Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, sot në seancën plenare në Kuvend:

Sapo kemi asistuar në një tjetër mbytje të opozitës në një lugë ujë. Duke pritur që opozita të rinxjerrë kokën në sipërfaqen e ujit të lugës, unë dua të bëj një shpjegim shumë të shkurtër lidhur me këtë situatë absurde.

Së pari, është koha që mënyra sesi funksionon shërbimi i Parlamentit për dhënien e hapësirës televizive, në raport me punimet e tij, të ndryshojë.

Deri më sot jemi në kushtet e një shërbimi komunist në kushtet e demokracisë. Televizioni publik nuk mund të ketë asnjë ekskluzivitet mbi hapësirën e jetës parlamentare.

Si në çdo vend normal, si në çdo shtet demokratik, Kuvendi duhet të ketë televizionin e vet, duhet të ketë shërbimin e vet për të gjithë të interesuarit që ta marrin këtë shërbim.

Si në çdo vend normal dhe shtet demokratik, ku në çdo parlament demokratik, ky shërbim jepet nga ekrani i Kuvendit, qoftë për seancat plenare, qoftë për seancat e komisioneve, qoftë edhe për shumëçka tjetër, është koha që kjo të bëhet edhe në Shqipëri.

Si në çdo vend tjetër nuk mund të ketë 25 kamera në sallën e Kuvendit. S’është nevoja për gjithë këto shpenzime dhe për gjithë këto burime njerëzore të të gjithë aktorëve mediatikë. Këtu mjafton një regji televizive e Kuvendit që ua jep aksesin të gjithë atyre që kanë dëshirë ta transmetojnë të plotë, të pjesshëm, gjithë ditën, 3 minuta etj., çdo veprimtari të Kuvendit.

Ligji që i imponon televizionit publik dhënien falas të veprimtarisë së Kuvendit është thjesht një adoptim në kushtet e demokracisë i një situate komuniste.

Këtu fillon dhe mbaron gjithçka.

Edhe kërkesa e televizionit publik për t’jua shitur, apo për t’ju imponuar televizioneve private një faturë, ose dhënien e sinjalit me logon e TVSH-së është faktikisht diçka që i takon të shkuarës. Sepse asnjë  televizion, qoftë publik apo privat, nuk mund të ketë  këtë ekskluzivitet dhe në kushtet e konkurrencës, televizioni publik nuk mund t’i imponojë konkurrentëve të vet logon e tij si konkurrencë.

Kjo është shumë e thjeshtë, mjafton që Kuvendi ta marrë nga televizioni publik, – përsa kohë do t’i duhet që të ngrejë infrastrukturën e vet të nevojshme – dhe të gjithë aktorët mediatikë mund ta marrin pa pasur nevojë për kameramanë, pa pasur nevojë për regjisorë,siç e merr ERTV-ja dhe e jep falas për të gjithë.

Përsa i përket pastaj censurës, mbylljes së gojës, përpjekjes për të mos lënë popullin të dëgjojë oratorët e opozitës, kjo është një komedi, të  cilën ERTV-ja e shfaq live sa herë që oratorët ia krijojnë këtë mundësi. Në pritje që ata të dalin nga luga e ujit dhe të kthehen në sallë, ne vazhdojmë punimet, sepse puna jonë është të vazhdojmë të kryejmë detyrën që na është dhënë, të merremi me problemet, të  merremi me  njerëzit, të merremi me nevojat e vendit. Puna e  tyre është të merren me ne. Në pritje që ata të merren me ne, duke trajtuar çështjet që u interesojnë njerëzve, ne vazhdojmë merremi me njerëzit dhe me çështjet e tyre.

 

* * *

 

E rimora fjalën për një temë që e kam shumë për zemër, që lidhet me qindin që i punoni ju Shqipërisë, kur flisni me të huajit.

Kjo nuk ka lidhje fare më atë që quhej dikur ”nxirja e realitetit”, por ka lidhje me një pyetje shumë të thjeshtë: Kujt i shërbeni ju?

Sepse ju nuk i shërbeni në fakt as interesit të Partisë tuaj Demokratike, se s’jeni në gjendje ta kuptoni as këtë interes, jo më të jeni në gjendje të kuptoni interesa më të mëdha, apo të jeni në gjendje t’i viheni në shërbim interesit të Shqipërisë, ndërkohë që juve, partisë tuaj po ia hiqni tullat një e nga një. Këtë nuk e them unë. Këtë e thonë rezultatet tuaja që do të vazhdojnë të thellohen nga humbja në humbje, nëse ju do të vazhdoni të mos kuptoni se cili është roli juaj në këtë skenë.

Për më tepër, fakti që ju as nuk skuqeni, as nuk zverdheni, as nuk nxiheni kur e rimerrni dhe e riartikuloni termin e urryer “krim etnik shqiptar”, të çon tek një pyetje: Po ju politikanët etnikë shqiptarë, çfarë jeni ju?

Çfarë jeni që nuk dini të ndani Europën e vlerave, Europën e sfidave, Europën që ne duam për vendin tonë, me disa racistë në politikën e sotme europiane dhe me disa axhenda politike – që janë në dritën e diellit, nuk janë konspiracione që po i zbulojmë ne, – në Europën e sotme, që synojnë as më shumë me as më pak, po kundërvënien ndaj projektit të Europës, për të cilin ne të gjithë sëbashku jemi të angazhuar, për qëllime tërësisht të brendshme në vendet e tyre dhe për objektivat e axhendave  të  tyre.

“Krim etnik shqiptar” është një shprehje raciste. Një shprehje të cilën ne duhet ta neverisim të gjithë bashkërisht. Ndërsa ju, jo vetëm që nuk e neverisni, por takoheni me ata që e përdorin dhe vini e përdorni dhe këtu. Kjo më nxori tani në foltore, se nuk kisha ndërmend të flisja, se jua dha shumë mirë përgjigjen ministri i Brendshëm dhe do ta shikoni hap pas hapi, edhe ju dhe të gjithë ata që nuk kanë akoma sy për të parë, përgjigjen reale, konkrete, në terrenin ku bëhet lufta me krimin.

Të bësh politikë me krimin është të bësh lobimin e krimit. Nuk e them unë këtë. E kanë thënë të tjerë shumë më të mençur, shumë më të zotë dhe nga lartësi shumë më  të mëdha sesa lartësia ime. Ju këtë keni 4 vjet e kusur që bëni dhe për këtë arsye jeni këtu, në këtë gjendje, që ikni nga ky parlament për të shkuar për të marrë vota dhe ktheheni gjithmonë dhe me më pak pupla këtu.

Kështu do vazhdojë të ktheheni këtu, sa herë që të shkoni për të marrë vota, sepse ju vazhdoni t’i merrni shqiptarët për budallenj.

Ju vazhdoni t’u flisni shqiptarëve, a thua se ata nuk jetojnë këtu. A thua se ata nuk kanë sy, nuk kanë veshë, nuk kanë mend dhe kanë nevojë për ju, që t’ua shpjegoni atyre se në fakt “ata mendojnë siç mendoni ju, por nuk e thonë dot se nuk i lë krimi”. Domethënë, miliona njerëz nuk kanë kurajë të flasin, as me zë dhe as me votë dhe ju jeni grushti i guximtarëve që po përballeni me krimin. Jeni në vete, a s’jeni! E kuptoni sa qesharak po e bëni rolin e opozitës!

E kuptoni sa qesharake, deri në dhimbje është që një opozitë shqiptare të tundë flamurin e “krimit etnik shqiptar”.

Çfarë domethënë “krim etnik shqiptar”?! Krimi është krim s’ka lidhje me etni, janë shqiptarë, janë anglezë, janë amerikanë, janë gjithfarëlloj. Kriminelët s’kanë atdhe. Fakti që shqiptarët targetohen dhe goditen në atë farë feje nëpër burime informacioni dhe nga gojë të shthurura antieuropiane, kjo nuk do të thotë që  kanceleritë thonë këtë. Të dëgjoni ju se çfarë thonë kanceleritë për ju,  habiteni. Por ngaqë keni humbur dhe fuqinë për t’u habitur, ju s’keni veshë për të dëgjuar jehonat e përshtypjeve të të gjithë atyre që sot janë partnerë të Shqipërisë dhe që e mbështesin Shqipërinë në këtë rrugë, me të gjitha vështirësitë e sfidat që kanë.

Sikur Shqipëria të ishte atdheu i krimit, siç e pikturoni ju këtu, si mendoni ju, se këta partnerë të Shqipërisë s’do flisnin? Këta partnerë, a nuk do t’i thoshin Shqipërisë që këtu ka një problem madhor, që shkon përtej të gjithave dhe prandaj e gjithë kjo kastë kriminale që ka uzurpuar qeverinë dhe parlamentin nuk mund të kenë marrëdhënie me ne? A nuk e kanë bërë me vende të tjera? A nuk e kanë bërë këtu, me ca qeveri të mëparshme? E kanë bërë, në një mënyrë, ose në një tjetër.

Si shpjegohet që në 2013-ën, kur ne ishim në fushatë, kryefjala e përdorur nga njerëzit në çdo takim me popullin, nga Tropoja deri në Konispol ishte “krimi”.

Si shpjegohet që në të gjitha anketimet e opinionit publik, prioriteti kryesor i njerëzve ishte krimi?

Si shpjegohet që sot, ne jemi në kushte krejt të tjera në sytë e opinionit publik? Për shkak të palmave? Për shkak të pikturave të mia? Për shkak të uniformave të bukura të policisë?

Për të cilat arsye, populli shqiptar, – i pyetur jo nga ne, po nga institucionet ndërkombëtare, – e konsideron Policinë e Shtetit në vitin 2015, në vitin 2016, institucionin më të besuar në Shqipëri? Se janë budallenj shqiptarët dhe ju jeni guximtarët? Ku e gjetët ju guximin!

Nuk dua të shkoj më tutje se janë punët tuaja, për të folur se çfarë lidhjeje keni ju me guximin. Mungesa e guximit dhe strukja përpara të vërtetave, ju mbajtën peng në një çadër që ju nxori rruar e qethur në 25 qershor. E në vend që ta kërkoni te krimi dhe te paratë e drogës atë humbje që është shpartallimi i Partisë Demokratike, kthehuni te çadra me kujtesë dhe të filloni analizën aty te çadra. Ndërkohë, jo vetëm që s’keni kurajë të ktheheni prapë  te çadra, por keni filluar prapë të flisni si në çadër. Unë ju shikoj nga mbrapa dhe mezi ju dalloj, sepse më pengon çadra me të cilën dilni këtu.

Unë jam absolutisht i bindur që ju mund të bëni shumë më tepër për këtë vend dhe jam absolutisht i gatshëm që ne sëbashku të bëjmë gjithçka që mund të bëjmë, për të përmirësuar atë që ne si një palë në shumicë nuk e bëjmë mirë.

Jam absolutisht në dispozicion për të kuptuar dhe për të pranuar gjithçka që ne nuk bëjmë mirë.

Asnjëherë nuk e kam thënë dhe asnjëherë nuk do ta dëgjoni ta them në këtë foltore, për sa kohë do jem këtu, që ne triumfuam përfundimisht me krimin, sepse kjo nuk ndodh. Kjo është një betejë që vazhdon. Po ju lutem, nëse doni të keni një fije besueshmërie, dilni nga çadra! Mbylleni çadrën që e mbani hapur në kokë, megjithëse fizikisht keni dalë prej saj dhe ballafaqohuni me  argumente e me të vërteta, se shqiptarët nuk janë budallenj.

Këtu ka dëshmitarë, çfarë ju kam thënë në vitin 2013-n, 2014-të, 2015-të. Ju kam thënë vazhdoni, por këtu do vini më pak dhe jo sepse ne i kishim blerë ndërkohë votat. Si u blekan qindra mijëra njerëz! Si u merrka një shumicë, edhe më e madhe sesa në mandatin e parë, duke i kyçur njerëzit brenda dhe gjithë këto fantazitë tuaja!

I patë çfarë mitingjesh bëtë në fushatë. Na katandisët që të mendojmë si t’ju ndihmojmë, duke ju çuar njerëz që të kapnin të paktën cepin e trotuarit, se as me hije në diellin e perëndimit nuk kapej dot cepi i trotuarit nga një grusht njerëzish që ju vinin nga mbrapa. Apo ishin njerëzit të mbyllur brenda se kishin frikë nga krimi dhe nuk ndiqnin dot nga mbrapa fantazmën e Republikës së Re. Çfarë po na bëni kështu?! Na meruat se jemi të gjithë shqiptarë. Mirë apo keq nuk jemi ne djaj dhe ju engjëjt, apo anasjelltas. Ejani në vete dhe të debatojmë këtu për gjërat që bëjnë sens.

Mos vazhdoni me këto përralla, se realisht, ne kemi nevojë që ju të na sfidoni. Po të jetë për interesin e ngushtë politik, pragmatik, për rezultatin në fund, ju të tillë na duheni, qorra, shurdhër dhe altoparlant që përsërisni të njëjtin shirit që shqiptarët kanë vite që e dëgjojnë dhe prandaj mezi ju dëgjojnë edhe ata që janë me Partine Demokratike dhe nuk i ndahen dot  Partisë Demokratike, siç nuk i ndahet dot njeriu erës së vet. Ejani në vete se na turpëruat!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.