Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e platformës digjitale Ambasada Ime, një aplikacion në shërbim të qytetarëve shqiptarë:
Përshëndetje!
Ju faleminderit për ftesën për të thënë disa fjalë në këtë takim të javës së Europës, e cila sipas Çurçill, – Europa jo java, – nuk duhet të kishte limite sot. Duhet të ishte një kontinent ku kudo, në çdo cep të tij, ne duhet të ndjenim se jemi në shtëpinë tonë dhe se jemi gjithashtu qytetarë të denjë të cilitdo vendi ku mund të ndodheshim.
Mirëpo projekti madhështor i etërve themelues të Europës së bashkuar, mori më shumë kohë dhe do të marrë ende kohë për t’u plotësuar në tërësinë e vetë përgjatë një procesi ballafaqimesh të pashmangshme me realitetet e fakteve.
Për Bashkimin Europian dhe për ata që e patën kurajën ta parafytyrojnë si ndoshta projektin më madhështor politik që njerëzimi ka konceptuar, Bashkimi Europian është paqe, është prosperitet dhe është barazi në diversitet, ndër të tjera.
Ndërsa për ne, Shqipërinë dhe rajonin ku jetojmë, pa diskutim Bashkimi Europian është paqe, padyshim është mirëqenie, por qysh në krye të herës e deri më sot mbetet një proces i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm shtetbërje. E pikërisht për këtë, procesi integrimit ka një rëndësi themelore dhe për sa kohë ai zhvillohet është edhe më i rëndësishëm se vetë anëtarësimi pasi falë këtij procesi, një vend si i yni, me një traditë aspak bujare të shtetit dhe të institucioneve, ka në dispozicion një mekanizëm unikal, kompleks siç është mekanizmi i integrimit europian.
5 prioritetet, 35 kapitujt, të gjitha proceset që i shoqërojnë, janë as më shumë e as më pak, se sa një udhërrëfyes që përndryshe do të ishte e pamundur të gjendej e lëre më pastaj të shpikej. Kjo është dhe arsyeja pse ne duhet të mos e harrojmë për asnjë moment që ky proces nuk është i rëndësishëm në të përditshmen tonë sepse na e kërkojnë nga Berlini, nga Parisi, nga Brukseli apo nga kuqoftë, por sepse na e kërkon detyra ndaj fëmijëve tanë.
Nëse duam t’i lëmë fëmijëve tanë një Shqipëri më të mirë se ajo që gjetëm, një shtet që funksionon mbi binarët e drejtësisë dhe të meritës e të mundësive për secilin, nuk ka asnjë rrugë tjetër, nuk ka asnjë mundësi tjetër, përveç rrugës jashtëzakonisht të vështirë, por të pashmangshme të të gjitha reformave që vijnë njëra pas tjetrës zinxhir, si produkt i procesit të integrimit europian.
Për fat të keq, jo të gjithë dhe jo gjithmonë e kuptojmë këtë aspekt themelor të procesit të integrimit dhe jo të gjithë dhe jo gjithmonë e vlerësojmë këtë si një proces ku s’ka palë, ku s’ka çfarë të na ndajë, ku nuk ka pse ta përfshijmë në të përditshmen e betejave tona politike apo të kundërshtive e të mosmarrëveshjeve tona të natyrshme.
Loja politike me procesin e integrimit, është lojë me të ardhmen. Përfshirja e procesit të integrimit në hapësirën mes llogoreve të betejës politike është cenim i cilësisë së procesit, por edhe dëm që i faturohet të ardhmes.
Për fat të keq dhe jo për ngushëllim, nuk jemi vetëm më në këtë proces, në procesin e të luajturit me integrimin europian. Nuk jemi vetëm sepse siç luajmë ne së brendshmi, luajnë dhe ata jashtë me ne. Siç, parti brenda vendit përpiqen ta vënë procesin e integrimit në funksion të axhendës së tyre të vogël politike, parti jashtë vendit e shfrytëzojnë këtë proces në funksion të axhendës së tyre po aq të vogël politike dhe të humburit në këtë rast janë qytetarët tanë kur bëhet fjalë për viktimat e kësaj loje brenda vendit dhe qytetarët europianë kur bëhet fjalë për viktimat e kësaj loje jashtë vendit.
Vjet, Shqipëria mori rekomandimin pozitiv pa kushte nga Komisioni Europian. Komisioni Europian është një makineri e një dimensioni të “frikshëm” për ne që e shikojmë nga Shqipëria e vogël, që financohet nga taksapaguesit europianë, në funksion të mbarëvajtjes së punëve të Europës së bashkuar dhe të shteteve anëtare.
Kush më mirë dhe ku më mirë sesa në procesin e qëmtimit të të gjitha problemeve, sfidave, rezultateve, mund ta bëjë vlerësimin e mund ta japi gjykimin për një vend, në këtë rast Shqipërinë, se sa Komisioni Europian. Ku, në cilin kryeqytet të Bashkimit Europian gjendet një zyrë si ajo e Komisionit Europian në Tiranë, ku njerëzit e fillojnë dhe e mbarojnë punën çdo ditë, duke u marrë me çdo aspekt të ecurisë së punëve në Shqipëri. Ku? Në cilin kryeqytet? Në cilat institucione të një vendi anëtar harxhohen para, burime njerëzore, kohë dhe energji për ta lexuar realitetin e fakteve dhe të shifrave të procesit të integrimit siç harxhohen nga delegacioni këtu dhe nga ata që ndjekin Shqipërinë në Bruksel. Askund!
Procesi nga pikëpamja e vlerësimit të kritereve objektive dhe e objektivitetit të gjykimit nisur nga të dhënat teknike është i tëri një proces që kalon përmes filtrit shumë skrupuloz të Komisionit dhe kur Komisioni thotë rekomandojmë hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë, pa kushte, ka thënë as më shumë e as më pak se sa, “Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë në këtë fazë”.
Kontestimi mbi plotësimin ose jo të detyrave në një vend apo në një vend tjetër nuk lidhet më me kriteret objektive. Këtë gjë unë e kam mësuar “in the hard way” kur i thonë, po këtë gjë e kam detyrim ta ndaj me të gjithë. Siç e dinë të gjithë ata që merren me këtë proces, është mirë ta mësojnë të gjithë ata që nuk merren me këtë proces. Natyrisht që vendet anëtare janë në të drejtën e tyre absolute për të patur gjykimet e tyre dhe vendimmarrjet e tyre politike në një moment, ose në një moment tjetër, po kjo nuk do të thotë aspak se çka Shqipëria ka pasur detyrë të bërë, nuk është bërë, apo se çka ne bëjmë, mjafton për të vendosur për ne. E kundërta është e vërtetë. Gjithmonë e më pak, në vendimmarrjet për ne, jashtë nesh, ndikon çka bëjmë ne për veten tonë e gjithmonë e më shumë ndikon çka të tjerët gjykojnë lidhur me situatat e tyre.
Natyrisht që Shqipëria, si çdo vend tjetër që është në prag të çeljes së negociatave për anëtarësim, ka shumë e shumë rrugë për të bërë, për të arritur në ditën kur duhet dhe do të meritojë të jetë anëtar i Bashkimit Europian, që do të thotë, një vend që çel negociatat është larg së qeni vendi që anëtarësohet nga pikëpamja e të gjithë parametrave, por negociatat vlejnë pikërisht për këtë, që një vend që çel negociatat, në procesin e negocimit arrin të absorbojë dhe të përmbushë të gjithë parametrat e nevojshëm për anëtarësim.
E them këtë, sepse është e padrejtë që gjykimet politike legjitime të përkthehen pastaj në vlerësime medemek teknike për një aspekt, apo për një aspekt tjetër, duke ia rikthyer barrën Shqipërisë, ose vendit përkatës që kërkon të çelë negociatat dhe jo duke e thënë shumë qartë e shumë thjeshtë, ne e vlerësojmë progresin, bravo, por nuk është ky momenti i favorshëm për ne, që të themi po, sepse kemi këtë hall, atë hall, apo atë hall në vendet tona. Krejt normale.
Nuk ndodh kështu. Faktikisht, ne e dimë si fakt që mosdhënia e “po”-së menjëherë qershorin e kaluar, në bazë të rekomandimit të Komisionit, lidhej me zgjedhjet europiane të këtij maji. Ky është fakt dhe pyetja që mund të bënte çdokush që me naivitet mund të reagonte ndaj kësaj që po them, do të ishte, po çfarë lidhje ka përmbushja e 5 prioriteteve të Shqipërisë me zgjedhjet për Parlamentin Europian?
Lidhja është politike, legjitime dhe e mirëqenë.
Sidoqoftë, në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, Këshilli Europian tha dhe një gjë tjetër, që në qershor, pra, në qershorin që sapo vjen, do të çelen negociatat e në dhjetor do të bëhet konferenca e parë etj., duke vendosur edhe disa detyra, që është gjëja më normale, sepse detyrat do të vazhdojnë edhe pasi të çelen negociatat. Por ndërkohë ajo që ka rëndësi shumë për ne është që u hap dera që Shqipëria të fillojë procesin teknik, që fillon zakonisht si traditë, pasi çelen zyrtarisht negociatat.
Pra, në një farë mënyre, ne jemi në proces në mënyrë të vazhdueshme, delegacionet tona të punës shkojnë në Bruksel dhe trajtojnë të gjitha ato aspekte që lidhen me procesin e screening. Gjë që të tjerët më parë e kanë bërë pasi i kanë çelur zyrtarisht negociatat.
Tani pyetja është, çfarë do ndodhë në qershor.
Kush e di çfarë do ndodhë në qershor?
Ndërkohë që me plot të drejtë, ne, duke iu referuar dokumentit të Këshillit Europian dhe këtë e kam për të gjithë ata që përpiqen në lojën e përditshme politike me negociatat t’i thonë shqiptarëve se po-ja ose jo-ja qenkan të lidhur thjeshtë dhe vetëm me çfarë bën qeveria jonë, ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë, në qershorin e ardhshëm, e votuar në unanimitet nga Këshilli Europian. E kur them kushedi çfarë do të bëhet, e them sepse përsëri duhet të presim ditën, duhet të presim përfundimin e zgjedhjeve europiane dhe duhet të shikojmë se në çfarë pozicioni gjenden vendet anëtare në raport me këtë nevojë tonën.
Aq e vërtetë është kjo, saqë Komisioni Europian vendosi ta nxjerrë raportin si asnjë herë tjetër, në 25 maj.
Pse në 25 maj?
Lidhet kjo me Shqipërinë?
Jo, lidhet me zgjedhjet europiane, në mënyrë që raporti të mos merrej e të tundej nëpër fushata elektorale në një vend apo në një vend tjetër, si një arsye për të bërë politikë me shqiptarët, në këtë rast. Shqiptarët, thjeshtë kanë radhën. Askush të mos mendojë se unë po insinuoj që ka dikush ndonjë gjë me shqiptarët. Shqiptarët, thjeshtë kanë radhën, siç e kanë pasur të tjerët. Siç e kanë patur bullgarët, që në fushata të caktuara elektorale të ndonjë vendi anëtar konsideroheshin populli që kishe tentuar të vriste Papën. Siç e kanë patur rumunët, që trajtoheshin si populli që hante lejlekë dhe siç e kanë pasur dhe të tjerët më parë. Politikë!
Por ajo që vlen të sqarohet këtu për opinionin tonë publik, për njerëzit tanë, është se në fund të ditës, çka ne kemi në dorë, është të bëjmë detyrat tona. I kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë. Pse? Jo se i kërkon Komisioni, apo se duhet me patjetër që t’i bëjmë qejfin një vendi, apo një vendi tjetër. Këto janë konsekuenca dhe shumë mirë që të gjithë të mbeten të kënaqur se, në fund të fundit, të gjithë duhet të jenë të kënaqur për të vazhduar të mbështesin për të hapur dyert, por sepse e kërkon e ardhmja e këtij vendi, sepse e kërkojnë fëmijët tanë. Edhe këmbëngulja për të hapur negociatat lidhet me këtë, është një proces që na jep një fuqi njohjeje, dijeje, shtetbërjeje, që nuk na buron nga tradita, sepse tradita nuk është aty për të na mësuar sesi bëhet një shtet funksional demokratik. Për këtë arsye na vjen nga e vetmja rrugë, që është rruga e integrimit europian.
Thënë të gjitha këto, unë nuk e di sepse askush nuk e di faktikisht. Këtu asnjeri nuk e di se çfarë do të vendoset në qershor, por jam i bindur që ky është viti kur të gjitha rrethanat janë aty dhe do të jenë aty për të çelur negociatat, qoftë dhe për arsye të nevojës krejt legjitime procedurale të një vendi, apo të një vendi tjetër, për të shqyrtuar raportin e Komisionit.
Megjithatë, të gjithë ambasadorëve këtu të pranishëm, të cilët përfitoj nga rasti në këtë ditë të Javës së Europës t’i falenderoj sinqerisht dhe e kam fjalën për ambasadorët e Bashkimit Europian, dua t’ju them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë dhe pavarësisht se çfarë ndjejmë ne, kur duhet të kalojmë detin me këmbë për shkak se ka një problem këtu e një problem atje, një problem andej e një problem këtej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë.
Kjo është pak, por e sigurt. Ama, ju lutem, bëni atë që mundeni që të mos lejoni që loja me negociatat e brendshme të kthehet në një lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë, këtë Shqipëria nuk e meriton. Sigurisht kjo është përgjegjësi e shqiptarëve, përgjegjësi e të gjithë përfaqësuesve të tyre politikë, por ka diçka shumë të rëndësishme që ju, vendet tuaja kanë në dorë, ta nxjerrin çështjen e integrimit dhe të negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat, duke e bërë të pamundur që për arsye politike, një palë apo një palë tjetër të marrin peng publikun dhe të shfrytëzojnë pikërisht vështirësitë për çeljen e negociatave, si benzine për të hedhur në zjarrin e përplasjes politike.
Lidhur me diplomacinë tonë dhe për rëndësinë e këtij aplikacioni të ri dixhital në funksion të qytetarëve tanë, të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, apo që gjenden në një moment të caktuar jashtë vendit, duke u përpjekur t’ia sjellim në xhep, në smartphone, apo në pikën më të afërt të lidhjes me internet, ambasadën e Republikës së Shqipërisë. Për ne, diplomacia ka pasur dy shtylla. Nga njëra anë, nevojën për t’i dhënë një dinamikë të re politikës sonë të jashtme dhe një rol të ri, Shqipërisë në rajon dhe nga ana tjetër, për ta bërë shërbimin tonë më eficient në funksion të qytetarëve tanë.
Besoj që mund ta themi me kokën lart që qeveria jonë ka filluar dhe ka mbyllur negociatat me 7 vende për pensionet e shqiptarëve që punojnë jashtë vendit. Ndërkohë po vazhdojmë negociatat me vende të tjera dhe po punojmë duke marrë parasysh edhe vështirësinë specifike që ka një marrëveshje e pensioneve me Italinë dhe me Greqinë, për ta çuar më tutje këtë proces edhe me Italinë dhe me Greqinë, ku gjendet një numër i madh emigrantësh shqiptar.
E meqë fola për Greqinë, dua të them se sa rëndësi ka procesi dhe se sa shumë është bërë për ta dinamizuar këtë marrëdhënie, duke adresuar probleme të vjetra dhe duke bërë çmos që ato të mos rishfaqen si të reja, sa herë ka një arsye të mos arsyes politike. Dy gjëra dua të sjell këtu në vëmendje.
Nga njëra anë marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar. Nuk dua ta zgjas, tradhtarë ne këtej, tradhtarë ata në qeveri ata andej, domethënë që procesi po shkon si duhet, se nuk ka mundësi që të dyja palët të jenë duke tradhtuar në të njëjtën kohë vendin e tyre. Përkundrazi, kjo do të thotë që të dyja palët po kërkojnë rrugën e arsyes drejt një zgjidhjeje që është e duhura për të dyja vendet dhe deri tek gjërat e vogla.
Para pak ditësh u ngrit një tjetër furtunë, u ngrit këtu, vazhdoi andej, për disa tabela rrugore të vendosura pranë një zone me shumicë minoritare. U tha, ç’nuk u tha këtej, u pasua me ç’nuk u pasua andej, gjithmonë nga zërat dhe burimet që kërkojnë sherr. Ndërkohë që është shumë e thjeshtë, tabelat nuk u hoqën sepse kishin lidhje me minoritetin, por sepse ishin jashtë kritereve teknike dhe të vendosua pa marrë parasysh parametrat e sigurisë, duke shmangur nevojën e një lejeje që do t’i evitonte të gjitha këto pasaktësira dhe do evitonte dhe shpenzimin e bërë. Por nuk u hoqën për të mos u vënë më. Nesër do fillojnë të vendosen dhe deri të premten do jenë të vendosura të gjitha nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, mbi bazën e legjislacionit në fuqi dhe mbi bazën e të gjitha kritereve teknike. Kaq e thjeshtë është.
Por për kaq pak, gjërat mund të marrin proporcione të jashtëzakonshme në dëm të marrëdhënies mes vendeve dhe popujve, këtu në zonën ku jetojmë. Të gjithë atyre që bëjnë patriotin apo ultraatdhetarin, duke vënë kujën se pse në një zonë ku jeton minoriteti ka tabela ku shkruhet edhe greqisht, u them se ne jemi një vend europian dhe kur flasim për Europën, flasim edhe për këtë, përveçse për traditën tonë të respektit reciprok dhe të trajtimit të barabartë të kujtdo, pavarësisht kombësisë që jeton në këtë shtëpi. Kush do të bëjë vota dhe propagandë me këtë lloj politike, le të vazhdojë ta bëjë, por kurrë nuk do të arrijë dot të kthejë mbrapsht rrugën e një tradite që është e shënuar që në kanunin tonë dhe që sot është e mishëruar në Kushtetutën tonë.
Së fundi, vota për emigrantët është një tjetër arsye e fortë për ne që qeverisim, që jemi shumicë, për të çuar përpara një proces reforme që të përfshijë shqiptarët jashtë atdheut në procesin vendimmarrës. Janë kontributorë të pazëvendësueshëm të një historie të gjatë dhe të dhimbshme. Pa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, ne s’do të ishim këtu ku jemi politikisht. Pa shqiptarët jashtë atdheut, ne nuk do të ishim gjallë ekonomikisht për të gjitha ato arsye që dihen dhe na takon t’u japim të drejtën të marrin edhe ata vendimet e tyre për përfaqësuesit politikë të këtij vendi. Në këtë aspekt, diplomacia jonë ka bërë shumë dhe çfarë është bërë në këto vite është shumë më tepër, sesa është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku, por, absolutisht, çfarë mbetet për t’u bërë, është shumë më tepër akoma. Edhe këtu nuk jemi vetëm, se edhe për Bashkimin Europian, që të bëhet ai që kishin në imagjinatën e tyre etërit themelues, çfarë mbetet për t’u bërë, është shumë më tepër se çfarë është bërë deri këtu.
Shumë faleminderit!