjen kartela e pronësisë për pallatin ku jetoj dhe e kam nxjerrë vetë lejen e ndërtimit, por nuk ekzistoja unë si bashkëpronar. Duhet kuptuar se çfarë mundësie e madhe na është hapur.
Kryeministri Edi Rama: E vërteta është që gjithë rrjeti i koordinatorëve, këtu të pranishëm, – e dinë më mirë ata që më njohin, që nuk jam i komplimenteve, – është një rrjet ekselence. Janë zgjedhur me pikatore dhe e justifikojnë punën e tyre, por nuk do mund të bënin këtë që bëjnë në rast se sistemi nuk do të ishte i tillë, që të ngarkonte me përgjegjësi të drejtpërdrejtë ministrat. Kjo sjell që fuqia e tyre të jetë e tillë që informacioni dhe shkëmbimi i informacionit të zhvillohet në kohë të shpejtë. Kush mban peng një qytetar që shkon 10 herë për të marrë një të drejtë, që pastaj e merr për 3 minuta duke iu drejtuar Platformës, nuk mund të jetë pjesë e administratës. Është një mendësi e rrënjosur që vitin e parë të këtij transformimi demokratik, që duhet ta çrrënjosim dhe do ta çrrënjosim dhe për çrrënjosjen e kësaj mundësie janë qytetarët, realisht, ata që kanë në dorë fatin e këtij vizioni dhe të këtij misioni. Pa qytetarët, kjo nuk bëhet. Do kërkojë gjenerata. Me qytetarët, kjo mund të bëhet brenda 1 mandati, që jo t’ju përcjellin e t’ju thonë nuk më pëlqen zarfi, por t’ju rrinë gatitu, se përndryshe humbin vendin e punës.
Rastin tjetër është një rast shumë me vlerë, pasi tregon që Platforma nuk ka kufi. Platforma zgjidh probleme të atyre që janë jashtë kufirit të Shqipërisë, edhe në kontinente të tjera, madje. Imagjinoni se sa mund ta zgjidhin një problem nga kontinenti tjetër, kur zotëria shkon e vjen tek ALUZINI dhe mund të kishte vazhduar të shkonte deri sa t’i dilnin flokët nga e para dhe nuk do e kishte marrë zgjidhjen. Imagjinoni një tjetër që është jashtë shtetit.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Dua të ndaj me ju rastin e zotit Leonard Çela, shtetas shqiptar me banim në Greqi. Në dokumentin që zoti Çela kërkonte, nuk identifikohej bashkëshortja e tij, e cila është filipinase. Qytetarit iu desh një kohë mjaft e gjatë për ta kërkuar këtë dokument, por pa sukses. Pasi iu drejtua Ministrisë për Europën dhe Punët e jashtme, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes dhe në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, u arrit zgjidhja e përshpejtuar e këtij rasti, brenda 24 orësh, pasi qytetari iu drejtua Platformës. Si koordinatore e bashkëqeverisjes për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, gjej rastin të ftoj të gjithë qytetarët me banim jashtë vendit, kudo që ata ndodhen, të drejtohen pranë nesh, të ndajnë problemet e tyre me ne dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemit.
Përshëndetje të gjithëve. Jam këtu për të prezantuar rastin e tim vëllai, në pamundësi për të ardhur. Prej janarit të vitit 2018 nuk mundej të legalizonte dot një certifikatë për arsye të toponimeve dhe kjo certifikatë i sillte një sërë problemesh në shtetin ku jetonte, si për arsimimin e fëmijës, për lejen e qëndrimit të bashkëshortes së vet, si dhe për librin shëndetësor. Para 2 javësh, kur ai iu drejtua Platformës, çështja u zgjidh brenda 24 orësh. Unë jam shumë e kënaqur dhe certifikatën e kam këtu. I them qytetarëve që t’i drejtohen kësaj Platforme, se do gjejnë zgjidhje në kohë rekord.
Kryeministri Edi Rama: Imagjinoni, shteti mund ta kishte ndarë edhe nga gruaja. Gruaja e ka marrë me dashuri, shteti shqiptar mund ta ndante me pahir nga i shoqi, se nuk i njihte të drejtën e ekzistencës.
Marini ka një rast tjetër që është domethënës, për t’ju thënë qytetarëve se nuk ka gjë që ka të bëjë me administratën, që ne nuk e zgjidhim, në rast se ju doni ta zgjidhini me ne. Në rast se ju doni ta zgjidhini me rrugët e vjetra, ky është problem i madh për ju dhe për ne.
Koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Platforma është gjithëpërfshirëse, për ankesa personale të përditshme, por jo vetëm, edhe për raste të subjekteve të ndryshme dhe kompanive që gjejnë besimin për t’ju referuar Platformës së Bashkëqeverisjes, për të gjetur zgjidhje si në rastin konkret. Flasim për një lider në qytetin e Sarandës, në fushën e turizmit, i cili besoi në platformën e bashkëqeverisjes për zgjidhjen e problemit.
Jam këtu si përfaqësuese e një prej bizneseve lider në fushën e hoteleri-turizmit. Problemi ynë konsiston në ndotjen e mjedisit që shkaktohej nga një piceri që është direkt përballë hotelit. Vitet e fundit është shtuar dhe numri i turistëve të huaj dhe problemi qëndronte që turistët kishin ankesa për ndotjen që shkaktohej përballë hotelit. Menduam t’i drejtoheshim bashkisë së qytetit dhe zyrës së mjedisit. Për shumë muaj me radhë bëmë ankesa dhe nuk gjetëm asnjë zgjidhje. Menduam t’i drejtoheshim Platformës së Bashkëqeverisjes dhe me thënë të drejtën nuk menduam se do arrinim rezultate të tilla në kohë rekord dhe për këtë jemi shumë të kënaqur. Pamë një bashkërendim të Ministrisë Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit për të zgjidhur problemin tonë. Kanë ardhur në kohë rekord inspektorët për të bërë analizat e ndotjes mjedisore, të cilat rezultuan në një shkallë shumë të lartë dhe në një kohë rekord koordinatorët e Ministrisë së Mjedisit dhe gjithë stafi na kanë qëndruar afër dhe kemi komunikuar deri në zgjidhjen e problemit, i cili aktualisht sot është i zgjidhur.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Kjo për të shpjeguar edhe një herë që Platforma nuk ka kufizime. Janë halle individuale, janë halle biznesi, janë halle komuniteti, janë halle që fare mirë mund t’i zgjidhnin strukturat që kanë detyrë t’i zgjidhin, por, fatkeqësisht, kjo rëndom nuk ndodh dhe përmes Platformës zgjidhen dhe jo vetëm kaq, por jepen edhe mësime. Inspektorati i Mjedisit të Vlorës do të përgjigjet për vonesat. Çështja u zgjidh, por ka filluar hetimi administrativ, për të parë përfshirjen e njerëzve në këtë ngritjen e murit të indiferencës ndaj jush. E në rastin tuaj, jo vetëm është zgjidhur çështja për një biznes, por është zgjidhur një çështje imazhi për qindra turistë që në vend që të ktheheshin nga Shqipëria duke folur mirë për Shqipërinë, do ktheheshin duke treguar një histori që praktikisht do të shtonte numrin e atyre që mund të vinin, ose rivinin dhe nuk do të merrnin më mundimin. Pra, pasoja do të ishte edhe më e madhe. Albana, ka një rast që lidhet me një histori njerëzore shumë të vështirë dhe më vjen shumë mirë që më në fund i është dhënë zgjidhje.
Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në cilësinë e koordinatores së Bashkëqeverisjes për Ministrinë e Shëndetësie dhe Mbrojtjes Sociale kam kënaqësinë të ndaj me ju një rast shumë sensitiv, rastin e një nëne me një fëmijë autik infantil, e cila i është drejtuar dy herë Platformës dhe në të dyja rastet ka gjetur zgjidhje në më pak se 10 ditë. Tipologjia e ankesës i referohet pagesës së aftësisë së kufizuar. Në ankesën e parë, zonja kishte vënë re një vonesë në daljen në komisionim të djalit në Kempin epror dhe rasti u zgjidh. Pas zgjedhjes së kësaj ankese, zonja përsëri iu drejtua Platformës dhe problematika ishte e njëjtë, për çështjen e pagesës së aftësisë së kufizuar. Pas daljes në komisionim të djalit, ende pas një muaji nuk kishte marrë vendimin nga Kempi epror, si dhe një certifikatë të aftësisë së kufizuar të djalit, dokumentacion që mund të tërhiqet pranë njësisë administrative ku zonja është banore.
Hapa Platformën, u regjistrova dhe e shkrova problemin. Për punë sekondash më erdhi mesazhi që ju do merrni përgjigje për 10 ditë. Të them të drejtën, pas dy ditësh mora një përgjigje “ju do dilni për 5 ditë në komision”. Vendimin do ta merrja për 1 muaj. Pastaj shkova pranë bashkisë, aty më thanë që do presësh pas datës 15. U detyrova të futesha përsëri në portal dhe herën e dytë për një përshpejtim të marrjes së vendimit dhe më njoftuan përsëri për 5 ditë dhe dje më telefonuan që vendimi është marrë dhe sot unë mora zgjidhje. Unë ju falenderoj shumë për zgjidhjen e problemit, shumë më shpejt, sesa e kisha menduar.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit juve dhe pa dashur të bëj modestin, sepse nuk ka njeri që nuk i pëlqen falenderimet, por realisht besoj që Albana është për t’u falënderuar, vajzat dhe djemtë që janë këtu duhen falënderuar, unë nuk jam për t’u falënderuar. Unë duhet të falënderohem kur mos të krijohen më këto probleme, jo pse zgjidhen këto probleme. Këta kanë detyrën që të çohen çdo mëngjes dhe të zgjidhin probleme që krijohen nga administrata për të cilën, unë kam përgjegjësi. Në një farë mënyre ndihmojnë në lehtësimin e përgjegjësisë time dhe gjëja që e bën Platformën themelore në këtë aspekt është se Platforma ndihmon që të shkojmë hap pas hapi drejt një momenti kur probleme të tilla të mos krijohen më. Ideja nuk është që të krijojmë probleme e t’i zgjidhim brenda për brenda shtetit. Ideja është të mos krijojmë probleme. Njerëzit kanë boll probleme, boll halle, boll nevoja e siklete. Shteti minimumi nuk duhet t’ua shtojë. Pastaj, sa ja u zgjidh të tjerat, kjo është një temë tjetër.
Duke e mbyllur për këtë javë e duke ju garantuar që të gjithë ata që janë shkaktarë të shqetësimeve tuaj do të ndëshkohen, unë ju falenderoj të gjithëve me radhë.
Shumë faleminderit!