Barroso: Statusi, kapitull i ri për sfidat e Shqipërisë

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit  Edi Rama dhe Presidentit të Komisionit Europian Jose Manuel Barroso:

Kryeministri Rama:

Mirëdita të gjithëve!

Më lejoni të shpreh kënaqësinë e veçantë që sot në Tiranë na nderon me praninë e tij Presidenti i KE, z. Barroso. Dua ta falenderoj nga zemra jo vetëm për praninë, por edhe për mbështetjen e fortë, pa asnjë lëkundje për Shqipërinë në procesin që u kurorëzua me marrjen e statusit të vendit kandidat, pak ditë më parë.

Fatkeqësisht, vizita e parashikuar tre vite më parë e Presidentit të Komisionit nuk u realizua, por fatmirësisht doli më mirë se u krijua mundësia që Presidenti ta vizitojë Shqipërinë, tanimë si një vend që ka një status të veçantë, statusin e vendit kandidat për BE.

Sigurisht që, ky ka qenë një proces i gjatë, një proces jo i lehtë, një proces që nuk do të ishte kurorëzuar me sukses, pa punën e jashtëzakonshme dhe rezultatet e dukshme të qeverisë sonë në këta 9 muaj.  Por që, nga ana tjetër nuk është një proces që i takon vetëm këtyre 9 muajve, por është një proces që kontributi, puna dhe rezultatet në vite, kanë qenë të domosdoshme.

Unë e falenderova Presidentin për ndihmën e pareshtur që KE na ka dhënë dhe jam i bindur që do të vazhdojë të na japë, duke na kujtuar rregullisht për detyrat tona të shtëpisë, por edhe duke na asistuar që këto detyra t’i kryejmë sa më mirë.

Nuk ka dyshim që një falenderim krejt i veçantë i takon edhe Komisionerit për Zgjerimin, mikut të mirë të gjithë shqiptarëve, Stefan Fyle, i cili ka udhëhequr me shumë vendosmëri dhe shumë vullneti të mirë të gjithë procesin e vetëdijësimit, të anës sonë, të klasës politike për sfidat dhe rrugët e kurorëzimit që u bë i mundur me statusin e vendit kandidat.

Unë e sigurova Presidentin se ne nuk e marrim statusin e vendit kandidat si një trofe. As nuk e konsiderojmë një arritje të njëanshme, apo aq më pak një arsye për të pasur një pozicion që ndan, por e marrim statusin si një vlerësim për çka kemi bërë dhe si një shkallë të re përgjegjësie për çka na mbetet të bëjmë. E, që padyshim është pjesa më e vështirë, ajo që mbetet të bëjmë. Sepse duam të bëhemi anëtarë të BE, por për këtë kemi ende detyra të vështira shtëpie për të realizuar.

Presidenti Barroso u interesua edhe për çka ne kemi bërë në planin ekonomik. Unë pata kënaqësinë ta informoj për kthimin e ekonomisë në shinat e një progresi të qëndrueshëm dhe për rritjen ekonomike të vazhdueshme që ne presim, duke filluar nga ky vit dhe në vitet në vijim. Nga ana tjetër e sigurova Presidentin Barroso për vendosmërinë tonë që të kryejmë të gjitha ato reforma të shtyra e të zvarritura vit pas viti, ashtu sikundër e informova për vendosmërinë tonë që të kryejmë një orë e më parë reformën administrative territoriale si një bazë e re shumë solide për të shkuar më tutje me procesin e integrimit, gjithashtu.

Sigurisht, qoftë nëpërmjet ‘Dialogun të Nivelit të Lartë’ që do të vijojë në muajin shtator, qoftë  nëpërmjet Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, një forum i posaçëm, ku të gjithë aktorët dhe observatorët  e procesit do të punojnë së bashku për të përshpejtuar hapat drejt anëtarësimit të plotë, – ne jemi të përkushtuar që jo vetëm të përfshihemi, por të krijojmë kushte për gjithëpërfshirje të plotë dhe cilësore.

Presidenti u shpreh entuziast edhe për një hap të ri në zhvillimin e marrëdhënieve rajonale, përmes vizitës që unë do të kryej në Beograd dhe normalizimit, për të shkuar të gjithë së bashku në këtë rajon, të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Ndërkohë që unë i bëra me dije Presidentit vullnetin tonë për të marrë një rol të ri në rajon dhe për të bashkëpunuar me të gjithë vendet e tjera të rajonit, që BE të bëhet gjithmonë e më i vetëdijshëm se Ballkani ka nevojë për BE, por aq sa BE-ja ka nevojë për Ballkanin. Dhe e ardhmja e Ballkanit është në BE, por nga ana tjetër e ardhmja e BE, nuk mund të kuptohet pa Ballkanin si pjesë e BE.

Duke ia kaluar fjalën Presidentit, i cili do t’i adresohet më pas edhe Parlamentit, dëshiroj edhe njëherë ta falenderoj për vizitën e tij këtu dhe t’i shpreh të gjithë mirënjohjen për mbështetjen e tij të vazhdueshme. Ashtu sikundër të gjithë gatishmërinë tonë për ta mikpritur si një mik tanimë të paharrueshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas muajit nëntor, kur do të jetë më i lirë për të udhëtuar dhe për të parë gjëra që akoma nuk i ka parë siç është p.sh. bukuria e madhe e këtij vendi që kemi vendosur ta bëjmë të jetë një vend me të cilin Europa të bjerë në sevda.

 

Presidenti i KE, Jose Manuel Barroso:

Shumë faleminderit, i nderuar zoti Kryeministër!

Është me të vërtetë kënaqësi që gjendem, sot, me ju në Tiranë.

Jam shumë i lumtur që gjendem këtu sot, që t’u uroj ju zoti Kryeministër, por dhe të gjithë shqiptarët ngrohtësisht, për vendimin e BE për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Dhënia e statusit të vendit kandidat, të cilën KE e kishte rekomanduar dhe tashmë është pranuar në mënyrë unanime nga qeveritë e vendeve të BE dhe konfirmuar në Këshillin e fundit Europian, në takimin e krerëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare BE, ky vendim është natyrisht një sukses i madh për Shqipërinë.

Por po ashtu unë mendoj që ky është një lajm i mirë për të gjithë rajonin e Europës Juglindore. Kjo tregon që procesi i zgjerimit të BE është i besueshëm dhe dinamik. Po ashtu që, BE i mban angazhimet e veta strategjike. Ne ecim përpara kur vendet tona partnere japin rezultate.

Faleminderit zoti Kryeministër për fjalët tuaja shumë të ngrohta ndaj meje! Ju thatë se është mik i Shqipërisë, për kolegun tim në Komision Stefan Fyle, por edhe të gjithë Komisionin Europian, ne kemi qenë të gjithë në anën tuaj dhe mendojmë që të vazhdojmë të jemi në anën tuaj.

E mban mend kur mbërritët tek unë për vizitë në shtator, kur ju prita në Bruksel? Ju erdhët në Bruksel shumë shpejt pas zgjedhjeve. Unë ju thashë atëherë që unë besoj që ishte e mundur që të arrihej ai objektiv i statusit të vendit kandidat, natyrisht me kusht që Shqipëria të ndërmerrte hapat e duhura.

E ashtu siç po e shikojmë ne sot, ju i keni ndërmarrë këto hapa. Ndërkohë që dhe ne po përmbushim pjesën tonë të kësaj marrëveshje. Prandaj, më lejoni zoti kryeministër që t’u uroj ju, Qeverinë, të gjitha palët, forcat politike që kanë kontribuar në këtë moment të rëndësishëm, por mbi të gjitha të uroj popullin shqiptar, sepse ky është suksesi juaj kolektiv i përbashkët.

Statusi i vendit kandidat do të thotë që njihen angazhimet dhe hapat konkrete të ndërmarra nga Qeveria në muajt e fundit, në mënyrë që të çohet më tej procesi i reformave të BE, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe reforma në gjyqësor dhe përmes tyre edhe një punë thelbësore e arritur nga Shqipëria gjatë viteve të fundit.

Edhe njëherë unë dëshiroj t’u falënderoj ju, zoti Kryeministër sepse ju e keni thënë me të drejtë që kjo është një detyrë kombëtare. Natyrisht që, në demokraci partitë janë shumë të rëndësishme, por unë besoj që kjo detyrë, detyra e integrimit europian ka një dimension historik. Këtë dimension e ka në Shqipëri, duhet parë si konsensus, pra edhe përtej partive të ndryshme politike që natyrisht mund të japin kontributin e tyre të vërtetë në këtë proces më rëndësi për vendin.

Unë sapo pata një takim shumë të frytshëm me Kryeministrin Rama. Natyrisht ne ndamë me njëri-tjetrin gëzimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve që kanë arritur në një fazë tjetër të rrugëtimit drejt BE dhe diskutuam mbi hapat e ardhshme, hapa të cilat janë të rëndësishme në proces, por edhe për sfidat që ka Shqipëria përpara.

Kam besim që ky kapitull i ri do t’i japë një shtysë tjetër Shqipërisë për t’i trajtuar këto sfida me vendosmëri dhe energji.

I theksova Kryeministrit Rama që për të ecur më tej në rrugëtimin drejt BE, Shqipëria duhet që të vazhdojë dhe të intensifikojë qasjen e vet sistematike për reformat, duke u përqendruar tek prioritet kyçe, me vëmendje të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në gjyqësor. Jam shumë i kënaqur që e shoh se qeveria i ka këto prioritete. E, për të pasur sukses integrimi europian, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, ku të gjithë në shoqëri të luajnë rolin e tyre.

Unë e di që shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë e shikojnë të ardhmen e tyre në BE, ndaj unë inkurajoj si Qeverinë ashtu dhe opozitën për të punuar më tej mbi atë frymë pozitive të statusit kandidat dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, pikërisht për ato që priten nga populli, që të arrihen.

E ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE dhe unë vërtetë besoj që kjo do të ndodhë. Por çështja qëndron në atë që si mund të arrihen të gjitha rezultatet e duhura që kjo të bëhet realitet?

Nuk duhet të ketë dyshim pikërisht për këtë gjë, për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Vendimi i të premtes së shkuar e konfirmoi pikërisht këtë gjë. Kjo çështje ka të bëjë me kredibilitetin, me besueshmërinë, dhe nëse ju mbështeteni në KE që të mund të vazhdojë dhe të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të arritur këtë objektiv dhe synim historik, në vendosmërinë tonë për ta pasur në krah për stabilitetin e rajonit. Ne e kemi mirëpritur iniciativën tuaj, faktin që ju keni vendosur që të takoheni me Kryeministrin serb. Është më shumë se sa një gjest simbolik.

Ne jemi këtu në këtë rajon dhe nuk duhet të harrojmë që pikërisht këtu, në këtë rajon para 100 vjetësh ka filluar Lufta e Parë Botërore. Fakti që, tani ky rajon gëzon paqe, edhe pse ka ende punë për të bërë për të konsoliduar demokracinë dhe sundimin e ligjit, fakti i thjeshtë që ju jeni këtu duke jetuar në paqe, është një arritje madhështore.

Para disa ditësh unë isha me krerët e shteteve dhe qeverive të BE, dhe madje shkuam në Flanders në Belgjikë, në atë fushë ku kanë derdhur gjak gjithë ata vetë, për të kremtuar 100 vjet më vonë nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, që nga Kryeministri britanik e deri tek Kancelarja gjermane.

Prandaj kam një pasion kaq të madh për BE, sepse BE është një histori paqeje, ku armiq të mëparshëm, të cilët kanë vrarë njeri-tjetrin më parë, nuk janë më të tillë,- pikërisht ajo që ka ndodhur në Luftën e Parë ishte tragjedi. Por ajo që ndodhi para 100 vitesh nuk mbaroi me aq, por patëm dhe një Luftë të Dytë Botërore, e natyrisht kemi parë më vonë, edhe në kohët e fundit se çfarë ka ndodhur.

Por tani njerëzit hedhin votën, kanë zgjedhje, bisedojnë rreth tryezës së rrumbullakët, nuk vrasin më njëri-tjetrin. Kemi zgjedhjet në PE, natyrisht nuk bien të gjithë dakord, por këto janë bisedime të paqme rreth një thyeze të rrumbullakët. Prandaj, unë mendoj se është e rëndësishme ajo që mund të bëni ju në këtë rajon.

Ne jemi partnerë dhe në fakt e kemi diskutuar me kryeministrin edhe disa mënyra për t’u mbështetur. KE do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me Shqipërinë, duke i dhënë asistencë vendit tuaj, në mënyrë që ju të trajtoni sfidat e integrimit europian, në mënyrën e duhur, duke e ditur që ky ishte vendimi juaj, i një vendi sovran. Dhe, në rast se mund ta themi, edhe pa integrimin europian, unë jam i sigurt se do të jetë në interesin e Shqipërisë që të keni një vend modern, ku sundon ligji, me institucione që funksionojnë qartë, me gjyqësor të pavarur dhe me luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra, ky është vendimi juaj dhe natyrisht ne nuk ju imponohemi. Ajo që dëshirojmë ne të bëjmë është që të jemi partnerët tuaj. Duke e pasur parasysh të ardhmen e Shqipërisë, ne kemi parasysh stabilitetin në rajon, por edhe tonën në BE.

Ju faleminderit për vëmendjen me të cilët më dëgjuat!

 

President Barroso, si është parë në kancelaritë europiane operacioni i policisë shqiptare në fshatin problematik të Lazaratit dhe në këndvështrimin tuaj, sa bindëse janë deklarimet e Kryeministri Rama, që ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të reformuar sistemin e korruptuar, siç e ka quajtur ai, të drejtësisë shqiptare?

Presidenti Barroso: “Ne e dimë se cila është situata për trafikimin e drogës dhe që kjo situatë ka qenë arsye për shqetësim. Që t’i përgjigjem haptazi pyetjes suaj, kjo ka qenë një çështje shqetësimi për shumë nga kryeqytetet tona. Problemi i prodhimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri ka qenë i mirënjohur dhe serioz. Autoritetet kanë ndërmarrë hapa në periudhën e kaluar dhe ne i kemi njohur pikërisht këto veprime pozitive, edhe në raportin e qershorit që bëmë dhe kjo është ilustruar akoma më mirë, nga operacioni policor në plantacionet e fshatit të Lazaratit. Unë në fakt e kam uruar Kryeministrin, pikërisht për këto operacione të suksesshme në atë zonë. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse iu jep kredibilitet, besueshmëri, përpjekjeve për të luftuar kundër prodhimit të drogës dhe trafikimit.

Po ashtu, unë besoj se Shqipëria duhet të kalojë përtej këtyre përpjekjeve dhe duhet që në mënyrë efikase të sekuestrojë asetet, të ketë natyrisht bashkëpunim, ky bashkëpunim është kyç, siç është edhe angazhimi me EUROPOL-in. Së fundmi, lufta kundër narkotikëve duhet të jetë në vërtetë një përpjekje kombëtare dhe politizimi i saj duhet të shmanget. Policia dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të lihen të bëjnë detyrat e tyre. Ato janë këtu, në mënyrë që të përmbushin detyrat e tyre si institucione të shtetit, nga asnjë parti dhe është shumë e rëndësishme që të ketë konsensus në Shqipëri, për nevojën për t’i dhënë fund kultivimit e trafikimit të drogës. Prandaj, unë mirëpres faktin që kjo është arritur, pra, ky operacion i suksesshëm. Unë shpresoj që ky angazhim të vazhdojë edhe në të ardhmen.”

 

Sa e rëndësishme do të jetë klima politike në Shqipëri për hapjen e negociatave, duke pasur parasysh që, në këto 9 muaj që kemi një mazhorancë të re, mund të themi se pothuajse të gjitha ligjet në parlament kanë kaluar vetëm me votat e mazhorancës. Një pyetje që doja t’ia bëja edhe Kryeministrit Rama, çfarë do të bëni për të ndryshuar këtë raport?  

Presidenti Barroso: “Ajo që mund t’ju them unë, është pikërisht ajo që i kam thënë zotit Kryeministër; Ne tani kemi një përvojë të gjatë në procesin e integrimit. Edhe vendi nga vij unë, e mbaj mend fare mirë, kur Portugalia nuk ishte shtet anëtar i Bashkimit Europian. Unë kam qenë Kryeministër, kam  qenë edhe udhëheqës i opozitës, kështu që di ca gjëra për politikën.

Ne e dimë që, zakonisht, opozita nuk e mbështet qeverinë dhe që qeveria nuk mbështet opozitën, se po të ndodhte e kundërta, do të ishte shqetësim. Por, normale është që në politikë të ketë pozitë dhe opozitë. Por çështja është se cili është niveli i pranueshëm i konfliktit demokratik. Mendimi im dhe këtë e kam thënë shumë qartë, në mënyrë të sinqertë, zotit Kryeministër, por edhe atyre e që kanë mbajtur këtë pozicion më parë, që nuk e ndihmon vendin tuaj që të jetë situata kaq e polarizuar. Edhe them këtë në mënyrë të sinqertë, si mik i Shqipërisë, sepse kur nga ana e Bashkimit Europian shikojmë Shqipërinë, tani që anëtarësimi juaj është akoma më i besueshëm, sepse juve ju është dhënë statusi kandidat, njerëzit duan të shohin nëse Shqipëria është problem apo jo. Një vend që është i polarizuar shumë mund të shihet si problem dhe jo si aset pozitiv për procesin e integrimit në BE.

Prandaj, mesazhi im i qarët dhe i fortë, për të gjithë forcat politike në vend, në pozitë dhe opozitë, – do t’i them të njëjtën gjë edhe udhëheqësve të opozitës kur ta kem rastin, – është që konsensusi minimal duhet arritur të paktën përsa i përket fateve që kanë të bëjnë me integrimin europian. Dhe mund të themi që sa i përket integrimit europian, këtu në Shqipëri ka një konsensus të gjerë, por edhe që cilësia e demokracisë është shumë e rëndësishme, pra, cilësia e marrëdhënieve të ndryshme në një vend e shoqëri demokratike. Mendoj se do të ketë kohë të konsolidohen këto praktika, por, sëbashku me ato gjëra që kam thënë përsa i përket prioriteteve kyçe, natyrisht që kjo do të jetë një çështje që do të ndiqet me vëmendje nga të gjithë partnerët e Shqipërisë, nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Siç ia thashë edhe zotit Kryeministër, tani pas statusit kandidat, për arsye se aderimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian po bëhet gjithnjë e më realist, një objektiv më i kapshëm, i arritshëm, atëherë do të ketë më shumë vëmendje nga qeveritë e shteteve  anëtare të BE-së. Këtë duhet ta shikoni si një element pozitiv, pasi ata atëherë po mendojnë si dhe kur mund të bëhet Shqipëria shtet anëtar i BE-së.

Prandaj, ju duhet të bëni çdo gjë që të mbështesni pikërisht konsolidimin e demokracisë në vend dhe kjo gjë do të jetë shumë e rëndësishme, edhe sikur të mos ishte për faktin e integrimin europian. Edhe sepse unë besoj nga përvoja, pasi ne në Komisionin Europian, p.sh, po shikojmë shumë vende që janë bërë shtete anëtare të BE, ndonjëherë ka me të vërtetë beteja mes tyre, por ama ka pasur mbështetje të përgjithshme për integrimin europian në ato vende dhe kjo ka qenë gjë e mirë, sepse është natyrisht, një gjë që shkon në të mirën e vendit.”

Kryeministri Rama: “Faleminderit për pyetjen! Ne kemi një objektiv ta bëjmë Europën të bjerë në sevda me Shqipërinë, por s’mund të kemi objektiv ta bëjmë opozitën të bjerë në sevda me ne. Ashtu sikundër, edhe ne s’mund të na kërkohet kjo gjë. Megjithatë, dua ta nënvizoj se ne na ndihmon shumë fakti që deri më pak se një vit më parë ishim në opozitë dhe do t’i qëndrojmë në mënyrë të vendosur asaj që kemi thënë qysh në fillim; Opozita gjatë qeverisjes sonë nuk do të vuajë atë që vuajtëm ne, kur ishim në opozitë. Ne nuk do të bëjmë gabimet e pararendësve tanë, por do të nxjerrim mësime nga ato gabime.

Faktikisht, ju jeni të gjithë dëshmitarë se si asnjëherë më parë, në momente kaq të rëndësishme, Qeveria nuk mori as daullet, as këngëtarët, as tribunën për të treguar që këtë e bëmë ne dhe gati-gati për ta transformuar një moment të tillë, me rëndësi kombëtare dhe ku të gjithë kanë kontributin e tyre, në një moment për të thënë e mundëm opozitën edhe këtë herë.

Ne kemi qenë dhe do të jemi absolutisht gjithëpërfshirës, në njohjen e meritave të gjithkujt për arritjen e derikëtushme. Ftesat tona janë për të gjithë. Sot, bashkë me Presidentin Barroso do të jemi në Galerinë Kombëtare, sepse Presidenti është një dashamirës i zjarrtë i artit dhe, edhe aty, ne kemi ftuar edhe opozitën që të jetë bashkë me ne dhe që të kemi një moment ndarjeje të këtij qendrimi të Presidentit bashkërisht në mënyrë informale. Gjëra këto të paimagjinueshme, deri një vit më parë. Por, këto janë thjesht ana simbolike, ndërkohë që ana substanciale,- siç thonë ekspertët e integrimit, se unë nuk i përdor shumë këto fjalët e huaja, – është që ne të ecim bashkërisht, edhe me reformat. Reforma në Drejtësi është një sfidë e përbashkët. Ne duam ta bëjmë atë bashkërisht. Për Reformën Territoriale, ne kemi qenë të hapur dhe jemi të hapur deri në sekondën e fundit, në qoftë se opozita ka opsion, për të realizuar objektivin deri në fund të këtij sesioni. Tani, në fund të ditës, ne jemi zgjedhur për të udhëhequr, nuk jemi zgjedhur për ta bërë opozitën të na dojë me patjetër.

E, nga ana tjetër, për ta mbyllur e falenderoj shumë Presidentin që nënvizoi atë që kemi nënvizuar qysh ditën e parë, lufta kundër krimit është një luftë kombëtare, për një interes kombëtar dhe është një luftë e gjithë shoqërisë, përmes politikës. Politizimi i kriminalitetit ndihmon kriminalitetin dhe përfshirja e policisë në këto politizime, siç e tha dhe Presidenti, është diçka që na pengon të gjithëve. Shpresoj që mesazhi i tij të lexohet dhe të dëgjohet qartë nga të gjithë, siç e dëgjojmë ne këtu.

Dhe, e fundit fare, e falenderoj shumë Presidentin, edhe për diçka tjetër, – e lashë për në fund si ëmbëlsirë që lihet në fund, – që sot erdhi me dosjen e një programi të ri, ku Shqipëria përfshihet si një vend me një status të ri, që është dosja “Creative Europë”, e Europës krijuese, që i jep mundësinë edhe gjithë njerëzve të kulturës dhe të artit shqiptar që të mund të shohin përtej horizontit të mundësive të derisotme. Sigurisht që në Europë s’të fal njeri gjë, këtë e dimë, por ne duhet të jemi sot shumë të lumtur, që kemi mundësinë të marrim në qoftë se jemi të zotë, të marrim duke përfituar nga aksesi në këtë program.

Doja që këtë konferencë ta përfundonim me një fotografi të përbashkët me dy partizanët e procesit të integrimit, që nuk lanë rrugë e mal pa u ngjitur për të avokuar integrimin, Ministren e Integrimit dhe Ministrin e Jashtëm dhe me Ministren e Kulturës që është sot, këtu, pikërisht sepse është përfituesja e parë në Shqipëri e një programi të ri europian, për të bërë një foto të përbashkët me Presidentin.