Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
“Nuk ka krizë energjetike, ka vetëm krizë të injorancës”, thotë Richard Fuller. Injorancë politike, injorancë qeverisëse, injorancë administrative, injorancë burimesh njerëzore dhe injorancë shoqërore në fund si rezultat i të gjendurit në një mjedis pa rregulla, pa qeverisje dhe pa përgjegjësi e përgjegjshmëri politike. Për ta ilustruar këtë shprehje kaq të goditur që ka një peshë edhe më të madhe në një vend si i yni, që është kaq i pasur në burime natyrore energjetike, unë dua të ndaj me ju dhe publikun këtë fakt:
Në vitin 2006 u bë një ristrukturim i sektorit, ajo që sot quhet OSHEE, kompania e atëhershme dhe e sotme e shpërndarjes, u pastrua nga të gjitha borxhet. Në vitin 2006, OSHEE e nisi punën e vet me zero borxhe. Deri në vitin 2013, 7 vjet qeverisje të Partisë Demokratike, borxhi kapërceu 1 miliardë dollarë. Vetëm në 10 muaj të vitit 2013, kur u kalua nga administrimi i privatëve në administrimin e rimarrë në dorë nga qeveria e shkuar, borxhi i brendshëm shkoi nga 720 milionë në 920 milionë, përfshirë edhe pjesën tjetër në formën e borxheve ndaj të tretëve që u rrumbullakos në mbi 1 miliardë.
Çfarë është kjo tjetër, përveçse injorancë politike, injorancë qeverisjeje, injorancë administrative, injorancë burimesh njerëzore, e përkthyer në injorancë shoqërore. Asgjë tjetër nuk është.
Këta 10 muaj të vitit 2013, kur borxhi u rrit me 200 milionë dollarë, pra, vjedhja u rrit në mënyrë galopante, janë tjetër tregues i asaj si katandisesh nëse e kthen pushtetin në qëllim në vetvete dhe nëse për të mbajtur pushtetin, shet të ardhmen e atdheut tënd dhe përpiqesh të blesh kohë e votë në pushtet duke detyruar pjesën e shëndetshme të shoqërisë që të paguajë edhe për ata që vjedhin.
10 muajt fatalë të vjedhjes së energjisë janë edhe 10 muajt fatalë të etheve më të mëdha elektorale, që prodhuan për shqiptarët një mbipeshë të borxhit, me të cilin ne po luftojmë sot, të gjithë sëbashku, duke bërë politikë me një pasuri kombëtare dhe duke e shkallmuar pasurinë kombëtare për të gjeneruar pushtet nga politika, duke mbyllur sytë përpara hajdutërisë kolektive, duke bashkëpunuar për të vjedhur pasurinë kombëtare dhe duke toleruar vjedhjen e kësaj pasurie në emër të mosmërzitjes të hajdutëve votues.
150 milionë euro çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike dhe nga humbjet në një rrjet shpërndarjeje, që merreni me mend, në 80% të vetin është ende aty ku e la Enver Hoxha. Në 80% të vetin, rrjeti i shpërndarjes së energjisë ka një moshë 35 deri në 40 vjeç. E pamë të gjithë dhe e përjetuan fatkeqësisht në kurriz të tyre shumë familje shqiptare në vigjilje të Vitit të Ri, kur moti shumë i rënduar dhe dëbora në shumë zona solli edhe cenimin e shpërndarjes.
Të gjitha këto vjen një ditë dhe mblidhen bashkë, siç iu mblodhën Shqipërisë lak në fyt dhe kërcënojnë të mbysin, siç kërcënon ende sot e gjithë ditën, me gjithë këto rezultate që janë shembullore për të kuptuar se çfarë kemi humbur gjithë këto vjet, por çfarë mund të bëjmë nëse jemi të gjithë bashkë, mbytjen dhe katastrofën e këtij vendi. E këtij vendi, të cilit Zoti apo natyra, për kë s’beson në Zot, i ka falur gjithçka që populli i vet të jetojë normalisht. E këtij vendi ku fati ynë e ka dashur që të kemi burime ujore dhe potencial hidroenergjetik për frymë dhe për territor, duke qenë të dytët në Europë, mbas Norvegjisë, – se mos më ngatërroni me atë që thoshte të dytët pas Gjermanisë, se këtu ka një dallim, të dytët mbas Norvegjisë na ka bërë Zoti, nuk kemi bërë ne ndonjë gjë. Ajo që kemi bërë ne ka qenë që Zoti na ka bërë të dytët dhe kemi vajtur me vrap e jemi të fundit dhe atje në fund të mbysim edhe veten.
Unë i jam mirënjohës të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit që janë angazhuar në këtë operacion, drejtorit të Përgjithshëm, drejtuesve të qarqeve, me të cilët kemi pasur çdo javë takim, sëbashku me një pjesë të drejtuesve të OSHEE, – të tjerët janë aty ku e kanë merituar, – sepse në vetëm dy muaj dhanë provën fantastike se ky vend mund të bëhet dhe se për ta bërë këtë vend nuk duhet ndonjë shkencë e posaçme, as ndonjë një çudi që nuk e kanë bërë të tjerët, duhet vetëm të respektojmë sëbashku ato që sëbashku kemi rënë dakord të miratojmë si ligje të bashkëjetesës sonë. Për sa kohë e kemi miratuar me ligj që vjedhja e energjisë është vjedhje si gjitha të tjerat, dënohet nga Kodi Penal, atëherë nuk ka alibi për askënd, i pasur apo i varfër, ministër, deputet apo qytetar i zakonshëm, biznesmen apo invalid. Nuk ka ligj që të përjashtojë njeriun e lirë të çdo kategori, duke thënë që ky ligj për këtë kategori nuk vlen, kjo është vjedhje për këta, por nuk është vjedhje për këta.
E megjithatë, shifrat sot flasin shumë qartë. Flasin qartë, nga njëra anë, se propaganda e shfrenuar a tyre që e nisën qeverisjen e sektorit dhe të kompanisë me zero lekë borxhe dhe e lanë me një miliardë dollarë e kusur borxhe dhe përpiqen sot e gjithë ditën të provojnë, nuk e di unë çfarë, që kishin të drejtë, duke u përpjekur me insistim ta tregojnë këtë operacion jetik për vendin tonë si një operacion kundër të varfërve, rrëzohet nga faktet dhe shifrat që solli këtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Ministri i Brendshëm, pasi nga 740 e disa individë, të arrestuar në flagrancë në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë për vjedhje të energjisë, janë mbi 500 biznesmenë. Pra, njerëz që bëjnë biznes dhe që për lokalin apo për magazinën e tyre nuk paguajnë asnjë kokërr leku dhe pjesa tjetër janë qytetarë me mbi 150 m2 në dispozicion. Rastet e njerëzve vërtetë të varfër, në këtë aspekt janë mëse minimale, në mos inekzistente, por mëse minimale. Sepse shifrat përsëri tregojnë se nuk janë të varfrit hajdutët e energjisë elektrike, por janë ata që kanë dhe që fshihen pas të varfërve, për vite të tëra, duke pretenduar se konsumojnë më pak se 300 kilovat. Se përndryshe nuk ka si ndodh që paguesit më të rregullt të energjisë elektrike janë dy kategori; pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar. Përkatësisht mbi 90%. Ndërkohë që vetëm në Policinë e Shtetit, në momentin kur filloi operacioni nga 10 mijë punonjës, mbi 5 mijë ishin debitorë. Niseshin për të kapur të tjerët dhe vetë i kishin borxhe kompanisë. Sot, numërohen me gishtat e dorës ata të cilët kanë mbetur pa lidhur kontratën me OSHEE-në duke shfrytëzuar mundësinë që në u kemi dhënë të gjithëve që deri në 28 shkurt, duke paguar të gjithë borxhin menjëherë të ulin 80% kamatëvonesën, apo përmes marrëveshjes të nënshkruajnë se çdo muaj do të lajnë borxhin. Mbi 5 mijë policë. E vetëm në dhjetor, nga kthimi në binarët e ligjit dhe të arsyes i borxhlinjve brenda sistemit të administratës shtetërore janë gjeneruar 6.6 milionë dollarë për kompaninë, borxhe që janë kthyer.
Unë i bëj apel përsëri atyre që kanë mbetur të lajnë borxhet deri në 28 shkurt. Të lajnë borxhet një orë e më parë. Të lajnë borxhet sepse nuk do të ketë asnjë milimetër kthim mbrapa. Ky operacion nuk është fushatë, nuk është aksion, nuk është një përpjekje nga ato të kaluarat që i mbani mend mirë, që dilte drejtori i ndërmarrjes me gërshërë dhe shkonte i priste vetë telat ndonjë fukarai në Kamëz, por është lufta për jetë a vdekje e Shqipërisë për të qenë ose ajo që duam dhe që duhet, ose katandia që na lanë për turp ata të cilët sot falë virtytit të demokracisë kanë mundësi të flasin, por nuk kanë mundësi të na ndalojnë asnjë milimetër në këtë përpjekje.
Ne kemi detyrimin e patjetërsueshëm që t’u shërbejmë interesave tona kombëtare, interesave të publikut dhe interesave të të gjithë atyre qytetarëve që në 8 vjet sidomos, nga 2006 kur filloi me zero kompania deri në 2013, kur në 10 muaj u rrit borxhi me 200 milionë, u futën në kategorinë e budallenjve. Kush paguan energjinë u detyrua të ndjehet kokrra e budallait, duke parë komshiun me ndërtimin e madh pa leje, 3 kate, edhe 1 kat tjetër bosh për çunin kur të marri nusen dhe me 3 sahate në çdo kat, që paguante si invalid. Apo duke parë komshiun tjetër që e merrte energjinë nga shtylla përballë, e fuste në kuzhinë, që ta shihte edhe vetë kur i vinte energjia, me linjë personale edhe që rrugës të mos t’ia vidhte njeri tjetër. Ose si puna e atij që edhe shtyllën e kishte futur në ballkon. Mirë ndërtimi pa leje, por kishte bërë edhe një ballkon dhe shtylla ishte brenda, dhe me dorë merrte dritat.
Këtu Shqipëria e “budallenjve” që paguajnë taksa, Shqipëria e “budallenjve” që paguajnë kontributet shoqërore, Shqipëria e “budallenjve” që paguajnë dritat, Shqipëria e “budallenjve” që vënë rripin e sigurisë, Shqipëria e “budallenjve” që respektojnë semaforin, Shqipëria e “budallenjve” që nuk pinë duhan në restorante, Shqipëria e “budallenjve” që nuk guxojnë ta shohin as në ëndërr se mund të pushtojnë ndonjë trotuar për të bërë biznes, nuk është më Shqipëria e “budallenjve”, por është Shqipëria e tyre. E kush nuk do të ketë probleme me shtetin, kush nuk do të ketë probleme me policinë, kush nuk do të ketë probleme me inspektoratet, kush nuk do të ketë probleme me këtë qeveri duhet t’i bashkohet asaj Shqipërie. Shqipërisë së njerëzve që respektojnë ligjin dhe që investojnë për të ardhmen e tyre, duke i bërë të gjitha këto. Sepse të paguash energjinë elektrike nuk do të thotë t’i japësh lekë për t’i çuar në drejtim të paditur, siç kanë shkuar në drejtim të paditur, fatkeqësisht, për shumë vite. Do të thotë të investosh që ky sistemi i shpërndarjes që në 80% të vetin është 40 vjeç, me ato shtyllat e drurit që i keni parë vetë, që janë çarë në dysh edhe që rrinë në 40 gradë e mezi mbahet, të kthehet në një sistem shpërndarjeje të besueshëm.
Unë i mirëkuptoj të gjithë ata qytetarë që sot thonë me të drejtë dakord unë po e paguaj energjinë elektrike, por si t’ia bëj që fatura ime nuk vjen në rregull, si t’ia bëj që sahati im vrapon më shpejtë sesa c’vrapon korrenti për të ardhur në shtëpinë time, si t’ia bëj që shërbimi ndaj meje është mizerabël dhe si t’ia bëj që edhe në prag të Vitit të Ri duhet të ndez qiririn se më ikin dritat?! Janë të mirëkuptueshme, por aq sa i mirëkuptoj aq duhet edhe të na mirëkuptojnë që ç’ka nuk është bërë jo në 20 vjet, por në 40 vjet nuk mund të bëhet në 1 vit. E mbi të gjitha, nuk mund të bëhet nëse kompania nuk merr mbrapsht atë që jep. Se është njësoj si të shkosh në një furrë buke dhe ta marrësh bukën pa paguar dhe të kërkosh që të kesh furnizim me bukë, edhe të ngrohtë, edhe kur fusha e grurit që furnizon dyqanin të mos ketë më grurë. Kjo nuk mund të ndodhë.
E pra, të paguash energjinë elektrike do të thotë të investosh. Të investosh që nesër jo vetëm kompania të ketë mundësi që të vendosë një sistem tërësisht të ri shpërndarje, por edhe qeveria, buxheti i shtetit, të ketë mundësi të tërhiqet nga injeksionet e përvitshme që i bën kompanisë për ta mbajtur në këmbë. Se kompanisë nga një anë ia pinë gjakun, nga ana tjetër kompania nuk mund të rrijë në këmbë pa gjak, kështu që i bëjnë transfuzione të përvitshme nga 150 milionë euro; 100 shkolla të reja, 6 spitale rajonale, 100 kilometra rrugë kombëtare, një shifër e barabartë me shifrat që ne mbledhim nga të gjitha kontributet e bizneseve në Shqipëri. Është njësoj sikur thjesht duke paguar energjinë elektrike, të gjithë ne të kemi dyfishuar brenda vitit kompanitë që i japin shtetit taksa. Është e pamundur të mendohet ndryshe dhe është e pamundur të veprohet ndryshe.
Ashtu sikundër është e pamundur të pranohet propaganda lidhur me çmimin. Sepse, çka kemi bërë, sot qeveria kaloi vendimin që formalizon atë që ka hyrë në fuqi që në 1 janar me buxhetin, rritjen e pensioneve për të gjithë pensionistë kryefamiljare dhe rritjen e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjithë familjet në ndihmë ekonomike, rritjen e pagës së aftësisë së kufizuar për të gjithë personat me aftësi të kufizuar, mbi 200 mijë njerëz që do të shkojnë tek sporteli i OSHEE pa asnjë ndjesi se po paguajnë një qindarkë më shumë nga heqja e fashës 300 kilovat. Por fasha 300 kilovat u vu për këta, nuk u vu për atë që e futi shtyllën në ballkon. Nuk u vu as për ata me 150 metër katrorë shtëpi me 3 kate, nuk u vu as për ata me magazina në autostradë, nuk u vu as për ata me lokale te blloku, u vu për këta. U vu për këta dhe të tërë të tjerët me vrap për t’u fshehur nën karrocat e invalidëve, për t’u futur bashkë me familjet në ndihmë ekonomike, për t’u kapur pas xhaketave të pensionistëve dhe për të bërë të gjithë si invalidë, si pensionistë dhe si persona në ndihmë ekonomike. Për këtë shërbeu fasha në Shqipëri. Për ta kthyer nga një mburojë për të varfrit në një strehë për maskarenjtë. Duke hequr fashën të gjithë tani kanë dalë në dritë. Kanë dalë në dritën e transparencës. Askush më nuk mund të fshihet pas fashës, do të paguajë atë që konsumon. Siç paguanin atë që konsumonin të gjithë shqiptarët që nuk fshiheshin pas fashës, që nuk e vidhnin energjinë, që nuk trukonin sahatet me fashë. Këta, të gjithë shqiptarët kishin një çmim mesatar 10.3 lekë vjet, sivjet do ta kenë 9.5, që do të thotë se çmimi mesatar i energjisë është ulur. Nuk është ngritur, sepse ne besojmë që nga heqja e fashës ne do të kemi një rritje të drejtë të të ardhurave dhe nuk do kemi nevojën të rrisim çmimin në mënyrë uniforme. Shumë e thjeshtë! Por në këtë vend ku jetohet me “shpif, shpif, shpif se diçka do mbetet” dhe përgjithësisht ata që i hanë shpifjet për taksat, për çmimin, për këtë, janë ata që nuk paguajnë taksa, janë ata që nuk paguajnë energjinë, janë ata që nuk e dinë fare sa vijnë faturat në shtëpi dhe ankohen. Vënë kujën. Turren duke komentuar, “ç’po bëni kështu?!”, “ç’keni me të varfrit?”. Kush janë të varfrit këtu? Sepse të varfrit, ata që konsiderohen ligjërisht të varfër dhe janë realisht të varfër janë të mbrojtur. Në fund të janarit kur të marrin pensionin do të marrin pension të rritur, të cilin ua kemi thënë, ju rritet që të paguani këtë diferencë. Kush janë të tjerët?
Nga ana tjetër dua ta them këtu. Kemi filluar paralelisht të mendojmë për gjërat e tjera. Ministri i Energjisë, me shumë kurajë dhe duhet kurajë përveçse mbështetje politike, për t’i rënë murit me kokë, sepse t’i biesh ndesh kësaj ngrehine të ndërtuar me kokë poshtë qysh prej dekadash, por sidomos në 10 vitet e fundit, ku të gjithë kanë zënë një pozicion dhe të gjithë kënaqen duke u fshehur pas njëri-tjetrit dhe duke marrë nga xhepat e të tjerëve nuk është e thënë të dalësh me sukses. Kjo kurajo na ka çuar sot në këtë hap të parë të rëndësishëm përpara, por nga ana tjetër, përveç kurajos është hera e parë dhe këtë nuk e them unë, këtë nuk e thotë ministri, këtë nuk e thotë qeveria, këtë e thotë institucionet ndërkombëtare, këtë e thotë Komuniteti i Energjisë në Vjenë, këtë e thotë Banka Botërore, këtë e thotë FMN-ja; është hera e parë që një qeveri shqiptare dhe një ministri Energjie e Shqipërisë ka një vizion të zhvillimit të sektorit, ka një plan të qartë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë dhe mbi të gjitha ka në bazë të këtij plani të gjithë hapat e strukturuar që do të hidhen njëri pas tjetrit. Siç u hodh sot hapi tjetër në qeveri me projektin e ri të ligjit për tregun e energjisë, që brenda 5 vjetësh, gjithçka që ishte kusuri i atyre që e bënë Shqipërinë, atdheun e rrumpallës dhe të hajdutërisë dhe i atyre të tjerëve, më përpara, që vunë ca shtylla druri kur elektrifikuan vendin dhe s’bënë dot asgjë më shumë, të marrë fund.
Ishim ne që filluam menjëherë, linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Linjë strategjike për sigurinë energjetike, por linjë strategjike për interesin kombëtar të shqiptarëve dhe çuditërisht, patriotët e mëdhenj, altoparlantët më të fuqishëm të interesit kombëtar dhe të flamurit kuq e zi, e kishin bllokuar dhe e mbanin të bllokuar vite të tëra. E vumë ne që deri dje na thoshin filogrek e filoserb, i mbani mend.
Po kështu, ata që bënë kaq shumë propagandë për vendin më turistik të botës, ku numëronin për turistë edhe veten e vet, sa herë hynin e dilnin për të shkuar në delegacione, një kryeministër që numëronte veten si turist, numëronte hyrje-daljet e veta bashkë me enturazhin, ministrat e të gjithë. Ndërkohë që, jemi të gjithë dakord që Joni është potenciali ynë më i madh turistik, qysh në të largëtin vitin 1974 nuk hodhën një qindarkë për gjithë linjën e shpërndarjes atje. Ju e keni parë vetë se keni shkuar me pushime në bregdetin Jon, se çfarë ndodh në ato shtylla dhe keni parë vetë sesi poçi “bëlbëzon” gjithë kohës. I keni parë poçat kur ndizen në Himarë, në Dhërmi, në Sarandë, në gjithë perlën tonë, gjithë kohës si memec “ba ba bap”. Nuk ndizet një herë poçi e të rrijë si duhet mes shtëpisë. U fillua investimi për atë linjë. Është ndërtuar linja 110 kilovolt Sarandë-Vlorë dhe kanë vazhduar punët për nënstacionet, për projektin e sigurisë së digave dhe me radhë.
Për herë të parë, Banka Botërore vuri në dispozicion një paketë financimi për të cilën ishte e gatshme edhe përpara. Po përse nuk e mori Shqipëria paketën e financimit 150 milionë dollarë? Sepse Shqipërisë më parë i kërkoheshin reforma, i kërkohej reforma e sektorit energjetik, i kërkohej reforma e strukturës së çmimit, i kërkohej reforma e pensioneve. Por Shqipëria më parë nuk ishte vendi i reformave, sepse po të kishte qenë Shqipëria, përpara, vendi i reformave, nuk do të ishim sot në këtë katandi.
Kam marrë – këtu po bëj një kllapë, – mesazhe të panumërta dje e pardje nga simpatizantë të mjekësisë. Mesazhe të panumërta që më kanë bërë të ndjehem krenar, që e shembëm përtokë edhe një tjetër kala të korrupsionit. Dihej botërisht sesi bëheshe specializant në mjekësi deri para tre-katër vitesh, kur pastaj u mbyllën fare, tarifë fikse ose lidhje gjaku me një njeri të rëndësishëm. U bë një konkurs spektakolar, transparent dhe u morën pikët aty për aty nga të gjithë dhe gjithçka shkon në vendin e duhur.
Një kala këtu, një kala atje e një kala atje dhe gjithë ky zinxhir i fortifikuar i korrupsionit, gjithë kjo fortifikatë që e kemi nga të gjitha anët do të shembet. Vetëm se ne vazhdojmë të besojmë dhe po e provojmë çdo ditë, do të shembet duke ndërtuar sisteme të reja, jo duke hequr njërin dhe duke vënë tjetrin, thjesht sepse heq njërin, shkon tjetri e bëhet si tjetri, nëse sistemi nuk është i garantuar. Kemi filluar një punë intensive. Unë nuk ekzagjeroj asgjë, por dua t’u them shqiptarëve se në harkun e këtyre 5 viteve, por duke filluar që nga ky vit, do të shikojnë me sytë e tyre sesi do të shpërndahet energjia në Shqipëri dhe si do të ndryshojë si nata me ditën, si do të ndryshojë si shekulli i XIX-të me shekullin e XXI-të, sahati dhe gjithë marrëdhënia mes konsumatorit, sahatit dhe distributorit.
Ne do të fusim teknologjinë më të avancuar, që asnjë pikë drite të mos mbetet pa u identifikuar dhe asnjë pikë drite më shumë të mos paguajë ai që konsumon. Teknologji që ka dhënë sukses në vende të tjera dhe që ne jemi të vendosur ta bëjmë pjesë të sistemit tonë. Jo vetëm që çdo konsumator të ketë matësin vetë inteligjent, të jetë në gjendje ta parapaguajë energjinë, të shkojë dhe të blejë aq energji, jo të shkojë, se s’ka nevojë të shkojë fare, por me telefon, të kërkojë sasinë e energjisë që do konsumojë, të paguajë për aq dhe në momentin kur ajo mbaron energjia ndërpritet dhe porosit kuotën tjetër. Pra, t’i japim fund edhe historisë që janë njerëzit emigrantë, kanë ikur në emigracion 20 vjet përpara dhe janë debitorë këtu prej 20 vjetësh. Ose shkon me pushime, i fik të gjitha dhe kur kthehesh sahati ka vazhduar punën e vetë, se sahati është në një botë tjetër. Është sahat i vënë për të zhvatur ata që paguajnë, se duhen marrë lekët edhe për ata që nuk paguajnë. Edhe kjo kërkon kohën e vetë.
Ne do ta fillojmë që këtë vit, por deri në fazën e implementimit ne do të bëhemi vendi i parë i Europës që do të kemi instaluar 1.1 milionë matës inteligjentë. Vendi i parë i Europës, jo se jemi të parët, por se në Gjermani nuk i ndërron njeri sahatet se nuk i shkon njeriu mendja të vjedhë dhe sahati gjerman nuk “vrapon” kur gjermani ka ikur me pushime.
Këto janë shpikje të teknologjisë për shoqëri dhe për vende si ne. Ne do t’i vëmë ato të gjitha në dispozicion të konsumatorëve. Sigurisht do të kemi një sistem shpërndarjeje inteligjent, që është në gjendje të kontrollojë në mënyrë të centralizuar, në kohë reale, 1.1 milionë burime shpërndarjeje dhe që merr sinjal nga çdo burim shpërndarje në momentin kur burimi goditet apo në momentin kur kalon masa e parapaguar, ose për një arsye tjetër, dhe që lëviz flukset e shpërndarjes së energjisë sipas nevojës. Nëse ka një moment konsumi festash dhe flukset duhen lëvizur për t’u përqendruar më shumë në zonat më të dendura, ky sistem i bën. Nuk e shpërndan energjinë si ato shtyllat e Enverit, me shijet e Dedës, Rikard Larjes, për ata që e mbajnë mend, se këtu ka edhe shumë të rinj.
Një falënderim i posaçëm, jo formal, për Drejtorin e ri të OSHEE, i cili po provon përditë se është zgjedhja e duhur për këtë detyrë. Jam i bindur që bashkë me gjithë skuadrën e ristrukturuar do të jetë në gjendje të impelementojë vizionin dhe planin e Ministrisë së Energjisë dhe të shfrytëzojë në maksimum vullnetin e palëkundur politik të kësaj qeverie. Po ashtu, jam i bindur se do të jetë në gjendje të bëjë transformimin e burimeve njerëzore brenda OSHEE. Është bërë një apel publik, të cilin unë e kam mbështetur fort bashkë me ministrin, që të gjithë inxhinierët elektrikë, të gjithë teknikët e mesëm elektricistë që janë pa punë të aplikojnë për t’u marrë në provim dhe për t’u zëvendësuar brenda OSHEE-së njerëz që vijën nga rrugë të ndryshme, por jo nga rruga e zanatit. Për të zëvendësuar me profesionistë dhe njerëz të zanatit gjithfarëlloj personazhesh që i ka mbledhur OSHEE-ja si të ishte streha vorfënore e partive. Besoj që edhe ky është moment jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe do të ketë një fokus shumë të fortë. Sigurisht, jam i vetëdijshëm që pa atë pjesë të shëndetshme brenda OSHEE-së pa disa nga drejtuesit e rinj, por pa disa edhe nga kuadrot më me eksperiencë që e kanë përqafuar fort këtë mision nuk do të ishim dot këtu, nuk do të kishim bërë dot asgjë.
Ndaj Gëzuar Vitin e Ri dhe vazhdoni me ritmin e vitit të vjetër. Do të vazhdojmë aty ku u mbyll viti i vjetër, asnjë tolerancë. Kush vjedh energjinë është subjekt i ligjit dhe objekt i Policisë së Shtetit, i Prokurorisë dhe i gjykatave. Me këtë rast dua të falenderoj edhe Prokurorinë që, për hir të së vërtetës, në këtë operacion ka qenë një aleat i ligjit dhe një aleat i konsumatorëve të ndershëm. Ndërkohë që edhe gjykatat kanë bërë më pak korrupsion se herët e tjera.
Faleminderit!
***
Ministria e Energjisë, Ministria e Brendshme dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) publikuan sot, në një takim të zgjeruar dhe në prani të Kryeministrit Edi Rama, rezultatet e deritanishme të operacionit kombëtar kundër vjedhjes apo abuzimit me energjinë elektrike.
Të dhënat dhe treguesit në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike për vitin 2014 dhe veçanërisht pas masave në kuadër të operacionit kundër abuzimit me energjinë u konsideruan pozitive dhe inkurajuese për rimëkëmbjen e Kompanisë. Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se është bërë shumë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, por ripërsëriti apelin se pagesa e energjisë është investim për të ardhmen jo vetëm të sektorit. “Pagesa e energjisë dhe ristrukturimi tarifës së energjisë, pa e rënduar barrën e një qytetari, por duke e sjellë në parametra të ndershëm është mbi të gjitha kontribut për të ardhmen e tyre, kontribut për investimet në sistemin energjetik dhe sigurinë energjetike të vendit,” – tha Gjiknuri.
Ndërsa Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e cilësoi operacionin e nisur mbi të gjitha “shtet-formues, por edhe edukues, për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike dhe për të sanksionuar thelbësisht barazinë e qytetarëve para ligjit.”
Drejtori i OSHEE Ardian Çela e konsideroi vitin 2014 si pikën e kthesës, kur filloi të frenohet avancimi i spirales negative të treguesve. “Rezultatet, – tha Çela – janë dukshëm pozitive. Arkëtimet e faturës totale mujore kanë arritur nivelin 87%, d.m.th 10% më shumë se një vit më parë, pagesa e faturës korente ka arritur në 72% dhe mbyllja e të dhënave vjetore që do bëhet këto ditë do të shënojë edhe një rritje mbi nivelin 5% në krahasim me vitin paraardhës.”
Masat e marra, sipas Drejtorit të OSHEE, janë përkthyer drejtpërdrejtë edhe në ulje të nivelit të humbjeve të energjisë në rrjet dhe rritjen e arkëtimeve. Në vitin 2013 niveli i të ardhurave ishte 38.1 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2014 niveli i arkëtimeve shënoi shifrën e 49.4 miliardë lekë, do të thotë 100 milionë dollarë më shumë vetëm për një vit. Humbjet vjetore në sistemin e shpërndarjes u reduktuan me 7.2%, krahasuar me të njëjtit tregues të një viti më parë.
Drejtori Çela nënvizoi se operacioni ka gjetur mirëkuptimin e qytetarëve, ku gjatë vitit 2014, Kompania ka nënshkruar 82 215 aktmarrëveshje për shlyerjen e debive dhe ndër to, 72 100 janë nënshkruar nga data 20 tetor, kur nisi edhe aksioni i përbashkët me policinë. Vetëm në muajin dhjetor niveli i arkëtimeve shënoi një shifër rekord, 6.7 miliardë lekë.
Por rezultatet aktuale, për Drejtorin e OSHEE, janë një hap i rëndësishëm, për të vazhduar me objektivat për vitin 2015: reduktimin e bilancit negativ të kompanisë duke e përmirësuar atë me 18%; uljen mbi 5% e humbjeve vjetore në rrjet; rritjen e nivelit të arkëtimeve në masën 85% të faturës korente; fillimin e një programi intensiv investimesh, vetëm për këtë vit rreh 50 milionë dollarë; reformimin i kujdesit ndaj klientit duke e sjellë edhe më pranë qytetarit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi u ndal në kontributin e Policisë së Shtetit në këtë operacion, e cila u angazhua në veprime të përbashkëta me OSHEE. “Janë arrestuar në flagrancë 744 persona, ndër të cilët 583 janë pronarë lokalesh e biznesesh. U bë identifikimi i 66 punonjësve të OSHEE, të implikuar në veprimtarinë e paligjshme të vjedhjes së energjisë elektrike, duke krijuar lehtësira apo ndihmuar në vjedhje. Janë ndërprerë 51 219 raste të lidhjeve të paligjshme,” – tha Didi.
Nga takimi u ritheksua vendosmëria e të gjitha strukturave për ta luftuar deri në fund vjedhjen apo abuzimit me energjinë elektrike.