Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të godinës së rikonstruktuar të Bankës së Shqipërisë:
Kur hyra në këtë mjedis, para pak minutash, mu kujtuan dy eksperimente të bëra nga organizata të interesuara për të kuptuar impaktin e të bukurës dhe të mjedisit në sjelljen dhe në produktivitetin e njerëzve. Eksperimenti i parë që mu kujtua ishte ai i vendosjes së një ashensori të të njëjtit vit prodhimi, krejtësisht të ri e të papërdorur, në dy kopje, në të njëjtën godinë, ku njëri ashensor u la ashtu siç ishte, kurse tjetri u vendos i shkarravitur. Eksperimenti tregoi se ashensori i shkarravitur u dëmtua dhe u bë në nevojë për të ndërhyrë me riparim përpara ashensorit të vendosur ashtu siç ishte.
Eksperimenti i dytë u ë me një grup njerëzish të të njëjtit profesion, të vendosur për të zgjidhur një problem në një mjedis krejtësisht të papërshtatshëm dhe pastaj në një mjedis me kushte optimale. Eksperimenti tregoi se i njëjti grup njerëzish, i të njëjtit profesion, problemin për të zgjidhur në mjedisin e papërshtatshëm e zgjidhën në një kohë më të gjatë dhe cilësia e ndërveprimit të tyre ishte shumë më e ulët. Ndërkohë që në një ambient me kushte optimale e zgjidhën në një kohë më të shkurtër dhe me një ndërveprim shumë më cilësor.
Të tilla eksperimente janë bërë shumë dhe gjithmonë kanë provuar se aq sa njeriu e përcakton mjedisin në të cilin ndërvepron, aq edhe mjedisi kushtëzon sjelljet dhe cilësinë e ndërveprimit të njeriut.
Thënë këto, besoj që sot, ne jemi në kushtet kur nuk e kemi të vështirë, këtu në këtë mjedis, të kuptojmë arsyet e rezultateve të këtyre dy eksperimenteve. Që do të thotë që ky investim i bërë, që mbase si edhe investime të tjera, për njerëz që janë të prirur të shikojnë vetëm sipërfaqen e gjërave, mund të konsiderohet një luks i tepërt, por ndërkohë, përsa më takon dhe besoj edhe për atë çka nevojë ky institucion me kaq rënësi për vendin tonë, ky investim nuk është aspak një luks i tepër. Por është një investim i bërë në kohën e duhur, në vendin e duhur, për t’i dhënë institucionit atë që i takon, qoftë në pikëpamje të asaj që rëndom në mënyrë denigruese quhet fasadë, qoftë në pikëpamje të asaj që u takon njerëzve që punojnë në këtë institucion për të ndërvepruar në mënyrë cilësore dhe për të pasur një rezultat në punën e tyre, që është në lartësinë e ambicieve dhe të misionit të këtij institucioni.
Nuk është aspak e lehtë që të ndërhyhet për të bërë transformime të tilla në godina si kjo, në godina si ajo që ishte përpara kësaj. Godina historike, me një brishtësi jashtëzakonisht të madhe përballë çdo lloj nevoje për ndërhyrjeje dhe për transformim.
Dhe faktikisht sot, unë jam shumë i kënaqur, madje krenar do të thosha, që modestisht kam qenë pjesë e kësaj nisme, pasi si kryetar bashkie kam mikpritur në zyrën time guvernatorin Fullani sëbashku me arkitektët, kur nisi ky projekt. Më tutje besoj që ka qenë fat për mua të jem po ashtu pjesë edhe e projektit në vazhdim, që është transformimi i ngrehinës së hotel Dajtit në një tjetër pjesë të Bankës së Shqipërisë, ku jam i bindur të njëjtën kënaqësi që përftohet sot dhe që do të përftojnë të gjithë ata që do ta vizitojnë këtë institucion, jo vetëm ata që do të punojnë në këtë institucion, do të mund ta përftojnë edhe në godinën tjetër.
Dua t’i shpreh gjithë konsideratën arkitektit dhe ekipit të tij për këtë punë jashtëzakonisht elegante, që ka arritur të ndërthurë të shkuarën, gjithë vlerat e një objekti të trashëgimisë sonë kulturore me ambicien e këtij institucioni për të qenë gjithnjë një garant i të ardhmes, duke krijuar kushtet që në këtë martesë formash, të krijuara në dy kohë krejtësisht të ndryshme, njerëzit e çdo kohe të mund të gjejnë vendin e tyre, për të luajtur rolin e tyre si funksionarë, si punonjës apo si partnerë të Bankës së Shqipërisë. Ky është moment i bukur në historinë e qytetit, sepse përmes këtij investimi të rëndësishëm i shtohet kryeqytetit një vlerë me rëndësi arkitektonike dhe po ashtu, edhe një pikë tjetër e re referimi lidhur me të drejtën e çdo gjenerate për të pasur rolin dhe dorën e vet edhe në atë që është qyteti që trashëgojmë.
Nga ana tjetër, jam i bindur që Banka e Shqipërisë meriton pa formalitet dhe jo thjesht për arsye protokollare në këtë rast, për të gjithë punën që kryen, si një institucion që realisht ka luajtur një rol jashtëzakonisht delikat dhe të rëndësishëm në momente aspak të lehta për vendin tonë dhe që deri më sot ka provuar se është një institucion që e meriton besimin që përgjithësisht gëzon në opinionin publik, por edhe besimin që gëzon në institucionet financiare ndërkombëtare. Nuk është pak për një vend ku janë shumë të pakta institucionet që gëzojnë një nivel të lartë besimi të publikut. Janë shumë të pakta institucionet që gëzojnë një nivel të lartë besimi të institucioneve partnere apo të organizmave ndërkombëtare. Në këtë aspekt, Banka e Shqipërisë përbën një shembull, të cilin, fatmirësisht, arkitektët kanë ditur ta transmetojnë përmes imazhit të ri fizik të saj.
Kjo godine dhe këto mjedise janë nga sot, edhe një hapësire më shumë për të edukuar syrin e vrazhdë të shumë njerëzve që e konsiderojnë të bukurën dhe nevojën për të bukurën një luks dhe që gabimisht mendojnë se ambiciet për të transformuar Shqipërinë në një vend me më shumë mirëqenie, nuk kalojnë përmes të bukurës.
Në fakt është vështirë t’i bëjmë imagjinatës një thirrje dhe t’i kërkojmë të na sjelli nga arkivi i kujtesës sonë shembuj vendesh që prosperojnë në shëmti, shembuj situatash urbane apo objektesh arkitektonike të shëmtuar, që janë në të njëjtën kohë vende ku ka mirëqenie dhe ku rikrijohet mirëqenie. Për këtë arsye dhe për të gjitha këto arsye, sot është një ditë e gëzuar dhe është një moment me shumë rëndësi në historinë e këtij institucioni, i cili uroj që të vazhdojë të forcojë pozicionin e vet si një pikë e rëndësishme referimi për të gjithë ne.
Padyshim jam i bindur që këto mjedise, falë këtij investimi do ta ndihmojnë institucionin, do t’i ndihmojnë njerëzit e këtij institucioni që të punojnë edhe me më shumë frymëzim, edhe me më shumë dëshirë, për të qëndruar në lartësinë e misionit jashtëzakonisht të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë.
Urime Guvernator! Respekt për të gjithë ata që morën pjesë në realizmin e këtij projekti, që nga ata që e nisën, tek ata që e bitisën, që tek ata që në fillim e ëndërruan, tek ata që e bënë ëndrrën realitet, duke hedhur në letër projektin e deri tek punëtorët e kantierit, të cilët janë për t’u lavdëruar në mënyrë të veçantë, sepse na kanë dhënë një tjetër provë që kur shqiptarët drejtohen ashtu siç duhen, janë absolutisht në gjendje që të punojnë me të njëjtën cilësi që punojnë dhe të huajt.
***
Pas 77 vjetësh, Banka e Shqipërisë inauguroi sot në mbrëmje, ndërtesën e rikonstruktuar të saj, që përfshin restaurimin e ndërtesës ekzistuese dhe një ndërtese të re shtesë, pa ndërhyrë në fasadën monumentale.
Në ceremoninë e inaugurimit, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, guvernatorë dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, titullarët e institucioneve të pavarura të vendit, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare financiare.
E inauguruar në 30 tetor 1938, ndërtesa e Bankës së Shqipërisë përbën një nga veprat më të spikatura të kryeqytetit, me një arkitekturë unike që i përket rrymës së racionalizmit. Projekti përfshiu restaurimin e ndërtesës ekzistuese dhe krijimin e një ndërtese të re, pa ndërhyrë në fasadën monumentale.
Në mjediset e Bankës u hap për herë të parë edhe Muzeu i Bankës së Shqipërisë, ku u shpalosën për herë të parë objekte të veçanta të trashëgimisë kulturore, pjesë e thesarit të Bankës së Shqipërisë, të ruajtur ndër vite.