Agropika më e re që u çel sot në Tiranë, është njëra prej 20 pikave të tillave, të hapura në disa qytete të vendit, e konceptuar si një dritare e dedikuar për fermerët që duan të investojnë në bujqësi dhe zhvillimin rural apo të informohen për zhvillimet më të reja në sektorin e bujqësisë.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në inaugurimin e mjediseve të reja të kësaj agropike, prej së cilës fermerët e Tiranës do të marrin orientimin e duhur për produktet e tyre, në përputhje me kërkesat e tregut, si dhe do të asistohen gjatë procesit të aplikimit për skemat mbështetëse.
Drejtorja e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural Frida Krifca shpjegoi se në të gjithë zonën janë 36 mijë familje bujqësore, të cilat mund të vijnë dhe të marrin shërbimin në këtë pikë. “Jemi në Agropikën Tiranë, ku nëpërmjet buxhetit të shtetit ne kemi rikonstruktuar ambientet ekzistuese të drejtorisë për ti ofruar një dritare shërbimi fermerëve të qarkut tiranë. Bëhet fjalë për 36 mijë familje bujqësore të cilat mund të vijnë dhe të marrin shërbimin në këtë pikë. Jemi në hapësirën e infoaplikimit. Pra, këtu vijnë dhe përballen me zonjën, e cila i dëgjon dhe i kupton nevojat e tyre dhe i drejton në zyrat e tjera, në qoftë se ka nevojë të marrin informacion për skemën mbështetëse që ofrohet apo për programin e IPARD apo për programin e donatorëve të ndryshëm që ne ofrojmë si AZHBR. Kjo zyrë ka gjithë informacionin për fermerët, pra jep informacion për kulturat. Këtu bëhet aplikimi online me zero dokumente, siç kemi premtuar. Do të mbajmë të njëjtin format edhe në 2019, ku fermerët mund të vijnë dhe të aplikojnë me një ID dhe një numër NIPTI.”
Në kuadër të Paktit për Universitetin, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka punësuar pranë kësaj pike 4 studentë të ekselencës. “Dola është studente ekeselente. Është në ditën e saj të parë të punës pranë AZHBR. Është specialiste në departamentin tonë juridik.”- shpjegon Drejtorja e AZHBR.
“Jam rekrutuar nga portali “Punë të mbarë”, ku jam përzgjedhur si një nga studentët e ekselencës të cilëve ju dha një mundësi për të bërë një eksperiencë të tyre në administratën shtetërore. Jam këtu për të parë dhe më nga afër atë që është procesi fillestar le të themi i aplikimit.” -shprehet punonjësja më e re.
Në të shumtën e rasteve frekuentuesit e pikës janë fermerë, të cilët kanë qenë të suksesshëm me përfitimet e skemave të një viti më parë. “Jam një fermer nga njësia administrative Kashar. Për vitin 2018 aplikova dhe përfitova 1 ha ullishte mbjellje dhe 1 ha vaditje me pika. Këtu erdha për tu interesuar për ta vazhduar akoma, për ta shtuar, të marr informacion.”
Drejtorja e AZHBR Frida Krifca shpjegoi se me skemat mbështetëse të këtij viti do të financohet për ato kultura, të cilat nuk mbështeten nga programi IPARD. “Do të mbështesim bletarinë, do të mbështesim blegtorinë, qumështin, do të mbështesim ato kultura, të cilat nuk mbështeten nga programi IPARD, pasi këtë vit kishim një diferencë që nuk duhet të mbivendosnim programin IPARD, sidomos pjesën e investimeve, me investimet e buxhetit të shtetit. Fokusi duhet të ishte tek skemat e vogla direkte dhe ato do vazhdojmë t’i kryejmë. VKM doli të mërkurën është miratuar, po punohet për udhëzimin, i cili shumë shpejt do miratohet gjithashtu dhe ne fillojmë direkt që në muajin mars për hapjen e thirrjes për skemën kombëtare.”
Fondeve të mundësuara nga programi IPARD 2, i shtohen gjithashtu edhe financimet nga buxheti i shtetit, duke i shkuar direkt si investim fshatit. “Këtë vit, nëse themi kemi 25% të 50.3 milionëve, plus skemën kombëtare të vitit 2019 që shkon diku tek 4 milion euro, plus programi i 100 fshatrave që është ndërhyrje që bëhet përsëri në fshat pavarësisht se nuk është masë mbështetje direkte ndaj fermerit, është investime që bëhen për fshatin, për infrastrukturën apo për zhvillimin rural në fshat dhe ai është buxhet, pavarësisht se administrohet nga AZHBR, është buxhet që i shkon direkt fshatit.” – u shpreh drejtuesja e AZHBR.
Ndërkohë që kryeministri tha se “me fondet në dispozicion ne jemi tek rreth 65 milionëshi. Në varësi të kapaciteteve aplikuese, kjo është tjetër histori, por fondet janë 65 milionë.”
Lidhur me mënyrën e përfitimit të fondeve Zëvendësministri i Bujqësisë Dhimo Kote sqaroi se: “Skema IPARDI-t nuk lejon që të aplikosh nën 5 dynym, pra 5 dynym dhe lartë. Të gjithë fermerët, që u hodh një shashkë që thanë nuk aplikojnë, për mbjellje, për ujitje, për të gjitha udhëzimet që kanë qenë dhe tek skema jonë, përfshihen tek IPARDI që të gjitha dhe IPARD-i të ndalon që të aplikosh këtu. E dyta, ne jemi drejtuar tek blegtoria sepse blegtoria nuk është një sektor që e mbështet IPARD-i dhe është një sektor që ne duhet ta mbështesim dhe atje jemi fokusuar plotësisht.”
* * *
Dorel dhe Kelvin vijnë nga një eksperiencë e gjatë 10 vjeçare në biznesin e tregtimit luleve. Në përgjigje të kërkesës së vazhdueshme nga fermerët e vegjël të zonës së Bërxullës, vendosën të investojnë në sera për mbjelljen e fidanëve (farë domate për mbjellje në fushë). Doreli ka aplikuar dhe është përfitues i skemës së investimeve, nga Fondi i Programit për Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, i vitit 2018 për “Ndërtimin e serës diellore” në shumën 10 milionë lekë.
Kryeministri Edi Rama së bashku me Drejtoren e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural Frida Krifca ishte sot në serën prej 1 Ha të mbjellë me fidanë dhe të ndërtuar sipas standardeve bashkohore, ku të gjitha proceset janë të automatizuara: plehërimi, spërkatja me instekticide, ujitje me pika.
Doreli tregon se prodhimi i fidanëve të rinj është shumë i rëndësishëm për fermerët e zonës, pasi sera e tyre është e vetmja në zonë që e mundëson këtë gjë. “Këtu prodhohen fidanët, të cilët më pas shkojnë tek fermerët. Kjo zonë nuk ka asnjë serë që prodhon fidanë siç ka Divjaka, siç ka Fieri siç ka Lushnja dhe kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe për fermerët për ti orientuar se çfarë duhet të mbjellin. Është teknologji italiane, kemi 1 ha sipërfaqe , kemi dhe 2 hektarë të tjera. Kemi 20 punëtorë janë të zonës. Po ecim me automatizmin e të gjithë serës, me vaditjen etj. “
Lidhur me përfitimin e fondeve nga ana e fermerëve, në fazën e parë të Programit, Drejtorja e AZHBR, Frida Krifca shpjegoi se: “Ne kemi llogaritur një marzh prej 50 % të skualifikimit, kështu që nëse i qëndrojmë buxhetit të çelur që është 50, 3 milionë supozohet rreth 25 milion euro mund të përthithen nga thirrja e parë. Gjithsesi ky është një proces që duhet parë në vijim pasi thirrja ka problematika, pasi subjektet nuk janë njohur shumë mirë me procedurat dhe mungon edhe eksperienca e konsulentëve për çështje teknike.”
Ndërkohë që kryeministri theksoi se fermerët duhet të kenë parasysh se bujqësia është e lidhur me tregun dhe si e tillë produktet, duhet të orientohen sipas kërkesës së tregut. “Ajo që mund të thuhet me gjithë gojën është që me fondet që kemi në dispozicion dhe me fondet që kemi marrë nga BE, kushdo që do realisht të punojë dhe investojë në bujqësi dhe i ve mendjen projektit dhe mëson si të aplikojë, merr para. Sigurisht që, edhe siç e folëm qëparë atje thelbi është që duhet të mësohen që bujqësia është e lidhur me tregun. Nuk mundet ti të rrish vetëm në një parcelë dhe të mbjellësh çfarë të vijë në mend jashtë kontekstit të nevojave të tregut dhe të thuash “pse s’më shitet dhe hajde po dal ta hedh në lumë dhe në rrugë”. Duhet dije dhe bashkim forcash. Kush bashkon forcat fiton dhe nuk është se e kanë bërë të tjerët. Këtu ka shumë që e bëjnë dhe janë të suksesshëm. Derisa e bën një pjesë, pjesa tjetër duhet të mësojë që ta bëjë . Aq më tepër që me fondet e Komisionit Europian, nuk të jep asnjëri një kokërr leku nëse nuk je regjistruar nëse s’ke NIPTI-n , nëse s’ke më shumë se 5 dynym , nëse nuk ke një biznesplan. Kjo është rruga, ne nuk mund të shpikim një rrugë tjetër që të mbajmë me lëmoshë situata që nuk kanë asnjë shans të ndryshojnë. Situatat ndryshojnë, nëse njerëzit ndryshojnë, duhet të ndryshojë mendja.”