Klementi dhe Merushja janë banorë brez pas brezi të Baldushkut, që si shumë të tjerë, fatkeqësia e 26 nëntorit i la pa shtëpi. Por jo edhe për shumë kohë, pasi ndërtesa e re është në përfundim e sipër, me standarde dhe kushte më të mira se ajo që humbën. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Baldushk, aty ku 43 shtëpi individuale, po ngrihen nga themelet, tashmë edhe më pranë zonave ku ofrohen shërbimet për banorët.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se të gjitha shtëpitë ndodhen në të njëjtën fazë ndërtimi, shumë pranë përfundimit të tyre. “Këtu është një çift, Klementi me Merushen, denbabaden banorë të kësaj zone. Nga 50 shtëpi që kemi si kjo, 7 janë në Berzhitë dhe 43 janë këtu në Baldushk. Jemi në fazën e fundit, ku po bëhet veshja me polisterol edhe për eficencën energjitike dhe për të ulur kostot. Është shtëpia tipike 2+1, e cila ka dy dhoma, dhomën e ndenjes dhe një verandë. Brenda një jave nisin të dorëzohen shtëpitë e para, ku do të hyjnë familjet. Kur të mbarojnë shtëpitë individuale fillojnë të qendërzuarat”, – shpjegoi Veliaj.
Kryefamiljari, i cili ka mundësinë t’i ndjekē vetë punimet e shtëpisë së re, falenderoi Kryeministrin për kohën e shpejtë brenda së cilës gjithçka do të jetë gati. Ndërkohë, Kryeministri siguroi se “do ta bëjmë siç e kemi premtuar. Më e madhe, më e fortë, më e bukur se ajo që ishte. Kështu që gjithë kjo periudhë që keni hequr keq do kalojë, do të harrohet, por shtëpia do të mbetet aty për ju, për nipa e mbesa.”
Ministri për Rindërtimin Ahmetaj tha se shtëpitë e reja që po ndërtohen do të kenë lehtësisht të aksesueshme zonën e shërbimeve. “Selitë e shtëpive që janë në distancë nga infrastruktura, edhe këtu në Tiranë, edhe në bashkitë e tjera, po mundohemi t’i zbresim poshtë, t’i grupojmë, afër shkollës, afër qendrës shëndetësore, afër ujit dhe nuk janë pak.”
Lidhur me këtë, Kryetari i Bashkisë Veliaj shtoi se “në këtë rast shtëpia do të ketë më shumë vlerë se është buzë rrugës, është më e madhe, është më e mirë.”
Ndërsa, Kryeministri Rama u shpreh se banorët do të lehtësojnë ndjeshëm jetën e tyre të përditshme, duke mos humbur asgjë nga toka që kishin më parë. “Ajo që ne kemi thënë që ditën e parë është që nuk do t’ja u marrim tokën. Toka që kanë është e tyrja, atë do ta mbajnë dhe të vetmit persona që do ta bëjnë atë rrugë do të jenë ata që do të shkojnë tek toka, do të punojnë tokën. Kurse fëmijët, të moshuarit, gratë janë afër njëri-tjetrit, janë afër zonës ku ka shërbime. Përse duhet të bëjnë të gjithë rrugë, ik e eja për arsye të tokës? Toka rri atje, madje duke ikur dhe shtëpia bëhet më e integruar, më e plotë. Punojnë tokën atje dhe të tjerët vazhdojnë jetën poshtë. Ndërkohë që në këtë mënyrë arrijnë të bëjnë edhe marrëveshje me njëri-tjetrin. Vendosin njerëz që të kujdesen për tokën.”- tha Kryeministri.