Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama vizitoi sot, në Tepelenë, një nga shembujt e agroturizmit në zonë, ku u takua edhe me një grup përfaqësuesish që falë punës kanë ngritur pikat e tyre të agroturizmit në fshatrat e jugut të Shqipërisë, ku ofrojnë traditën dhe produktet bio të zonës për turistët e huaj dhe vendas.

Kryeministri  Rama u ndal veçanërisht tek disa investime të rëndësishme në infrastrukturën e kësaj krahine me potencial të madh për zhvillim. “Ne po bëjmë realitet ëndrrën shumë vjeçare të lebërve të sipërm, për të dalë poshtë në det, por po bëjmë realitet dhe një ëndërr tjetër të transformimit të aksit Përmet – Leskovik – Ersekë, në një aks me standarde siç duhet, në mënyrë që të lidhim bashkë Korçën dhe Përmetin e përmes Korçës dhe Përmetit, edhe Tepelenë Gjirokastër e të gjithë këto zona të dalin në det. Kjo do ta zgjerojë shumë ofertën. Kush niset për në Korçë, Përmet a Gjirokastër të mos jetë shko dhe kthehu. Edhe ata që vijën poshtë në Jon, gjatë verës, të kenë mundësi të vijnë lart në Nivicë e po të duan të shkojnë prapë poshtë. Kjo është një lloj oferte që turistët e huaj e ëndërrojnë dhe vendet që krijojnë këto lloj pellgjesh të gjëra, me kaq shumë diversitet në ofertën e tyre, krijojnë shumë vlerë të shtuar. Në Tepelenë, e kemi kthyer Tepelenën në një destinacion, nga një ujëvare të vogël dhe një pikë karburanti që kishte, ndërkohë që gjithë mrekullia brenda ishte e fshehur”, – u shpreh Kryeministri.

Turistët që Tepelenë e zonat përreth, ndër vite kanë hasur vështirësi në akomodim dhe janë detyruar të kthehen Gjirokastër, gjë e cila po ndryshon, falë strukturave të reja akomoduese që po ngrihen edhe në fshatrat e kësaj zone. “Agorturizmi është e ardhmja dhe është një motor i industrisë së turizmit i jashtëzakonshëm”, – nënvizoi Kryeministri, duke ftuar ata që janë në emigracion që kanë mundësi, që kanë një rrënjë në fshat, “të investojnë kursimet se është e sigurt që fitojnë të paktën më shumë sesa fitojnë duke punuar në emigracion për të tjerët”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.