Fjala e Kryeministrit Rama në nënshkrimin e dy marrëveshjeve të huas me Bankën Botërore:
E nderuar Znj. Tuck,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar pjesëmarrës,
Ky është një moment përmbylljeje dhe fillimi të ri të një vendi që po lë pas një periudhë tranzicioni si përplasje e vazhdueshme me hijet e së shkuarës, në një botë sfidash gjithmonë e më të mëdha.
Unë besoj se sot, simbolikisht mbyllet një kapitull bashkëpunimi herë i tensionuar, shpesh jo sa duhet intensiv, e në shumë raste jo aq sa duhet efektiv me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ndërsa po sot, këtu përmes nënshkrimit të një marrëveshje hapet një faqe tjetër e një kapitulli të ri bashkëpunimi, shumë i ngushtë me partnerët e aktorë ndërkombëtarë, për të jetësuar një modernizim rrënjësor të vendit, ndërsa jemi të shtyrë drejt sfidës së një ndërveprimi shumë herë më intensiv në rajon dhe më gjerë në Evropë, me shtete, me aktorët shoqërorë e me shumë grupe interesi.
Përpara pak kohësh, ne patëm një mbledhje të KEK që mblidhet çdo muaj, por që çdo tre muaj ka në përbërjen e vet edhe një grup ekspertesh të nivelit të lartë botëror që bujarisht na asistojnë, në të këtë përpjekje. Ishte njëherësh kënaqësi, por dhe krenari që të dëgjonim nga goja e tyre, njeri pas tjetrit, vlerësime shumë të larta për marrëveshjen e nënshkruar së fundi, mes qeverisë shqiptare dhe FMN.
Morëm shumë përgëzime dhe shumë lëvdata, por ashtu si atë ditë, unë dua ta përsëris këtu sot, ajo marrëveshje ashtu si kjo marrëveshje, janë produkt i një pune që shkon përtej qeverisë sonë. Nëse ne kemi një meritë të vetme, për të cilën unë jam sinqerisht krenar, është se ne kemi arritur të ndërtojmë një frymë skuadre me partneret tanë. Nuk do të ishte e mundur ajo marrëveshje nëse nuk do të ishin përfshirë në brumosjen dhe materializimin përfundimtar të saj edhe zonja Goldstein, edhe skuadra e BB, edhe grupi i ekspertëve tanë që na mbështesin bujarisht, më i pari profesori Ricardo Hausmann, me skuadrën e tij në Harvard dhe patjetër dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, edhe sipërmarrja shqiptare e përfaqësuar në përpjekjen për të arritur një marrëveshje që të na japë qoftë mundësinë për të frenuar hemorragjinë e madhe ku e gjetëm organizmin e vendit dhe për të vënë rregull mbi katrahurën financiare, por qoftë edhe mundësinë për të rritur ekonominë tonë.
Sigurisht që prania këtu në këtë sallë e një sërë ministrash, por përveçse e përfaqësuesve të BB dhe e guvernatorit të Bankës Shqipërisë, njerëzve të biznesit e të bankave, por edhe të skuadrës së sapombrritur të studentëve të masterit të Universitetit të Harvardit që përpunojnë gjatë gjithë verës, pranë disa ministrive për të fokusuar disa çështje prioritare, janë tregues i një hapje të re dhe i përpjekjes për ti hedhur hapat e mëtejshëm së bashku në një vend ku në radhë të parë kemi nevojë për një kulturë të re të qeverisjes, që për ne është një mundësi për të bashkëqeverisur, me të gjithë aktorët dhe me të gjithë faktorët e tjerë të zhvillimit.
Nuk është e mundur që qeveria e vetme edhe sikur të ishte e rënë nga qielli, të gjejë rrugët dhe zgjidhjet kaq komplekse të ekonomisë së sotme të zhvillimit të sotëm, në kushtet kur të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë ekonomikë dhe sociale kanë më shumë se kurrë më parë për të thënë dhe për të dhënë në një proces që është gjithmonë e më shumë në veprim.
Në një vend si ky i yni, ku nga njëra anë siç e përmendi dhe Zv. Presidentja e Bankës Botërore znj. Tuck ka shumë për të përfituar nga eksperienca e mirë apo problematike e së shkuarës, por ku ka dhe potenciale të shkëlqyera natyrore dhe njerëzore, ne duhet të gjejmë forcën për ti kthyer këto potenciale, për ta kthyer këtë eksperiencë në një avantazh të madh.
Janë këto potenciale që kërkojnë para së gjithash përgjegjshmëri nga ana jonë e qeverisë, në një shtet që duhet të respektojë më i pari, detyrimet, kontratat, angazhimet për të mundur pastaj të kërkojë që të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë .
Shumë modestish unë ndjehem shumë mirë, që pas një momenti të parë kur konstatuam një trashëgimi jo të lehtë. Sot, siç besoj rezulton tek kjo marrëveshje, jemi në kushtet kur po krijojmë besim dhe po krijojmë besim duke hedhur hapin e parë, si një hap të përgjegjshmërisë sonë në raport me borxhin e fshehur dhe të akumuluar ndaj të tjerëve. Besoj se vënia në lëvizje e një mekanizmi të shlyerjes së borxheve ndaj sipërmarrjes, nuk është vetëm vënia në lëvizje e një mekanizmi financiar për të nxitur zhvillimin, por është edhe vënie e mekanizmit për të vendosur në një bazë të re marrëdhëniet mes palëve, ku qeveria nuk mund të gëzojë asnjëherë dhe për asnjë arsye një privilegj për të shkelur të drejtën e palës tjetër që të respektohet në marrëdhënie kontraktuale me qeverinë.
Po ashtu, transformimi i punës në dogana dhe në tatime ka filluar të japë rezultate shumë inkurajuese, ashtu sikundër formalizmi i ekonomisë ka filluar të japë shenjat e para se ekonomia shqiptare është e mundur që të kalojë në një fazë të re me një shkallë shumë më të lartë formalizimi. Nga ana tjetër ne jemi shumë të përkushtuar që ta kthejmë sistemin tonë financiar në sistem modern evropian dhe së shpejti, falë edhe mbështetjes së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me FMN dhe BB, ne do ti japim jetë një procesi për ti dhënë autonomi drejtorisë së borxheve dhe për ta nxjerrë borxhin nga tutela politike e qeverisë dhe për ta shpëtuar Shqipërinë nga zhytja nëpër borxhe, krejtësisht të pamerituara të natyrës elektorale, siç ndodhi fatkeqësisht edhe jo më larg se një vit më parë.
Është një hap shumë i rëndësishëm, siç është një hap i rëndësishëm edhe modernizimi i të gjithë pjesëve të tjera të sistemit tonë financiar, siç po tregon që është një hap shumë i rëndësishëm edhe vete vënia në funksionim e KEK, edhe pse në hapat e vete të parë po dëshmon se është një faktor ky i munguar për shumë vite në marrëdhënien mes qeverisë, si përfaqësuese e interesave të publikut dhe sipërmarrjes, si përfaqësuese e interesave private, por pa komplementaritetin e të cilave palë, është e pamundur të parafytyrohet rritja e mirëqenies, rritja e vendeve të reja të punës dhe rritja e barazisë sociale.
Jam shumë i inkurajuar edhe nga fakti se sot numërohen 30 263 shqiptarë dhe shqiptare, forca pune të reja dhe të formalizuara. Bëhet fjalë për 30 263 njerëz më shumë që raportojnë tek tatimet dhe që bëhen pjesë e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Është një shifër fantastike për një periudhë kaq të shkurtër kohe dhe është një shifër fantastike për çka mund të bëjmë në kohën ende mjaftueshmërisht të gjatë që kemi përpara për ti bërë realitet zotimet tona. Për më tepër, vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti dhe vetëm përmes 6 Zyrave të para të Punës, zyrave moderne të punës, kemi punësuar 4100 vetë. Kemi arritur të fillojmë të përfshijmë sipërmarrjen, si faktor aktiv në krijimin e vendeve të punës, falë bashkëpunimit aktiv me qeverinë. Zyrat e punës ekzistonin në letër, ekzistonin dhe në realitet, por ishin tërësisht jashtë realitetit për të krijuar vende të reja pune.
Kemi rritur 300 % fondin për nxitjen e punësimit, një nga shumë elementët që tregojnë se çfarë natyre ka marrëveshja jonë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke bërë që sot të kemi 345 biznese që aplikojnë për të konkurruar për këtë fond punësimi, nga 68 që aplikuan vitin e shkuar dhe që çuditërisht ndanë fondin mes tyre. Pra, praktikisht nuk pati konkurrim, por pati një ndarje fondi të paracaktuar për 68 kompani. Ndërkohë që ne sot kemi fondin e konkurrimit për 345 kompani dhe për një fond 2.7 milionë dollarë.
Shifra më e fundit e rritjes prej 46 % në volum, të eksporteve në Shqipëri, në këto 4 muaj, si dhe 32 % në vlerë, është një rritje tjetër që na jep një shenjë tjetër inkurajuese të vënies në lëvizje të ekonomisë.
Por mbi të gjitha, me lejoni të them se në mënyrë ndoshta të pamerituar, por për ne mjatueshmërisht e kënaqshme, ka kaluar pa zhurmë reforma më e rëndësishme, në këndvështrimin tim, e shumë viteve, reforma e pensioneve, që tanimë është në fazën e vet përfundimtare dhe pret të marri aprovimin e parlamentit. Edhe njëherë tjetër, jo sepse në zotërojmë ndonjë aftësi apo meritë të veçantë, por sepse patëm meritën që ta shohim në sy skuadrën e Bankës Botërore. Të mos i bishtnojmë kërkesës tanimë 20 vjeçare që duhet kjo reformë për të mos çuar në kolaps, jo vetëm sistemin e pensioneve, por gjithë sistemin financiar në Shqipëri dhe përsëri të angazhojmë një numër ekspertësh që duke qenë përreth ekspertes së njohur që Banka Botërore na vuri në dispozicion, të bëjmë të mundur dy gjëra:
E para, një draft reformë që shpëton në kuptimin më konkret të fjalës, disa mijëra njerëz qysh në hapin e parë, të cilët do ngeleshin pa asnjë qindarkë për shkak të fillimit të falimentimit të skemës së pensioneve.
Nga ana tjetër, na jep mundësinë që të shohim se puna në ekip me partnerët tanë solli një rritje të dukshme dhe të menjëhershme të cilësisë së burimeve njerëzore, që prej kohësh janë të angazhuar dhe paguhen nga shteti në këtë sektor.
Sigurisht, që dua të më mirëkuptojnë miqtë tanë këtu, se këto shifra unë nuk i konsideroj arritje të mëdha dhe as sot dhe as një ditë, deri ditën e fundit kur do të jem në detyrë, nuk do të më dëgjoj askush duke dhënë shifra për të krijuar idenë se po kapim Gjermaninë, apo po të xhelozojmë Kinën, apo po vëmë në siklet Bashkimin Europian me magjinë e zhvillimit tonë ekonomikë. Kjo është një epokë që përfundoi dhe e pamë vetë që pasi dolën shifrat reale, nuk ishim të dytët pas Gjermanisë siç na u tha për disa vite rresht, por vërtet brima e fundit e një kavalli, që realisht nuk nderon as atë që shqiptarët aspirojnë, as atë që shqiptarët meritojnë dhe as atë që shqiptarët mund të bëjnë.
Këto janë shkëndijat e para të një rruge të re rilindjeje të dritës së shpresës dhe sigurisht që këto ne vetëm na detyrojnë që të ecim më shpejtë për të arritur gjëra që fare mirë mund t’i kishim arritur kohë më parë dhe për të mos lejuar të bëhej më keq, gjëra që kanë shkuar, duke u bërë keq e më keq në vite, posaçërisht në lidhje me integritetin e mjedisit, me integritetin e natyrës, të peizazhit, që janë pasuri të cilat janë jo lehtësisht të rikuperueshme.
Edhe njëherë tjetër, dua ta falënderoj, jo për protokoll se për protokoll falenderimi bëhet vetëm një herë, Drejtoren Rajonale të Bankës, znj. Goldstein. Dua të falënderoj Drejtoren e zyrës këtu, znj. Tahseen Sayed dhe dua të falënderoj nga zemra Zëvendës Presidenten që na nderoi me vizitën e saj. Do ishim shumë të lumtur sikur çdo autoritet i lartë që vinte të na nderonte këtu, të na linte pas dhe një marrëveshje të tillë me kaq shumë para, por kjo nuk është e mundur. Kështu që ne jemi mësuar të kënaqemi edhe më lënien pa thjeshtë të kujtimit të mirë të një dite. Kurse Ju do t’ju mbajmë mend si njeriu që erdhi dhe përveç kujtimit të mirë, la pas edhe një sasi të konsiderueshme parash, të cilat ju siguroj që bashkë me skuadrën tuaj do ti shpenzojmë në mënyrën më të mirë dhe jam i bindur që kur të vini herën tjetër në Shqipëri do të shikoni rezultatet e kësaj marrëveshje që u nënshkrua sot.
Falënderoj shumë edhe gjithë të pranishmit e tjerë. Falënderoj shumë sipërmarrësit që janë këtu në këtë pritje, nuk ka para për ju në këtë marrëveshje, por sigurisht përfitimin indirekt jeni ju të parët që e keni. Sepse ju e dini më mirë se kushdo tjetër se paraja ka efekt në jetën tënde edhe kur nuk është në xhepin tënd.
Ndërkohë, që edhe njëherë tjetër falënderoj miqtë tanë më të rinj, të skuadrës së profesor Hausmann që janë këtu dhe që kanë sjellë eksperienca fantastike nga vende të ndryshme të botës, ku kanë punuar në pozicione të rëndësishme dhe që në një farë mënyrë na vënë në pozitë të vështirë ne të tjerëve që nuk i jemi kthyer më gradave universitare pasi kemi dal nga universiteti.
Kështu që edhe në këtë aspekt ardhja juaj është një ndihmë e madhe për shumëkënd ndër ne, që pasi të mbarojë këtë punë mund ti kthehet prapë jetës universitare. Jo për mua, se unë nuk kam asnjë gradë, kam një diplomë të rëndomtë artisti.
Shumë faleminderit të gjithëve!
***
U nënshkruan sot në Sallën e Hartave dy marrëveshje huaje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, me një vlerë prej rreth 220 milion dollarësh.
Dy marrëveshjet, përkatësisht për Huan e politikës së Zhvillimit për Financat Publike dhe Huan e Politikës së Zhvillimit për Modernizimin e Sektorit Financiar, u nënshkruan nga Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani dhe Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Tahseen Sayed,
Akordimi i këtyre huave ka për qëllim mbështetjen e reformave për përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë.