Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen vjetore të qeverive, Shqipëri-Kosovë:

 

Mirëserdhët!

Të dashur miq, kolegë, motra dhe vëllezër nga Kosova!

Është kënaqësi e posaçme që, pavarësisht këtij momenti kaq të vështirë që po kalojmë ne dhe mbarë bota, kufizimi i kontakteve dhe kushtet për takime të afërta janë shumë të kufizuara, arrijmë që sidoqoftë ta organizojmë së bashku këtë takim të gjashtë ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, këtu në Tiranë, pikërisht në 100 vjetorin e kryeqytetit.

Përpara se të vinim këtu, kemi patur një bisedë miqësore me Kryeministrin dhe kemi rëndë dakord të investohemi së bashku për të çuar përpara një projekt të përbashkët, duke filluar sa më parë nga puna, për 150 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, i cili është ende larg në kohë, por jo aq larg, sa për të mos menduar që sot për një projekt të përbashkët rikualifikimi urban, tërësor, të qytetit historik të shqiptarisë.

Takimet ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, zhvilluar gjithmonë në frymën e një bashkëpunimi të ngushtë vëllazëror dhe ndërveprimi të vazhdueshëm politik dhe diplomatik, janë një mundësi shumë e mirë, qoftë për të bërë një bilanc të hapave të hedhur, qoftë për të hedhur piketat për hapat e mëtejshëm.

Deklarata  e Përbashkët e Bashkëpunimit dhe Partneritetit Strategjik, e nënshkruar mes vendeve tona në Prizren, në janar të vitit 2014, mbetet një udhërrëfyes i çmuar për integrimin sa më të ngushtë dhe bashkëpunimin sa më të thelluar në të gjitha fushat mes dy shteteve tona.

Hapat e hedhur nuk janë të vegjël, megjithëse distanca deri në përmbushjen e vizionit tonë të përbashkët mbetet e madhe. Nëse i referohemi mbledhjes së fundit të përbashkët në Pejë, mund të konstatojmë se të gjithë dokumentet e nënshkruara janë në proces zbatimi, ose procesi i zbatimit të tyre ka përfunduar. Dua të nënvizoj në veçanti ecurinë e mirë të zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve për hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe përmirësimin e infrastrukturës në pikën kufitare Morinë-Vërmicë. Kontrolli kufitar në pikën e kalimit të përbashkët Morinë-Vërmicë funksionon sipas parimit një ndalesë, një kontroll. E pavarësisht nga fluksi i madh, edhe në këtë sezon veror, kemi vënë re që  lëvizja e qytetarëve ka qenë më e relaksuar në kohën e pikut, duke shmangur një vazhdimësi shqetësuese radhësh të gjata, dukuri e zakonshme e kohëve më parë.

Kjo, natyrisht falë punës së mirë të strukturave tona policore dhe kufitare dhe bashkëpunimit të ngushte mes tyre.

Por padyshim kjo nuk mjafton. Ambicia jonë është heqja e kufirit, në funksion të zbatimit të katër lirive të Bashkimit Europian në rajonin tonë, duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota po ashtu,  heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj se është e rëndësishme që dy ministret e Brendshme të vendeve tona të intensifikojnë punën për të krijuar databasën e përbashkët dhe për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve dhe daljeve në të gjithë pikat kufitare të perimetrit të përbashkët, gjë që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit, pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme dhe kundër çdo forme abuzimi me lirinë e lëvizjes.

Nga ana tjetër dua ta vlerësoj angazhimin e dy qeverive për funksionimin e Zyrës Operative të Kosovës në doganën e Portit të Durrësit, ku ka filluar aplikimi i  funksionimit të një sistemi të ri të përbashkët. Marrëveshja që së shpejti do të firmosim në javët e ardhshme për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella për procedurat doganore dhe kontrollin e hyrje-daljes së mallrave, faktikisht na çon në një destinacion, deri përpara disa vitesh të paimagjinueshëm, shndërrimin e Portit të Durrësit në një port “de fakto” edhe të Kosovës. Stacioni i vetëm, ku hyrja e të gjitha mallrave për në Kosove, nga pikëpamja legjislative dhe juridike do të trajtohet si një hyrje në Kosovë në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt realizmit të objektivit që Porti i Durrësit të kthehet në një port strategjik, jo vetëm për të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, por edhe për atë rajonale, gjë që e kam konstatuar me shumë kënaqësi si fakt, edhe në marrëveshjen e nënshkruar në Washingon, pak javë më parë.

Por ambicia jonë nuk duhet të ndalet vetëm në një stacion, apo në një pikë kalimi doganor, sado e rëndësishme të jetë ajo. E faktikisht me këtë marrëveshje, ne më në fund do të mundësojmë ligjërisht dhe nga ana procedurale kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, njohjen automatike të agjentëve doganorë të të dyja vendeve, njohjen e garancive në të gjitha pikat doganore dhe me tej, lehtësi këto që shënojnë hapjen e një kapitulli të ri drejt realizmit të objektivit të një bashkimi të mirëfilltë doganor në vitet që vijnë.

Në të vërtetë, kriza e shkaktuar nga pandemia nxori në pah jo vetëm dobësitë, por pikat e forta të qëndrueshmërisë dhe të vitalitetit të bashkëpunimit tonë ekonomik, të ndërtuar në këto vite, mbledhje pas mbledhje, marrëveshje pas marrëveshje. Është fakt dhe faktet për fat të keq, në kohën që jetojmë, kanë shumë më pak peshë në sytë dhe në veshët e njerëzve, sesa lajmet e rreme, apo gjysmë të vërtetat. E për këtë arsye, fatkeqësisht edhe për këtë fakt, pak kush, ose askush e ka marrë mundimin të flasë nga të gjithë agjentët e pavarur të informacionit në Shqipëri, në Kosovë, që si rezultat konkret i lehtësimit dhe heqjes së barrierave të ndryshme është shënuar një rritje e konsiderueshme e shkëmbimeve tregtare në një klimë shumë jo favorizuese.

Vitin e kaluar, dinamika pozitive e shkëmbimeve tregtare ka bërë që bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë të shënojë kuotat më të larta të shkëmbimeve në të gjitha  vitet, rreth 305 milionë euro.

Sidoqoftë, ky është një fakt që flet jo vetëm për një arritje, por edhe për një potencial të madh ende për t’u shfrytëzuar.

Pika kufitare në Morinë ka funksionuar gjatë gjithë kohës së pandemisë. Ka arritur të menaxhojë fluksin e shkëmbimit të mallrave midis dy vendeve. Autoritetet përkatëse të ushqimit, higjienës dhe inspektorateve shëndetësorë kanë patur një bashkëpunim shumë të mirë. Kjo, në kontekstin më të gjerë të iniciativës rajonale të korridorit të gjelbër të mallrave prioritare bëri që edhe në pikën kulmore të paralizimit të veprimtarisë tregtare për shkak të pandemisë, qarkullimi i mallrave, i produkteve ushqimore dhe atyre mjekësore të mos ndalin asnjë sekondë mes vendeve tona.

Përveç thellimit të bashkëpunimit doganor dhe detar, pika tjetër ku dëshiroj të vë një theks sot është ndërlidhja. Veçanërisht, bashkëpunimi në fushën e ndërlidhjes digjitale dhe asaj hekurudhore.

Sot hedhim një hap të rëndësishëm për eksplorimin e mundësive për ndërtimin e linjës hekurudhore mes dy vendeve në kuadrin e zhvillimit të korridoreve rajonale, hekurudhore, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë teknik dhe profesional. Sigurisht që ky hap do të kërkojë kohën e vet për t’u materializuar, por shkon paralel me atë që praktikisht po realizojmë, një port të përbashkët në Durrës, të Shqipërisë dhe Kosovës dhe në funksion të të gjithë rajonit, që e kërkon vetiu një lidhje të shumëfishtë në pikëpamje transporti, përfshirë dhe hekurudhën.

Së shpejti, ne nisim, besoj më në fund, pas një odiseje të gjatë në labirintin e procedurave të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Edhe ky hap tjetër, besoj, që shkon në drejtimin e duhur. Ashtu sikundër shkon në drejtimin e duhur angazhimi për të zhvilluar korridorin digjital Prishtinë-Tiranë, mbështetur në teknologjinë 5G.

Në këtë pikë, unë dua të rikonfirmoj qëndrimin e qeverisë tonë dhe timin personal, të bërë me dije me shkrim për kryeministrat e rajonit kohë më parë, që vendet e rajonit tonë duhet të shohin perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5G të bazuar në një rrjet të sigurtë në çdo aspekt dhe sigurisht duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës që ekziston sot dhe që, për sa na takon si Shqipëri, është një ofertë e dyshimtë.

Në vijim të bisedës së zhvilluar me Kryeministrin në korrik të këtij viti, ne jemi angazhuar të hulumtojmë mundësitë e investimeve të përbashkëta, me kapacitete të reja energjetike për të dy vendet. Kjo është një temë që po e zhvillojmë dhe që duam ta çojmë përpara, drejt një integrimi, jo vetëm të strukturave tona, por edhe të politikës tonë energjetike për të pasur diversitet dhe komplementaritet në funksion të tregut të energjisë.

Më vjen mirë të them që edhe bashkëpunimi në fushën diplomatike ka funksionuar më së miri si një shtyllë e bashkëpunimit tonë strategjik, siç ka funksionuar më së miri edhe harmonizimi ynë në mbështetje të faktorit shqiptar kudo në rajon, si një prioritet i përhershëm i punës së dy qeverive, por që kur bashkohen forcat, prioriteti merr më shumë fuqi zbatuese.

Arritjet e forcave shqiptare në zgjedhjet e fundit në disa vende të rajonit flasin shumë qartë për potencialin që ka bashkimi i shqiptarëve, unifikimi i qëndrimeve për çështje me rëndësi strategjike për shqiptarët dhe fuqizimi i zërit të tyre  në institucionet ligjvënëse dhe ligjzbatuese të rëndësishme.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare, së bashku me përfaqësitë e saj diplomatike janë angazhuar si asnjëherë më parë, për të përmbushur një strategji kombëtare dhe plan veprimi të diasporës për vitet 2018-2024, të udhëhequra nga vizioni i përbashkët politik dhe strategjik për mbrojtje dhe afirmim të interesave të shqiptarëve. Ne kemi marrë përsipër disa nisma, ndër të cilat edhe nisma e përbashkët për të krijuar fondin në mbështetje të Luginës së Preshevës, ndërkohë që do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për të institucionalizuar këtë qasje edhe për Malin e Zi.

Nuk diskutohet që në këtë kornizë, angazhimi ynë për Kosovën, në funksion të shtrirjes së prezencës së saj në organizmat ndërkombëtare dhe rajonale, mbetet shtylla kurrizore e gjithë këtij organizmi ndërveprues. Dhe më vjen shumë mirë të vlerësoj këtu, angazhimin që do të merret sot, mes nesh për bashkëpunim në fushën e sigurisë, angazhim që parashikon atashimin e ndërsjellë të  oficerëve të kontaktit nga ato shtete, ku njëra apo tjetra palë nga ne nuk ka përfaqësi.

E them këtë, sepse mund të duket simbolike apo diçka e thjeshtë, por në fakt është pjesë e një mënyre të re e të parit gjërat që ne duhet ta ushtrojmë me kurajë dhe pa humbur kohë në krijimin e një rrjeti prezence diplomatike nëpër botë që të jetë një rrjet që funksionon në mënyrë komplemetare për interesat tona të përbashkëta strategjike dhe që padyshim funksionon dhe nga pikëpamja e eficencës shumë më mirë sesa dy rrjete të ndryshme që nganjëherë nuk ndërveprojnë me njëri-tjetrin.

Ndaj dhe unë besoj që qeveritë do të vazhdojnë të punojnë për të ngritur dhe konsoliduar mekanizma që e forcojnë këtë ndërveprim diplomatik dhe konsullor, natyrisht, në përputhje me normat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Kosova bënë një hap të rëndësishëm më 23 Prill 2020, kur ministria jonë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria për Integrimin Europian e Kosovës ranë dakord për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të integrimit europian, shkëmbimit të praktikave dhe eksperiencave përsa i përket organizimit të strukturave negociuese, harmonizimi i legjislacionit dhe çështjeve të tjera në këtë drejtim.

Është e pamundur që në këtë ngjarje të vitit për të dyja qeveritë të mos nënvizohet përparimi i Kosovës, sidomos kohët e fundit, në rrafshin diplomatik.

Takimi i Washington-it, rihapja e dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian me Serbinë, përparimi në axhendën e reformave europiane, drejtimi me sukses i Presidencës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, anëtarësimi në rrjetin europian të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë, nuk janë të tëra, por janë disa prej shenjave kuptimplota të përparimit diplomatik të Kosovës në muajt e fundit.

Në mënyrë të veçantë dua të theksoj këtu, qasjen e mençur, kurajoze dhe konstruktive të qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë, në një koordinim të zgjuar me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet  e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, duke hequr kështu çdo pengesë për rinisjen e dialogut që, në fakt, koha dhe faktet treguan se ishte një pengesë që Kosova fatkeqësisht ia vuri vetvetes.

Dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje. Çdo bishtnim nga dialogu krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale dhe në mexhlisin mediatik lokal, por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës, qoftë së brendshmi në raport me vetveten, qoftë së jashtmi në raport me botën. Konsensusi i brendshëm, përsa i takon qëndrimit ndaj dialogut, në funksion të forcimit të pozitave negociuese të Kosovës është një domosdoshmëri që unë uroj dhe shpresoj të mbetet e tillë në sytë e të gjithë atyre që e garantojnë sot, këtë konsensus.

Mendoj që sot jemi në kushtet kur mund t’i shohim para syve, qoftë pasojat e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë, qoftë dhe rezultatet e ndërmarrjes së një rruge me perspektivë. Në shumë pak kohë u arrit të restaurohej një krisje shumë e madhe, që pati pasoja jo të vogla mbi Kosovën dhe u arrit të hidhej një hap për të cilin jam i bindur që çdo ditë e çdo vit që kalon do të flasë gjithmonë e më mirë në Washington.

Nuk e di çfarë duhet të besoj lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Nuk më mbetet vetëm të përsëris që mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një turp për Bashkimin Europian. Një turp i pashlyeshëm dhe i pajustifikueshëm për sa kohë mosliberalizimi i merituar jo sot, por prej disa kohësh mbetet në fuqi, jo për arsye se Kosova nuk ka bërë detyrat, por për arsyen se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vende të caktuara të Bashkimit Europian. Kosova është marrë peng i logjikës elektorale në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe Kosova duhet të presë si mbarojnë një palë zgjedhje në një vend e pastaj kur ka zgjedhje në një vend tjetër, ndërkohë që duket sureale, por i bie sikur e vetmja gjë që duhet të uroj, është që fundi i demokracisë dhe fundi i proceseve zgjedhore në Europë, që të mund të marrë liberalizimin e vizave.

Kam folur pa pushim për këtë temë me të gjithë ata që kam takuar dhe sa herë i kam takuar në Europë. E akoma sot nuk arrij dot ta kuptoj asgjë nga ato që thonë, por kuptoj që arsyeja është ajo që nuk thonë. Kosova e paguan me mos liberalizim të vizave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e paguajnë me sajesa pas sajesash, sipas konfiguracionit elektoral në një vend e në një vend tjetër dhe rajoni e paguan në tërësi. Kjo është arsyeja, pse unë jam i bindur që, nëse bashkëpunimi dhe integrimi rajonal absolutisht nuk është një alternativë e integrimit europian, është padyshim një valvul e rëndësishme shkarkimi përsa i përket presionit të madh dhe objektiv mbi tregjet shumë të vogla që ne jemi, të ndarë nga njëri-tjetri. Zgjerimi i tregjeve dhe integrimi i tregjeve në rajon nuk sjell asgjë të keqe, përkundrazi, sjell më shumë ekonomi, sjell më shumë punësim dhe patjetër sjell më shumë mundësi për paqe e për zgjidhjen përfundimtare të çështjes themelore, që është njohja e Kosovës nga Serbia.

Dua të vë theksin edhe tek një marrëveshje që në pamje të parë mund të duket e parëndësishme, në krahasim me sa fola, por është një marrëveshje shumë e dobishme për mësimin online si një risi që kërkon koha. E ka kërkuar koha edhe përpara pandemisë, por sot e ka vendosur si prioritet dhe që do të na ndihmojë ta çojmë më tutje konsolidimin e bashkëpunimit për integrimin e plotë të Arsimit Parauniversitar në dy shtetet tona nëpërmjet dhe një platformë të unifikuar dixhitale. Është një hap shumë i madh përpara ky që është bërë, është një tjetër fakt konkret i punës së përbashkët të dy qeverive që si faktet sot në kohën tonë ka mbetur larg vëmendjes, por është shumë më i rëndësishëm për të ardhmen se të gjitha lajmet gjysmë të vërtetat dhe rrenat që konsumohen çdo ditë në të sotmen, duke çoroditur opinionet tona publike. Sepse ne kemi vendosur bazën e të ardhmes, duke i vendosur fëmijët e Shqipërisë dhe të Kosovës në të njëjtat kushte përsa i përket sistemit dhe qasjes të mësimdhënies e të mësimnxënies. Për herë të parë, ne po përgatisim një gjeneratë tjetër në të njëjtin sistem dhe po e bëjmë të gatshme nesër, për të folur të njëjtën gjuhë, jo në kuptimin e gjuhës shqipe, por në kuptimin e komunikimit me të gjithë elementët që përbëjnë kulturën e marrë në shkollë.

Firmosja e marrëveshjeve mes ministrive të Kulturës është po ashtu e rëndësishme, edhe në këtë funksion, si dhe patjetër bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë dhe të mbrojtjes civile.

Nuk do ta harroj asnjëherë e nuk do të mungojë asnjëherë në përsëritjen e mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për frymën e ngrohtë të vëllazërisë dhe solidaritetit që sollën forcat e Kosovës në një nga ditët më të vështira për Shqipërinë në historinë e saj, që ishte dita pas tragjedisë së 26 nëntorit.

Edhe një herë dua t’i falënderoj me shumë respekt.

Dua ta mbyll duke nënvizuar që projekti i Shengenit Rajonal është projekti i rinisë shqiptare, i rinisë shqiptare në Shqipëri, në Kosovë e kudo qoftë. Është projekti i të gjithë atyre që ende sot janë në kopsht, ende sot janë në shkollën fillore, ende sot janë në një moshë pa të drejtë vote dhe për të cilët është përgjegjësia jonë e madhe të vendosim. Është projekti i të rinjve, sepse është projekti i daljes përfundimtare nga kurthi i historisë dhe i spostimit tonë në një hapësirë më të madhe, e cila jo vetëm do të na krijojë të gjithëve shumë më tepër frymëmarrje e shumë më tepër mundësi në çdo aspekt, jo vetëm do ta kthejë këtë rajon nga një vrimë e zezë në perceptimin e të tjerëve në një zonë atraksionesh dhe mundësish për investime, por edhe do të kryejë një mbështetje të madhe për të gjithë për integrimin përfundimtar në Bashkimin Europian. Nuk duhet të jetojmë me iluzione. Duhet të jetojmë me realitetin dhe duhet ta shohim realitetin sa më shumë me sytë e atyre që janë më të vegjël. Unë besoj se bashkëpunimi ynë në këtë drejtim sot është i hapur plotësisht. Koha e mureve ideo-psikologjike besoj që ka kaluar e duhet ta shfrytëzojmë këtë moment e ta bëjmë atë kohë të pakthyeshme, duke i kryer një nga një të gjitha detyrat që imponon vendosja e të katër lirive të Bashkimit Europian plotësisht, në radhë të parë në territorin mes nesh ku nuk na pengon askush e nuk kemi nevojë as për përkthyes për marrëveshjet e përbashkëta, sepse i shkruajmë në të njëjtën gjuhë, i lexojmë në të njëjtën gjuhë dhe i kuptojmë nga e njëjta gjuhë.

Shumë faleminderit!

Zoti Kryeministër, duke ju falënderuar edhe një herë dhe duke të falënderuar për ardhjen, miku im, fjala është për ju. Uroj të kemi një mbledhje produktive e që të gjithë ju, në fund t ë ditës të ktheheni jo të mërzitur, por sado pak të energjizuar nga kjo ditë në Tiranë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.