Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Albin Kurti pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive:

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe mirëseardhje për të gjithë gazetarët dhe gazetaret nga Kosova, por natyrisht dhe për gazetarët e gazetaret nga Tirana, që kanë ardhur këtu në Elbasan, për të ndjekur nga afër këtë mbledhje të shtatë ndërqeveritare, mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Besoj që i ndoqët rezultatet konkrete të këtij takimi, i cili është përgatitur me një intensitet të posaçëm do të thoja dhe falë intensitetit të punës së kryer. Qysh se u takuam në Prishtinë dhe ramë dakord për piketat e takimit, kemi firmosur një sërë marrëveshjesh shumë konkrete, ku pa dashur të marr kohë të tepërt do të nënvizoja Marrëveshjen e bërë për të filluar menjëherë nga puna për studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë, gjë për të cilën,  kjo është e rëndësishme të nënvizohet, të dyja qeveritë kanë përcaktuar në buxhetin e vitit 2022, një fond dhe të dyja ministritë kanë dakordësuar për ngritjen e ekipit të përbashkët të punës në ndërkohë.

Po ashtu, dua të nënvizoj marrëveshjen që çon në një nivel të ri bashkëpunimin doganor, një kërkesë legjitime e kahershme e kohës, e eksportuesve dhe importuesve në të dyja anët e kufirit, të cilët do të jenë përfituesit e drejtpërdrejtë, por dhe ekonomitë e vendeve tona do të kenë përfitimin e tyre.

Më tutje, nënvizoj se eliminimi i të gjitha procedurave të dyfishta është objektivi ynë në të gjithë sektorët dhe faktikisht në rastin konkret krijimi i manualit të ri të përbashkët për procedurat standarde operimi në doganën e Durrësit është kyçi për atë që thashë, ngritjen në një nivel tjetër të lëvizjes së lirë në raport me procedurat doganore.

E treta, dua të nënvizoj dhe besoj është lajm i mirë për të gjithë qytetarët në të dyja anët e posaçërisht për qytetarët e Kosovës që vërshojnë në ditë të rëndësishme festash në fundjava të gjata apo gjatë sezonit veror drejt Shqipërisë, që tanimë më në fund është dakordësuar krijimi i një regjimi të ri doganor për ta, në kufi, duke pasur parasysh domosdoshmërinë që të mos krijohen radha të pafundme për shkak të kontrolleve të dyfishta dhe dy Ministritë e Brendshme kanë rënë dakord dhe ministrat me ekipet e tyre po punojnë për një sistem alternativ monitorimi të pikave kufitare me kamera, që do të thotë, pa kontrolle fizike të aty për atyshme, duke faktikisht e bërë kufirin krejtësisht fluid.

Në mbyllje, dua të nënvizoj edhe atë që është një objektiv i përbashkët, jo vetëm i dy qeverive, por edhe personalisht i Albinit dhe i imi, për të shtrirë sa më shumë rrjetin e shërbimeve konsullore të përbashkëta, duke u bazuar në disa modele pozitive. Kemi Milanon, kemi Mynihun dhe duam të krijojmë sa më shumë hapësira të përbashkëta të shërbimeve konsullore, për t’i dhënë qytetarëve tanë një adresë, aty ku i marrin këto shërbime, për të racionalizuar shpenzimet sepse na ndihmon të dyja palëve që të mos marrim dy palë godina e të angazhojmë dy palë shërbime të jashtme në kuptimin e gjithë shërbimeve që kanë nevojë godinat për t’u asistuar, por të kemi një godinë, një hapësirë e këto para që shkojnë për shpenzime të dyfishta, të mund të kanalizohen nga ministritë e jashtme për punë që lidhen drejtpërdrejtë me atë, çka ministritë kanë si detyrë funksionale në marrëdhënie me diasporat përkatëse.

Dua që ta falënderoj sinqerisht të gjithë skuadrën e Kosovës, Albinin personalisht, për ritmin e ri që ka marrë ky proces. Është takimi i shtatë, janë firmosur shumë marrëveshje. E vërteta është që një pjesë e tyre janë zbatuar plotësisht, një pjesë janë në zbatim, por është po kaq e vërtetë që problematika e zbritjes nga niveli i lartë politik dhe vendimmarrës i qeverive në nivelin ekzekutiv të administratës, është një problematikë që përndryshe mund të kthehet në një problematikë bllokuese.

E fundit, por jo për nga rëndësia, krijimi sot me vendim të dy qeverive i Sekretariatit për Koordinimin e të dy qeverive në funksion të të gjitha marrëveshjeve dhe të gjitha angazhimeve, si një mekanizëm i ri funksional, i cili raporton dhe njëkohësisht orientohet nga zyrat e dy kryeministrave, por që është në dispozicion të të gjithë anëtarëve të kabineteve për ndërveprimin e tyre bilateral dhe që nga ana tjetër informon zyrat e kryeministrave për çdo problematikë që ndeshet rrugës dhe që ka nevojë për ndërhyrje institucionale të drejtpërdrejtë nga kryeministrat, është një hap ku ne sëbashku besojmë fort se do të na sjellë përshpejtimin e të gjithë hapave të tjerë.

Albin miku im, shumë faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu. E thashë dhe më parë, do kishim dashur të të prisnim e t’ju prisnim me diell, nuk ia dolëm dot, megjithatë mbase ky shi që vazhdon insiston është një ogur i mirë për bereqet në gjithë punën tonë të përbashkët, në funksion të qëllimit të madh të përbashkët e të pandryshueshëm që është bashkimi dhe intensifikimi sa më shumë i gjithë hapësirës dhe ndërveprimeve mes të dyja shteteve, duke faktikisht synuar ta kthejmë kufirin në një formalitet në pikëpamjen e asaj që na përcakton si dy shtete të ndryshe e jo si një mur apo si pengesë për ndërveprimet mes dy bashkësive që kemi nderin e madh në këtë fazë të udhëheqim.

 

Kryeministri Albin Kurti: Faleminderit shumë kryeministër Rama! I dashur Edi, ne po mbjellim bashkë dhe do na duhet edhe shumë diell, shumë shi, të dyja do na nevojiten për frytet, të cilat duhet t’i gëzojnë dhe do t’i gëzojnë qytetarët tanë në të dy anët e kufirit, të cilin gjithnjë e më shumë po e liberalizojmë dhe po e relativizojmë.

Të nderuar gazetarë, zonja dhe zotërinj, jam shumë i nderuar dhe i gëzuar me mbledhjen e shtatë mbledhjen të përbashkët ndërmjet dy qeverive tona, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Në vizitën e kryeministrit Rama në Prishtinë para dy muajve u zotuam së bashku se e shohim tejet të rëndësishëm koordinimin dhe sinkronizimin, gjithandej. Mbledhja e sotme është hap i madh në këtë drejtim. Nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara sot, trembëdhjetë të tilla, dhe me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive tona, do ta rrisim edhe më tej bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në gjithë rajonin. Progresi i numrit të marrëveshjeve do shoqërohet me cilësi në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike dhe kulturore, po ashtu dhe historike.

Bashkëpunimi mes dy qeverive tona do forcojë shtetet tona dhe do jetësojë ëndrrat e qytetarëve për të jetuar krenarë në vendin e tyre.

Përtej kësaj, kjo mbledhje e dy qeverive tona dhe marrëveshjet e nënshkruara janë në horizontin e integrimeve në Bashkimin Evropian, i cili është fati ynë. Sa më të integruar të jemi, aq më mirë do jetë për qytetarët dhe aq më bindur dhe të inkurajuar do jenë ata për të ndërtuar jetët e tyre e të familjeve të tyre në vendin e tyre.

Ndaj, marrëveshje si këto sot, do mundësojnë që vizionin dhe programet e dy qeverive t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete që të jenë sa më efektive e frytdhënëse.

Gjatë ditës së sotme, në Forumin e Biznesit Shqipëri-Kosovë do diskutojmë për veprime konkrete dhe me përfaqësues të kompanive prodhuese dhe eksportuese shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova. Mirëpresim këtë diskutim për ta vlerësuar bashkëpunimin tonë ekonomik të deritanishëm dhe për të shqyrtuar mundësi dhe shtigje të reja për tregje të reja dhe kapacitete të zgjeruara.

Lidhshmëria jonë historike, kulturore, gjuhësore janë nyjet tona të forta premtuese për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ndërkaq, qartësia dhe orientimi i përbashkët na udhëzon vetë për lëvizjet më të duhura e më të mbara.

E falënderoj edhe njëherë kryeministrin Rama, qeverinë e Shqipërisë, dy ekipet tona, dy brigadat tona qeveritare që zbarkuan në këtë pallat, të cilin nuk e kisha njohur më herët, dhe sekretariatin Koordinues për këtë organizim të shkëlqyeshëm.

 

-Përshëndetje! Pyetja e parë është për të dy kryeministrat.  Zoti Kurti u shpreh i kënaqur që u arritën këto marrëveshje sot, në Shqipëri, por në fakt, po kaq të kënaqur janë shprehur edhe paraardhësit tuaj, 3 paraardhësit tuaj, të cilët në 7 vite janë bërë pjesë të shtatë mbledhjeve të qeverisë dhe janë nënshkruar afro 100 marrëveshje, por në realitet duket se është bërë shumë pak. Në fakt, mua më duket si një kopje e Procesit të Berlinit; takime të përvitshme, nënshkrime të përvitshme dhe rezultate zero. Duket se më shumë në fakt po bëhet me nismën Open Ballkan, takimet janë më intensive aty. Kush është fajtor për këtë, burokracia?

Dhe pyetja vetëm për zotin Kurti. A mendoni se stafi juaj do ta cilësojë kaq të rëndësishme këtë mbledhje të dy qeverive sa do bëhet pjesë edhe me një postim në rrjetet tuaja sociale, gjë që nuk ndodhi gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Rama në shtator?

Kryeministri Edi Rama: Po përgjigjem unë për pyetjen e parë, meqë Albini ka dy. Që të themi se jo të gjitha marrëveshjet e firmosura kanë gjetur zbatim të plotë, këtë mund ta themi pa asnjë dyshim dhe e kemi diskutuar së bashku që ditën e parë. Unë e kam diskutuar këtë gjë, sa herë ka pasur një qeveri të re në Kosovë, por e para, nuk është absolutisht e vërtetë që rezultati është zero sepse nëse i marrim marrëveshjet një nga një, një pjesë e tyre janë zbatuar plotësisht, një pjesë e tyre janë në zbatim e një pjesë e tyre kanë ngecur.

E dyta, dua të them që me Albinin dhe qeverinë aktuale kemi pasur një qasje dinamike dhe faktikisht, jemi fokusuar, po të shikoni marrëveshjet e sotme, tek një numër marrëveshjesh që, jo vetëm janë konkrete në fjalë, por njëkohësisht dhe pjesë e një pune konkrete që është bërë. Po iu jap shembullin e hekurudhës. E kemi firmosur sot marrëveshjen, por ndërkohë, edhe qeveria e Kosovës, edhe ne, qeveria jonë,  e kemi vënë në buxhet për vitin 2022 financimin për studimin e domosdoshëm të fizibilitetit, që do na nxjerrë tek projekti, me të cilin do aplikojmë bashkërisht në Programin e Investimeve të Bashkimit Europian.

Ky është vetëm një shembull. Shembulli tjetër, kemi folur sa herë për të lehtësuar qarkullimin në kufi dhe sa herë kemi sprapsuar për shumë arsye që nuk është këtu vendi t’i rendisim, por ama, mes ministrave të brendshëm të qeverisë së Kosovës dhe qeverisë sonë është gjetur një zgjidhje e re, e cila edhe njëherë e sjell këtu si shembull, për t’iu përgjigjur pyetjes; nuk jemi në kushtet e marrëveshjekracisë, që bëjmë marrëveshje dhe pastaj e lëmë për mbledhjen e ardhshme, por jemi në kushtet, ku ka një reflektim të bërë mbi çfarë nuk ka shkuar si duhet në të shkuarën përsa i përket këtyre marrëveshjeve bilaterale dhe ka një punë që po bëhet konkrete.

I fundit, Sekretariati. Mos mendoni që Sekretariati është një mekanizëm që e shpikëm ne sot. Ka qenë prej kohësh një kërkesë e vetë punës, me emra të ndryshëm, por nuk është bërë asnjëherë. Sot, kemi një Sekretariat dhe e kemi sekretariatin të formalizuar sot, por ndërkohë sekretarin, koordinatorin e këtij Sekretariati e kemi në punë qysh prej takimit që bëmë në Prishtinë, pasi dakordësuam parimisht që do ngremë këtë Sekretariat dhe ky është personi, ju e njihni personin.

Është një rast konkret dhe domethënës i një individi, figure që gëzon respekt të plotë nga të dyja palët dhe që ka filluar punën konkretisht.

Dua të them që duhet të jemi pak më vlerësues, siç jemi edhe vetë kritikë për çka në të shkuarën mund të mos ketë funksionuar si duhet. Në këtë rast, puna juaj e do që të shihni gjysmën bosh, puna ime do që ta shoh gjysmën plot. Rëndësi ka që nga gjysma e të plotës mund të pihet ujë, nga gjysma bosh nuk pihet ujë.

 

Kryeministri Albin Kurti: Së pari, unë nuk e vë në dyshim që dhe pararendësit e mi kanë qenë të kënaqur me mbledhjet që janë mbajtur dhe nuk dyshoj në qëllimet e mira. po ashtu, është evidente që ka pasur ngecje, mirëpo të gjitha ngecjet dhe vështirësitë, neve na entuziazmojnë dhe na shtojnë zellin për t’i tejkaluar ato.

Kudo që konstatoni lëshime apo defekte, kjo është një thirrje për të punuar më shumë dhe jo për t’i deprimuar sepse nuk na qenka e mundur apo sepse dështuam. Përkundrazi, unë besoj që kjo mbledhje, sigurisht është mbledhja e shtatë në radhë, por është mbledhje me një koordinator të Sekretariatit të Përbashkët, i cili, për shkak të punës sonë dhe angazhimit tonë, besoj që nuk do konsiderohet fajtori, por meritori për zbatimin me kohë të dakordimeve tona.

Do kërkoj nga stafi im që të jetë më aktiv edhe në fushën virtuale publike të rrjeteve sociale, por sidomos në punën praktike, reale, publike, meqenëse për të gjithë ne ka shumë detyra drejt realizimit të këtyre marrëveshjeve dhe nëse ndonjëherë ka gabime apo lëshime të paqëllimta, kjo kurrsesi, nga askush, asnjëherë nuk duhet të konsiderohet si qëllim i gabuar apo i keq.

Unë jam shumë optimist për çfarë po bëjmë në këtë vit dhe besoj se viti i ardhshëm do jetë ai, në të cilin do shihet se interesat dhe vullneti i qytetarëve dhe popullit është shndërruar në detyrë dhe përgjegjësi për ne si zyrtarë kryesorë të shteteve dhe asisoj do kemi kritika edhe për më shumë punë, por kurrsesi pesimizëm për dështimet, të cilat nuk do t’i lejojmë.

 

-Po bini dakord për shumë marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë mirëpo a ka një mendim unik të dy kryeministrat shqiptarë për problemin e Kosovës dhe Serbisë?

Dhe një çështje tjetër është cila është qëndrimi i Shqipërisë sa i përket Ballkanit të Hapur? Dimë qëndrimin e Kosovës që është kategorikisht kundër Ballkanit të hapur dhe së fundi kemi parë mesazhin e SHBA që thonë që pa përfshirjen e gjashtë shteteve nuk mund të ketë Ballkan të hapur. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Tani, mendimi i Shqipërisë, mendimi i kësaj qeverie, mendimi im lidhur me Kosovën dhe Serbinë nuk është as sekret, as i panjohur. Është i njëjti mendim që unë e kam shprehur që në krye të herës, edhe në mes të Beogradit, kështu që nuk ka ndryshuar. Në këtë pikë nuk ka asnjë dilemë.

Për sa i përket Ballkanit të Hapur, kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme, por nga ana tjetër duhet edhe ju, edhe të gjithë të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë sëbashku gjërat e duhura në funksion të të ardhmes së dy vendeve tona.

Kështu që mendoj që këto opinione të ndryshme, në raport me Ballkanin e Hapur, nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse do më lejoni t’i referohem Shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm, ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër, por trupi qëndron drejtë, që do të thotë se shqiponja është krejtësisht e informuar vizualisht në 360 gradë. Prandaj, mos kini asnjë dyshim se Shqiponja me dy koka rrezikohet që të kapet në befasi nga njëra anë apo nga ana tjetër, pasi i kontrollon me sy të dyja anët.

Asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj që është një vlerë e shtuar në këtë rast, në këtë periudhë të historisë sonë, që jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sa sot që nuk e kemi këtë luks e nuk e kemi as këtë qëllim. Kështu që, unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, jam optimist për këndvështrimin strategjik, por edhe për angazhimin që kemi vendosur bashkërisht, në funksion të këtij këndvështrimi për sa i përket marrëdhënieve tona. Për Ballkanin e hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që të gjitha debatet mes meje dhe Albinit të jenë të mbyllura. Se pastaj i bie që ne të ndryshojmë emrat e të mos jemi ata që jemi, është fiziologjia e një marrëdhënieje mes njerëzish që nuk rrinë dot pa menduar dhe e kanë problem po të mendojnë njësoj për të gjitha gjërat.

Kryeministri Albin Kurti: Edhe takimi që kemi pasur së bashku në Prishtinë me kryeministrin Rama dhe ekipet tona para dy muajve, edhe mbledhja e sotme e dëshmoi që është e mundur që Kosova e Shqipëria të diskutojnë, të planifikojnë, të dakordohen dhe pa menduar e pa përmendur fqinjin verior të Republikës së Kosovës. Andaj besoj që duhet ta kemi një vlerësim edhe për këtë aspekt, meqenëse jemi dy shtete të pavarura e sovrane të cilat e kanë ndjeshmërinë për rajonin, e kanë synim Bashkimin Europian mirëpo në të njëjtën kohë nuk kanë nevojë që sa herë që bashkëveprojnë, doemos ta mendojnë e ta përmendin e ta endin fqinjin verior të Republikës së Kosovës. Ajo çfarë bëmë ne sot është liberalizimi i kufirit për qytetarët dhe bashkëpunimi i zyrtarëve për institucionet. Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po relativizohet për qytetarët, pra qarkullimi dhe qëndrimi. Ndërkaq, në anën tjetër po e shtojmë bashkëpunimin midis zyrtarëve dhe institucioneve, meqenëse ky bashkëpunim është përgjegjësi dhe detyrë e jona, duke qenë se dhe interesi i shteteve dhe ekonomive tona, edhe mirëqenia e qytetarëve në të dy anët e kufirit e kërkon një gjë të tillë.

Bashkëpunimi ynë jam i bindur që do ti zvogëlojë deficitet tregtare edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Ky bashkëpunim shprehet si në shkëmbimin e informacionit e të përvojave, po ashtu dhe në bashkërendimin e aktiviteteve, detyrave e punëve që i kryejmë bashkë. Kosova e Shqipëria po hapen me shpejtësi për njëra-tjetrën dhe gjithçka tjetër është në rastin më të mirë e dorës së dytë.

 

– Ju folët se keni nënshkruar marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy kufijtë e vendeve tona, por kur mund të kemi një nënshkrim marrëveshjeje apo konkretisht kur mund të fillojë tregu i përbashkët Shqipëri – Kosovë për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve?

Kryeministri Edi Rama: Tregu i përbashkët është një proces, nuk është një akt dhe është një proces me shumë akte. Çfarë do të thotë tregu i përbashkët? Do të thotë që të garantojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve e të shërbimeve e faktikisht, edhe në këto marrëveshje, nëse i referohemi marrëveshjes së bërë për doganat, është një tjetër akt drejt njehsimit të tregut. Nëse i referohemi marrëveshjeve të bëra e që janë në fuqi, e që zbatohen, për një sërë dokumentesh që u duhen eksportuesve dhe importuesve nga të dyja anët e që janë të unifikuar, prapë është një akt. Cila është korniza finale e tregut të përbashkët? Korniza finale e tregut të përbashkët është që lëviz nga pika A, në pikën B, nga cilado pikë A në gjithë Shqipërinë në cilëndo pikë B në gjithë Kosovën dhe anasjelltas, e kjo vlen për gjithë rajonin, e pastaj do të vlejë edhe për të gjithë ne, në raport me BE, kur të jemi vende të BE, të jetë një lëvizje e pandërprerë. Pra pavarësisht se ti kalon nga një shtet në një shtet tjetër, nga pikëpamja zyrtare, nga pikëpamja praktike, ti nuk sheh ndryshim dhe dokumentet e nisjes janë të mjaftueshme që ti të mbërrish në pikën tjetër, në të gjitha operacionet që kanë të bëjnë me personin. Sot, edhe me marrëveshjen për lejet e punës, lejet e qëndrimit, se ishim në një absurd total prej shumë kohësh, që për të ardhur  një nga Kosova këtu apo për të shkuar një nga Shqipëria në Kosovë, kishte procese burokratike, edhe për lejen e qëndrimit, edhe për bashkimin familjar, prapë me dokumente, ndërkohë që të gjitha këto sot janë hequr. Natyrisht, ministrat e Brendshëm kanë lënë një pesë vjeçar se kuptohet, ministria e brendshme e do se përndryshe Ministritë e Brendshme mendojnë që për çfarë duhemi ne nëse ne nuk kemi një kontroll, qoftë dhe iluzor mbi njerëzit, por kjo nuk ka rëndësi. Nuk pengon, nuk është problem. Të gjitha këto çojnë tek korniza e përbashkët në fund fare ku gjithçka, çdo ndërveprim nuk ka më kufi, as kufi fizik e as kufi burokratik kur flasim për ndërveprime që zhvillohen përmes gjithë institucioneve, përmes gjithë entiteteve private, mes këtyre të fundit e të parave, e kështu me radhë. Pra, është një mori aktesh e praktikisht një pjesë e akteve që kemi bërë sot shkojnë në këtë funksion,  të krijimit të një hapësire të përbashkët të integruar totalisht. Në rastin me Kosovën është një hapësirë e integruar që shkon përtej tregut faktikisht sepse me Kosovën ne nuk kemi vetëm një marrëdhënie e cila është një marrëdhënie domosdoshmërish e natyrës ekonomike apo sociale, por kemi një marrëdhënie që është shumë më e thellë, sepse është një marrëdhënie identitare, është një marrëdhënie  kulturore, burimore si të thuash dhe në këtë aspekt, kemi dhe një sërë elementësh të tjerë të bashkëpunimit, që nuk janë pjesë e kornizës së gjerë po themi, qoftë rajonale, qoftë europiane.

Abetarja e unifikuar fjala vjen që ne duam të kemi në Shqipëri për vitin e ardhshëm shkollor që përkon dhe me një vit jubilar të pavarësisë, menjëherë gjen dakordësi e menjëherë bëhet dhe projekti i Kosovës për arsyet se marrëdhënia jonë shkon përtej tregut të përbashkët, por tregu i përbashkët është një domosdoshmëri e pashmangshme dhe e pazëvendësueshëm për sa i përket nevojave të rritjes ekonomike dhe sociale, kjo nuk diskutohet.

 

-Në një sondazh nga Euroneës, 80% e shqiptarëve kanë deklaruar se janë pro bashkimit kombëtar. zoti Kurti, në një intervistë keni deklaruar se në një referendum paqësor do votonit pro bashkimit kombëtar. Cila do ishte vota juaj, Zoti Rama, në një sondazh apo në një referendum të tillë dhe a mendoni se mund të organizohet ndonjëherë një e tillë?

Kryeministri Edi Rama: Tani, kjo është pyetje apo “provokacia”, se unë nuk e kuptoj? Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës dhe do votoja hapur pro, që të jemi të qartë. Në rast se më pyesni a do ndodhë kjo apo jo, meqë ju më provokoni, po iu provokoj dhe unë, unë them që kjo do ndodhë. Unë nuk di kur do ndodhë, si do ndodhë sot, por që kjo do ndodhë një ditë, unë them po. Atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin dhe të bërtasin për “Shqipërinë e Madhe” është që fallxhorët nuk gjykohen, sepse është një fall. Meqë ju po më pyesni, të hedhim fall dhe nëse unë do hidhja fall, po e hedh me imagjinatë në këtë rast, se unë nuk shoh filxhan, unë them që kjo do ndodhë. Se kur do ndodhë, se si do ndodhë këtë unë nuk e di.

 

-Pa fall mund të ndodhë?

Kryeministri Edi Rama: Unë fallën e futa në mes për përkthyesit dhe ata që do bëjnë deklarata pas kësaj që “U takuan në Elbasan, do digjet Ballkani, duhet të ngrihet bota se po na sulmojnë shqiptarët”. Për këta e kisha, që kështu më ndihmoni dhe ju që të thoni që “Foli zëri i fallxhorit dhe jo zëri i politikanit dhe i kryeministrit të përgjegjshëm”. Meqë më provokoi Klani i Kosovës, Klani i Shqipërisë provokoi Albinin. Unë iu përgjigja provokimit me provokim.

 

E njëjta pyetje për Albin Kurtin.

Kryeministri Edi Rama: Nuk pyeten dy fallxhorë përnjëherë tani. Ti rrike te ai filxhan. A ma dhe mua filxhanin? Unë ta pashë. Nuk kërkohet mendim alternativ për të njëjtin filxhan. Albin, nëse do ta bësh dhe ti një parashikim, bëje nuk ka problem.

Kryeministri Albin Kurti: Mua më duket se ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim tek çështja e bashkimit të shqiptarëve. Nuk është diçka që e zgjedhim apo përzgjedhim, është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Nuk mund të vendosemi ne mbi këto proces historike e të përcaktojmë data e mënyra.

 

-Megjithëse, kryeministrat na thanë po bie shi e është bereqet, ne sërish po përballemi, të dy vendet, me një krizë energjetike, dhe çfarë do bëjnë dy qeveritë për të përballuar këtë sfidë dhe për integrimin e përbashkët të dy sistemeve? Një pyetje tjetër, pak më rajonale. Ju zoti Rama, një ditë më parë, keni premtuar që në kuadrin e 150 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, keni premtuar që do bëjmë një projekt të përbashkët që 150 vjetori, Prizrenin ta gjejë ndryshe. Ndërkohë që, që nga ajo kohë, realitetet politike në Kosovë kanë ndryshuar, realitetet në nivel vendor gjithashtu kanë ndryshuar, por Prizreni është po aty. Çfarë do bëhet me këtë premtim?

Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket bereqetit, meqë e lidhe me krizën energjetike, është drejtpërdrejtë bereqet sepse ne kemi kaq javë që ngrysemi dhe gdhihemi, ne të qeverisë këtej, lutemi të bjerë shi. Nga kjo pikëpamje, është bereqet direkt sepse ne varemi 100% nga burimet tona hidrike, dihet historia nuk zgjatet. Shpresoj që të vazhdojë të bjerë shi ndërkohë që, sigurisht, ne nuk mund të rrimë nën mëshirën e  shiut gjithmonë dhe ndaj po marrim një sërë masash dhe po investohemi për diversifikimin, me parqet fotovoltaike, po investohemi me sjelljen e gazit të lëngshëm përmes TEC-it të Vlorës, që do vihet në funksion së shpejti, në bashkëpunim me qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kompaninë amerikane, po investohemi për Skavicën dhe patjetër që është e domosdoshme që të thellojmë bashkëpunimin me Kosovën në këtë aspekt për dy arsye.

E para, sepse thellimi i bashkëpunimit me Kosovën dhe unifikimi i tregut të energjisë na jep mundësi që të balancojmë, pra na jep mundësi që, kur ne kemi më shumë sesa çfarë ne na duhet, nga pikëpamja e reshjeve dhe burimeve të drejtpërdrejta që vijnë nga reshjet, ne tua kalojmë Kosovës dhe Kosova e ka më të thjeshtë nga kjo pikëpamje sepse duke e pasur energjinë kryesisht nga termocentrali, termocentrali fiket e ndizet. Ndërkohë, shiun, megjithëse kemi bërë gjithçka për t’i kapur të gjitha pushtetet, nuk e kemi kapur dot pushtetin atje lart që ta fikim e ta ndezim, dhe anasjelltas.

Interkonjeksioni është një gjë e madhe që tanimë është realitet. Ka një ndërveprim të vazhdueshëm mes institucioneve përkatëse, që lidhen me prodhimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë dhe e ardhmja e do këtë gjë.

Arsyeja tjetër është që, duke pasur përpara një kohë shumë të vështirë dhe një sfidë shumë të madhe sa i përket kushteve të reja që do vendosen mbi vendet që kanë energji që buron nga qymyri dhe taksës së karbonit, që është rrugës, duke ardhur drejt nesh dhe gjithë vendeve, atëherë Shqipëria del me një avantazh natyral për shkak se e ka të gjelbër dhe në këtë funksion, sinergjia me Kosovën e pas 10 viteve, duhet të përgatitet që sot, në mënyrë që Kosova të mos ta vuajë në mënyrë dramatike taksën e  karbonit, që është rrugës për të gjitha vendet që e bazojnë prodhimin e energjisë tek karboni.

Shumë faleminderit! Jeni të mirëseardhur dhe të gjithë gazetarët që janë këtu nga Kosova, bashkë me kolegët, mund të qëndrojnë pa u larguar për të marrë edhe atë mirësinë e mikpritësve, që në rast është qeveria e Shqipërisë, dhe për të mos u larguar pa bereqetin e vaktit të drekës.

Sido që të shkojë puna, të kapim drekën njëherë pastaj vazhdojmë për darkën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.