Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Mirëmëngjesi!
E para është vështirë të dalloj se kush janë shqiptarët kush janë serbët, se kështu dukeni të gjithë njësoj. Megjithatë, ju uroj mirëseardhjen të gjithëve dhe veçanërisht miqve nga Beogradi. Shpresoj që keni kaluar mirë deri tani. Shpresoj që keni fjetur mirë. Shpresoj që të keni zbuluar që “alienët” janë njësoj siç jeni dhe ju, qofshin “alienët” që kanë ardhur nga Beogradi qofshin “alienët” që keni gjetur këtu në Tiranë.
Ndërkohë që për ne është një ditë e shënuar, sepse ky është takimi i parë në histori mes njerëzish të zakonshëm të dyja vendeve tona mes vajzash dhe djemsh të një gjenerate tjetër që unë uroj ne të jemi duke e përfaqësuar në ëndrrat dhe në shpresat e veta për të jetuar sëbashku në një fqinjësi që për kaq shumë kohë ka qenë një fqinjësi e pamundur dhe që për kaq shumë arsye jo vetëm që duhet të jetë një fqinjësi normale, por padyshim mund të jetë një fqinjësi me përfitime të mëdha reciproke për njëri-tjetrin.
Këtu ju jeni në godinën e qeverisë së Shqipërisë. Ne kemi transformuar katin e parë të godinës në një hapësirë për publikun. Kjo është Qendra për Hapje dhe Dialog, që është lënë në dispozicion publikut, i është lënë në dispozicion dashamirësve të historisë së qeverisë dhe të qeverisjes në Shqipëri, dashamirësve të artit, të kulturës, të filmit, të muzikës, të teatrit. Njëkohësisht i është lënë në dispozicion të gjithë atyre që kanë dëshirë dhe ide për të çuar përpara dialogun mes njerëzve për tema nga më të ndryshmet. Prandaj, përfitoj nga rasti t’ju them që edhe ju që vini këtu për herë të parë jeni të lirë të parafytyroni se mund të riktheheni nëse keni ndonjë ide për ta shfrytëzuar këtë hapësirë bashkë me miqtë tuaj më të rinj, por edhe për ide dhe tema nga më të ndryshmet.
Dua t’i falenderoj dy prej jush.
Njërin që më dhuroi një album me muzikë xhaz dhe më ftoi që edicionin e ardhshëm të “Festivalit të Xhazit”, që ai apo ai bashkë më të tjerët organizojnë, të çojmë dhe një grup nga Shqipëria. Dhe tjetrin që më dhuroi një axhendë dhe më tha mund të vazhdosh të vizatosh këtu tek axhenda ime. I falenderoj që të dy. Shpresoj shumë që këto momente që do kalojmë sëbashku ta pasurojnë kohën e qëndrimit tuaj këtu në Shqipëri.
Nuk po zgajtem më shumë përsa i përket pjesës tuaj, sepse është pjesa më e qartë dhe nuk ka nevojë për shumë fjalë. Ky fakt flet më shumë sesa çdo fjalë.
Ju falenderoj edhe për bluzat tuaja që i bëjnë jehonë qoftë nevojës për të udhëhequr ndryshimin dhe për të qenë ndryshimi në një zonë të Europës, ku ka kaq shumë nevojë për ndryshim, për ndërveprim dhe për integrim në Bashkimin Europian. Po i bëjnë jehonë edhe ndeshjes përmes fjalëve të Michael Jordan. Dhe ju që vini nga Beogradi keni shumë memorie historike dhe aktuale për basketbollin se jetoni në një tokë të mbushur me yje të sportit tim më të dashur. Megjithatë, besoj që, nuk keni kundërshtim që Michael Jordan është Michael Jordan.
Kështu që jehona e fjalëve të Michael Jordan në T-shirt që unë pashë: “Just play, have fun, enjoy the game” duhet t’u vlejë të gjithë atyre që sot do të shkojnë në stadium, të gjithë atyre që sot do të ndjekin ndeshjen. Nuk e fshehim që është një ndeshje me emocione shumë të forta. Por ju e dini vetë që kur luan Partizani me Crvena Zvezda bëhej nami, që do të thotë që sa herë ka ndeshje mes komshinjve, komshinjtë mundohen t’i nxjerrin edhe sytë njeri-tjetrit.
Megjithatë është me një rëndësi shumë të madhe që Shqipëria të fitojë.
Ministri do të thotë që është me rëndësi shumë të madhe që Serbia të fitojë, por me rëndësi akoma më të madhe është që të fitojë qytetërimi që ne së bashku përfaqësojmë sot dhe duam të mishërojmë njëherë e përgjithmonë në Ballkan dhe në këtë zonë të fqinjësisë sonë.
Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fitojë mbi të gjitha imazhi i Shqipërisë, të fitojë tradita e mikpritjes dhe e respektit, jo vetëm për mikun, por edhe për kundërshtarin.
Në kodet tona të vjetra ka një sërë porosish për mënyrën se si duhet trajtuar me respekt edhe armiku, për më tepër që ne s’jemi më armiq, përkundrazi në fushën e futbollit jemi kundërshtarë, ndërsa në fushën e gjerë të jetës tonë të përbashkët duam të jem miq dhe miq përditë e më të mirë.
Më vjen shumë keq që dje një djalë 14-15 vjeçar hodhi një gur drejt autobusit të skuadrës kombëtare të Serbisë. Kjo tregon se sa shumë ka ende për të bërë dhe se pavarësisht se gjenerata tjetër, gjenerata juaj, mbart me vete etjen e madhe për ndryshim dhe sjell me vete ëndrrat e një bote të re, rreziku i nacionalizmit, rreziku i frymës së urrejtjes dhe të përjashtimit është i pranishëm gjithmonë edhe brenda çdo gjenerate tjetër.
Prandaj na duhet të bëjmë gjithnjë e më shumë për edukimin, gjithnjë e më shumë për njohjen e vlerave të bashkëjetesës, e vlerave të mëdha, që në fakt ashtu siç na i kanë mësuar ne prindërit tanë dhe të parët tanë, më siguri ashtu ua kanë mësuar edhe ju në shtëpitë tuaja. Uroj shumë që gjithë ky udhëtim historik të përfundojë ashtu siç ka filluar. Uroj shumë që edhe ndeshja sot, pavarësisht nga rezultati, të jetë një arsye për të pasur më shumë shpresë, më shumë dëshirë për të vazhduar të komunikojmë, për të vazhduar bashkëpunojmë dhe për të vazhduar t’i shohim sukseset e së nesërmes si suksese të përbashkëta. Jemi shumë të vegjël për të qëndruar vetëm dhe për të mos bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Ballkani është më i madh se çdonjëri nga vendet tona dhe rënia e kufijve mes nesh dhe mes gjithë vendeve të Ballkanit është një domosdoshmëri për të pasur një hapësirë shumë më të madhe për ekonominë, për kulturën, për mirëqenien e gjeneratës tuaj dhe të gjeneratave të tjera.
Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë vajzave dhe djemve që kanë ardhur nga Beogradi dhe që kanë hedhur hapin e parë për të mishëruar në realitet një projekt fantastik; Projektin e shkëmbimeve rinore që sëbashku me Kryeministrin e Serbisë e kemi vënë në lëvizje dhe ua kemi propozuar edhe kryeministrave të tjerë të rajonit dhe të gjithë sëbashku e kemi firmosur në Vjenë, në fund të gushtit që sapo kaloi, të frymëzuar nga modeli shumë i suksesshëm i shkëmbimeve rinore mes të rinjve francezë e gjermanë, pas Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e Dytë Botërore ishte një gjëmë e madhe në jetën e popujve, ishte një gjëmë e madhe në jetën e popullit francez dhe popullit gjerman dhe kapërcimi i një lumi të madh gjaku mes tyre u bë duke filluar nga çelja e rrugës për shkëmbimet rinore.
Unë besoj që Shqipëria dhe Serbia, serbët dhe shqiptarët mund të bëjnë për Ballkanin, atë që Franca dhe Gjermania, francezët dhe gjermanët bënë për Europën.
Europa e Bashkuar është ngritur mbi atë kthesë historike në marrëdhëniet me Francës dhe Gjermanisë. Ballkani i të nesërmes do të ndërtohet mbi këtë kthesë historike mes shqiptarëve dhe serbëve.
Shpresoj shumë që, pasi ju të ktheheni në Beograd dhe t’i tregoni njerëzve se faktikisht nuk patë asgjë që ishte ndryshe nga jeta juaj e përditshme atje dhe se “alienët” ishin njësoj si ju, atëherë, ne do të ecim me projektin e dytë që kemi dakordësuar bashkë me Kryeministrin e Serbisë, për të bërë një shkëmbim të rinjsh në administratë, ku një grup të rinjsh në administratën tonë të shkojnë dhe të punojnë si intern për programin e intershipit në administratën e vendit tuaj, për një periudhë të caktuar kohe dhe të rinj nga administrata e vendit tuaj të vijnë të punojnë në administratën tonë.
Këto janë sigurisht simbolike për nga numrat, por janë jashtëzakonisht të rëndësishme për nga domethënia dhe për cilësia e re që sjellin në marrëdhëniet mes nesh.
Shumë faleminderit dhe përpara sesa unë t’ju bëj ciceronin për këtë godinë, me shumë kënaqësi ia jap fjalën të Arsimit të Serbisë, i cili vjen në Shqipëri për herë të tretë. Kjo tregon se ajo që them unë mbetet e vërtetë, jo vetëm për serbët, por për të gjithë njerëzit që nuk e njohin Shqipërinë. Shqipëria është një vend ku është vështirë të vish për herë të parë, se çfarë nuk dëgjon për Shqipërinë dhe mendon si do shkoj atje. Por, Shqipëria është një vend ku kush vjen një herë, do gjithmonë të rikthehet. Unë nuk kam parë deri më sot, asnjë të huaj që ka ardhur në Shqipëri dhe s’ka dashur të vijë prapë e prapë. Kështu që jam i sigurt që ju pasi të shkoni në Durrës, do ta mendoni si do të riktheheni që verën e ardhshme, për të kaluar pushimet me prindërit tuaj.
***
Pavarësisht se ministri tha se ardhja juaj këtu nuk është historike, më besoni mua që është shumë historike. Nga ana tjetër jam shumë dakord me ministrin që në fakt, ajo që do ta bëjë historike, jo vetëm këtë vizitë, por që do t’i fusë në histori shkëmbimet e para, jo të lehta, në ndonjë moment edhe të vështira, mes nesh është pikërisht ajo që do të ndodhë në 10 vitet e ardhshme, ku pa asnjë dyshim, popujt tanë do të shikojnë të mirat e mëdha të këtij transformimi rrënjësor të marrëdhënieve mes nesh.
Tani, unë kam shumë kënaqësi që miqve tanë nga Beogradi t’ju prezantoj Ministren tonë dhe t’i jap fjalën, me falenderimin më të sinqertë për organizimin e shkëlqyer të këtij udhëtimi, të këtij takimi, të këtij prezantimi dhe njëkohësisht, me bindjen se në fushën e shkëmbimeve mes dy ministrive dhe dy palëve në arsim ka një horizont të pafund mundësish, që na takon ne sëbashku t’i vëmë në dispozicion të njëri-tjetrit dhe të të ardhmes tonë të përbashkët europiane, këtu në Ballkanin që vendosmërisht e duam europian dhe rrënjësisht të transformuar në raport me të shkuarën.
***
Një grup studentësh nga Serbia vizituan sot, Qendrën për Hapje e Dialog, në katin e parë të godinës së Kryeministrisë. Mikpritësi i tyre ishte Kryeministri Edi Rama.
Studentët ndodhen në Shqipëri si pjesë e një programi të bashkëpunimit rinor midis Ministrisë së Arsimit të dy vendeve. Sëbashku me një grup studentësh shqiptarë, ata do të jenë të pranishëm edhe në stadiumin Elbasan Arena, për të ndjekur ndeshjen e futbollit midis ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Serbisë.
Studentët, të cilët mbanin veshur T-Shirt me logon “Lead the change”, përcollën mesazhin se të rinjtë mund të bëhen bartës së ndryshimit dhe të ndërtojnë urat e komunikimit dhe miqësisë mes dy vendeve tona.
Pas një bisede të lirshme dhe shumë miqësore me ta, Kryeministri mori për një moment rolin e udhërrëfyesit, duke ju treguar pasi ju shpjegoi fillimisht idenë dhe qëllimin e Qendrës për Hapje e Dialog, edhe ambientet e punës në Kryeministri.
***
Kryeministri Rama: “Tani është momenti që mbas nesh të flasin disa prej jush. Unë jam shumë i interesuar që të dëgjojmë përshtypjet e drejtpërdrejta, pas takimit të parë mes “alienëve”. Si ishte nata e parë me “alienët”?”
Studente nga Shqipëria: “Përshëndetje! Unë quhem Ela. Dua të përcjell, përveçse sa mirë kaluam ne dje, ne jemi mbledhur këtu për një mesazh akoma më të madh. Në fakt janë dy mesazhe, një është afatshkurtër dhe tjetri është afatgjatë. Ai afatshkurtër është që ne do të kënaqemi sot në ndeshje, do ta shijojmë atë. Kurse tjetri flet për ndryshimin. Pikërisht atë ndryshim që ne e pamë dje në shtëpitë tona. Ndryshimi erdhi nga ne. Unë dua të flas shumë pak dhe dua t’ju them të gjithëve që ta shijojmë ndeshjen sot. Doja të përmendja faktin që ne të gjithë kemi veshur bluza të njëjta, që do të thotë që midis nesh nuk ka diferencë.”
Studente nga Serbia: “Unë quhem Lidia. Unë studioj gjuhën shqipe. Ne të gjithë jemi pjesë në këtë projekt. Ne kemi të njëjtin mesazh, sepse kemi qenë dy ditë bashkë. Kemi qenë të lumtur, të kuptueshëm dhe miqësorë. Unë vërtet mendoj se do të jemi shokë për kohë të gjatë.
Kryeministri: Së pari, si e di shqipen?
Lidia: Është një gjuhë shumë specifike. Duke qenë se jemi fqinj, ndoshta nuk i dimë gjuhët përkatëse. Ju nuk dini serbisht, unë tani di pak shqip, por dy vjet më parë nuk e dija.
Kryeministri: Pse ke zgjedhur shqipen?
Lidia: Sepse është gjuhë e ndryshme. Sepse ne jemi fqinj dhe më pëlqejnë këto gjërat e ndryshme.
Kryeministri: Pyetja e dytë, si ishte ushqimi?
Lidia: Më pëlqen shumë trileçe. Në fakt, kush më njeh tani, e di që më pëlqen shumë trileçe.
Kryeministri: Si janë djemtë shqiptarë?
Lidia: Është sekret.
Kryeministri: Tani do të dëshiroja t’ju ftoja për të vizituar pjesën tjetër të godinës. Ky është holli që është përdorur për ekspozita, po ashtu për debat, në përputhje me programin që ka Qendra. Ne besojmë që, ndërkohë që protestat sigurisht nuk mund të zhvillohen këtu brenda, por edhe gjatë protestave të studentëve, të punëtorëve, të akademikëve, të kujtdo qoftë, kanë nevojë për dialog. Kështu që, nëse protestuesit duan të çojnë një grup për të dialoguar me qeverinë dhe për të shfrytëzuar në kohë reale televizive mundësinë që argumentet e tyre të dëgjohen, por edhe për të na dhënë mundësinë që argumentet tona të dëgjohen, në këtë holl ata mund ta bëjnë këtë dhe mund ta rezervojnë falas.
Ndërkohë që pamjet që shikoni këtu janë tre vepra të ekspozitës së parë, që ishte ekspozita çelëse e Qendrës, nga një artist shumë i njohur gjerman, Thomas Demand. Kjo pamje që shikoni këtu i referohet një momenti shumë interesant historik, panairit të madh të punës në New York, të para Luftës së Dytë Botërore, që kishte një logo që lidhej me afrimin e popujve përmes të konsumuarit. Kjo është rimarrja, por e pambaruar e logos, që janë dy duar që shtrëngojnë njëra-tjetrën.
Në hyrje, ju patë objektin që është bërë objekt debati. Ka njerëz që janë shumë të palumtur me faktin që ne kemi vendosur aty atë objekt, i cili faktikisht është një vepër arti e një artisti tjetër shumë të famshëm, Philippe Parreno dhe ka një kuptim shumë të thjeshtë, ç’mitizon godinat hijerënda dhe krijon një akses më të lehtë për marrëdhëniet mes publikut dhe godinave historike, duke pasur këtë formë transparente, të ndritshme, të lehtë, që të kujton hyrjet e teatrove, të kinemave dhe që, faktikisht, lë shumë vend për komunikim.
Ndërkohë që kërpudha, që ndoshta nuk e keni parë, por do ta shikoni, në kopshtin në të majtë është një tjetër vepër e një artisti tjetër shumë të famshëm, Carsten Holler. Të gjitha këto janë donacione për këtë Qendër, që ne synojmë vit pas viti të krijojë dhe një koleksion të çmuar të artit bashkëkohor, duke përfituar edhe nga fakti që kjo është hapësira e vetme e këtij lloji në Europë, – në botë nuk e di, se bota është shumë e madhe, – ku pushteti dhe qytetarët ndërveprojnë dhe fizikisht, një hapësirë është e qytetarëve, një hapësirë tjetër është e pushtetit.”