Fjala e Zv.Kryeministrit Niko Peleshi në Konferencën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm:
Zonja dhe zotërinj,
Së pari më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe mirëseardhjen për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj veprimtarie të rëndësishme, e në mënyrë të posaçme për miqtë e shumtë nga rajoni e bota që me praninë e tyre këtu shfaqin edhe vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit në përballjen me ekstremizmin e dhunshëm.
Është një fakt i njohur botërisht se Shqipëria paraqet një model të rrallë të bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme fetare të qytetarëve të saj.
Kjo bashkëjetesë është cilësuar me terma të ndryshëm si tolerancë, harmoni, mirëkuptim fetar etj., por Papa Françesku e quajti atë një vëllazëri fetare gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri në vitin 2014.
Ndryshe nga raste të tjera, shteti shqiptar që në lindjen e tij është është bazuar në një formulë shekullare që respekton thellë të gjitha besimet fetare të shqiptarëve, duke ruajtur në të njëjtën kohë asnjanësinë e institucioneve përballë çështjeve fetare dhe anasjelltas.
Por sado unike të jetë përvoja shqiptare në këtë drejtim, ajo nuk mund të konsiderohet si e dhënë një herë e përgjithmonë.
Rastet e përfshirjes së qytetarëve shqiptarë në konfliktin në Siri dhe Irak, apo tendenca të caktuara për të cenuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare janë tregues të faktit që këto vlerat rralla të rralla duhet të ruhen, të mbrohen dhe të zhvillohen me atë kujdes dhe përgjegjësi që individët dhe shoqëritë tregojnë për pasuritë e çmuara.
Institucionet shqiptare kanë reaguar me vendosmëri ndaj rasteve të radikalizmit, ekstremizmit dhe të terrorizmit.
Cilësimi i pjesëmarrjes së paligjshme në konfliktet ushtarake jashtë vendit si vepër penale, procedimi penal ndaj përpjekjeve për të nxitur radikalizmin dhe përçarjen fetare, pjesëmarrja e gjatë aktive në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit janë vetëm disa nga masat konkrete të marra nga Shqipëria.
Në vlerësim të rasteve shqetësuese të përfshirjes së shqiptarëve në konfliktin e Sirisë dhe të Irakut, apo të shfaqjeve sporadike të tendencave radikale dhe ekstremiste në vend, si dhe në linjë me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për t’u përballuar me ekstremizmin e dhunshëm, që kulmuan me Samitin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington në shkurt 2015 dhe takimin e udhëheqësve botërorë në Nju Jork 2015, Qeveria Shqiptare miratoi në fund të vitit 2015, “Strategjinë Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”.
Ky dokument i rëndësishëm strategjik që i referohet Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, të miratuar në vitin 2014, paraqet një përpjekje të rëndësishme për të adresuar një kërcënim serioz, të panjohur në këtë përmasë më parë.
Kjo veprimtari e sotme me jep rastin që, nëpërmjet ambasadorëve të pranishëm të falënderoj posaçërisht SHBA dhe BE për mbështetjen e rëndësishme që i kanë dhënë jo vetëm hartimit të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, por edhe procesit të zbatimit të saj.
Si një vend i përfshirë në mënyrë aktive në luftën kundër terrorizmit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ne kemi pasur mundësinë për të “prekur” nga afër si sukseset e mëdha të arritura në këtë front të rëndësishëm të luftës për mbrojtjen e jetës, demokracisë dhe të vlerave të larta të civilizimit perëndimor, por edhe problemet e mëdha që kanë shoqëruar këtë përpjekje të madhe ndërkombëtare.
Sot është bërë e gjerësisht e qartë se lufta kundër terrorizmit nuk mund të sigurojë suksese të qëndrueshme dhe afatgjatë, pa u paraprirë, pa u shoqëruar dhe pa u pasuar nga përpjekja për të përballuar ekstremizmin, i cili si një virus tenton të shkatërrojë nga brenda bashkëjetesën dhe kohezionin social dhe vlerat themelore të shoqërisë.
Është pikërisht kjo natyrë virale e ekstremizmit, e cila kërkon një qasje parandaluese ndaj tij.
Të bindur se padrejtësia, korrupsioni, papunësia, mungesa e perspektivës për të ardhmen, pamundësia e arsimimit apo margjinalizmi social janë faktorë që i shtyjnë individët drejt pozicioneve ekstremiste, ne kemi ndërmarrë një seri të gjerë reformash që prekin shumë sektorë, që nga drejtësia, edukimi, arsimimi etj..
Por sot unë do të përqendrohem vetëm në disa prej tyre, duke besuar se kryereforma, ajo e fushës së drejtësisë, është njohur ndërkohë për shumë prej të pranishmëve.
Laureatja e Cmimit Nobel për Paqe, Malala Jusafzai ka thënë:
“Ekstremistët i druhen librave dhe lapsave. Fuqia e edukimit i tremb ata.”
Mbrojtja e individëve, veçanërisht e atyre të rrezikuar më shumë, e të rinjve, imunizimi i tyre ndaj rrezikut të ekstremizmit është një ndër objektivat kryesore të strategjisë sonë.
Për të arritur këtë, synohet që shkolla të zgjerojë ndjeshëm gamën e ofertës kurrikulare, duke synuar që t’iu japë të rinjve aftësinë për tu përballur me tentativat radikalizuese që ndërmerren në shkallë të gjerë nga rrjetet ekstremiste dhe terroriste.
Që në këtë vit shkollor në disa shkolla të vendit do të fillojë zbatimi i një programi pilot, i cili synon jo vetëm transmetimin e disa dijenive bazë për fetë dhe bashkëjetesën fetare, por edhe përgatitjen e të rinjve për të përballuar presionet ekstremizuese.
Krejt në linjë me karakterin laik të shtetit dhe të shkollës, strategjia synon të mbushë vakumin e krijuar ndër vite në çështjet edukimin civil lidhur me besimin fetar.
Ky vakum i krijuar pikërisht nga droja për të cekur në shkollë çështjet e fesë në emër të laicitetit, ka krijuar një hapësirë vulnerabël për ndërhyrjet radikale.
Ne mendojmë se laiciteti i shkollës nuk duhet kuptuar si një tabu heshtjeje ndaj çështjeve të fesë, por si një detyrim për ti trajtuar drejt ato, sigurisht në një nivel të lartë profesional dhe në një këndvështrim kulturor dhe civil, pa dublikuar në asnjë mënyrë bashkësitë fetare dhe duke bashkëpunuar ngushtësisht me to.
Në aspektin e edukimit, Ministria e Arsimit dhe e Sportit do të ketë një rol udhëheqës, duke synuar përfshirjen në programet e saj të të gjithë mësuesve dhe nxënësve, të cilëve iu takon që të përballen të parët me presionet radikalizuese dhe ekstremiste.
Përfshirja e qytetarëve nën risk të lartë radikalizimi, të cilët tipologjikisht janë të rinjtë e papunë dhe të paperspektivë, është një tjetër objektiv i rëndësishëm i strategjisë së re.
Është e qartë se një i ri, i cili zgjohet në mëngjes pa ditur se çfarë do të bëjë gjatë ditës, është ndër të tjera edhe subjekt me risk të lartë ndaj çfarëdo tentative radikalizmi apo ekstremizmi apo rekrutimi për qëllime terroriste.
Sfida jonë e madhe është që të konkurrojmë përballë ofertave të errëta ekstremiste me ofertën tonë të punësimit, të arsimimit profesional, të përfshirjes në sport, në art apo në veprimtari të tjera shoqërore.
Ne duhet t’i ofrojmë çdo të reje e të riu një agjendë të arsyeshme për ditën, muajin, vitin dhe jetën.
Një pjesë e madhe e përpjekjes do të synojë përfshirjen aktive të grave në frontin kundër ekstremizmit.
Krahas mësuesve, gratë përbëjnë kategorinë tjetër më të rëndësishme prej të cilës varet suksesi i këtij ballafaqimi.
Ato, ashtu si dhe mësuesit, e ndoshta edhe më shumë se ata, kanë rol vendimtar në edukimin e shëndoshë të brezit të ri në përgjithësi dhe në mbajtjen larg të të rinjve nga ekstremizmi në veçanti.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të ketë një rol udhëheqës për të ndërtuar rrjeta sociale në të gjitha zonat e margjinalizuara apo me risk të lartë margjinalizimi.
Strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm parashikon një rol të ri edhe për Policinë e Shtetit, duke synuar që kjo e fundit të jetësojë realisht e me sukses konceptin e policimit në komunitet, që nënkupton një ndryshim rrënjësor të vetë paradigmës së policimit.
Ajo që kërkohet është që policia të mos vijojë traditën për tu marrë vetëm me shkelësit e ligjit.
Kufizimi vetëm tek shkelësit do të thotë të bëhet minimumi.
Policia do të fokusohet më fort tek qytetarët e rregullt, pra tek shumica absolute e këtij vendi, duke synuar përfshirjen e tyre aktive në krijimin e sigurisë publikë në tërësi, por edhe në luftën kundër ekstremizmit në veçanti.
Akademia, media dhe shoqëria civile
Shoqëria civile, media, universitetet janë një aset i pazëvendësueshëm mundësish për të ndihmuar institucionet dhe shoqërinë për të identifikuar në kohë, për të kuptuar drejt dhe për të luftuar me efikasitet të lartë çfarëdo shenje apo tendence radikale apo ekstremiste.
Përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile, mediave dhe universiteteve në projekte të studimit, hulumtimit dhe të kërkimit në fushën e ekstremizmit të dhunshëm do të jetë një tjetër drejtim i rëndësishëm pune.
Një përgjegjësi e shtuar e bashkësive fetare kundër ekstremizmit dhe radikalizmit konsiderohet e domosdoshme.
Kishat, xhamitë, teqetë dhe të gjithë tempujt fetarë në vend janë, përpos të tjerash, institucione dhe hapësira të rëndësishme publike.
Përkujdesja për korrektësinë e mesazheve fetare që predikohen atje, integriteti, luajaliteti ndaj kushtetutës, dhe niveli i përshtatshëm arsimor e kulturor i klerit, legalitetit i objekteve të besimit fetar janë parime që kërkojnë vlerësim serioz nga institucionet përgjegjëse dhe bashkësitë fetare.
Bashkëpunimi i ngushtë i komitetit shtetëror të besimeve fetare më bashkësitë fetare në vend do të njohë një dinamikë të re në kuadër të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Koordinimi i përpjekjeve për zbatimin e strategjisë
Plotësimi i objektivave ambiciozë të strategjisë është një proces kompleks.
Për koordinimin e institucioneve dhe aktorëve të shumtë është krijuar funksioni i koordinatorit kombëtar për çështjet e ekstremizmit të dhunshëm,
i cili do të kujdeset që objektivat e strategjisë të gjejë zbatim në të gjitha aspektet e tyre.
Në zbatimin e strategjisë, aktorët lokalë do të kenë rolin kryesor zbatues, me qëllim që i gjithë procesi të ketë karakter dinamik dhe konkret, të arrijë sa më shumë njerëz nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe të shmangë çfarëdo rutine burokratizuese.
Por, aq sa është i rëndësishëm koordinimi dhe bashkëpunimi në rrafshin kombëtar, aq i domosdoshëm është edhe bashkëpunimi në rrafshin rajonal e ndërkombëtar.
Për të kaluar nga bashkëpunimi, si qëllim i mirë apo si retorikë, në bashkëveprimin konkret janë të nevojshëm edhe instrumentet përkatës.
Shqipëria e ka shprehur vullnetin e saj për të mirëpritur dhe mbështetur krijimin e një qendre rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm, e cila do të mbështeste të gjitha vendet e rajonit me analiza profesionale, kërkime, studime si dhe koordinim të përpjekjeve të përbashkëta në frontin kundër ekstremizmit të dhunshëm, i cili ashtu si shumica e rreziqeve të tjera nuk ka natyre thjesht kombëtare.
Është pikërisht natyra ndërkombëtare e rrezikut dhe ndërlidhja e plotë e bartësve të tij faktori bazë që e bën bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar një alternativë të pashmangshme.
Faleminderit!