Nxënës të talentuar nga e gjithë Shqipëria u bashkuan sot në Panairin Kombëtar të Shkollave “Art dhe Zeje 2023”, me punimet dhe performancat më të mira të përgatitura gjatë këtij viti shkollor me shumë dashuri dhe përkushtim, së bashku me mësuesit e tyre në kuadër të programit kombëtar “Art, Zeje dhe Sport”, i cili u zbatua gjatë këtij viti shkollor në sistemin arsimor parauniversitar në 200 Shkolla Qendër Komunitare, duke angazhuar mbi 600 punonjës arsimorë dhe mbi 10 mijë nxënës, dhe duke mbështetur këto shkolla me bazë materiale në ndihmë të veprimtarive krijuese.
Programi ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore në pikturë, vegla Muzikore, Zeje, Teatër, Sport, Teknologji, etj
Që prej muajit janar, në të gjitha shkollat dhe qytetet ku po zbatohet ky program, ka sjellë gjallëri, gjithëpërfshirje, si dhe ka identifikuar talente të spikatura në fusha të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi vizitoi sot panairin ku pa nga afër e vlerësoi punimet e nxënësve pjesëmarrës, si dhe drejtoi më pas një përshëndetje:
* * *
Në radhë të parë një falenderim shumë të posaçëm për të gjithë kujdestarët e këtij programi, për të gjitha mësueset, për të gjithë mësuesit, janë mos gabohem mbi 600 mësues dhe mesuese punonjës arsimorë të kësaj eksperience të re, që ka përfshrë rreth 10 mijë nxënës.
Së dyti, një përgëzim të veçantë të gjithë nxënesve dhe nxëneseve të përfshirë në këtë program dhe një bravo të madhe për të gjitha ato që keni nxjerrë nga duart në këtë experience, e cila siç e keni vënë re vetë ka shumë të mira dhe mbi të gjitha ka të mirën e madhe që ju jep mundësinë të largoheni për disa momente, shpresoj disa orë nga mjetet elektronike dhe të kujdeseni për duart, për shqisat, për të nxjerrë nga brenda vetes tuaj përmes dhuntive tuaja, talentit tuaj gjëra kaq të bukura që realisht, jo vetëm janë të bukura për t‘u pare, por mbi të gjitha janë të bukura për t’u bërë, kështu që një përgëzim shmë të veçantë për të gjithë ju që jeni këtu, por dhe për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë program.
Po ashtu, dua të falenderoj me gjithë zemër partnerët tanë të UNICEF-it, të cilët na u bashkuan qysh në fillim dhe janë angazhuar bashkë me ne për të bërë më të mirën në mënyrë që programi të përfshijë sa më shumë nxënese dhe nxënës, por dhe në mënyrë që programi të jetë sa më i këndshëm për të gjithë.
Tani sfida jonë është që programin ta zgjerojmë, ta zgjerojmë edhe në shkolla të tjera përveç shkollave tuaja, ta zgjerojmë edhe në pjesëmarrje, ta zgjerojmë edhe në gamën e disiplinave të tij dhe ta bëjmë një program që nga një risi të kthehet në një traditë dhe në një hapësirë ku të gjithë ju, të gjithë ata si ju dhe të gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi të edukimit dhe të arsimimit në shkollat tona, të mund të kenë kushtet, të mund të kenë edhe mësuesit për të zhvilluar talentet tyre, por edhe për t’u njohur me rrugë të reja të eksplorimit të vetvetes, të eksplorimit të shijes, të shijeve të ndryshme të tradits sonë edhe po ashtu edhe për t’u njohur me eksperienca krejt të reja që kanë të bëjnë pikërisht me artin, që kanë të bëjnë pikërisht me zejet, që kanë të bëjnë pikërisht me historinë e përbashkët botërore, europiane, por edhe me historinë e përveçme shqiptare. Ky është një angazhim, i cili do të ishte i pamundur siç e tha edhe Ministrja e Arsimit, pa prindërit, pa gjyshërit, pa gjyshet dhe është fantastike që për të zhvilluar programin, ne kemi vënë re që shkollat kanë mundur të përfshijnë shumë prindër, kanë mundur të përfshijnë gjyshe dhe gjyshër dhe kjo prakatikë e mirë dhe sidomos aty ku kjo praktikë ka dhënë edhe shembujt më pozitivë, duhet marrë dhe duhet shtjelluar më tej në procesin e shtrirjes së programit.
Nuk dua t’ju mbaj më gjatë, dua edhe nëj herë nga zemra t’ju përgëzoj për këtë gjë kaq të bukur, për këtë gjë kaq të freskët, për këtë gjë kaq tërheqëse dhe njëkohësisht kaq frymëzuese dhe besoj që tanimë ne kemi, jo vetëm dëshirën, por kemi edhe provën që, jo vetëm është e mundur, por është edhe plotësisht e realizueshme si një proces i domosdoshëm paralel me procesin e mësimmarrjes dhe mësimdhënies në klasa, kështu që me këtë shembull të parë të këtij vitit të parë, le të bashkojmë idetë, le të bashkojmë forcat, le të bashkojmë energjitë dhe të shkojmë më tutje, në mënyrë që nga zhvillimi i këtij programi të përfitojmë në vijim, jo vetëm një panair si ky, por të prfitojmë në vijim festivale, të përfitojmë në vijim ekspozita të dedikuara, të përfitojmë në vijim shfaqje të posaçme, të përfitojmë në vijim një pasuri të madhe për arsimin tonë, për shkollat tona të gjithë këtyre gjërave që i takojnë jo vetëm të sotshmes, i takojnë dhe të nesërmes, i takojnë edhe historisë së çdo shkolle.
Shumë, shumë falemindnerit të gjithëve dhe një duartrokitje për të gjithë ju, për të gjithë protagonistët e këtij prograami, për të gjithë mësuesit, për të gjitha mësueset, prindërit, gjyshërit, gjyshet dhe forca, urime dhe sa më shumë gjëra të bukura.