Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama përshëndeti të enjten, prezantimin në tregun shqiptar të bankës më të re, Bankës Amerikane të Investimeve. BAI, pjesë e një grupi investimesh, NHC Capital, me një portofol prej 3 miliardë dollarësh pritet të japë një kontribut direkt në rritjen ekonomike në vend, duke rritur kreditimin për bizneset shqiptare.

“Dua të kujtoj faktin që filli i pranisë së investimeve amerikane në Shqipëri nis pikërisht me Bankën Amerikane të Shqipërisë, e cila faktikisht çeli një epokë të re në sistemin tonë bankar. Pa dyshim ndihet nevoja për një sofistikim të mëtejshëm dhe përsa më takon mua dhe përsa na takon ne si qeveri ndihet shumë nevoja që bankat të risin kreditimin e ekonomisë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Në fushën financiare, NCH Capital ka pasur një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në administrim bankash, shoqëri sigurimesh dhe institucione financiare. Një pjesë e madhe e financimeve të saj shkojnë në bujqësi, duke e bërë NCH Capital një nga operatorët më të mëdhenj të fermave në botë.

“Investimet amerikane në Shqipëri janë rritur, janë konsoliduar dhe aktualisht numërohen 157 sipërmarrje amerikane apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan, të përqendruara kryesisht në Tiranë, por edhe në Durrës, edhe në Vlorë, megjithatë janë jashtëzakonisht shumë pak për të mishëruar edhe në sektorin e ekonomisë dhe të sipërmarrjes, dashurinë e madhe shqiptaro-amerikane. Kështu që ne jemi absolutisht të vendosur që ta çojmë përpara, me gjithçka mundemi, materializimin e kësaj dashurie në ekonomi, në sipërmarrje, në praninë më të madhe të investimeve me kapital amerikan apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan, edhe për një arsye tjetër që nuk ka të bëjë thjesht me rritjen e financimeve për ekonominë tonë, por ka të bëjë edhe me kulturën e sipërmarrjes, me shpirtin e aventurës së sipërmarrësve që amerikanët e kanë posaçërisht të spikatur dhe sigurisht edhe me kulturën e disiplinës që këto sipërmarrje krijojnë edhe për shqiptarët”, shtoi Kryeministri.

Përmirësimi i klimës së biznesit dhe legjislacionit, lehtësimi i procedurave për fillimin e një biznesi kanë nxitur rritjen e mëtejshme investimeve të huaja direkte.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.