Kryeministri Edi Rama në takimin për Programin Kombëtar 100 fshatrat, në Libofshë, Fier:
Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit për praninë tuaj!
Jemi këtu për të vazhduar një seri takimesh në stacionet e 100 fshatrave.
Është me shumë rëndësi të thuhet që në fillim se patjetër që Shqipëria ka shumë më tepër se 100 fshatra, por Programi Kombëtar i 100 fshatrave, synon jo thjesht ndërhyrjen konkrete në këto 100 fshatra, ku përfshihet edhe Libofsha, por edhe krijimin e modeleve që ne kemi shumë besim se, pasi të marrin formë në këto 100 fshatra do të shpërndahen me shpejtësi edhe rreth tyre, edhe në të gjithë hapësirën, duke dhënë shembujt e nevojshëm për se si mund të transformohet një potencial i fjetur në një burim rritjeje të ekonomisë familjare.
Këtu jemi në një fshat i cili faktikisht ka fatin të trashëgojë 15 kisha, ku Ministria e Kulturës përmes programit të restaurimeve dhe në kuadrin e ndërhyrjes në 100 fshatrat do të bëjë punën e vetë dhe ku nëse ne, sëbashku, do të kuptojmë apo do të mirëkuptohemi pa humbur kohë për transformimin e shtëpive, transformimin e pronave të patundshme që sot janë thjeshtë strehë për familjet që jetojnë këtu, në bujtina apo në agroturizme, atëherë pa pikë dyshimi kjo zonë do të jetë një pjesë përbërëse e gjithë hapësirës së zhvillimit të turizmit në Shqipëri.
Modeli i 100 fshatrave është një model zhvillimi ekonomik dhe social dhe ndërhyrjet që do të bëjmë në funksion të zhvillimit të këtij modeli, synojnë jo thjesht transformimin e infrastrukturës apo investimet në rrugë siç është bërë vijimësisht zakon dhe siç është edhe nevoja për hir të së vërtetës, por nxitjen e iniciativës për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit.
Patjetër që Libofsha ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një qendër e rëndësishëm bujqësore. Patjetër që politikat e qeverisë në nxitje të bujqësisë dhe në mbështetje të fermerëve do të japin edhe më shumë rezultat sidomos pas zerimit të taksës për të gjitha imputet bujqësore, ashtu sikundër edhe si rezultat i mbështetjes që përmes programeve të AZHBR-së qeveria ju bën sipërmarrësve ose familjeve fermerë, por është koha për të menduar për më shumë se kaq.
Është koha për të shkuar përtej kësaj.
Është koha për të menduar për agroturizmin sepse këtu nuk është thjeshtë një territor ku mbillet dhe korret me shumë sukses për hir të së vërtetës, por është një territor ku natyra i ka të gjithë komponentët dhe trashëgimia kulturore dhe historike janë një pjesë plotësuese e këtyre komponentëve për të ndërtuar një sistem agroturizmi dhe për të transformuar në bujtina, shtëpi, që mund të kthehen në burim të ardhurash.
Kjo që po them dhe kjo që tha ministrja, tha kryetari i bashkisë, nuk është diçka që e kemi parë në një ëndërr dhe tani po e tregojmë nëpër Shqipëri, por është diçka që e kanë bërë të tjerët përpara nesh. Italia rurale për të mos shkuar më larg, është e mbushur me shembuj të tillë dhe nuk ka pikë diskutimi që do të ishte jo vetëm atraksion, por do të ishte kënaqësi për turistët që vijnë drejt Fierit dhe vijnë drejt zonave përreth qytetit për të vizituar zonat arkeologjike, për të vizituar kishat që të qëndronin më shumë se sa pak orë, ndalojnë me autobus, marrin autobusin dhe ikin. Pyetja është ku të qëndrojnë? Si të qëndrojnë? Kush i pret? Çfarë i ofron dhe çfarë kërkojnë ata? Natyrisht, ata që vijnë në këto zona dhe që janë potencialisht të shumtë në numër, nuk kërkojnë luks. Nuk kërkojnë komoditete, të cilat i kanë në vendet nga vijnë, por kërkojnë pikërisht ato që janë karakteristika të kësaj zone dhe të këtyre zonave të Shqipërisë ku shtrihen 100 fshatrat. Për këtë arsye, ne kemi ndërtuar edhe një regjim të ri tatimor. Për këtë arsye, ne agroturizmit ia kemi bërë taksën vetëm 5%.
Për këtë arsye, ne, për këdo që ndërton një agroturizëm, që do të thotë një bujtinë me një numër të caktuar dhomash, me një fermë pranë me produkte të zonës, ia kemi bërë TVSH vetëm 6%, njësoj si regjimi i hoteleve me 5 yje.
Për këtë arsye, ne kemi vlerësuar që, nëse sot në Europë dhe kur them në Europë, flas përgjithësisht për zona që janë të ngjashme si dy pika uji me zonën tuaj apo me zona ku shtrihen 100 fshatrat, pra nëse sot në Europë, agroturizmi, gjeneron 20% të të ardhurave nga turizmi dhe bëhet fjalë për miliarda dhe është shndërruar në një aktivitet gjithmonë e më të dëshiruar, gjithmonë e më elitar për një grup, për një kategori turistësh që kërkojnë, jo thjeshtë diell apo dëborë, por kërkojnë më shumë se sa kaq, – atëherë imagjinoni në një moment sikur në 2 miliardë euro që gjeneroi turizmi në Shqipëri në vitin e shkuar, të shtohen edhe 500 milionë që shkojnë direkt në fshat, që shkojnë direkt për mikpritjen edhe për konsumin në fshat, se çfarë transformimi epokal mund të bëhet.
Agroturizmi është tanimë i sprovuar si një aktivitet që e vret varfërinë edhe në ato zona ku duket sikur nuk ka asnjë shpresë, por ku mjafton të ketë një natyrë të bukur, mjafton të ketë një mikpritje të spikatur siç ne e kemi në të gjithë Shqipërinë dhe mjafton të ketë pak kujdes për të organizuar të gjithë sistemin e mikpritjes dhe nuk ka më varfëri, është shumë e thjeshtë. Nëse për dikë që është i vetëm me familjen e tij, bëhet e vështirë që të shkojë përtej mbijetesës me një parcelë të vogël prodhimesh apo është e pamundur që me ato prodhime të dalin në tregun e madh të qytetit, atëherë shtëpia dhe ajo parcelë janë baza për të ndërtuar një strukturë mikpritjeje e për të jetuar, duke fituar me atë strukturë mikpritjeje shumë më tepër se sa fitohet, nëse mbështetet tek prodhimi i asaj parcele.
Natyrisht që, zhvillimi i bujqësisë është një prioritet ku nuk diskutohet që objektivat do të arrihen përmes atyre që janë të bashkuar dhe që janë të fuqishëm. Ndërkohë që, ata të cilët teorikisht janë të pafuqishëm për të qenë pjesë e kësaj rruge, duhet t’i besojnë një fuqie tjetër, fuqisë së mikpritjes, duke ndërtuar një sistem, i cili është i llogaritur dhe i provuar, i jep kursimeve të emigranteve të investuara në këtë sistem, më shumë të ardhura se sa i jep puna aty ku janë në emigracion.
Ne kemi shumë besim që nëse kursimet e emigranteve do të fokusohen pak nga pak në këtë drejtim, duke u investuar në shtëpitë e lëna pas dhe duke u investuar për të krijuar kushte për një mikpritje tradicionale, jo luksoze, ku të ketë thjeshtë pastërti, ku të jenë ushqimet e zonës dhe ku pastaj atyre që vijnë u ofrohen të gjitha bukuritë dhe kuriozitetet kulturore dhe historike të zonës, kjo do të përbëjë një kapërcim të rëndësishëm në cilësinë e ekonomisë familjare.
Si pak zona të tjera rurale në Shqipëri, Libofsha është e pozicionuar idealisht për këtë lloj zhvillimi rural të turizmit. Nuk po zgjatem me ato detaje që u sollën këtu, qoftë nga ministrja, qoftë nga kryetari i bashkisë. Patjetër që edhe ajo çka u tha këtu nga kryetari i bashkisë si nevojë strategjike e zhvillimit të zonës që është dalja në det, është në vëmendjen tonë dhe do të jetë një nga projektet që ne do zhvillojmë sëbashku gjatë mandatit të dytë të kryetarit të bashkisë.
Patjetër që investimet në ujësjellës, investimet në vaditje, në kanalizime, në arsim, me rikonstruksionin e shkollave, këtu, pikërisht në këtë zonë është ndërtuar shkolla e parë shqipe nga qeveria e Ismail Qemalit, por ajo çka unë dua të theksoj në këtë fjalë dhe me të cilën dua ta mbyll, është që vëmendja jonë e përbashkët përqendrohet për se si shtëpitë rreth e rrotull të mund të kthehen në pjesë e një industrie të re të mikpritjes.
Po flisnim me Armandon për sheshin. Kemi identifikuar si një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre fshatrave sheshet e tyre dhe sheshi këtu i fshatit ka një potencial për t’u transformuar e për t’u bërë një pikë tërheqëse, jo thjeshtë për ata që jetojnë këtu, por për ata që do vijnë këtu. Tani, sfida jonë është se si ata që vijnë këtu, përveçse të pinë një kafe apo një gotë raki në klubet rreth sheshit, të duan të qëndrojnë këtu apo kur duan të qëndrojnë këtu, ku do qëndrojnë? Kjo është pyetja të cilës duhet t’i japim përgjigje në vijim dhe duhet ta bëjmë sëbashku, programi i 100 fshatrave, bashkia dhe ata individë apo ato familje këtu që do të kenë nxitjen dhe kurajën që të hyjnë në këtë proces për të cilin, kijeni parasysh, qeveria dhe programi i 100 fshatrave ka fonde grant dhe jo kredi.
Nëse dikush bën një projekt dhe thotë “unë kam shtëpinë, kam këtë parcelë, mund të organizoj këtë bujtinë dhe këtë lloj mikpritje dhe kjo më kushton x lekë”, qeveria përmes programit të 100 fshatrave i jep një sasi të këtyre lekëve, ashtu sikundër edhe programi i AZHBR-së, jep para nga fondet e Bashkimit Europian për këtë lloj aktiviteti. Para që janë dhuratë, nuk janë kredi. Pra, i merr dhe mjafton të bësh projektin. Ka vetëm një ndryshim që për këtë, për fondin e BE, paratë merren pasi ti e ke bërë projektin, jo përpara.
Pra bihet dakord, bëhet një marrëveshje, ti ndërton bujtinën dhe atë sasi parash që është e dedikuar, që shkon deri në 100 mijë euro, ndërkohë që në programin e qeverisë sonë është më pak, por sidoqoftë, me 10-15-20 mijë euro ndihmë direkte, ju e dini shumë mirë që mund të bëhet shumë punë, me materialet e këtushme dhe me krahun e punës së vetë familjes sepse nuk bëhet fjalë për të ndërtuar pallate apo për të ndërtuar hidrocentrale.
Bujqësia shqiptare ka njohur një zhvillim pozitiv. Ne në 2018 e kemi kaluar barrierën e 300 milionë dollarëve në eksporte. Eksportet në 4 vitet e fundit janë dyfishuar. Ritmi i rritjes ka qenë i kënaqshëm dhe vitin e shkuar ishte 14%, shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ritëm. Nëse kemi arritur një numër ambicioz turistësh prej thuajse 6 milionë vitin e shkuar, projeksioni është për të shkuar në 10 milionë turistë dhe ne duam që në këtë projeksion të përfshihet fshati, të përfshihet si një pjesë e zhvillimit të turizmit që deri tani nuk ka ekzistuar dhe kemi kaq shumë potencial dhe kemi kaq shumë mundësi. Mjafton që të kemi sytë për të parë të kemi mendjen për të imagjinuar e të kemi zemrën e fortë për të guxuar që të investojmë në këtë drejtim. Qeveria shqiptare do të jetë mbështetje e të gjithë atyre që do ta marrin këtë guxim, qoftë financiarisht, qoftë dhe me asistencë teknike. Bashkitë po ashtu do të jenë gjithmonë e më të angazhuara.
Fieri, ju e keni parë, qyteti ka pësuar një transformim kolosal dhe faktikisht si të thuash edhe pse punët nuk mbarojnë kurrë, por është një zhvillim që tanimë vetvetiu do fillojë të shtrihet në zonën e fshatit, shumë më tepër se sa është shtrirë deri tani, por nëse do të kemi fokus tek bujtinat dhe tek agroturizmet dhe ndryshimi është që një bujtinë është thjeshtë një shtëpi ku ka një mundësi për të kaluar 2-3 netë dhe jeton si në kushtet e shtëpisë, – ndërkohë që një agroturizëm është një hotel rural, – atëherë me siguri që në një kohë jo shumë të gjatë, ekonomia e familjeve në fshat do të jetë transformuar rrënjësisht dhe punësimi i të rinjve në fshat do të ketë një cilësi të re sepse do të mund të jetojnë me të ardhura më të larta se sa ato që fitohen, duke shkuar në qytet e duke bërë një punë në qytet, qoftë dhe të mirë paguar, duke nxjerrë të ardhmen, duke e siguruar të ardhmen përmes shfrytëzimit të trashëgimisë së prindërve dhe të gjithë trashëgimisë së stërgjyshërve që është rreth e rrotull plus bukurive që Zoti i ka falur kësaj zone dhe gjithë Shqipërisë.
Faleminderit!