Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

A K T  N O R M A T I V

PËR

MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA NË FUSHËN E VEPRIMTARISË SË SHËRBIMIT PËRMBARIMOR GJYQËSOR, NDËRMJETËSIMIT DHE ADMINISTRIMIT TË PROCEDURAVE TË FALIMENTIMIT GJATË KOHËZGJATJES SË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Objekti

Ky akt normativ ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta për kryerjen e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror dhe privat, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Neni 2
Qëllimi

Ky akt normativ ka për qëllim mbrojtjen e interesave të ligjshme të shtetasve që mund të cenohen për shkak të veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror dhe privat, ndërmjetësimit apo administrimit në procedurat e falimentimit, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Neni 3
Masat e veçanta në fushën e shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe falimentit

Nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 pezullohen afatet për kryerjen e veprimeve procedurale të përmbaruesit gjyqësor shtetëror apo privat, ndërmjetësit dhe administratorit në procedurat e falimentimit. Kur afatet për kryerjen e veprimeve procedurale sipas parashikimit të legjislacionit në fuqi fillojnë gjatë periudhës së pezullimit, ato shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë.

Rregullat e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, nuk zbatohen në këto raste:

a) Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë që rrjedhin nga çështje familjare, me objekt kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë, birësimin, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim;
b) Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt urdhrat e mbrojtjes dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes;
c) Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt masat e sigurimit të padisë për çështje administrative dhe për çështjet civile, në të cilat gjykata ka dhënë vendim për sigurimin e padisë ose vendim me ekzekutim të përkohshëm, kur nga vonesa e ekzekutimit ose e kryerjes së veprimeve procedurale bëhet i pamundur ekzekutimi i këtyre titujve ekzekutivë, pas përfundimit të gjendjes së epidemisë;
ç) Nëse është e domosdoshme shmangia e dëmtimit të masës së falimentimit;
d) Për ndërmjetësimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën penale, kur gjatë hetimit vlerësohet si e nevojshme për mbrojtjen e interesave të të miturit.

3. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19, në funksion të zbatimit të rregullave nënligjore të nxjerra nga organet përgjegjëse shtetërore, organet e shërbimit përmbarimor shtetëror dhe privat, të ndërmjetësve dhe administratorëve të falimentimit, në të gjitha rastet, marrin masa organizative të posaçme për të shmangur grumbullimet, kontaktet e ngushta ndërmjet individëve, si dhe praninë e publikut në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të përmbaruesit gjyqësor, ndërmjetësit dhe administratorit të falimentimit.

Neni 4
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.