Akt Normativ i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Korrik 2020

A K T  N O R M A T I V

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 15.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave,

V E N D O S I:

Në nenin 3, të aktit normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

1. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Subjektet, të cilat nuk zbatojnë urdhrin e dhënë nga organet kompetente për mosofrimin e shërbimit në ambiente të mbyllura të bareve, lokaleve dhe restoranteve, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore.”.

2. Pas pikës 7 shtohen pikat 7/1 dhe 7/2, me këtë përmbajtje:

“7/1. Mosrespektimi i detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdolloj shërbimi të kësaj natyre në mjedise të mbyllura ose të hapura nga subjektet dënohet me gjobë 3 000 000 (tre milionë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, me pezullim aktiviteti për një periudhë njëvjeçare. Institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj pike është Policia e Shtetit.

7/2. Në çdo mjedis shërbimi ndalohet muzika pas orës 20:00. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, me pezullim aktiviteti për një periudhë 6-mujore. Institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj pike është Policia e Shtetit.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA