Vjenë, konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz:
Kancelari Sebastian Kurz:
Të nderuar zonja dhe zotërinj, i nderuar Kryeministër, i dashur Edi, dëshiroj t’ju mirëpres këtu në Vjenë dhe t’ju falënderoj për shkëmbimin mjaft të mirë të bisedave dhe të bashkëpunimit dhe dëshiroj t’ju informoj që jemi shumë të kënaqur që republika ka një kontakt shumë të mirë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Shqipërinë dhe ne kemi një bashkëpunim mjaft të shkëlqyer politik, por dhe gjithashtu një shkëmbim ekonomik mjaft të fortë dhe kjo është e rëndësishme për investimet. Kemi investitorët më të mirë në Shqipëri dhe në vitin 2017 kemi pasur, eksportet janë rritur në Shqipëri, shkëmbimi ekonomik është rritur gjithashtu. Ne jemi mjaft të kënaqur që kemi një bashkëpunim mjaft të mirë ekonomik dhe politik. Ne sigurisht i mbështesim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë dhe Shqipërinë, në përafrimin e tyre në Bashkimin Europian dhe duam që ata të kryejnë reformat e duhura në Ballkanin Perëndimor dhe këto të bëhen hap pas hapi.
Ka disa shtete anëtare në Bashkimin Europian që për shkak te situacioneve të tyre të brendshme kanë një qëndrim tjetër, apo një qëndrim kritik të themi, për gjërat, por ne jemi këtu një partner i Shqipërisë dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, që të afrojmë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë europiane. Kjo është rruga e reformave. Është gjithashtu edhe mënyra brenda shteteve në rajon, sepse ashtu edhe më përpara ka pasur disa tensione, apo probleme të vogla, për shkak të problemeve etnike, apo problemeve të tjera politike. Por kjo është dhe garancia për sigurinë tonë, për stabilitetin tonë në Europë. Ky stabilitet në vendet e Ballkanit do të thotë edhe më shumë siguri dhe një stabilitet në vendin tonë, në Austri.
Tema kryesore për të cilën ne folëm sot ishte lufta kudër imigracionit ilegal. Ne po përjetojmë në Ballkan, në këtë moment, një rrugë të re të migracionit. Kontrabandistët përpiqen që njerëzit t’i marrin nga Greqia përmes rrugës së Shqipërisë në Europën Qendrore. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe, sepse duhet të luftojmë kundër këtij fenomeni dhe kundër kësaj rruge. Jam shumë i kënaqur që ne kemi të njëjtin mendim dhe i kemi zbuluar treguesit mjaft të hershëm jo vetëm në Austri, por edhe në Shqipëri. Duhet të shikoni që shifrat e këtyre refugjatëve po rriten dhe duhet ta trajtojmë këtë problem që tani, përpara se këto probleme të bëhen shumë të mëdha, siç ka qenë rasti në 2015-ën dhe në 2017-ën.
Dëshiroj ta falënderoj përzemërsisht zotin Kryeministër që në Shqipëri është gatishmëria që këtë migracion ilegal ta luftojmë dhe gjithashtu kundër punës që bëjnë kontrabandistët. Pra, për këtë gjë, Shqipëria ka nevojë, por edhe e ka merituar mbështetjen tonë.
Kryeministri më ka kërkuar që unë ta mbështes dhe unë kam thënë që do të qëndrojmë dhe do ta mbështesim fort Shqipërinë që të ketë dhe një mbështete financiare për Shqipërinë, por edhe vendet e tjera që janë në rrugën e re të Ballkanit dhe gjithashtu në mënyrë që të luftojmë këtë migracion ilegal.
Gjithashtu ne do ta mbështesim Shqipërinë edhe në marrëdhëniet bilaterale, do ta mbështesim mjaft mirë, me policë të rinj, por gjithashtu do të shikojmë që ta mbështesim dhe në fusha të tjera. Sëbashku me ministrin e Punëve të Brendshme do të marrim dhe kontakt me Kryeministrin, me ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, që sëbashku edhe me partnerët e tjerë të BE-së ne të ndjekim një rrugë bilaterale në mënyrë që fluksin e migrantëve ta ndalojmë përpara se të shtohen më shumë e më shumë.
Faleminderit shumë!
Kryeministri Edi Rama:
Shumë faleminderit për mikpritjen në këtë kryeqytet ku Ballkani Perëndimor ka qenë historikisht në qendër të vëmendjes dhe ku sa herë vij, ndjej të gjithë përkushtimin e Austrisë, të qeverisë, lidhur me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Më vjen shumë mirë që sot rikthehem në Vjenë për të takuar Kryeministrin, mikun tonë Sebastian Kurz, që si ministër i Jashtëm ka zhvilluar një universitet të tërë për Ballkanin Perëndimor dhe ka një njohje jashtëzakonisht të detajuar të rajonit tonë.
Marrëdhënia e Shqipërisë me Austrinë është një marrëdhënie e shkëlqyer. Austria qysh në ditën e parë të ndryshimeve demokratike në Shqipëri ka qenë një mbështetës i palëkundur i popullit shqiptar dhe i vendit tonë në procesin e rimëkëmbjes. Edhe sot, Austria është një avokat i paçmuar në rrugën tonë drejt integrimit të plotë në familjen europiane dhe unë dua t’i shpreh Kryeministrit, qeverisë dhe popullit austriak të gjithë mirënjohjen tonë për këtë mbështetje të pakursyer.
Siç e thatë, shikojmë një progres të vazhdueshëm në marrëdhëniet bilaterale në aspektin ekonomik dhe tregtar, por, po ashtu, falë edhe kontributit të dhënë nga Austria, shikojmë një progres të rëndësishëm në procesin e përmirësimit të marrëdhënieve brenda rajonit tonë. Me Kryeministrin kemi folur edhe për çfarë janë pritshmëritë tona nga Presidenca austriake e Bashkimit Europian në 6 muajt e ardhshëm dhe dëshirojmë që të bashkëpunojmë për të shtyrë më tutje projektin tonë, të lancuar nga unë dhe Presidenti i sotëm i Serbisë, Kryeministri i djeshëm, Aleksandër Vucic, për tregun e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, gjë për të cilën jam falënderues që Kryeministri ka shprehur interesin dhe mbështetjen e tij.
Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që kemi harmoni të plotë me Kancelarin përsa i përket çështjes së shfaqur të një mundësie të një rruge të re në Ballkanin Perëndimor përmes Shqipërisë të migrantëve që tentojnë të lëvizin nga Greqia për të ardhur në Europën Qendrore. Kemi një fluks që rritet në mënyrë shqetësuese, por që për momentin ka qenë tërësisht i kontrolluar prej nesh, ama na duhet një bashkëpunim i ngushtë dhe i menjëhershëm për të shmangur rishfaqjen e skenave që shqetësuan, madje tronditën Europën në vitin 2015. Kemi dakordësi të plotë për një bashkëpunim të ngushtë me Austrinë dhe patjetër, edhe me vendet e tjera të interesuara për këtë proces.
Dua t’i shpreh edhe një herë Kancelarit gjithë mirënjohjen për mbështetjen. Dua ta falënderoj edhe për gatishmërinë e tij për të na ndihmuar në shpjegimin deri në fund të domosdoshmërisë për të vazhduar procesin e integrimit, për të çelur negociatat, sepse Shqipëria e meriton, e ka marrë me meritë këtë rekomandim pozitiv të pakushtëzuar nga Komisioni Europian, edhe me disa vende mike që, siç e tha Kancelari, për arsye të tyre të brendshme janë në pozita pak më skeptike për momentin.
Shumë faleminderit edhe njëherë!
A do të mundet Shqipëria të çelë negociatat gjatë presidencës austriake të Bashkimit Europian që nis në korrik?
Kancelari Kurz: Do ta shohim këtë gjë. Nuk mund t’ju jap një përgjigje, apo siguri për këtë. Siç e tha dhe Kryeministri, ka disa shtete anëtare të Bashkimit Europian, të cilët për shkak të problemeve, apo çështjeve të tyre të brendshme, e kanë të vështirë të marrin këtë vendim, pra, të thonë po.
Megjithatë ka një dëshirë të fortë në Shqipëri, që të shkojë drejt rrugës së reformave. Shqipëria ka bërë shumë në rrugën e integrimit europian në vitet e kaluara dhe negociatat e pranimit janë drejt një rruge të mirë. Ka një mundësi të mirë që të shkojmë në rrugën e reformave. Megjithatë nuk e di se kur do të merret ky vendim. Nuk mund t’jua them akoma, por mund t’ju them që Shqipëria është drejt një rruge të mirë dhe Komisioni Europian e ka përcaktuar dhe e ka thënë këtë. Mendoj që kjo është ajo që vlen.
Si ka ndryshuar migracioni në vitet e kaluara, sa refugjatë kanë ardhur më shumë? A keni marrë masa konkrete dhe a keni folur për masa konkrete në punën e përbashkët tuajën? Dhe një pyetje tjetër për Kancelarin. Zëvendëskancelari dje bëri një pyetje, si është kjo çështja e re e refugjatëve dhe emigrantëve në lidhje me rrugën e re të Ballkanit?
Kryeministri Edi Rama: Për të krijuar një ide të qartë se çfarë na shqetëson dhe për çfarë arsye i jemi drejtuar prej disa javësh miqve tanë këtu në Austri, për të ndërtuar një bashkëpunim tani, pa pritur që gjërat të shkojnë pastaj në rrugën e vitit 2015, është që, nëse në janar – maj të vitit të kaluar, kemi pasur 162 emigrantë të parregullt, në janar – maj deri tani që flasim, numri i tyre është 2311.
Është një shifër e vogël, në rast se konsiderojmë flukset e vitit 2015, por është një shenjë shqetësuese. Për momentin, ne kemi arritur që ta administrojmë të gjithën me forcat e brendshme, por është e domosdoshme që të mospërsëriten gabimet e vitit 2015 dhe që Europa të mos gjendet e papërgatitur në rast se fluksi shkon në rritje. Kini parasysh që edhe moti i mirë është një nga faktorët që e rrisin fluksin dhe për këtë arsye, me kancelarin kemi diskutuar ekzaktësisht se si do bashkëpunojmë dhe çfarë mbështetjeje kërkojmë ne, për të qenë të gatshëm t’i përgjigjemi kërkesës legjitime që vjen nga Austria, nga Gjermania, apo nga vendet e tjera, për të luajtur rolin tonë dhe për të marrë përgjegjësinë tonë.
Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë, por vetëm, siç tregoi edhe 2015-ta, kjo gjë nuk mund të bëhet dhe ne nuk duam që në Shqipëri, njerëzit që vijnë, të merren nga një kufi e të hidhen në kufirin tjetër për të vazhduar rrugën, por duam të trajtohen në mënyrë dinjitoze, në mënyrë të rregullt dhe ne jemi të gatshëm që në këtë bashkëpunim, të vendosim në dispozicion të gjitha kapacitetet tona për të mundësuar nga njëra anë, garantimin e sigurisë së kufijve dhe nga ana tjetër, një trajtim dinjitoz të të gjithë njerëzve. Kështu që në këtë aspekt, unë e përsëris atë që tha Kancelari, që besoj se i kemi të gjitha mundësitë dhe besoj se kemi planin e duhur për ta parandaluar një rishfaqje të filmit të vitit 2015, që do ishte dramatik për të gjithë ne.
Kancelari Kurz: Për pyetjen e dytë, për pozicionin e rregullave për lëvizjen e lirë, është e qartë që programi i regjimit flet për pozicionin tonë. Gjuha është shumë e qartë dhe thënia e zëvendëskancalarit nuk duhet të interpretohet gabim.
Për pyetjen tuaj të parë, meqë ju folët për bashkëpunimin konkret që do të bëjmë me Shqipërinë, unë e falënderoj Kryeministrin shqiptar, sepse ne nuk duam që ajo që ndodhi në 2015, ajo që u bë gabim atje, ta vazhdojmë përsëri në të ardhmen. Edhe ai e shikon mjaft kritik këtë, nga një kufi, në vitin tjetër problemet nuk janë më të vogla, por po rriten dhe prandaj ne na duhet siguria e kufijve dhe ne duam që në një nivel europian ta zhvillojmë këtë. Të kemi një mbështetje europiane për Shqipërinë dhe për vendet e tjera që janë përgjatë kësaj rruge të re. Së dyti, ne duam që ta mbështesim Shqipërinë nga ana bilaterale. Ministrat e Brendshëm tashmë kanë marrë kontakt me njëri-tjetrin. Ne sot e diskutuam edhe këtë dhe shpresojmë që bisedimet të vazhdojnë në një nivel ekspertësh. Autoritetet shqiptare, policia dhe ne do mundohemi t’i mbështesim këto sa më mirë të jetë e mundur. Folëm për bashkëpunimin mjaft të ngushtë edhe me vendet e tjera në rajon, por gjithashtu folëm edhe për mbështetjen financiare që do të bëjë dhe Bashkimi Europian. Por gjithashtu bëmë dhe bisedime teknike.
Faleminderit shumë!