Fjala e kryeministrit Edi Rama në tryezën publike të konsultimit me mjekë dhe punonjës të sektorit të shëndetësisë:
Përshëndetje të gjithëve!
Faleminderit për organizimin e kësaj tryeze publike konsultimi, lidhur me adresimin e një problemi që nuk është i ri. Po pikërisht pse është i vjetër, nuk mund të vazhdojë më të mbetet një problem i hapur dhe nuk mundet më tutje të kërcënojë qetësinë dhe sigurinë e të gjithë profesionistëve të shëndetësisë në shërbimin ndaj njerëzve në nevojë për kujdes shëndetësor.
Janë të paktën 4 raste të bëra publike të agresionit të verbër ndaj mjekeve në krye të detyrës dhe ndërkohë përllogariten rreth 315 mijë raste të trajtuara vetëm në urgjencat e QSUT-s, në kohë dhe me përgjegjshmëri nga mjekët, pavarësisht vështirësive me të cilat ata përballen.
E sjell këtë shifër si tregues të faktit që pavarësisht një volumi jashtëzakonisht të madh pune, ekipet e urgjencave ia kanë dalë të përballojnë flukset e 24 orëve gjatë çdo dite të javës. E pavarësisht komplikimeve dhe sidomos cenimit psikologjik që bën tek çdo profesionist i fushës çdo rast agresioni, bluzat e bardha ia kanë dalë të qëndrojnë në krye të detyrës, të mos e braktisin misionin tyre dhe madje të përballen me këtë fenomen, duke ngritur zërin dhe duke protestuar.
Jo vetëm ministrja e Shëndetësisë apo unë, por e gjithë qeveria e mirëkupton dhe e mbështet plotësisht çdo protestë të kësaj natyre, si një ndihmë e madhe në sensibilizimin e opinionit publik, lidhur me faktin që mjekët nuk janë figura e djallit që përgojohet çdo ditë, sidomos në rrjetet sociale, të cilat na sjellin të gjitha prurjet e injorancës, të agresivitetit dhe të boshllëkut të madh në raport me realitetin e vërtetë, që nuk është realiteti që merr përmasa tërësisht të papërputhura me realitetin e fakteve ku shfaqet në ekrane apo portale për shkak të agresorëve, nga njëra anë, apo për shkak të atyre rasteve kur mjekë, përgjegjës të sektorit, infermierë, shfaqen në pozicionin e gabuar të individit të korruptuar.
Nëse do të thoshim që në sistemin tonë shëndetësor s’ka korrupsion, do të thoshim një gënjeshtër të madhe. Por, nëse do të pranonim që në spital apo në një qendër shëndetësore në Shqipëri nuk merret shërbim pa korrupsion, do të pranonim një gënjeshtër edhe më të madhe. E vërteta është që shërbimin tonë shëndetësor e shajnë dhe e mallkojnë kryesisht ata që nuk e kanë provuar. Ndërkohë që rastet e atyre që kalojnë përmes procesit të nevojshëm për të marrë kujdes shëndetësor dhe që dalin nga ky proces me respekt për mjekët dhe infermierët janë të panumërta. Mirëpo nuk përbëjnë lajm. Nuk përbëjnë lajm 315 mijë trajtime urgjencash shëndetësore. Përbëjnë lajm ato raste që numërohen me gishtat e dorës, kur mjekët ekspozohen ndaj korrupsionit. Kjo ka bërë që të ketë mbi mjekët një re të madhe abuzive paragjykimi dhe gjykimi negativ.
Ashtu sikundër, për ta thënë deri në fund, dobësitë, boshllëqet, të metat e sistemit tonë të shërbimit në spitale apo qendra shëndetësore janë më shumë të lidhura me sistemin e menaxhimit, sesa me rrjetin e shërbëtorëve me bluzë të bardhë, qofshin mjekë, qofshin infermierë, qofshin sanitarë. Sistem menaxhimi që nuk është uniform në të gjithë Shqipërinë. Sistem menaxhimi që lë shumë për të dëshiruar në spitale të caktuara, apo në qendra të caktuara shëndetësore për shkak të keqdrejtimit.
Sot që flasim, kush nuk sheh dallimin midis së sotmes dhe të djeshmes ka nevojë për një shërbim të kujdesshëm okulistik. Nëse tek okulisti del që është në rregull nga sytë, ka nevojë për psikolog. Kjo është mëse e qartë. Për psikolog që ta ndihmojë të dalë nga psikoza e negativitetit dhe e të keqes së hapur si vaji në lakra, kanal më kanal dhe portal më portal në Shqipëri. Por nga ana tjetër, ky dallim nuk mjafton, sepse nuk është e sotmja me të djeshmen, as në QSUT ku ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhi çdo ditë një ndryshim thelbësor dhe përmbajtësor, as në spitale të tjera, apo në qendra shëndetësore që rindërtohen dhe transformohen, por është një dallim i madh dhe hendek i madh mes të sotmes dhe objektivit për të dhënë një shërbim uniform në të gjithë Shqipërinë.
Asgjë nuk mund sidoqoftë të përligjë cenimin e sigurisë fizike. Sidomos në këtë fazë të caktuar të ecjes sonë nuk mund dot që cenimi i sigurisë fizike të tjetrit të kthehet në një sport më vete. Godit mjek për shkak të detyrës. Godit policë për shkak të detyrës. Godit punonjës të shtetit për shkak të detyrës. Godit përfaqësues të popullit për shkak të detyrës. Godit, godit, godit. Për të vënë në pikëpyetje dhe duke vënë në pikëpyetje një nga gurët e themelit të gjithë këtij sistemi dhe të gjithë kësaj pune të bërë deri tani, për të vendosur kufij mes lirisë së njërit dhe lirisë së tjetrit, mes së drejtës së njërit dhe të drejtës së tjetrit.
Goditja për shkak të detyrës, sot ndëshkohet me Kod Penal. Nuk është diçka që nuk është e shkruar në Kodin Penal, por me një hapësirë diskrecioni ku fitojnë gjithmonë ata që duhet të ndëshkohen në fakt dhe ku humbasin gjithmonë ata që meritojnë drejtësi, për shkak të gjykatave që janë ende në një proces transformimi dhe që janë ende pengje të korrupsionit. Atëherë është e domosdoshme që ne të ndërhyjmë përsëri në Kodin Penal dhe po bëhet një diskutim i gjerë brenda grupit tonë parlamentar, brenda komisioneve, me njerëzit e duhur që kanë ekspertizën e duhur. Ministria e Drejtësisë është duke udhëhequr këtë proces dhe goditja për shkak të detyrës do të hyjë në një kornizë të re pamundësie për diskrecion nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve, pamundësie për të thënë “jo ishte goditja, jo nuk ishte goditje”, “jo i ra me mendje, jo i ra pa mendje”, apo për të thënë kur i ra se kishte mendjen ai që hëngri goditjen e prandaj ky që i dha goditjen, s’ka faj, ngaqë ai që nuk kishte mendjen mori goditjen dhe kështu, kush godet del përsëri i lirë në rrugë, për të goditur përsëri.
Rikonsiderimi i kanosjes ndaj bluzave të bardha si vepër penale specifike është një domosdoshmëri.
Ashtu sikundër po bëjmë gati ndërhyrjen për të përcaktuar vijat, kufijtë e fushave ku zhvillohet aktivitet sportiv. Kush i kapërcen duhet të shkojë në burg, sepse ata që hyjnë në fushë për të zhvilluar aktivitet sportiv, nuk mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre duke e pasur mendjen se mos vjen ndonjëri nga jashtë kufijve dhe ndërhyn me mjete të forta.
Edhe përcaktimi i kufijve të spitaleve është një domosdoshmëri. Nuk mundet dot të vazhdojnë spitalet që t’ju ngjajnë stacioneve të trenit në filmat e “far west”. Nuk mundet dot të vazhdojmë me spitale ku nuk merret vesh “kush është kush”, kur kalon derën dhe ku nuk ka orë të përcaktuar për ata që shërbejnë dhe ata që shërbehen dhe për ata që vijnë për të asistuar shpirtërisht ata që shërbehen.
Unë e kam vënë re me keqardhje fenomenin që, sa herë ndodh për fat të keq një tragjedi në procesin e dhënies së kujdesit shëndetësor, gjëja e parë është “mjeku e vrau” dhe nga njeriu që është pika e referimit për të shpëtuar jetë, kthehet në shënjestrën ku vendosen kriminelët. Kjo është e patolerueshme. Mjekët nuk vrasin, mjekët shpëtojnë jetë dhe duhet të përcaktojmë qartë, siç janë standardet europiane, natyrën e gabimit për shkak të detyrës. Nuk është e mundur që pas çdo rasti të pasuksesshëm, siç ka në gjithë botën, edhe në Mekën e mjekësisë, kudo ku të shkosh, të ketë menjëherë një dosje hetimore në prokurori. Nuk ndodh në Amerikë, nuk ndodh në Europë, nuk duhet të ndodhi në Shqipëri. Patjetër që kur konstatohet abuzim, kur konstatohet pakujdesi flagrante, kjo duhet ndëshkuar dhe ndëshkohet, por nuk mund dot që emocionet e një familjari, të marra dhe të kthyera në emocione televizive nga nevoja për audiencë dhe nga papërgjegjshmëria ndaj publikut, të kthehen në arsye për të pushkatuar moralisht të gjithë mjekët e Shqipërisë dhe pastaj për të persekutuar pa asnjë bazë faktike, një mjek që nuk ja ka dalë me sukses një operacioni të caktuar.
Nuk mundet dot që ne të vazhdojmë të pranojmë që mjek do të thotë “i korruptuar”. Infermiere do të thotë “hajdute”. Për 1001 arsye, kjo është bërë modë për politikanët, nuk mund të bëhet modë për mjekët dhe për infermierët, për më tepër kur sheh realitetin. Ju pëlqen shpesh atyre që marrin kamerat dhe i fusin nëpër vrima ende të zeza të sistemit, të thonë që ne nuk e njohim realitetin, “unë nuk e njoh realitetin”, “ministrja nuk e njeh realitetin”, ndërkohë që ne me këtë realitet merremi përditë dhe ministrja merret çdo ditë, çdo natë, çdo orë, çdo minutë. Si nuk e njohkemi ne realitetin dhe e njohkan këta, të cilët i fryjnë zjarreve të urrejtjes për mjekët dhe për infermierët, duke i futur të gjithë në një thes, të gjithë njësoj!
Ndryshimi i Kodit Penal, lidhur me përcaktimin e mjekimit të pakujdesshëm, neglizhencës në mjekim, bazuar në praktika ndërkombëtare e standarde ndërkombëtare, jo në emocionet mediatike, duke i krijuar mjekëve qetësi dhe duke i dhënë garanci në ushtrimin e profesionit të tyre është një domosdoshmëri. Një paketë e posaçme e plotë ligjore që vendos në mbrojtje të posaçme bluzat e bardha është e domosdoshme dhe që krijon kushtet për t’i dhënë mësime shembullore atyre që guxojnë të prekin një fije floku të kujt shërben sot.
I kam parë të katër rastet e agresionit, një nga një. I kam lexuar në detaj përshkrimet e skenave, çfarë ishte duke bërë mjeku, çfarë i tha, çfarë i sugjeroi, çfarë i rekomandoi mjeku agresorit dhe çfarë përgjigje mori, duke përfunduar deri dhe në spital. Kjo është barbari që frymëzohet në një atmosferë ku dhuna duket si opsion demokratik, madje si i vetmi opsion demokratik, duke u komentuar dhe duke u predikuar nga lloj – lloj kadrinjsh që shfaqen si opinionistë, analistë.
Sot është momenti që ne t’i japim përgjigje këtij fenomeni, në dy plane. Shikoj që është këtu Presidenti i Urdhrit të Mjekut. Respekte! Me siguri është një pikë referimi për të mbledhur opinione dhe ide. Por shikoj këtu që janë dhe drejtuesit e universitetit, ashtu sikundër dhe shumë protagonistë të sektorit që kanë eksperiencën, por kanë dhe një lloj detyrimi që t’i referohen edhe praktikave ndërkombëtare për të sjellë argumente të plota nga ana e tyre. Të protestosh për të ngritur problemi është hapi i parë. Ta adresosh problemin, duke artikuluar zgjidhje, është hapi tjetër i domosdoshëm. Nuk mund të mbetemi vetëm tek protesta, por duhet të na ndihmoni për t’i dhënë zgjidhje edhe bashkërisht, në mënyrë që zgjidhja ta jetë, si të thuash, pronë e përbashkët dhe ajo që parlamenti do të bëjë duke ngritur kartonat të jetë shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit tuaj, se për këtë është pushteti, nuk është për t’i dhënë përgjigje nga lartë poshtë çdo gjëje, por për të krijuar ndërveprimin e nevojshëm, që të arrijmë në rezultatin e nevojshëm.
Çdo lloj goditje për shkak të detyrës do të marrë përgjigje shumë të ashpër në javët në vijim. Të njëjtin proces po bëjmë me policinë e shtetit, të njëjtin proces po bëjmë edhe me grupet e tjera të interesit, duke bërë një rezyme të një situate që kërkon adresim.
Bëmë një tryezë me Federatën Shqiptare të Futbollit, duke qenë se aty është shfaqja më ekzemplare e një dhune të pranuar kolektivisht si një fatalitet dhe kështu me radhë.
Një gjë dua të nënvizoj, domosdoshmërinë e jetësimit të regjimit të ri të spitaleve. Aty fillon. Nuk i ka vënë kot bota kufijtë dhe muret, për të ndarë shërbëtorët në sistem dhe të shërbyerit drejtpërdrejtë nga pjesa tjetër, familje, miq, shok. Nuk ka vënë kot edhe oraret, nuk ka vënë kot edhe kontrollet e rrepta, sepse janë gjëra që bota i ka kaluar dhe ne nuk kemi nevojë që të presim t’i kalojmë aq gjatë saç i ka kaluar bota, sepse ato që të tjerët i kanë provuar dhe që i kanë kthyer në masa, ne thjesht duhet t’i adaptojmë. E di që nga pikëpamja logjistike e infrastrukturës nuk është kudo kaq e lehtë, që nga QSUT-ja që kërkon me patjetër një ndërhyrje të re në infrastrukturë, për të ndarë përfundimisht rrugën e miletit, të lagjes me rrugën e spitalit dhe ne do ta bëjmë këtë ndërhyrje. Jemi duke punuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me QSUT-në nën drejtimin e ministres dhe në bashkëpunim me drejtorin e QSUT për të realizuar ndërhyrjen.
E fundit që kam është çështja e ruajtjes së spitaleve me polici private, nivel mizerabël.
Industria e policimit privat në Shqipëri është një industri reale. Po ta dini ju sa policë privatë ka Shqipëria, do tronditeni. Po ta dini ju që kemi një industri policimi privat, por me standarde shumë të ulëta, me paga mizerabël, me nivel profesional skandaloz, me përgjegjshmëri zero, me vizibilitet tronditës kur shfaqen. I keni parë kur shfaqen. Prezumohet që ata janë ata që ruajnë të tjerë, kuptohet që, në fakt, ata janë problemi kryesor pse të tjerët nuk ruhen dot, as nga njëri-tjetri.
Për këtë po bëjmë një reformë me Ministrinë e Brendshme, nën drejtimin e ministrit të Brendshëm, i cili ka propozuar krijimin e një kompanie të Policisë së Shtetit, që do të shërbejë edhe si një fazë tranzicioni për shumë punonjës të policisë, nga momenti i daljes nga radhët e ushtrimit aktiv të detyrës, drejt pensionit dhe për të standardizuar policinë private dhe për të vënë rregulla shumë të rrepa, strikte, në mënyrë që në të gjithë atë turmë të dekantojë e gjithë pjesa që s’është për atë punë dhe të mbeten trupa policie private, serioze, reale.
Nëse ka një ndër shumë dhimbjet e kokës në procedurat e këtij shteti, janë procedurat e prokurimit të policive private. Janë spektakël i marrëzisë dhe i mungesës së seriozitetit. Procedura që anulohen nga 6 – 7 herë, apo edhe nga 10 e 15 herë. Një çudi e madhe. Ose miliona e miliona euro që harxhon universiteti për t’u ruajtur me policë privatë, që nuk ruajnë asgjë, që janë prezencë për t’u ruajtur universiteti prej tyre, jo që të ruajnë ata universitetin, për t’u ruajtur nga pikëpamja e agresionit estetik, që krijon realisht shqetësime psikologjike.
Kështu është edhe për spitalet, më vjen keq. Unë kam parë të gjitha spitalet e Shqipërisë dhe kur shoh mes turmës mjekë dhe infermierë dhe hijen e policit privat, më duket vetja si në një film nga filmat e kinostudios “Shqipëria e Re”, por nga filmat që nuk u lejuan të shfaqen për mediokritet, – jo nga ata që ishin mediokër dhe që u shfaqën, – si një film i censuruar.
Dua të nënvizoj që procesi në tërësi i transformimit ecën pozitivisht. Sot, ne kemi filluar të mbushim boshllëkun e madh që trashëguam me mjekët specialistë, që sjell një energji pozitive dhe një vlerë të shtuar në shërbim dhe që ul jashtëzakonisht shumë, edhe tensionet që krijohen për shkak të këtij boshllëku.
Nga fillimi i 2018-ës deri sot kemi 340 mjekë të rinj të punësuar në sistem, në ndërkohën kur kazani zien për mjekët që kanë ikur të gjithë dhe në Shqipëri kanë ngelur vetëm veterinerë që shërbejnë në spital. 340 mjekë të rinj. 1161 infermierë të rinj. Mjekët janë specialistë dhe infermierët e rinj, infermieret kryesisht, janë nga platforma digjitale Infermierë për Shqipërinë. Brenda muajit mars janë 167 mjekë të tjerë specialistë në kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, që do t’i bashkohen të gjithë ekipit të shëndetësisë publike në të gjithë vendin.
Buxheti i këtij viti është 43% më i lartë, se ai i 5 viteve më parë për shëndetësinë. Nëse i shohim bashkë të gjitha, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, kemi një buxhet që i ka kaluar 750 milionë dollarë. Natyrisht, këtu përfshijmë patjetër edhe Partneritetet Publike Private, sepse, krejt ndryshe nga çfarë propagandohet dhe nga çfarë arrin të penetrojë në mendjen e njerëzve për shkak të mungesës së dijenisë mbi këtë praktikë, ato nuk janë para që janë të shtetit dhe i merr privati, janë para që investohen në sistem. Privati merr vetëm fitimin. Kur flasim për qindra milionë, flasim për investime në shërbim, nuk flasim për para që ishin buxhet dhe i mori privati dhe iku në Rusi, por po flasim për investime në shërbim.
Besoj, të gjithë janë dëshmitarë që shërbimet kanë një përmirësim të ndjeshëm, mjafton të flasim për instrumentet mjekësore. Këtë s’ka nevojë të jesh specialist, mjafton t’i shohësh pincat edhe kaçavidat e kohës së miqësisë shqiptaro-kineze, që deri para pak kohe i kishit nëpër duar, me të gjithë pakot e reja të instrumenteve, për të kuptuar që jemi komplet në një botë tjetër dhe kjo falë një Partneriteti Publik Privat që paguhet çdo vit nga pak nga shteti, bazuar në një investim të bërë nga privati.
E njëjta gjë që do të fillojë së shpejti, besoj, edhe me laboratorët, që do të bëjë një transformim të madh dhe që jo nuk do heqë laborantë nga puna, por do shtojë kapacitetet e shërbimit, do shtojë numrin e analizave, do shtojë dhe cilësinë e shërbimit, sepse të gjitha këto kanë lidhje me atë që po flasim.
Patjetër dhuna është totalisht e dënueshme dhe besoj që të gjitha fjalët lidhur me këtë u thanë qartë deri tani dhe do thuhen edhe më qartë nga ju që jeni në njëfarë mënyre dhe shënjestër, por nga ana tjetër duhet të shohim me kujdes edhe aspektet që kanë nevojë për përmirësim të vazhdueshëm. Sepse nuk jemi në kushtet kur bëjmë një shërbim ekselent dhe aq më pak, një shërbim uniform në të gjithë Shqipërinë. Jemi në kushtet kur kemi një përmirësim të vazhdueshëm të shërbimit, por që ka nevojë për shumë e shumë gjëra.
Nëse ne kemi diçka ekselente në këtë sistem, janë mjekët vetë, në një pjesë të konsiderueshme të tyre. Janë njerëz që kanë qenë dhe kanë lënë emër të mirë në praktika ndërkombëtare. Janë njerëz që kanë eksperienca të jashtëzakonshme shumëvjeçare brenda një sistemi shëndetësor, ku mungonte vetëm që në sallat e operacionit të vije në audio këngën partizane kur ai sharronte këmbën me sharrë druri, nga pikëpamja e kushteve. Kështu që është komplet e kundërta e asaj që pikturohet dhe komentohet nga gjithë vala e vulgaritetit të rrjeteve sociale dhe të kanaleve e portaleve që i targetojnë mjekët sikur janë djalli vetë. E kundërta është e vërtetë.
E vërteta duhet thënë pavarësisht se do të ishte shumë më e lehtë për të bërë populizëm dhe për të goditur mjekët, që të fitoheshin zemrat e të revoltuarve që s’kanë marrë njëherë një shërbim shëndetësor në spitale, sepse për fatin e tyre më të mirë dhe realisht iu uroj të gjithëve që të kenë shëndet dhe të mos iu duhet kurrë që të shkojnë në spital, s’kanë parë kurrë spital me sy, ose kanë në mend spitalet që kanë parë këtu e 5, 7, 10, apo 15 vjet përpara, që nuk janë të njëjtat që janë sot, duan apo s’duan këta.
Duke ju falënderuar për gjithë sa bëni realisht, duke marrë përgjegjësinë, unë personalisht dhe qeveria, për faktin që drejtimi i spitaleve nuk është kudo ashtu si duhet, drejtimi i mekanizmave të tjerë të sistemit nuk është kudo ashtu si duhet, përkundrazi, ka segmente në sistem që janë akoma shumë keq, ajo që na mban realisht të motivuar dhe që na jep shumë kurajo çdo ditë jeni ju këtu dhe kolegët tuaj në të gjithë Shqipërinë, mjekët dhe infermierët.
Kështu që, respekte! Mos u dorëzoni!
Dhe kur të ndjeheni keq nga sulmet që i bëjnë kategorisë tuaj, ngushëllohuni duke menduar për mua. Mua nuk m’i bëjnë sulmet si kategori, m’i bëjnë si person dhe siç e shikoni, jam gjallë. E jo vetëm jam gjallë, por, pavarësisht se ç’keni dëgjuar, nuk kam ende nevojë për ju. Por është e sigurt dhe unë i kam provat, pavarësisht se, kur unë realisht kam shkuar për të bërë konsulta, konsultat reale nuk dalin në kazan, dalin ato që s’ndodhin, që unë konsultën e parë e bëj gjithmonë këtu, por nuk tregoj as se ku, as se si, se pastaj fillojnë fantazitë përsëri.
Për fat të mirë, nga të gjitha konsultat rezultoj deri tani i suksesshëm përballë gjithë çfarë më bëjnë. Kështu që kujtohuni për këtë. Mos e harroni kurrë, Niçja, – ai i Gjermanisë, jo ai i Shijakut, – ka thënë “çfarë nuk të vret, të forcon!” Kështu që duke iu uruar çdo të mirë atyre 4 kolegëve tuaj, iu them atyre dhe të gjithë të tjerëve që hanë ndonjë goditje, çfarë nuk të vret, të forcon. Jeni sot më të fortë seç ishit përpara se t’ju godisnin. Shëndet do t’ju bëhet edhe ajo goditje, siç më është bërë mua.