Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Ballkani i Hapur” po zhvillon takimin e radhës në Tiranë. Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në një ceremoni të posaçme në Pallatin e Brigadave, ku u zhvillua më pas takimi mes tyre, me pjesëmarrjen online të Komisionerit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi, si dhe të ekipeve përkatëse nga secili vend.

Në fjalën e mirëseardhjes kryeministri Rama vlerësoi Ballkanin e hapur si gjithëpërfshirës dhe inkurajoi pjesëmarrje më të gjerë nga rajoni, duke theksuar ndërkohë që nisma do të vijojë të progresojë në interesin më të mirë të njerëzve.

 

* * *

Mirëmëngjesi të gjithëve! I dashur Alexander, i dashur Zoran, të dashur miq të rajonit! Është kënaqësi e vërtetë t’ju uroj mirëseardhjen sot! Jam shumë i kënaqur t’ju them se sot një moment kyç i procesit tonë sepse marrëveshjet që do të nënshkruhen do të përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm përpara drejt objektivit tonë, që është të garantojmë lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

Më lejoni që të kaloj nëpër secilën shtyllë të “Ballkanit të Hapur”, duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë pasi “Ballkani i Hapur” është një nismë gjithëpërfshirëse dhe sigurisht, duke inkurajuar të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje, por ndërkohë ne po ecim përpara sepse kjo është ajo për të cilën kemi nevojë dhe çka duhet të bëjmë për të mirën e njerëzve tanë.

Në fushën e lirisë së lëvizjes së mallrave, sot do të nënshkruajmë marrëveshjen trepalëshe për lehtësimin e import-eksporteve, të kafshëve të gjalla dhe njohjes së ndërsjellë të dokumentacionit të lëshuar nga organizmat tona zyrtare të akreditimit, si dhe zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të lehtësimit të import-eksporteve  dhe kalimit transit të mallrave midis ne të treve, që është nënshkruar tashmë korrikun e shkuar në Shkup.

Sot do të nënshkruajmë gjithashtu marrëveshjen për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, ushqimit, sigurisë ushqimore dhe asaj fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Më lejoni që t’i kthehem faktit se sa herë kemi folur për këtë gjë, sa herë kemi rënë dakord më parim për këtë, përmes Procesit të Berlinit dhe është Ballkani i Hapur që po e bën këtë gjë. Mund të tingëllojë teknike, por marrëveshja përfaqëson një gur kilometrik të bashkëpunimit tonë në drejtimin e tregtisë, ushqimit dhe zërave fitosanitare gjithashtu edhe sigurisë ushqimore, eksporteve dhe jep një mundësi të jashtëzakonshme për bizneset dhe prodhuesit tanë bujqësore. Ajo heq, në praktikë, një pengesë të vazhdueshme të dëmshme për fermerët tanë dhe prodhuesit në të gjitha vendet.

“Ballkani i Hapur” është një aspiratë po aq sa dhe një nismë. Në këtë kuptim, çdo hap apo rast e shembull i bashkëpunimit dypalësh, trepalësh e shumëpalësh midis nesh është një hap përpara që e hap Ballkanin dhe e përgatit atë për integrimin në BE dhe për tregun e  përbashkët të BE.

Në lidhje me këtë, bashkëpunimi ynë trepalësh përplotësohet nga bashkëpunimi i përshpejtuar dypalësh. Ne po nënshkruajmë sot marrëveshje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe midis Shqipërisë dhe Serbisë për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë, duke shënuar një hap përpara në lehtësimin e procedurave tregtare midis nesh.

Më duhet të them që ekipet tona kanë bërë një punë të shkëlqyer për të finalizuar protokollet e zbatimit për marrëveshjet kuadër mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, që është nënshkruar qershorin e kaluar.

Në fushën e lirisë së lëvizjes së njerëzve, ne po bëjmë një përparim real sot duke nënshkruar marrëveshjen trepalëshe për heqjen e lejeve të punës, duke minimizuar dhe njehsuar kërkesat tona për qytetarët që ata të kërkojnë punësim dhe për pasojë, të lejohen të qëndrojnë në vendet tona. Duke bërë një gjë të tillë, ne flasim për gjëra konkrete dhe po ndërmarrim hapa vërtetë domethënëse përpara për të liberalizuar tregjet tona të punës,  duke krijuar më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe duke e bërë rajonin më tërheqës për investimet e huaja.

Na duhet ta hapim rajonin përkundrejt lëvizshmërisë të gjithë profesionistëve, studentëve, investuesve dhe të vete punësuarve.

Në fushën e lirisë së lëvizjes së shërbimeve, sot kemi bërë një hap të parë dhe të rëndësishëm, duke përmirësuar ndërlidhjen, që do të thotë hapje e rrugës së ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët tanë. Ky hap do të na ndihmojë që të zgjerojmë listën e shërbimeve që mund të ofrohen elektronikisht për qytetarët tanë pavarësisht se ku gjenden ata.

Ka ende një gamë të gjerë shërbimesh ku ne mundemi dhe duhet të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, në fushën e turizmit për shembull, që është fushë e një rëndësie jetike sidomos në kontekstin pas pandemisë,dhe duhet të ecim përpara drejt njohjes së ndërsjellë të operatorëve turistikë e jo vetëm të ndalemi tek bashkimi i këtyre operatorëve turistik.

Duhet të thellojmë bashkëpunimin në fushën e lirisë së lëvizjes së kapitalit dhe shërbimeve financiare, të përpiqemi që të tërheqim investues global e europianë drejt rajonit tonë, duke u ofruar atyre një hapësirë tërësisht të re imagjinate dhe zgjerimi. Për ta bërë këtë duhet të bëjmë për së pari ndryshime të mëtejshme në çdo mënyrë që mundemi, të mendësisë, për të kaluar nga klisheja e konkurrencës dhe marrjes së një tregu apo një tjetri nga investuesi, duke krijuar një treg të përbashkët të rajonit bazuar në rregullat e direktivat e BE e në bazë të vullnetit dhe autorësisë politike.

Në deklaratën e samitit të Beogradit, i kërkuam Bashkimit Europian që të eksplorojë sëbashku me ne disa nga fushat kyçe, ku ne mund të kemi qasje graduale në fondet komunitare për të përafruar dhe acquis–të  në këtë fushë si novacioni, kërkimi, arsimi i lartë, bujqësia, tregtia dhe shërbimet elektronike. Në përputhje me këtë deklaratë kemi ftuar në samitin në Tiranë rektorë e dekanë të universitetit të bujqësisë së vendeve tona. Kjo është shumë e rëndësishme, që ata të krijojnë lidhje e bashkëpunim pikë së pari përpara se sa të kërkojnë bashkëpunim me homologët europianë. Na duhet t’i bëjmë universitetet tona si qendra të zhvillimit komunitar, gjithashtu dhe qendra të kërkimit për bashkëpunimin rajonal, integrimin europian dhe procese të tjera jetike. Në lidhje me këtë, do të nisim një rrjet të ekspertëve të nivelit të lartë, të monitorojmë zbatimin e  marrëveshjeve të arritura në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe do t’ju kërkoj të gjithë partnerëve rreth kësaj tryeze që ta mbështesni një rrjet të tillë.

Mund të vazhdoj pa fund, por sërish dua të theksoj se çfarë është në sytë e mi pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme. Ballkani i Hapur shërben për të injektuar dinamizëm në bashkëpunimin rajonal, qoftë midis të tre neve apo të gjashtëve e në kuadër të tregut të përbashkët, CEFTA-s dhe komunitetit të transportit.

Ne kemi punuar në mënyrë dinamike me këshillin rajonal, me CEFTA-n dhe me komunitetin e transportit, si dhe me një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare si dhe me Bankën Botërore dhe Digi Connect për të modernizuar pikat e kalimit kufitar me synim për t’i kthyer në sportele të vetme dhe në pika të vetme ndalese. Ky bashkëpunim është dypalësh ose trepalësh dhe synimi mbetet i njëjtë, zbatimi i shpejtë i katër lirive të tregut të vetëm dhe përgatitja e vendeve tona që të bashkohen me kalimin e kohës në tregun e përbashkët t BE-së.

Dua ta përmbyll këtë koment, këtë hyrje të shkurtër duke thënë se sot nënshkrimi i marrëveshjeve të përgatitura me mjaft zell e gatishmëri nga ekipet tona, shërbejnë për të përçuar një mesazh mjaft konkret tek njerëzit, sidomos tek prodhuesit, tek fermerët, tek eksportuesit, tek importuesit, të cilët janë tashmë duke punuar në këtë hapësirë të përbashkët.

Mesazhi është që me këto marrëveshje 2022 do të jetë një epokë e re, fillesa e diçkaje krejt të ndryshme për ta, kur vjen fjala e shkuarjes nga pika A në pikën B e për të kaluar nëpër kufij të ndryshëm, sepse bazuar në këto marrëveshje e bazuar në ato çka do të bëjmë, shumë shpejt në fillim të vitit të ri, për të plotësuar tërësisht kuadrin e operacioneve të veprimtarive të tyre, ata nuk do të përjetojnë më ato dhimbje koke të kaq kohëve dhe stresin e kaq kohëve të pritjes në kufi e gjithçka do të ecë mirë.

Jam i sigurt që numri i njerëzve, i ndërmarrjeve të vogla e të mëdha, të cilat tashmë punojnë midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të rritet më tej, sepse kjo ndërlidhje jo vetëm do të jetë për subjektet që tashmë operojnë, por dhe për të tjerë e do ta bëjë shumë të qartë që kjo hapësirë do të bëhet gjithmonë e më tepër dinamike e të bërit të biznesit, qarkullimi i mallrave, qarkullimi i kapitalit, qarkullimi i shërbimeve dhe qarkullimi i njerëzve është tashmë një praktikë krejt e re.

Duke falënderuar dhe një herë Aleksandrin dhe Zoranin e gjithashtu të gjithë ata që ndodhen rreth kësaj tryeze e përtej kësaj tryeze, duke qenë se janë përfshirë shumë ekspertë nga të trija vendet tona, kam kënaqësinë tashmë që t’i jap fjalën Aleksandar Vuçiç, Presidentit të Republikës së Serbisë dhe menjëherë pas tij, Zoran Zaev, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Faleminderit shumë!

* * *

Pas fjalëve përshëndetëse të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, si dhe të Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi, Kryeministri Rama u shpreh për të pranishmit:

Faleminderit me gjithë zemër! Faleminderit Komisioner! Nuk e di nëse e kupton, por ke prekur një pikë goxha të dobët të të gjithëve, duke thënë që jam nga Ballkani edhe pse jam nga Hungaria, që do të thotë që Ballkani përfshin Greqinë, Hungarinë, Kroacinë dhe Turqinë. Bullgaria dhe Rumania, nuk e di pse, sikur hezitojnë të bëhen pjesë tani.

Të gjitha këto vende dhe gjithë këta njerëz përpiqen që ta heqin qafe emrin Ballkan dhe tani mendojnë që ai po bëhet tërheqës. Do bëhet gjithmonë e më shumë tërheqës, jam i sigurt, dhe në të njëjtën kohë, jemi tërësisht të vetëdijshëm, sa i takon një lloj hezitimi në disa prej kancelarive, por megjithatë, duke pasur mbështetjen e plotë te administratës amerikane për “Ballkanin e Hapur”, duke pasur mbështetjen e plotë të disa anëtarëve të rëndësishëm të Bashkimit Europian, konkretisht të Francës dhe Holandës e të tjerëve, duke pasur mbështetjen tuaj të plotë të Bruksel, ne e theksojmë se ju takon veprave për ta treguar se çfarë është kjo nismë integruese sesa fjalëve. Kjo tryezë është e hapur për të 6 pjesëtarët e komunitetit të Ballkanit Perëndimor dhe u takon tre të tjerëve që të vijnë e të bëhen pjesë.

Ne jemi këtu.

Ne do të vazhdojmë të ecim përpara.

Ne nuk do të rrimë në vend.

Ne nuk do të fshihemi.

Mbetja në vend për të folur për të folur për retorikën e “Procesit të Berlinit”, për tregun e përbashkët rajonal, duke qenë se “Ballkani i Hapur” është njësia e zbatimit të të dyjave, e “Procesit të Berlinit” dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Ata që duan që “Procesi i Berlinit” të ecë përpara, duhet të jenë pjesë të “Ballkanit të Hapur”. Ai që do vërtetë që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionojë dhe të bëhet, duhet të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Ballkani i Hapur” ka të bëjë me punë, dhe marrëveshjet që po nënshkruajmë, sot flasin vetë për këtë. Duke pasur, për shembull, një sistem të përbashkët elektronik për të gjithë qytetarët e Ballkanit të Hapur, i cili do ofrojë kode dhe nënshkrime elektronike për të zhvilluar çdo lloj ndërveprimi në vendin ku duan të rrinë, në vendin ku duan të punojnë, në vendin ku duan të investojnë, kjo është treg i përbashkët e përtej.

Pasja e procedurave online, me një numër shumë të kufizuar dokumentacioni për t’u qasur lirisht tregjeve të vendeve të “Ballkanit të Hapur” flet vetë, dhe nuk do përsëris të gjitha marrëveshjet, por duke u dhënë njerëzve tanë, që punojnë në sektorin bujqësor apo që merren me gjënë e gjallë, apo gjithashtu që merren me import-eksportin në këtë rajon, është diçka e jashtëzakonshme për ta sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk mund ta eksportojnë mish në Bashkimin Europian dhe industria e mishit po vuan shumë nga izolimi. Kështu që, hapja e tregut të ri është diçka e jashtëzakonshme për ta.

Sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk mund të eksportojmë mish në BE për shembull dhe industria e misit po vuan shumë nga izolimi, kështu që hapja e tregut të ri, është diçka e jashtëzakonshëm për ta, ashtu siç është e jashtëzakonshme për të gjithë fermerët e të gjithë eksportuesit e produkteve bujqësore, për të mos u marrë më me laboratorë të ndryshëm, me autorizime të ndryshme, me leje të ndryshme, duke njehsuar doganat. Një nga gjërat që na thanë  njerëzit në momentin që i pyetëm apo që ju kërkuam të na thonin nga të gjitha sektorët e vendeve që ne përfaqësojmë, ishte si t’i mbijetojnë stresit të mënyrave të ndryshme të punës me doganat, të kohës me doganat. Unifikimi i këtyre procedurave të doganave duke lejuar një akses 24 orë në ditë, 7 ditë  të javës, çfarë është përveç se një treg i përbashkët rajonal? Do të ndalem këtu sepse është bindja ime se të gjithë ata të cilët kundërshtojnë Ballkanin e Hapur, e dinë të gjithë, nuk është shkencë bërthamore. Kur thonë që nuk duan Ballkanin e Hapur, por duan procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët, sinqerisht duan diçka tjetër sepse nëse duan procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal duhet të vijnë me vrap e të ulen rreth kësaj tryeze, por nëse kërkojnë të tjera gjëra, atëherë ka tryeza të tjera, ka hapësira të tjera. Kjo hapësirë ka të bëjë me realitetin e jetës së qytetarëve tanë.

Faleminderit Komisioner,

Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e ri juve, familjes suaj, të gjithëve atyre që janë të dashurit tuaj e po kështu edhe vendit tuaj të vogël e federatës tuaj të madhe të vendeve, Hungarisë dhe Bashkimit Europian.

Me këtë do të përmbyll pjesën e transmetuar televizive e do të vazhdojmë me diskutimet e brendshme përreth tryezës me miqtë tanë të shquar dhe me ekipet tona.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.