Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ishin në një nga modelet e para të agroturizmit shqiptar në zonën Ishmit. Të shoqëruar nga emigrantë të kthyer në Shqipëri dhe studentë të diplomuar jashtë vendit, ata diskutuan mbi sfidat e reja të fshatit dhe mundësive që ofron agroturizmi, si një mundësi jo vetëm për të jetuar, por edhe për të prosperuar.

Mbështetja që ofron qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian me fonde për agoturizmin është më e madhja në gjithë vitet e fundit. Kësaj mbështetje i shtohen edhe nismat më të fundit në mbështetje të investimeve në agriturizëm. “Kemi aprovuar një paketë që do jetë inkurajuese me vetëm 5% tatim fitim, 6% TVSH njësoj si për hotelet në bregdet apo dhe në zona të tjera dhe mbi të gjitha, i japim mbështetje nga AZHBR-ja dhe nga programi i Komisionit Europian”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Bazuar në shembullin e Italisë, e cila falë agroturizmit arriti të fuqizojë ekonominë e fshatrave, duke ndikuar kështu edhe në ekonominë kombëtare, e njëjta rrugë duhet të ndiqet edhe me fshatrat në Shqipëri, ku me ndihmën e programit “100 fshatrat”, ky drejtim do të bëhet edhe më i lehtë për t’u ndjekur. “Jemi në këtë fushatë për agroturizmin, sepse besojmë shumë se është një potencial i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar dhe jemi të bindur që do sjellë shumë rritje ekonomike në zonat rurale, por duhen ndërtuar shembujt parë dhe për fat të mirë ka disa shembuj që janë në ndërtim e sipër si këtu ku jemi, që është bërë një punë e madhe”, – tha Kryeministri Rama.

Të shumtë janë edhe emigrantët, të cilët janë kthyer në Shqipëri dhe kursimet e tyre po mendojnë t’i investojnë në vendlindje. Kështu është edhe rasti i “Mastechef”-it Fundim Gjepali, i cili po kthen në realitet ëndrrën e tij. “Unë kur isha në Itali punoja në agroturizëm dhe duke menduar gjithë pronat e familjes të pashfrytëzuara, mendoja se kur do vinte kjo ditë që t’i zhvilloja. Besoj që është momenti i duhur që të bëj dhe unë diçka, apo të realizoj ëndrrat e mia”, – theksoi Gjepali.

Kryeministri Rama iu drejtua të gjithë emigrantëve, të cilët paratë e tyre duan t’i investojnë diku, duke i ftuar të investojnë në vendlindjen e tyre dhe në agroturizëm. “Të gjithë ata që janë emigrantë që kanë kursime, që kthehen apo dhe pa u kthyer, investojnë për të ndërtuar një agroturizëm, brenda një viti do të fitojnë nga agroturizmi më shumë se sa kanë fituar dhe se sa kanë kursyer 5 vite në emigracion”, – tha Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.