Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën kombëtare “Gratë shqiptare në rrugëtimin drejt vendimmarrjes dhe politikës”:
Një nga shprehjet e mia më të preferuara, lidhur me rëndësinë që ka rritja e barazisë gjinore, është një shprehje e Margaret Thatcher që thoshte: “Nëse keni për të thënë diçka pyesni një burrë, nëse keni për të bërë diçka pyesni një grua”.
Kjo është edhe arsyeja thelbësore për mua, pse unë jam i bindur që sa më shumë gra dhe vajza të përfshihen në jetën publike, në administrim, në sipërmarrje, aq më mirë do të shkojnë gjërat. Këtë e kam edhe nga eksperienca personale, që më ka dhënë mundësinë të punoj edhe me burra, edhe me gra dhe realisht, burrat dallohen për aftësinë që kanë për të thënë gjërat, sidomos kur duhet të justifikohen pse nuk i bëjnë ato, ndërsa gratë dallohen për aftësinë që kanë për të bërë gjërat dhe për një diferencë të madhe me burrat, kur është fjala për t’u justifikuar. Ato justifikohen shumë më pak dhe bëjnë shumë më shumë.
Unë besoj se në këtë periudhë të fundit është bërë një përparim i jashtëzakonshëm, po të keni parasysh që vetëm disa vite më parë, situata e shifrave, por jo vetëm e shifrave ishte shumë më shqetësuese sesa është sot. Pavarësisht se jam dakord që edhe sot mund të konstatojmë me kënaqësi përparimin e bërë, por nuk mund të themi që jemi aty ku duhet, jo thjesht për t’i dhënë grave një pozicion të barabartë me burrat, por për të përfituar si shoqëri nga gjithçka që një barazi e shëndetshme gjinore sjell me vete.
E nuk është as rastësi dhe as diçka e panjohur që sa më të zhvilluara vendet, aq më e shëndetshme barazia gjinore, sepse impakti i barazisë gjinore është një impakt i drejtpërdrejtë social dhe ekonomik. Jo thjesht shkalla e qytetërimit, por edhe shkalla e zhvillimit ekonomik të një vendi është drejtpërdrejtë e lidhur me barazinë gjinore. Natyrisht, flasim për vende normale demokratike, për vende me zgjedhje dhe me institucione që burojnë nga zgjedhjet, për të mos bërë gabimin që t’i referohemi disa vendeve ku ekonomia mund të jetë e zhvilluar, por si pasojë e mundësisë për të shfrytëzuar pasuri të posaçme natyrore.
Unë besoj se është hapur një kapitull i ri që lë shumë më tepër vend për optimizëm në këtë proces. Janë, faktikisht, rrëzuar disa jo tabu, por disa mure që i rezistonin kohës prej një periudhe relativisht të gjatë. Unë jam dëshmitar i vështirësisë që ka pasur ky proces, pasi në parim, përgjithësisht, të gjithë kanë qenë dakord që duhet të ketë më shumë vend për gratë në jetën politike, në jetën publike, por kur vinte puna për të bërë zgjedhjet e duhura, atëherë muri ishte shumë kokëfortë.
Faktikisht, neve na u desh ta vendosim me ligj barazinë gjinore për zgjedhjet e këshillave bashkiakë, pasi përndryshe ishte një përpjekje që gjithmonë dështonte. Unë kam qenë dëshmitar në shumë raste takimesh, mbledhjesh, diskutimesh të brendshme, ku realisht dhe me shumë bindje nuk ishin të paktë ata që thoshin “nuk ka gra në zonën tonë”. Madje, ishin në gjendje ta zhvillonin këtë diskutim me këmbëngulje, sa të të çonin në dyshimin se kush i kishte lindur këta burra. Aq shumë bindës ishin ndonjëherë, kur thoshin “nuk ka gra në zonën tonë”.
Sidoqoftë po të shohim ecurinë e përgjithshme të këtij procesi dhe të mendojmë që gruaja e parë në parlamentin më të vjetër të botës demokratike hyri në vitin 1919 dhe po të keni parasysh që në jetën tonë të shkurtër parlamentare, – po e marrim si pasqyrën më të drejtpërdrejtë, edhe pse nuk është e vetmja, – procesi ka qenë shumë i shpejtë dhe sot faktikisht besoj që janë vendosur disa pika referimi që nuk mund të zhbëhen më. Edhe pse besoj që për të shkuar më tutje do të duhet një kohë e arsyeshme, sepse nuk do të jetë e thjeshtë.
Nuk do të jetë e thjeshtë, pasi tanimë konkurrenca është bërë më e drejtpërdrejtë dhe prania e grave është më e qenësishme. Nuk bëhet më fjalë për të bërë ligje e krijuar hapësira bujarisht, por bëhet fjalë për një konkurrencë reale. Kjo është gjë e mirë në një aspekt, por sigurisht ka edhe aspektin tjetër, që do të duhet që disa gjëra të bëhen me më shumë përpjekje dhe do të kërkojnë kohë. Pra, nuk do të mjaftojë thjesht për të ndërtuar aleanca grash për të gjetur të njëjtin mirëkuptim, që është gjetur deri sot.
Ky është të paktën këndvështrimi im, sepse besoj që tanimë jemi në një fazë tjetër dhe realisht as Parlamenti i Shqipërisë, as këshillat bashkiakë, aq më pak administrata publike nuk janë siç ishin deri përpara disa kohësh, në mungesë grash. Përkundrazi.
Edhe pse nuk kam shifrat në dorë, në nivelin e drejtuesve në administratën publike, shifrat duhet të jenë të përafërta, në mos të barabarta, për një numër të caktuar pozicionesh me rëndësi të dorës së parë. Kjo, si rezultat i faktit që gratë apo vajzat janë zgjedhur, apo kanë mundur të kalojnë konkurset falë aftësive të tyre dhe falë faktit që për atë detyrë të caktuar kanë dhënë më shumë garanci se mund ta bëjnë, sesa burrat apo djemtë me të cilët kanë konkurruar.
Nga ana tjetër ka ende shumë gjëra për të bërë në aspektin e jetësimit të legjislacionit.
Edhe ne e kemi lejen e lindjes për burrat, por unë kam vënë re se në shumë raste, nuk e di sa jeni ju të informuara, që burrat marrin leje lindjeje dhe sidomos e kam vënë re këtë fenomen në këtë periudhën e luftës kundër informalitetit që shumë burra nga tatimet ikën me leje lindje.
Unë besoj që e morën lejen e lindjes për t’iu shmangur përballjes me vetveten, pasi për shumë inspektorë të tatimeve ishte shumë e vështirë që të shkonin e kërkonin llogari tek bizneset e vogla, me të cilat kishin bërë flirte korruptive për një periudhë kohe të gjatë, duke mos i pasqyruar si pjesë të regjistrit.
Ligjet janë, pra ne i kemi, por jetësimi i tyre do të kërkojë kohën e vet. Ashtu sikundër, kemi parë se ndryshimi i legjislacionit për t’i dhënë ndihmën ekonomike, ekskluzivisht grave, ka pasur një efekt shumë pozitiv dhe e kemi vënë re sidomos në pjesën e kujdesit për shkollën dhe për fëmijët e familjeve në nevojë që duhet të shkojnë në shkollë. Ka qenë një impakt i drejtpërdrejtë, që do të thotë që të ardhurat nga ndihma ekonomike të marra nga gratë nuk janë kthyer as në alkool, as në bixhoz, as në bileta për baste, por kanë hyrë të gjitha në buxhetin e nevojave të familjes.
Kemi një problem serioz me statistikat e papunësisë, në raportet midis grave dhe burrave, ku faktikisht diferenca në punësim është ende e madhe midis burrave dhe grave, ashtu sikundër për të njëjtën punë një grua paguhet shumë më pak sesa një burrë. Një shifër mesatare thotë 35% më pak, por edhe po ta marrim me rezervë prapë diferenca është e madhe, e papranueshme.
Për këtë ne jemi munduar që të hapim një hapësirë të re në programin e Fondit të Nxitjes së Punësimit. Faktikisht, aty ka më shumë incentiva për gratë dhe vajzat dhe jo vetëm për këtë shkak, por edhe për shkak të faktit të thjeshtë që në Shqipëri, – e kjo nuk është një gjë që duhet të jesh në qeveri apo të jesh kryeministër për ta konstatuar, e kanë konstatuar të tjerë shumë përpara nesh, – burrat janë përgjithësisht dembelë dhe parazitë, ndërsa gratë janë përgjithësisht punëtore dhe të afta për të kompensuar parazitizmin e burrave. S’keni pse më shikoni me çudi kur e ka kënduar Çajupi këtë gjë shumë kohë më parë dhe kur e këndoi Çajupi të tjerët e kishin kuptuar, por nuk kishin kurajë ta këndonin edhe shumë kohë më parë.
Nga ana tjetër, besoj që mjafton të shikosh se çfarë i ndodhi Shqipërisë në gjithë këto vite për të kuptuar që nëse ka një të akuzuar të parë, janë burrat. Fakti që gratë kanë qenë shumë pak, ose aspak në gjithë këtë proces tranzicioni dhe fakti që burrat e kanë kontrolluar të gjithë procesin e tranzicionit, burrat i bën drejtpërdrejtë me përgjegjësi, nuk bën gratë.
Nga ana tjetër, edhe Strategjia Kombëtare e Punësimit parasheh që fondi në mbështetje të grave sipërmarrëse që menaxhojnë sipërmarrje të vogla apo të mëdha të shkojë duke u rritur. Është një fond që e kemi krijuar me në 2014-ën dhe duam ta fuqizojmë për t’u dhënë sa më shumë mundësi grave dhe vajzave që të kenë një përkrahje paraprake, në momentin kur marrin vendimin e rëndësishëm dhe të vështirë për t’u marrë me biznes në këtë vend.
Po ashtu, më vjen shumë mirë që me reformën e pensioneve që në vitin e parë, që ishte viti që po mbaron, janë 20 mijë gra që kanë përfituar një pension më të lartë se sa ç’do të përfitonin me ligjin e vjetër. Nga ana tjetër, ne kemi pasur parasysh gratë, kur kemi përcaktuar pensionin social, si një risi për të ndihmuar të gjitha ato nëna që e kanë kaluar jetën në shtëpi dhe që faktikisht këtë vit, ishte viti i parë që dilnin në një masë të konsiderueshme në moshën e pensionit, pa pension.
Nga ana tjetër, indekset e barazisë gjinore janë domethënëse, por deri në një farë pike, besoj unë. Fakti që ne kemi ngjitur edhe 13 vende të tjera në krahasim me një vit më parë, është domethënës, por prapë deri në një farë pike, pasi, nëse do të shikojmë cilësinë e barazisë gjinore përtej shifrave, sigurisht që ka shumë më tepër diferenca sesa diferencat që tregojnë shifrat.
Për sa i përket asaj që u ngrit këtu lidhur me përqindjen e të zgjedhurave në këshillat bashkiakë, ajo lidhet me sqarimin që bëri Nënkryetarja Leskaj, që në zgjedhjet vendore është fakt që ka një fenomen të rëndësishëm që është fenomeni i shumë partive të vogla, të cilat arrijnë të hyjnë nëpër këshilla me nga një anëtar, sepse numri i votave që kërkohet për një pjesë është i vogël. Kjo është arsyeja pse Tirana ka 52% gra në këshill, pasi influenca e partive të vogla është minimale dhe mundësia e partive të vogla për të hyrë në këshill me një numër të vogël votash është shumë e kufizuar. Ndërkohë që, bashkitë më të vogla që u përmendën edhe këtu, kanë një numër shumë më të vogël grash, për shkak se i pari në listë është vendosur rregullisht një burrë, në partitë e vogla. Ne si Parti Socialiste kemi pasur të kundërtën, kemi vendosur zakonisht një grua në fillim.
Së fundmi, dua që të theksoj një fakt që më bën përshtypje. Është ende një proces, sigurisht dhe padyshim që është pjesë e procesit, por ka një qasje, pak si në formë kërkese, kur vjen puna për të rritur hapësirat për gratë, e cila jo gjithmonë është e justifikuar, ose jo gjithmonë mbështetet me produkt. E në këtë aspekt, unë uroj shumë që gjithë këto rrjete që janë jashtë politikës së drejtpërdrejtë, por edhe rrjetet brenda politikës që kanë filluar të krijohen, të vlejnë për të rritur cilësinë e procesit politik dhe të vendimmarrjes përtej thjesht dhe vetëm çështjes së grave. Nuk besoj që një aleancë grash, apo një rrjet grash është thjesht dhe vetëm ekskluzivisht për të rritur hapësirën e grave në vendimmarrje, por edhe për të rritur cilësinë e vendimmarrjes dhe për çështje që në pamje të parë mund të mos jenë drejtpërdrejtë të lidhura me gratë, por që janë gjithmonë të lidhura me gratë.
S’ka asgjë që nuk është e lidhur me gratë. Edhe burrat vetë të lidhur me gratë janë, se po mos ishin gratë s’do ishin as burrat dhe shumë burra s’do kishin as arsye për të jetuar, përfshirë edhe mua.
Shumë faleminderit!
***
Sot në Tiranë u zhvillua Konferenca “Gratë shqiptare në rrugëtimin drejt politikës dhe vendimmarrjes”. E iniciuar nga Aleanca Gjinore për Zhvillim, tryeza bëri bashkë aktivistë në fushën e barazisë gjinore, përfaqësues të shoqërisë civile, nënkryetaren e Parlamentit Valentina Leskaj, gra të angazhuara në politikëbërje dhe vendimmarrje, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.
Qeveria shqiptare e sheh barazia gjinore si një proces të lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të gruas me anë të nismave si ajo e dhënies së ndihmës ekonomike ekskluzivisht për gratë, të Strategjisë Kombëtare të Punësimit apo reformës së pensioneve janë shënuar rezultate domethënëse në barazinë gjinore në shoqërinë shqiptare. Pas rritjes të dukshme të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje u apelua që ky proces të thellohet dhe jo vetëm si përfaqësim sasior i gruas në jetën publike.