Aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën e shpalljes së kompanisë fituese për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës:

 

Sikur të përpiqesha të tregoja, po të shkruaja se sa shumë e se me sa shumë padurim e kam pritur këtë ditë, kam përshtypjen që do të tregoja por do të shkruaja diçka që pak kush ose mbase askush nuk do ta besonte.

Kjo ka qenë një nga sfidat më të bukura e më të rëndësishme për mua si kryeministër, që ta bëja Vlorën me një aeroport ndërkombëtar dhe u kthye në sfidën më të tmerrshme nga pikëpamja e zinxhirit të pengesave të një pas njëshme që u krijuan për arsye krejt pa asnjë lidhje me dëshirën tonë, me angazhimin tonë, me vullnetin tonë.

Është historia e një aventure që ka filluar vite më parë dhe për fat të keq në këto raste, nuk është e lehtë, madje nganjëherë është e pamundur që tu shpjegosh të tjerëve se pse një sfidë e tillë bëhet gati e pamundur nga rrethana objektive jashtë ndikimit të qeverisë.

E kemi nisur fillimisht me një përpjekje për të ndërtuar një marrëveshje me konsorciumin e madh, një nga konsorcumiet më ë mëdhenj të botës që faktikisht ndërtoi aeroportin më të madh të botës ndoshta aeroportin e ri të Stambollit e patëm një proces që zgjati me muaj e me muaj, u bënë studime të të gjitha natyrave, që nga studimet gjeologjike, tek studimet e projeksioneve ekonomike, tek studimi natyrisht financiar i vetë aeroportit, tek studimet e punësimit. E si përfundim, nuk arritëm dot të konkludojmë sepse kërkesat e bëra nga konsorciumi për qeverinë shqiptare tejkalonin mundësinë tonë për të pranuar një marrëveshje që sipas nesh, nuk e mishëronte në mënyrën e duhur interesin publik, pra një marrëveshje që sipas nesh, për shkak se aeroportet, veprat e mëdha të infrastrukturës që kanë të bëjnë me lëvizshmërinë, kërkojnë gjithmonë garanci nga shteti për qarkullimin, ishin vlera që nuk na bindnin se ne duhet ta ndërmerrnim hapin e një marrëveshjeje.

Rifilluam procesin nga e para, e kuptohet, para se të ndodhte ky proces punuam për projektin, një projekt që është bërë publik para disa vitesh, që të gjithë e kanë para syve, një projekt që është realisht një projekt shumë cilësor, ambicioz, me një vizion të posatshëm e që i jep Vlorës jo thjesht një pistë për tu ulur avionët por i jep Vlorës një hapësirë të re të zhvillimit, brenda kornizës së një qyteti bregdetar, mesdhetar dhe europian.

Procesi vazhdoi me përpjekjen për të hyrë në një rrugë organizmi të një gare ndërkombëtare. U organizua gara ndërkombëtare, u bënë të gjitha përpjekjet për të shpërndarë informacion, për të krijuar interes në drejtim të kompanive serioze dhe faktikisht, interesi ishte jo i vogël, procesi u hap dhe papritur e pa kujtuar ra flama e pandemisë dhe gjithçka u bllokua.

Kompanitë kërkuan kohë, natyrshëm dhe siç e tha ministrja, pandemia ka goditur kudo, ka goditur në çdo drejtim dhe sektor por një nga sektorët më të goditur, mbase më i godituri në aspektin global është sektori i aviacionit sepse faktikisht ndalimi i qarkullimit të avionëve, mbyllja e aeroporteve kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme dhe jo vetëm kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme por kanë impenjuar vendet që të fusin sasira marramendëse parash për të mos lënë gjithë atë industri gjigande të rrëzohet plotësisht e të falimentojë.

U la një kohë, u mendua që pas verës do të rifillonte procesi, përsëri ndodhi një tjetër problem i madh. Kompanitë europiane patën një pengesë objektive pasi duke qenë të gjitha në paketat mbështetëse dhe të subvencionuara direkt nga qeveritë, nga Bashkimi Europian, u ndaluan që të përdorin financimet e tyre të brendshme për investime jashtë.

E kështu, vijmë sot në këtë moment ku realisht unë marr frymë i lehtësuar nga kjo barrë pasi për fat të mirë jam edhe deputet në Vlorë e për fat të keq jam edhe deputet në Vlorë, fati i mirë për të gjitha arsyet që dihen, fati i keq për një arsye që dihet e nuk dihet, padurimi proverbial i vlonjatëve që është sigurisht një nxitje e madhe por në momente të tilla kthehet në një torturë pasi kur nuk ke gjë në dorë dhe shënjestrohesh si gënjeshtar, shënjestrohesh si mashtrues, shënjestrohesh si një njeri që harron atë që premton, shënjestrohesh si një njeri që nuk mban përgjegjësi për atë që premton, shënjestrohesh si manipulator, shënjestrohesh si thjesht një krijues videosh 3D dhe kur ti e di se cila është e vërteta, fjalët, shpjegimet, argumentimet, realisht nuk bëjnë ndonjë punë të madhe.

Sot ne kemi fituesin më në fund dhe jam shumë i lumtur për hir të së vërtetës që baza e këtij konsorciumi është një kompani e famshme, një kompani me vepra fantastike, një kompani që ka flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit. Jam shumë i lumtur më në fund që Behgjet Pacolli do të ketë mundësinë më në fund të provojë atë që prej kohësh ka dëshiruar ta provojë e atë për të cilën prej kohësh më ankohet mua sa herë takohemi, që si nuk mu dha  mundësia që unë të investoj në Shqipëri, të lë gjurmën time në Shqipëri, të bëj diçka për Shqipërinë e të mbetet pjesë e veprës sime. E nga ana tjetër, më vjen jashtëzakonisht mirë që për faktin që duke pasur një kompani shqiptare, duke pasur një partner si Behgjet Pacolli, ne kemi mundësinë që ta vëmë përpara përgjegjësisë së madhe të nderit, në raport me mbarë popullin dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja ku kompanitë e huaja sigurisht që mund të jenë po kaq të mira, mund të jenë po kaq të interesuara por në një moment të caktuar bëhen krejtësisht të ftohta, bëhen shurdhe, bëhen qorre në raport me kërkesat që ti mund të kesh me cilësinë dhe shpejtësinë e punës.

Koncorciumi ka eksperiencë edhe në fushën e aviacionit, eksperiencë shumë të suksesshme dhe kjo është meritë e bacës Behgjet që ka arritur të bëjë bashkë këtë grup e unë jam shumë i bindur që tani nuk ka pengesa të paktën nga ato që dimë e ato që duken. Larg qoftë nëse diçka tjetër që nuk e dimë e nuk duket na vjen përpara me çfarëdo forme por sot ne mund të themi me plot gojën që asgjë nuk na pengon që të firmosim përfundimisht kontratën, brenda periudhës 30 ditore të negocimit të kontratës që parashikon ligji i Republikës së Shqipërisë, që është një kohë besoj e mjaftueshme për të vënë të gjitha pikat mbi i në raport me detyrimet e palëve.

Para disa ditësh, takova një mik nga Gjermania, ishte këtu e duke diskutuar, më kujtoi diçka që në fakt nuk është se ishte e paditur për mua por ma rifreskoi e kështu po e sjell këtu. një rrugë, një aeroport, një urë, një hekurudhë, një vepër publike, pavarësisht përmasave, në gjermani merr 10 vjet. Dhe kuptohet, që kur flasim për vitet që merr një punë, nuk janë vitet që merr ekskavatori, janë vitet që merr një projekt, që nga momenti që vendoset që do të bëhet deri tek momenti që realizohet plotësisht. Projektet e mëdha që ne kemi në kantier, projekte e tjera të mëdha që ne së shpejti do të kemi në kantier, nuk janë projekte që fillojnë të bëhen realitet kur njerëzit shohin ekskavatorin. E them këtë sepse sidomos tani në këtë periudhë, ka shumë njerëz, e kuptoj që është pjesë e të jetuarit tani me këtë bisedën e përditshme, zgjedhjet, kush fiton, kush nuk fiton, kë voton, kë nuk voton, që thonë tani u kujtuat, tani po punoni, sikur të kishit punuar kështu 8 vjet. Në fakt, të gjitha ato që sot janë punë që janë në kantier, të gjitha ato të cilat sot janë aktivitete që ne i bëjmë publike, që unë i postoj për të informuar njerëzit që çfarë po ndodh këtu, e çfarë po ndodh atje, janë të gjitha punë të filluara me vite.

Aeroporti i Kukësit nuk ka filluar kur janë vetëdijesuar ata të cilët shpesh herë nuk duan as të shikojnë megjithëse i kanë sytë top, duke ndjekur facebook-un tim. Aeroporti i Kukësit ka filluar vite më parë. Ideja për të ndërtuar aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit është e vjetër, nuk është e re. Premtimi është shumë i vjetër dhe e kanë bërë të gjithë, por puna për aeroportin e Kukësit ka filluar vite më parë. Nëse testimet e uljes së avionëve që janë në standard ndërkombëtar kanë filluar sëfundmi e nëse aeroporti i ri ndërkombëtar i Kukësit do ti hapë dyert përfundimisht duke tërhequr përfundimisht që aty të gjitha makineritë e të gjithë punëtorët që janë të angazhuar për ndërtimin e tij, brenda disa javësh, kjo do të jetë finalja e një pune shumë të gjatë.

Po kështu për këtë aeroport, po kështu për aeroportin e Sarandës. Ministrja në ditët në vijim, në javët në vijim do të publikojë garën ndërkombëtare për aeroportin e Sarandës, besoj menjëherë pas firmosjes së kontratës për aeroportin e Vlorës, se nuk kemi dashur që të hapi një tjetër garë ndërkohë që situata është kjo që është e ndërkohë që procesi me aeroportin e Vlorës kishte ngecuar. Ambicia është të realizojmë vizionin e katër aeroporteve ndërkombëtare e dua të shfrytëzoj rastin për ti thënë atyre që thonë, ne nuk kemi bukë, ju bëni aeroporte. Aeroportet janë fabrika buke, nëse e marrim bukën si metaforë. Aeroportet janë fabrika buke sepse aeroportet nuk janë stacione autobuzi ku njerëzit hipin e zbresin e të cilat konsumojnë për të çuar njerëzit nga një vend në një vend tjetër. Aeroportet janë fabrika zhvillimi të madh ekonomik. Aeroportet sjellin jo vetëm punësim për ata ë cilët punojnë në aeroport e ka kaq shumë segmente aktiviteti i punës në aeroport, por sjellin punësim për të gjithë hapësirën ku aeroportet kanë ndikimin e tyre.

Aeroporti i Mynihut, aeroporti i Parisit, aeroporti i Stambollit e kështu me radhë, nuk janë stacione autobusësh me krahë por janë pika që garantojnë një lëvizje të jashtëzakonshme brenda trupit të ekonomisë, të atyre vendeve dhe për ato vende që janë aq të mëdha, të trupit të ekonomisë globale. Një aeroport sjell me vete shumë shërbime të reja që pa aeroportin nuk lind nevoja, sepse duke rritur fluksin e njerëzve që vijnë, duke rritur nevojat që krijohen nga këto flukse aeroportet sjellin hotele, sjellin shërbime bankare të reja, sjellin manifakturë, aeroportet sjellin fabrika të reja, aeroportet sjellin një zinxhir gjërash. Dhe është shkencërisht e provuar që çfarë investon në një aeroport, ka një shumëfishim eksponencial një euro e investuar në aeroport, është minimumi 23 euro mbrapsht në ekonomi. Pra, nëse këtu kemi 100 e pak milionë euro, shumëzojeni me 23 dhe ai do të jetë impakti, kuptohet i shtrirë në një dekadë mbase, që ky aeroport do të sjellë në ekonominë e Vlorës dhe të Shqipërisë. Merrni aeroportin e Kukësit, merrni investimin dhe shumëzojeni për 23 dhe ai do të jetë impakti në ekonominë e atij qarku që ai aeroport do të sjellë. Mijëra mundësi për punësim dhe problemi që do të lindë patjetër do të jetë mungesa e krahut të punës, në kushtet kur do të duhen shumë profile. Një aeroport kërkon një numër zanatesh dhe një numër kategorish profesionale që është marramendës dhe katër aeroporte për Shqipërinë janë vendosja e Shqipërisë në një nivel tjetër, në planin ekonomik dhe social. Në një nivel tjetër në planin e të ardhmes dhe të realizimit të atij vizioni që ka qenë vizioni i rilindësve tanë e që ka qenë vijimësisht vizioni i të gjithë atyre që janë marrë në Shqipëri me punët e këtij vendi duke futur në kllapa kuptohet periudhën e diktaturës komuniste. Vizioni i një Shqipërie që i përket familjes që banon andej nga “dielli lind aty ku perëndon”, siç do të thoshte Naim Frashëri.

Me këtë aeroport do të hapet një tjetër kanal shumë i rëndësishëm zhvillimi i ekonomisë, ashtu sikundër me aeroportin e Tiranës, pas lajmit fantastik për mua e për cdo shqiptar që kur thotë, “jam shqiptar, jam krenar për hqipinrë, e dua Shqipërinë, shqiptarët për shqiptarët” që një shqiptar, një kompani shqiptare, bleu dhe mori në zotërim aeroportin e Rinasit pasi menaxhohej dorë pas dore nga të tjerë, së fundmi dhe nga kinezët, do të pasohet si lajm me investime të mëdha që do bëhen në atë aeroport dhe që do të nisin shumë shpejt për të standardizuar pistën, duke e kthyer atë në një pistë me standardet e një piste për të gjitha fluturimet, duke përfshirë dhe ato trans-oqeanike dhe për të gjitha përmasat e avionëve ndërrimin e terminalit të ri, që kanë qenë pritshmëri dhe pjesë të kontratës që nuk u zbatuan me ato alibi e justifikime që nxirrte pronari i mëparshëm i aeroportit.

Me krijimin e kushteve krejt të reja të sigurisë, e dini shumë mirë se çfarë problemesh ka pasur me sigurinë në aeroport dhe për sigurinë kemi pasur konflikt të vazhdueshëm me pronarët e vjetër të aeroportit dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, lajmi fantastik është marrja nga një kompani shqiptare në zotërim të aeroportit “Nënë Tereza” por edhe uljen 25% të çmimeve. Aeroporti më i shtrenjtë i hapësirës së kësaj hemisfere, aeroporti më absurd që i ka kushtuar shqiptarëve fluturime super të shtrenjta, ka qenë një torturë dhe arsye që të mallkoheshim dhe ne, dhe unë rregullisht, s’ka problem, deri tani shëndet më bëhen të gjitha mallkimet por po I sjell këtu për të thënë që situatën që ka qenë është dhe do jetë dhe për pak kohë, sepse kishte tarifat më të larta dhe na i kërkonin neve. Çfarë mund të bënim ne me një pronar që zbatonte nga pikëpamja tarifore një kontratë koncesionare të lidhur shumë vite më parë ku ne as nuk ishim dhe ku shteti nuk ka mundësi të ndërhyjë dhe të japë urdhra sepse pastaj kalon në shantazhe dhe të kushton një urdhër sa tre aeroporte të rinj.

Marrëveshja ka garantuar një normalizim çmimesh për pasagjerët dhe me të kryer investimet e me të hyrë në fazën e re, njerëzit do ta ndjejnë këtë tek biletat e tyre. Aeroporti me çmimin më absurd i jetfuel, i gasolinës për aeroport, me një çmim gati dyfish i çmimeve të jetfuel në të gjithë aeroportet më të mëdha të Europës, aeroport që i detyronte, edhe tani akoma por tani të paktën janë fluturimet më të pakta, i detyronte shqiptarët të merrnin rrugën në Mal të Zi, në Ohër, shko në Beograd, në Kosovë për të kapur ndonjë fluturim më të lirë. Këto të gjitha do të vihen në vije dhe do të kemi një aeroport në mesataren, në kornizën e tarifave që janë në Europë sepse aeroportet kur janë ndërkombëtare, janë në një konkurrencë ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për fluturime sociale por ama të jenë njësoj siç lëvizin njerëzit kur shkojnë nga një vend në tjetër në Europë. Të gjitha këto, të lidhura me dy fakte që ministrja i përmendi dhe unë dua ti ri sjell, për herë të parë kemi mundësinë të bëjmë një avancim të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë sonë të aviacionit, duke pasur në Shqipëri, në aeroportin e Vlorës një zonë me kapanonet e mirëmbajtjes së avionëve, ku avionë të kompanive të tjera, jo thjesht të avionëve që fluturojnë këtu, por të kompanive të tjera do vijnë për tu mirëmbajtur falë përfshirjes në këtë iniciativë të një tjetër kompanie të madhe që kërkon prej kohësh të ketë një zonë mirëmbajtjeje dhe nuk arrinin dot mundësinë të futej në Tiranë sepse s’të linte kinezi.

Nga ana tjetër, elementi i dytë, elementi i kargos, pra një aeroport me kargo. Ne nuk kemi kargo sot në kuptimin e një skeduli fluturimesh kargo, që vijnë si avionë mallrash dhe kjo i jep Vlorës dimension të ri me impakt rajonal në aspektin e kargos. Kështu që, më e keqja edhe këtu është pas krahëve, më e mira është e gjitha përpara. Unë e di që të hënën vlonjatët do fillojnë të thonë “Pse nuk ka filluar ndërtimi” jam shumë I qartë për këtë por do ti përballoj sepse e di shumë mirë që nuk ka më pengesa të paparashikuara, nga pikëpamja çfarë ka folur njeriu. Larg qoftë që universi të ketë ndonjë shaka tjetër të rezervuar për ne se besoj që me tërmetin dhe pandeminë, duhet ti ketë ezauruar shakatë, të paktën për ata që sot janë gjallë, ata që lindin sot e janë në moshë të thyer. E fundit por jo nga rëndësia, edhe unë dua ti bashkohem ministres në falënderimin e anëtarëve dhe anëtarëve të komisionit, e di shumë mirë që është një punë komplekse, janë operacione që përfshijnë kompani ndërkombëtare dhe është shumë e rëndësishme që ju të jeni në lartësinë e duhur ndërkohë që në të shkuarën janë bërë gjëra të mëdha në vlerësime, në verbërinë përpara gjithë atyre dosjeve të ofertave e pastaj gjërat kanë rezultuar dështime që kanë sjellë rrugës kosto për të gjithë dynjanë. Puna juaj është punë e vështirë por edhe plotësisht e lavdërueshme.

Faleminderit juve dhe shpresoj shumë që tanimë të mundemi një orë e më parë të mund të shkojmë në zonën e Vlorës dhe të jemi prezentë kur të vijnë projektimet, sepse e di që për ekskavatorët do duhet më shumë kohë por të paktën që të vendosen atje dhe të fillojnë përgatitjet për këtë punë kaq voluminoze që do na bëjë të gjithëve të ndjehemi krenarë që kemi qenë pjesë e këtij procesi pavarësisht pozicioneve që kemi mbuluar në këtë proces. Shumë faleminderit!