Vërtetë ligji është fare i qartë dhe sidomos e thënë nga parafolësi, del edhe më në pah se një ligj i qartë nuk mjafton, por duhet dhe qartësi në leximin e ligjit.
Sidoqoftë, ju kërkoj ndjesë të gjithë autorëve të interpelancës për kohën limit në të cilën unë po jap përgjigjet dhe kjo jo për mungesë vullneti, por vetëm për arsye objektive mungese në seancë. Mungesat e mia në seancë janë të lidhura vetëm me mospraninë fizike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Edhe kjo ka ndryshuar, edhe kjo është pjesë e kulturës së re qeverisëse dhe e kulturës së re të marrëdhënieve me opozitën.
I mirëkuptoj edhe ata që janë ankuar për vonesën, por ndërkohë në parlament vazhdon pret një interpelancë e një viti e kusur përpara, të cilës paraardhësi im akoma nuk i ka dhënë përgjigje. E sigurisht, nuk ka më kohë për t’i dhënë përgjigje, por çështjet e ngritura në interpelancë janë objekt i punës së Qeverisë lidhur me koncesionet e paligjshme.
Ndërkohë që, më lejoni të kaloj tek interpelanca, sepse meritojnë një përgjigje shumë serioze pyetjet shumë serioze që janë ngritur që po të bazoheshin tek e vërteta, do të përbënin një shqetësim shumë serioz dhe besoj që përgjigjet do t’i lehtësojnë autorët e interpelancës që të mos shqetësohen më për këtë çështje.
Atëherë po i marr pyetjet me radhë, për të qenë tërësisht transparent.
E para: A është verifikuar, paraprakisht, nëse zoti Artan Didi ka shërbyer në Policinë e Shtetit për një periudhë të paktën 3-vjeçare, me gradën “Drejtues i parë”, ose më lart, ose ekuivalente me të? Nëse po, çfarë procedure verifikimi është ndjekur dhe me çfarë dokumentacioni zyrtar vërtetohet përmbushja e këtij kriteri taksativ?
Përgjigjja është: Përpara emërimit në detyrë të zotit Artan Didi, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka bërë verifikimin nëpërmjet dosjes me numër themeltar 13’766, aneksi i parë, ku ka rezultuar se zoti Artan Didi ka shërbyer në gradën “Drejtues i parë” për një periudhë 5 vjet e tre muaj, nga 3 vjet që e parashikon ligji. Ky fakt dhe të gjitha faktet që do të sjell, vërtetohen nga të gjitha provat shkresore që mund t’i merrni, pa asnjë problem, në dispozicion në Komisionin e Sigurisë, apo ku të na jepni një adresë, se tani keni edhe 2 adresa si parti. Provat shkresore janë, po i rendis: Urdhri i Ministrit të Rendit Publik, numër 236/6.
Kjo shkresë provon se zoti Artan Didi ka mbajtur gradën “Kolonel” për periudhën nga 24 nëntori 2000 deri në 1 maj 2003. Urdhri i Ministrit të Rendit Publik, numër 723, datë 01.05.2003, edhe atëherë përsëri quhej Ministër i Rendit Publik, edhe pse ju vazhdonit përpiqeshit për diplomën, konfirmon se zoti Artan Didi ka mbajtur gradën policore “Komisar”, për periudhën 1 maj 2003 deri në datën 19 prill 2004. Urdhri i Ministrit të Rendit Publik, numër 22, datë 11.04.2004 provon se zoti Artan Didi ka mbajtur gradën “Kryekomisar” për periudhën 19 prill 2004 deri në 21 korrik 2006. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 64, datë 02.02.2001, “Për inkuadrimin e gradave ushtarake në gradat e Policisë së Shtetit dhe për përcaktimin e funksioneve që ushtrohen sipas tyre”, pika 3 e tij, grada “Komisar” ekuivalentohet nga grada “Kolonel”, grada “Kolonel” e zotit Artan Didi, ekuivalentohet me gradën policore “Kryekomisar”. Kjo gradë, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, numër 808, datë 21.11.2007, ekuivalentohet me gradën policore “Drejtues i parë”. Me vendimin numër 917, datë 4.10 2013, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 803, datë 21.11.2007, pika 1, lidhja 2”, kjo gradë është ekuivalentuar përsëri me gradën policore “Drejtues i parë”.
Si konkluzion për pyetjen e parë, zoti Artan Didi përmbush plotësisht kriterin që parashikon pika 1 e nenit 21 të ligjit të Policisë së Shtetit, për mbajtjen e gradës ekuivalente “Drejtues i parë”, për periudhën 5 vjet e 10 muaj, nga 3 vjet që parashikon ligji.
Pyetja 2: A është verifikuar paraprakisht nëse zoti Artan Didi ka përfunduar studimet e larta në Akademinë e Policisë, në përputhje me nenin 50 të ligjit për Policinë e Shtetit, ose të ketë mbaruar shkollën sipas ligjit për arsimin e lartë të barazvlershme me nivelin e shkollimit që përputhet në nenin 51 të këtij ligji? Nëse po, çfarë procedure verifikimi është ndjekur dhe me çfarë dokumentacioni zyrtar vërtetohet përmbushja e këtij kriteri taksativ ligjor?
Përgjigjja është: Gjatë vërtetimit të akteve që ndodhen në dosjen personale, me numër themeltar 13. 766, aneksi i parë, ka rezultuar se zoti Artan Didi ka mbaruar shkollën sipas ligjit për Arsimin e Lartë të barazvlershme me nivelin e shkollimit për policinë. Çfarë parashikon neni 50 i ligjit të Policisë së Shtetit? Shkollimi dhe trajnimi: Kandidati i cili përzgjidhet për t’u pranuar si punonjës i policisë, duhet; a) të përfundojë shkollimin bazë të policisë, në përputhje me rregullore e personelit të nxjerrë në zbatim të këtij ligji; b) të vihet në periudhë prove për dy vjet, pas përfundimit të trajnimit bazë. E po t’i referohemi kësaj dispozite, e cila lidhet drejtpërdrejt me pikën 2 të nenit 21, rezulton se ky kriter është i paaplikueshëm për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë mbaruar shkollën para vitit 2009, për arsye se shkolla bazë e policisë, kriter që e kërkon neni 50, ka filluar të funksionojë në vitin 2009. Për rrjedhojë, në kuptimin e kësaj dispozite, brezi i parë i punonjësve të policisë që mund të plotësojnë këtë kriter duhet të aplikojnë për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2025. Prandaj, për të gjykuar mbi arsimin dhe kualifikimin policor të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është e domosdoshme t’i referohemi ligjit të kohës kur ai ka përfunduar shkollën dhe kualifikimin shkencor. Ky është një nga parimet themelore të sigurisë juridike që prevalon në çdo rast mbi çdo parim tjetër.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Artan Didi, ka mbaruar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, e cila përfshihej në sistemin e shkollave të larta të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, kriteri ligjor për t’u pranuar oficer policie në atë kohë, sipas nenit 38 të ligjit 7504 për Policinë e Rendit ishte: “Oficerë të Policisë së Rendit titullohen të gjithë personat që mbarojnë shkollën e lartë të profilit të policisë, ose persona të tjerë që kanë mbaruar arsimin e lartë në profil tjetër dhe që i nënshtrohen një kursi special kualifikimi. Ata duhet të jenë të moshës deri në 30 vjeç.”
Në rastin konkret, zoti Artan Didi, në pajtueshmëri të plotë me këtë kriter, i është nënshtruar kursit special të kualifikimit në Institutin e Lartë të Rendit, Akademia e Policisë dhe më pas, është emëruar Oficer Policie. Statusi ligjor i këtij kursi, sipas ligjit të kohës kur ai është kryer, është i barabartë me atë të Akademisë së Policisë. Për sa i përket emërtimit Akademia e Policisë, më lejoni të nënvizoj faktin se ky emërtim është marrë në vitin 2000, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave numër 281, datë 02.06.2000, “Për organizmin dhe funksionimin e Akademisë së Policisë”. Më përpara, ky institucion arsimor quhej Instituti i Lartë i Rendit Publik. Po të merret në konsideratë vetëm fjala gjuhësore “Akademi Policie”, i bie që asnjë nga 9 Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që janë emëruar në këtë detyrë nga viti 1992 e deri më sot, të mos e kenë mbaruar Akademinë e Policisë dhe për rrjedhojë, të kenë marrë një detyrë që nuk është konform ligjit, por kjo nuk është e vërtetë.
Si konkluzion, zoti Artan Didi përmbush plotësisht kriterin që parashikon pika dy e nenit 21, të Ligjit të Policisë së Shtetit për shkollimin e tij.
Provat shkresore që vërtetojnë këtë fakt janë edhe ato në gjithë grupin e shkresave që mund t’i merrni në dispozicion për verifikimin të çdo fjale që unë po them këtu. Kopjen e diplomës me numër amze 5751 dhe regjistri 5506, urdhri i përfundimit të Kursit të Institutit të Lartë të Rendit numër 1593/52 i 23 nëntorit 1991, ligji numër 7504 për Policinë e Rendit neni 33 i tij. Ndërkohë z. Artan Didi ka mbaruar edhe Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, si edhe një sërë kursesh kualifikimi për policinë dhe kemi pastaj një numër provash shkresore që vërtetojnë këtë, që nga diplomat deri tek certifikatat përkatëse.
Pyetje 3: A është verifikuar paraprakisht nëse z. Artan Didi ka kryer të paktën 16 vjet shërbim si punonjës policie duke ushtruar kompetencat policore brenda 20 viteve të fundit? Nëse po çfarë procedure verifikimi është ndjekur dhe me çfarë dokumentacioni zyrtar vërtetohet përmbushja e këtij kriteri taksativ ligjor?
Përgjigja është: Gjatë verifikimit të akteve që ndodhen në dosjen personale me numër themeltar 13.766 ka rezultuar që; Z. Artan Didi ka 16 vjet shërbim si punonjës policie duke ushtruar kompetenca policore brenda 20 viteve të fundit.
Z. Artan Didi është titulluar oficer me urdhër nr.37 datë 17 korrik 1986, në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas në vitin ’91 deri në korrik të vitit 2006, ka punuar pa ndërprerje në strukturat e Policisë së Shtetit. Në korrik të vitit 2006, me urdhër të Ministrit të Rendit Publik numër 681/1 datë 21.07.2006 është liruar, duke u trajtuar nga Policia e Shtetit me pagë deri me 1 korrik 2009, rrjedhimisht ky është edhe kufiri i kohës që llogaritet 16 vite shërbim në 20 vitet e fundit. E kuptuat?!
Z. Didi nuk ka; jeni mësuar me llogaritë si te tatimet, prandaj nuk i kuptoni këto; asnjë ndërprerje të marrëdhënies së punës nga Policia e Shtetit nga viti 1990 deri në vitin 2009, kur edhe janë ndërprerë marrëdhëniet financiare. Provat shkresore janë edhe ato në grupin e shkresave unë mund t’jua lexoj, urdhri numër 37 datë 15.07.1986, urdhri 684/1 datë 21.07.2006.
Pyetja 4. Kur do të revokohet Akti Administrativ i emërimit të z. Artan Didi?
Përderisa janë kryer verifikimet e nevojshme dhe ka rezultuar se z. Artan Didi i plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 21 të ligjit të Policisë së Shtetit, nuk ka shkaqe ligjore, për të revokuar Aktin Administrativ të emërimit në detyrë të tij. Ndërkohë, duke marrë shkasë nga pyetjet e sipërpërmendura, unë e çmova të nevojshme që ta bëj të qartë këtu për të gjithë deputetet, por ta nënvizoj edhe para opinionit publik. Besoj që opinioni publik ka më pak nevojë sesa një pjesë e deputetëve, sepse ka sy, ka veshë, mendon, llogarit, kupton, krahason, vlerëson që deri përsa flasim. Kryerja e detyrave nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është as më pak e as më shumë, po e shkëlqyer. Dhe e shkëlqyer vlerësohet nga të gjithë drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme në kohë të ndryshme, jo në këtë kohë. Është e qartë që bëhet fjalë për një njeri që asnjëherë nuk ka pasur koperturë dhe asnjëherë nuk ka punuar nën kuvertë, por i ka ngjitur shkallët e karrierës hap pas hapi, nga drejtues i thjeshtë i njësive bazë të Policisë e Shtetit, deri në funksionet më të rëndësishme të kësaj strukture, si Drejtor i Rendit dhe Sigurisë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshëm në Policinë e Shtetit, si Drejtor i Forcave Speciale dhe i Ndërhyrjes së Shpejtë, si Drejtor i Institutit të Policisë në Akademinë e Policisë, si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe të tjera. Të gjitha këto, përsëri argumentohen në të gjitha provat shkresore, që do t’i keni në dispozicion. Përpos se është vlerësuar edhe me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.
Ndërkohë, dua që t’ju sjell në vëmendje dhe shpresoj që mos ta dini se kjo nuk i bën nder gjithë kësaj farse që keni vënë në skenë për të goditur personalitetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, se bëhet fjalë për një oficer të lartë të policisë që është plagosur në detyrë gjatë operacioneve në krye të forcave të policisë, në përpjekje për kapjen e personave me precedent shumë të rrezikshëm kriminal dhe për rivendosjen e rendit dhe të sigurisë publike. Dhe jo, Partia Socialiste e as Qeveria e Partisë Socialiste, por Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka dekoruar dy herë z. Artan Didi dhe jo për kushurirllëk, por për merita të veçanta në kryerjen e detyrës, njëherë me “Medaljen e Shërbimit Ushtarak” dhe njëherë me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Besoj se jo vetëm aspekti ligjor është tërësisht i padiskutueshëm, por edhe aspekti i integritetit moral në kryerjen e detyrës, për aq vite sa i ka shërbyer Policisë së Shtetit e bëjnë z. Artan Didi Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shteti, në bazë të meritës dhe vetëm të meritës. Tani, unë fola për dikë që ka marrë dy medalje nga Presidenti i Republikës, ndër të cilat “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Tani mirëpres reagimin e urdhrit të laraskës.
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përgjigje të pyetjeve të interpelancës së kërkuar nga opozita për ligjshmërinë e emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.