Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

A K T  N O R M A T I V
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 15.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në aktin normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Paragrafi i tretë, i pikës 20, të nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Të gjithë qiramarrësit, persona fizikë/juridikë, me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, pavarësisht nëse e kanë të lejuar apo të ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.”.

Neni 2

Pas nenit 5/1 shtohet neni 5/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 5/2
Kontratat publike për furnizimin me mallra emergjente dhe bazike nga biznesi i përpunimit aktiv

Autoritetet kontraktore, me qëllim përmbushjen e nevojave për mallra/shërbime të nevojshme, për një kohë lëvrimi shumë të shkurtër, ose për raste veçanërisht të leverdisshme, që paraqiten në një kohë shumë të shkurtër dhe me një çmim më të ulët se çmimet normale të tregut, për përballimin e situatës së krijuar nga epidemia e shkaktuar nga COVID-19, gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj, për përballimin e nevojave emergjente, kryejnë procedura prokurimi me negociim, pa shpallje papaprake të njoftimit dhe lidhin kontratat e furnizimit për këto mallra me operatorët ekonomikë të referuar si “biznesi i përpunimit aktiv”, sipas parashikimeve të Kodit Doganor.

Bizneset e përpunimit aktiv, sipas parashikimit në këtë nen, që prodhojnë mallra ose ofrojnë shërbime të nevojshme për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19, pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, nëse kanë mallra/shërbime të leverdisshme, në kuptim të këtij neni, shprehin disponibilitetin e tyre pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara (ABP).

Autoritetet kontraktore do të negociojnë vetëm me operatorët e listuar në ABP, sipas mallrave/shërbimeve që duan të prokurojnë. ABP-ja ka detyrimin të përditësojë çdo ditë listën e bizneseve që shprehin disponibilitetin e tyre.
Nëse nevoja nuk mund të plotësohet nga këta operatorë, autoritetet kontraktore mund t’i drejtohen operatorëve të tjerë ekonomikë për përmbushjen e kërkesës për këto mallra, sipas procedurës me negociim, pa shpallje papaprake të njoftimit. Autoritetet kontraktore që do të prokurojnë mallra ose shërbime, sipas këtij neni, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Përjashtohen nga rregulli i përcaktuar në këtë nen të gjitha procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit.”.

Neni 3
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.