Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qendra e Bajzës, në Malësinë e Madhe po transformohet rrënjësisht falë projektit për rikualifikimin e saj, një investim  i shumëpritur nga banorët e qytezës. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bajzë, ku inspektoi në terren ecurinë e punimeve. Me vetëm 4 ndërtime me leje dhe 200 të tjera pa leje, me rrugë të shkatërruara dhe të bllokuara, qendra e Bajzës ishte shndërruar në shembullin më negativ të infrastrukturës, si për këmbësorët, ashtu edhe për mjetet.

Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, tha se investimi i munguar prej vitesh, po i jep më në fund qytetit panoramën që meriton. “4 ndërtime me leje, të gjitha pa leje. Rreth 200 ndërtime pa leje. Bagëti dhe kafshë nëpër rrugë. Kjo pjesë ka qenë e bllokuar të paktën për 25 vite. Banorët janë shumë të kënaqur me këtë investim.  Paralelisht vijon puna me sistemim, gjelbërimin. Përveç kësaj po prapë është ndërtuar shkolla 9-vjeçare nga financimet e Ministrisë së Financave, si dhe rruga nga kisha në Peraj që ishte katastrofë, që lidhej me autostradën. Bajza ka marrë formën e një qyteti të vërtetë  shumë simpatik.”

Por jo vetëm Bajza. Kantieret e Rilindjes Urbane  kanë shndërruar edhe zona të tjera. “Nga të gjitha qendrat, Kopliku është rregulluar, Tamara po. Edhe ai investimi që pate premtuar në Vermosh është në moment final për lidhjen e kontratës në qendrën e Vermoshit, pra në qendrën turistike. Është zhvilluar si tender. Si projekt edhe ai ka një vlerë të konsiderueshme si investim 1 miliard e 300 milionë.” – shprehet Marinaj.

Qendra në infrastrukturën e saj ruan traditën, pasi qytetarët e duan këtë. Ata shprehen të kënaqur me transformimin që po pëson qytetit i tyre. “Sot Bajza ka një pamje krejt tjetër dhe pas ca muajsh do të mund të shihni një pamje krejt tjetër, një nga qytezat më të bukura që mund të ketë Shqipëria. Investimi i jep një pamje madhështore Bajzës. Kishte një pamje prej të cilës ndiheshe i turpëruar të thoje “jam bajzan”, që dikur quhej kryeqyteti i Malësisë së Madhe.” – shprehet një prej tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.