Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të kryeqytetit sapo ka përfunduar zbatimi i projektit për zgjerimin e kapaciteteve, si dhe transformimin në tërësi të gjithë hapësirës, sipas standardeve të njëjta me infrastrukturat aeroportuale në vende të zhvilluara të botës.

Investimi i përmbyllur me sukses të plotë, i cili krijon lehtësira të mëdha për pasagjerët, erdhi si nevojë e rritjes nga viti në vit të fluksit të udhëtarëve, që aktualisht po vendos rekorde me shifra të paimagjinueshme deri para pak kohësh.

Me investimet e realizuara deri tani, Aeroporti i Rinasit është reformuar tërësisht për të pritur rreth 10 milionë pasagjerë.

Ndër të tjera, flotës që operon përmes aeroportit tonë do t’i shtohet tashmë edhe kompania e njohur Ryanair, duke shtuar kështu numrin e destinacioneve dhe duke rritur konkurrencën.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot hapësirat e reja të aeroportit, si dhe i uroi mirëseardhjen kompanisë Ryanair:

* * *

E vërteta është që e kam pritur prej kohësh këtë ditë dhe kjo lidhet me kompaninë Ryanair. Shefi i kompanisë nuk tha të gjithë të vërteten sepse ne e kemi kërkuar prej kohësh kompaninë Ryanair dhe hezitimi për të ardhur në Shqipëri nuk ka qenë thjeshtë i lidhur me taksën e lartë të aeroportit, por ka qenë i lidhur me një fakt tjetër, që ma ka shpjeguar dikush disa vite më parë, kur unë i thashë, si t’ia bëjmë që të sjellim Ryanair në Shqipëri? Ai më tha, “Ryanair nuk është kompani fluturimi. Ryanair është vula që i vihet një vendi kur ai vend kthehet në destinacion global. Fakti që Ryanair iu shmanget domethënë që akoma nuk keni arritur të ktheheni në destinacion turistik global”.

Për këtë arsye unë jam sot këtu sepse ardhja e Ryanair me 18 destinacione nga Tirana nëpër Europë tregon që ne kemi marrë një vulë të rëndësishme e cila vjen pas një përpjekjeje të gjatë për të ndryshuar katërcipërisht jo vetëm imazhin e Shqipërisë e cila sot është në të gjitha mediat ndërkombëtare si vendi që duhet vizituar, por për të ndryshuar shumë gjëra që lidhen pikërisht pastaj me krijimin e këtij imazhi. Se Shqipëria ka pasur detin po kaq të bukur edhe 10 vjet më parë, ka pasur edhe diellin po kaq me shkëlqim edhe 10 vite më parë, ka pasur dhe malet aty po dhe 10 vite më parë, por për fat të keq nuk ka pasur asgjë tjetër për të mundësuar që të gjithë nga të katërta anët e botes të duan të vijnë në Shqipëri.

Sot isha me organizatorët e festivalit UNUM në Shëngjin. Kam qenë në edicionin e pare të festivalit ku mezi u mblodhën 1500 vetë. Edicioni i këtij viti u mbyll sapo dhe regjistroi 20 mijë vetë. Dhe 20 mijë vetë me dhjetëra e dhjetëra kombësi, jo vetëm nga Europa, por nga Meksika, nga Amerika latine, nga Katari, nga Arabia Saudite e plotë e plotë destinacione të tjera. Sot organizatorët e festivalit e kishin hallin komplet tjetër nga ai që kishin kur u bë edicioni i parë që ishin shumë nervozë sepse numri i pjesëmarrësve ishte i vogël për ambicien e tyre. Sot problemi i tyre ishte i kundërti. Si do përballojmë fluksin që rritet në mënyrë eksponenciale dhe që mund të shkojë shumë shpejtë në 40, në 50, në 60 mijë vetë sepse kjo bie ndesh pastaj me natyrën e festivalit.

Thënë të gjitha këto, le të kthehemi vetëm për pak te aeroporti i Tiranës i cili eshët një histori e madhe suksesi dhe është një histori e madhe suksesi e një kompanie shqiptare. Pas vitesh e vitesh të tëra nën thundrën e një koncesioni që unë nuk dua të dyshoj që është bërë me qëllime të mira në atë kohë sepse në të gjitha rastet ai koncesion solli ndryshim në aeroportin e Rinasit, i cili deri në atë kohë ishte një aeroport katundi, nga ana tjetër ishte një koncesion i tmerrshëm për kushtet në të cilat e vinte shtetin dhe në të cilat vinte dhe pasagjerët dhe për shkak të atij koncesioni ne ishim aeroporti më i shtrenjtë i Europës dhe duke qenë aeroporti më i shtrenjtë për kompanitë ishim dhe pastaj një vend ku biletat ishin jashtëzakonisht të shtrenjta.

Sot kjo situatë është përmbysur katërcipërisht, por nuk është përmbysur katërcipërisht thjeshtë sepse ne kemi bërë më në fund çlirimin e aeroportit nga thundra e atij koncesioni, por sepse kompania shqiptare e cila u paragjykua siç u paragjykuam edhe ne kur bëmë këtë ndryshim që nuk ishte në fund të ditës rezultat i vullnetit tonë, por ishte rezultat i ambicies dhe kurajës së kompanisë e cila negocioi dhe u vu në zotërim të aeroportit duke e marrë nga të huajte. Sot faktet flasin se jemi në kushtet e një historie krejt tjetër dhe aeroporti është ende një qenie në zhvillim dhe jam i bindur që shumë shpejte do të lindi nevoja për të tjera hapësira, për të tjera facilitete, plus zgjidhja e problemit kronik të parkimeve është tanimë në rrugë, ashtu sikundër investimi i madh që kompania po përgatit të bëjë siç e tha edhe menaxheri këtu në fjalën e tij për energjinë diellore është një tjetër lajm jashtëzakonisht pozitiv dhe aeroporti i Tiranës është sipas të dhënave të Aviacionit Europian aeroporti i vetëm në Europë i cili ka tejkaluar 100%-in e rikuperimit pas pandemisë. Shifra e vitit të shkuar ishte 123% plus pas pandemisë, ndërkohë që i dyti mos gabohem ishte aeroporti i Stambollit me 92% dhe pastaj vinin të tjerët. Në këtë aeroport vjet janë përpunuar 5.2 milionë pasagjerë, një shifër e paimagjinueshme deri vetëm pak vite më parë dhe këtë vit projeksioni ynë, projeksioni i Aviacionit Civil dhe ministrisë është 6.5 milionë ndërkohë që ambicia e kompanisë është për të prekur shifrën e 7 milionëve. 5.2 milionëshi i vitit të shkuar ishte objektivi i vitit 2027, u arrit vjet dhe unë jam i bindur që objektivi i 10 milionë turistëve është një objektiv i cili është çështje e një kohe shumë të shkurtër dhe jo e vitit 2030.

Natyrisht që futja në fushë edhe e aeroportit të Vlorës do të rrisë në mënyrë përsëri eksponenciale kapacitetin turistik të Shqipërisë, do të rrisë pa diskutim ekonominë siç ndikon ky aeroport drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe do të forcojë edhe më shumë imazhin e një destinacioni turistik global, gjë që do të thotë shumë më tepër punësim, shumë më tepër lëvizje në aspektin e tregtisë, shumë më tepër lëvizje në aspektin e prodhimit në shërbim të turizmit dhe kështu me radhë.

Do ta mbyll aty ku e nisa dhe do ta mbyll tek arsyeja për të cilën kemi ardhur. Dua ta falënderoj shefin e Ryanir që na nderoi me prezencën e tij. Duket sikur ka humbur valixhen këtu në aeroport kur e sheh,  por të jeni të sigurt që keni përpara një nga oligarkët më të mëdhenj të aviacionit botëror dhe jam shumë i kënaqur që e kemi sot mes nesh sepse kisha kohë që e prisja këtë ditë, ta shikoja në sy e t’i thoja: nuk besove tek Shqipëria, por ja që Shqipëria të detyroi të besosh dhe ja ku erdhe sot këtu. Të bësh të dorëzohet një italian është kollaj, por të të dorëzohet një irlandez është shumë e vështirë, kështu që në fund të ditës duhet ta dish që ju jeni kampionët e kokëfortësisë në gadishullin britanik, ne jemi kampionët e kokëfortësisë këtu në Ballkan dhe Ballkani është vullkani i kokëfortësisë në Europë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.