Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri mirëpriti mbrëmjen e sotme trajnerin italian të futbollit Carlo Ancelotti, të ftuarin e posaçëm të kryeministrit Edi Rama, me të cilin zhvilluan një bashkëbisedim me personalitete nga bota e sportit, publicistikës, politikës, trupit diplomatik dhe medias. Takimi mes tyre vuri në qendër sportin, talentin dhe strategjitë e suksesit.

Pjesë e dialogut me të ftuarit ishte edhe libri i fundit i Ancelotti-t, “Lidershipi i urtë: të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet” (Quiet Leadership: Winning Hearts, Minds and Matches) i botuar në maj të 2016.

I mirënjohur nga dashamirësit e futbollit si Carletto, Ancelotti është i vetmi trajner që ka fituar tri herë Champions League-n, duke u vlerësuar si nga më të mirët e të suksesshmit e të gjitha kohëve. Përmes librit të tij të fundit, një “management memoir”, që ai zgjedh të rrëfejë aventurën si trajner, duke u përqendruar jo aq në aspektin autobiografik, sa në rolin e tij të menaxherit. “Lidershipi i urtë…” shpalos botën e Ancelottit përmes “metodave të tij, mentorëve, gabimeve dhe triumfeve të mëdha”; e gjitha përmes reflektimit të një drejtuesi të sprovuar dhe strategjive të tij.

Edhe pse është një nga menaxherët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, me histori suksesi në klube elitare të Europës, qasja e Ancelotti-t ndaj të tjerëve dallon dukshëm me atë të rivalëve të tij.

Carlo Ancelotti e nisi karrierën në futboll si lojtar, me ekipet Parma FC, AS Roma dhe AC Milan. Më pas ai nisi një tjetër përvojë, atë të trajnerit me AC Reggiana, Parma FC, Juventusin dhe AC Milan, ku njohu suksese të njëpasnjëshme. Gjatë karrierës së tij, Carlo Anceloti ka fituar një sërë trofesh dhe titujsh, të cilët e rradhësin atë ndër personalitetet më të spikatura të sportit në botë.

 

***

 

Pjesë nga bashkëbisedimi i Kryeministrit Rama dhe trajnerit italian Carlo Ancelotti me të ftuar nga nga bota e sportit, publicistikës, politikës, trupit diplomatik dhe medias:

 

Kryeministri Rama: Arsyeja pse sot gjendemi këtu, sigurisht është dashuria që është në zemrën e çdo shqiptari që ndjek futbollin, një dashuri për Ancelotti-n, por dhe libri i tij, një libër që e lexova me kënaqësi e në mënyrë të veçantë mbajta dhe shënime. Një libër mbi lidershipin. Ashtu si kemi bërë dhe një herë tjetër, kur kishim këtu Alastair Campbell, Arrigo Sacchi-n dhe Gianni-n, do të flasim për futboll, por jo vetëm për futboll edhe për menaxhim, për njerëz, për vlera, dhe sigurisht për rolin e liderit. Ajo çka është e veçantë në këtë libër, çka jemi duke përkthyer në shqip dhe do të botohet pasi të kemi mbaruar negociata me ty (Ancelotti-n) për të drejtat e librit, ky libër është i veçantë dhe vjen në serinë e librave për lidershipin,  sepse flet për një lidership “të qetë”. Është një lidership i veçantë, – që nuk është pjesë e stereotipave me të cilat ne jemi mësuar, – i liderit, i udhëheqësit, të një skuadre, të një grupi, të një sipërmarrjeje dhe është me interes të madh që ne të zhvillojmë bashkë këtë diskutim. Para se të vazhdoj dua t’ia jap fjalën Ancelotti-t, që të thotë atë që dëshiron, për të filluar dhe pastaj diskutimin.

Carlo Ancelotti: Mirëmbrëma të gjithëve, jam i nderuar që ndodhem këtu. Faleminderit për ftesën e kryeministrit Edi Rama, të cilën e  pranova me shumë kënaqësi. Është hera e dytë që vij ne Shqipëri. Herën e parë ka qënë si futbollist i Milan-it. Kjo është hera e dytë e vij që të flas për këtë libër. Mund të them se nuk ka qënë një punë, por një kënaqësi. Kam patur një vit kohë e gjatë këtij viti ishte një hobi për mua. E kam shkruar bashkë me një profesor të Londrës dhe nuk do t’i mësoj asgjë askujt, por thjesht shpjegimi i një përvoje shumë të bukur të jetës që po vazhdon në këtë çast.

Është një përvojë bazuar mbi marrëdhëniet mes njerëzve sepse në fund të fundit futbolli është ky. Trajneri duhet të ketë aftësi të menaxhojë, të ruajë, të krijojë marrëdhënie me shumë aspekte të botës së futbollit, me lojtarët, presidentët e klubeve, shtypin etj.

Është një problem komunikimi besoj, se lidershipi mbi të gjitha është ky. Një lidership i “qetë” sepse unë besoj që lidershipi lind nga karakteri i personave. Një person i qetë nuk mund të ketë një lidership autoritar dhe dikush që është autoritar, nuk mund të ushtrojë një lidership të qetë, pra varet shumë nga karakteri i personave. E karakteri formohet me përvojën që personat kanë. Në këtë kuptim, asnjëherë unë nuk kam patur një lider autoritar, nuk ishte im atë, as profesorët e mi dhe as trajnerët e mi. Ndonjëherë më thonë që duhet të përdorësh thuprën, por unë i kam thënë, nëse doni të përdorin thuprën, atëherë duhet të merrni dikë tjetër. Unë nuk e dua thuprën. Askush nuk e ka përdorur me mua e unë nuk di se çfarë efekt ka mbi të tjerët nëse e përdor.

Kryeministri Rama: Unë nuk jam një person që ka një reputacion si i qetë dhe nuk mund të pretendoj që reputacioni t’i përgjigjet të vërtetës, përkundrazi, por fatkeqësisht mu duk përqasja jote shumë modeste. Sepse sigurisht është një problem karakteri, por ky është një libër mbi lidershipin që të trazon, mendimet, edhe të personave jo të qetë si mua e ka shumë për të mësuar nga ky. Nuk është një libër që thua “ta lexojnë vetëm karakteret e qeta sepse ata mund ta vënë në jetë këtë lloj lidershipi”. Në të kundërt, është një libër që jep shumë udhëzime mbi atë si mund të fitosh, të përfitosh maksimumin duke i motivuar personat në një mënyrë krejt tjetër nga si është zakoni. E për këtë mendoj që në libër ka shumë gjëra mjaft të dobishme për çdo person, që punon me njerëz, me persona të tjerë, që duhet ti menaxhojë dhe ti bëjë të rrinë e të punojnë bashkë.

Carlo Ancelotti: Gjithçka lidhet me marrëdhënien mes personave. Kjo është pikënisja ime, marrëdhënia që duhet të ekzistojë mes trajnerit dhe lojtarit që sipas meje duhet të jetë një marrëdhënie mes të barabartëve. Kuptohet që unë kam pushtetin, të gjithë trajnerët kanë pushtetin dhe mund t’i imponojnë gjërat, por rruga me e drejtë, më e mirë për të arritur rezultate nuk është ajo e detyrimit, por marrëdhënies bashkëpunuese. E për këtë marrëdhënia duhet të jetë shumë me hapur në një nivel të barabartë.

– Ju keni punuar në klube të mëdha me lojtarë të mëdhenj, të rëndësishëm dhe të pasura dhe keni fituar, por keni punuar dhe në skuadra të vogla. Pyetja është si mund të fitosh me skuadrat e vogla dhe të vazhdosh të përparosh me skuadrat e vogla. Ose më mirë ne si mund ta mundim Italinë?

Carlo Anceloti: Këto gjëra më mirë t’i zgjidhi Gianni. Unë mendoj se me hovin që ka pësuar skuadra e Shqipërisë në vitet e fundit falë punës së Giannit, distanca është ulur shumë, ka bërë një lojë të mirë në kampionatin evropian. Çdo skuadër ka objektivin e vet që lidhet me cilësinë e lojtarëve që ke ne dispozicion. Unë mendoj që një skuadër e vogël klubi, nuk mund të fitojë kupën e kampionëve, por sigurisht që mund të bëjë një futboll të kënaqshëm dhe të mirëorganizuar. Kjo mund të konsiderohet në vetvete një fitore.

-Në se nuk do të kishin zgjedhur futbollit, çfarë do të zgjidhnit tjetër në jetë. Dua të di nëse Nick name-n që ju keni, jua kanë vënë në fëmijëri apo gjatë karrierës së futbollit.

Carlo Anceloti: As nuk dua të mendoj se çfarë do të isha bërë tjetër. Më eci mirë kështu. Në shkollë kam studiuar elektroteknikë, por sigurisht nuk do të kisha ecur në atë rrugë. Fëmijërinë time e kam kaluar nëpër fusha dhe është një gjë që më pëlqente shumë. Përsa i përket emrit tim “Carletto” është se kur nisa karrierën time në sport, unë isha shumë i dobët gjatë asaj periudhe.

Carlo Ancelotti: Shqipërinë e pashë mirë gjatë kampionatit europian, sidomos në grupin kualifikues. Gjërat e bukura të futbollit, të këtij kampionati ishte që skuadra të vogla si Shqipëria, Islanda sollën në Europë një entuziazëm të madh. Gjithashtu më ka bërë përshtypje fakti që fitoi Portugalia, një skuadër absolutisht e pakredituar. Por ky është futbolli.

Kryeministri Rama: Nuk do të jetë një provokim ky, por unë besoj se nëse dikush do ta bëjë provokim këtë, mund ta bëjë, për sa i përket faktit në Ancelotti do bëhet ose jo një ditë, trajner i kombëtares italiane. Ka një frazë në librin tënd që i ngjan një fraze të Churchill-it, që thotë se “nëse do më duhej të shkoja në luftë do shkoja me anglezët, jo me italianët apo francezët”. Kjo është një fjali e thënë nga ti, kur flet në libër mbi mendësinë dhe mbi mënyrën, sjelljen e anglezëve kur ti ke vajtur në Angli. Pyetja nga njëra anë është, nëse ky përkufizim përjashton që  ti një ditë do jesh trajneri i Italisë. Nga ana tjetër, lidhur me librin,  është pyetja mbi kulturën. Pra sa kultura e një vendi e një kombi, nga pikëpamja e futbollit por dhe e menaxhimit të një shoqërie, ndikon një trajner, dhe nga sa trajneri e ndikon kulturën.  Pra nëse do të duhej të thoshe, çfarë ka ndryshuar tek ti përvoja në Angli, çfarë do të thoje dhe çfarë ka ndryshuar kontributi yt në përvojën e tyre si klub.

Carlo Ancelotti: Kjo është një pyetje interesante. Unë mendoj se çdo vend ka traditën e vet, ka kulturën e vet, ka një histori të vetën. Çdo klub ka traditën e vet dhe një trajner duhet t’i mbajë parasysh të gjitha këto. Unë po flisja për anglezët sepse kam punuar me anglezët, e ata janë ushtarë. Pra ka aspekte pozitive të ushtarit dhe negative. Italianët për shembull janë shumë krijues, kanë shumë më tepër intuitë, e trajneri duhet ti marrë në konsideratë të gjithë këto. Nëse unë shkoj tek Real Madrid duhet të njoh historinë, kulturën, traditat e kësaj skuadre, që nuk do të luajë në mbrojtje, që ka përzënë trajnerë. Pra duhet të përshtatesh, siç u përshtata në Angli. Lojtarët kanë zakone që duhet ti ndryshosh dalëngadalë. Tashmë lojtarët janë shumë profesionistë, në krahasim me kohët e mia. Tani fitojnë shumë më tepër. Tani skuadrat rrinë të mbledhur bashkë, në dhomat e tyre. Kanë internet e Facebook e nuk ka më komunikim. E për këtë arsye grumbullimi është dhe jo i dobishëm ndonjëherë.  Në çdo vend, përgjithësisht ka qënë një gjë e bukur për mua që të mësoj një gjuhë të re. Kanë qënë përvoja të reja. Por gjermanishtja është gati e pamundur.

Kryeministri Rama: Ka një frazë tjetër të bukur në libër, që të bën të reflektosh, kur flitet për talentin.  E ti thua, që puna e një lideri, e një udhëheqësi nuk është që të motivojë talentin. Motivimin duhet ta gjejnë tek vetvetja. Puna jote  është të mos e demotivosh talentin. Pra më duket diçka shumë fine, shumë delikate, por nuk e di nëse mund të na sjellësh ndonjë shembull.

Carlo Ancelotti: Sigurisht lojtari me talent të madh është lojtari që në thonjëza e di që ka talent dhe është i motivuar sepse do ta shfaqë talentin e vet sa herë të  jetë e mundur. E thellë-thellë është egoist le të themi. Fakti i demotivimit është se nuk  duhet ta lidhësh në  skema që nuk janë të duhurat për të. Ronaldo sipas meje mund të jetë dhe sulmues në qendër, por ai e gjen veten më mirë në të majtë. Atëherë pse duhet t’ia ndryshosh pozicionin një lojtari që luan aty? Aftësia që talenti duhet të ketë, është që të vërë veten në shërbim të të tjerëve e kjo është diçka e vështirë sepse thellë thellë brenda këtyre lojtarëve ka egoizëm. Aftësia më e madhe e një talenti është të përmirësojë të gjithë ata njerëz që ka rreth vetes. Kjo është ajo që duhet të bëjë një lojtar i mirë.

Kryeministri Rama: Unë besoj se nuk jam i vetmi që kam pasur gjithmonë një pyetje duke të parë ty. Nga njëra anë të është dashur të marrësh mbi vete përgjegjësi të mëdha, të stërvitësh e të drejtosh skuadra me objektiva shumë të mëdha,  pra një tension e stres i madh. E nga ana tjetër, ti dukesh gjithmonë kaq i qetë, që ndonjëherë të tremb. Në libër, ti flet për një ndryshim që ka ardhur me përvojë, me punë, në fillim rrije zgjuar gjithë natën për të marrë një vendim, e pastaj thua që mësove të shkëputesh, të ndalosh së menduari vetëm për profesionin. Është e rëndësishme të kuptosh se si mund t’ia dalësh të mos jesh obsesiv ndaj profesionit, kur jeton e kur stërvit në këto nivele, ku çdo ndeshje e humbur e bën trajnerin shënjestrën e parë. Si ja del të jetosh me veten, e të shkëputesh nga profesioni në këto nivele?

Carlo Ancelotti: Unë mendoj se ti duhet të dish ku je. Unë stresohem sepse jam në errësirë. I kam sytë e mbyllur, e nuk di ku jam. Aty stresohem. Por unë e njoh botën ku jam. E di si është e ndërtuar, është sport, është diçka që dua të bëj, e që në sport ka një fitues e një të mundur. Ne flasim për humbës, por jo. Ai thjesht është mundur nga dikush që ka fituar. Unë e di ku jam dhe kur kam vetëdije për këtë gjë, ajo që më vë nën presion është kur skuadra nuk luan mirë. Kur nuk bën atë që duhet të bëjë. Kur punon mirë, kur i ke bërë të gjitha, e përsëri rezultati nuk vjen, atëherë nuk ndihesh nën presion. Në çdo dështim ndjehesh keq, të vjen keq kur humb një ndeshje. Sigurisht që të vjen keq, por kalon sepse thua, nesër është një ditë tjetër. Ke mundësinë të rifillosh stërvitjen, të korrigjohesh e të përmirësohesh. Pra është një gjendjej e keqe që zgjat pak. Mua më vjen keq kur e  humb skuadrën apo kur të përzënë. Por dhe këtë nuk duhet ta konsiderojmë. Pasi kjo është bota e futbollit.  Nuk duhet të konsiderosh dështim faktin që të “kthejnë në shtëpi”. Është pjesë e punës, mund të ndodh që presidenti nuk është i kënaqur e vendos që të ndryshojë.

Kryeministri Rama: Këtu ka vend për një diskutim të gjatë, por unë do të doja ta përmbyllja duke thënë se ka diçka që frymëzon gjithmonë personazhin tënd, që më sjell gjithmonë në mend atë çka grekët e lashtë, fqinjët tanë e quanin modestinë intelektuale, si dhuratën më të madhe që ka njeriu. Është diçka gjithmonë e më e rrallë në botën e sotme. Ti këtë e ke shndërruar në një armë shumë të rëndësishme. Mua më ka bërë shumë përshtypje një fjali e Ibrahimovic, kur thotë se, “Me të nuk është vetëm ajo çka ndodh në fushë. Nuk është vetëm futbolli. Ai është gjithmonë personi të cilit do t’i kërkoja edhe këshilla për jetën”. Unë me këtë dua ta mbyll. Nuk dua të të kërkoj këshilla për jetën.

Carlo Ancelotti: Unë them se në fund, kur punojmë në grup, siç mund të jetë një skuadër apo sipërmarrje, duhet të tregojmë vëmendje ndaj personave që kemi të bëjmë. Mjek, futbollist apo trajner, ky është profesioni ynë, por është personi në thelb, e ti aty mund të kesh një ndikim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.