Angazhimit të plotë të qeverisë për të luftuar korrupsionin

Deklaratë për shtyp e Ministrit për Çështjet Vendore për Reformën Administrativo-Territoriale njëherësh Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit:

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, jam sot këtu për të përshëndetur arrestimet e fundit të bëra nga policia me urdhër të prokurorisë. Aksioni është një dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për të luftuar korrupsionin, ndaj kujtdo që ai përfaqëson.

Dëshiroj të përgëzoj prokurorinë e cila çoi deri në fund një hetim të nisur nga Departamenti Anti-korrupsion pranë Kryeministrit. Gjithashtu inkurajojmë prokurorinë të veprojë në të njëjtën mënyrë me të gjitha denoncimet e bëra nga Qeveria, qoftë për zyrtarë të 18 muajve të fundit qeverisje, qoftë për zyrtarë të qeverive të kaluara çfarëdo pozicioni dhe niveli qeverisës që ato kanë qenë. Kultura e pandëshkueshmërisë nuk do të ketë vend në qeverinë tonë dhe ky fenomen do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Ne mbetemi më të vendosur se kurrë për të luftuar korrupsionin, këtë fenomen i cili ka ngërthyer shoqërinë tonë dhe që tenton t’i vërë fre zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.

Ky rast tregon edhe njëherë se vetëm përmes një bashkërendimi të mirë dhe të frytshëm mes institucioneve ligjzbatuese do të kemi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.