Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:
Flisni këtu, sikur sapo zbritët sëbashku nga një anije kozmike, e mbërritur nga hëna. A thua se nuk ishit ju, kur ndërtohej në mes të lumit, kur propagandohej mrekullia e 8-të e botës, se kështu e keni quajtur ndërtimin pa leje! Jemi i vetmi vend – thoshte Saliu, – që kemi ndërtuar një qytet pa leje komplet.
Ju ua dhatë njerëzve drejtimin për andej ku kurrë nuk kishin shkuar shqiptarët. Stërgjyshërit, katragjyshërit, stërkatragjyshërit tanë nuk kanë pasur as shkollat që keni bërë ju, as specializimet në Francë që bënte Saliu me teze Viton, as të veshur firmato nuk kanë qenë, por kurrë nuk kanë ndërtuar në lumë. Ndërtimin në lumë dhe përlumë e sollët ju dhe e bëtë Shqipërinë rast unikal. Tani kërkoni llogari, a thua se ju ishit në hënë dhe të gjitha këto ndodhën pa praninë tuaj, pa bekimin tuaj, pa mbështetjen tuaj, pa yryshin tuaj anti-shtet, që e bëtë shtetin e Shqipërisë karikaturën më qesharake të konceptit të shtetit. Flisni për ndihmat, ju që ikët nga pushteti pasi hëngrët të gjitha groshët dhe gjithë orizin e rezervave të shtetit e bëtë pilaf për vete. Morët edhe çizmet. Po çizmet, çfarë i deshët? I latë rezervat e shtetit trokë.
Ne nuk i kemi kërkuar ndihma askujt, por kemi falënderuar çdokënd që është ofruar të na ndihmojë. Jemi shumë mirënjohës dhe të prekur nga gatishmëria e të gjitha vendeve të rajonit për të na ndihmuar menjëherë. Nuk po flas për Kosovën, se Kosova e ka bërë këtë gjithmonë. Po flas për të gjitha vendet e rajonit, për Bullgarinë, Turqinë, Italinë, Greqinë, po flas për Shtetet e Bashkuara, për NATON e për të gjithë.
Thoni “150 mijë njerëz pa drita”. Sa njerëz rrinë pa drita, kur ndodhin përmbytjet në çdo vend, edhe në Shtetet e Bashkuara, edhe në Itali? Sot që flasim, sa njerëz ka pa drita në zonën që është përmbytur aktualisht në Itali? Sepse gjëja e parë që bëhet për sigurinë e jetës është që fiken nënstacionet aty ku ka rrezik nga përmbytja.
Po ashtu thoni se unë paskam thënë që s’do ketë më ndërprerje dritash nga përmbytjet. Jo, unë kam premtuar dhe e them prapë se nuk do ketë më përmbytje nga dora e njeriut në qeveri, jo nga vullneti i natyrës. Sepse kaskada e Drinit, e menaxhuar me telefon, e përmbyti në mënyrë të hatashme Nënshkodrën. Në një rast të ngjashëm, po të kishte pasur një menaxhim tjetër, sipas të gjithë rregullave, nuk do ishte nevoja t’i derdhej i gjithë uji i marrëzisë, Nënshkodrës.
Po të mos ishin bërë të gjitha ato investime, ne do të kishim pasur realisht një situatë tragjike. Ato investimet kanë krijuar kushte për të qenë shumë më të mbrojtur, edhe pse jam shumë dakord që duhet të vazhdojnë dhe do të vazhdojnë. Kurse ju, nga përmbytja e Shkodrës nxorët bypass-in e Bunës, që tani janë ngritur të tërë shkodranët, me në krye Voltana Ademin dhe kërkojnë të ndryshojë projekti.
Këtu është ish kryetari i Bashkisë së Shkodrës. A je dakord që të ndërtohet bypass-i që ka filluar atje, sepse kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka ardhur tek unë e besoj me të drejtë dhe ka kërkuar nga qeveria të ndalojë projektin, ta ribëjë atë, për të mos e kthyer të gjithë vijën e liqenit me një mur të marrëzisë suaj, siç dhe i bëtë ju projektet. Të vetmin investim, që ka rrjedhur nga përbetimet tuaja se Shkodra s’do përmbytej kurrë. Do ta bënit edhe të lundrueshme, do të vinit gondolat për të shkuar e për të ardhur për martesa. Projekti ka nisur, bazuar tek projekti që ka bërë Saliu, tani si kryetar i ish Bashkisë së Shkodrës mbro projektin këtu, ose bashkohu me mua që ai projekt duhet të ndryshojë.
Sipas jush, është hapur rezervuari i Kasharit dhe uji nga Kashari paska shkuar në të përpjetë, paska kapur Qafën e Kasharit dhe paska mbërritur deri tek City Park. Nuk ka pasur hapje të asnjë rezervuari. Hapja e rezervuarëve ka procedura. I vetmi që i hapte rezervuarat pa procedura, me telefon, ishte Saliu. Që të ndodhte ajo përmbytje atje nga rezervuari, duhet të ishte hapur rezervuari i Gjokajt, që është në varësi të Bashkisë së Vorës dhe kjo nuk ka ndodhur.
Një shtet serioz, – thatë, – duhet të bëjë një plan për të larguar familjet nga aty ku ka ndërtuar. Pse nuk e bërë ju që ishit në qeveri 8 vjet dhe e vetmja gjë që bëtë edhe përpara se të vinit në qeveri, stimuluat yryshin për të ndërtuar pa leje. E latë Shqipërinë me 120 mijë hektarë tokë bujqësore të vaditshme dhe të kullueshme. Sot ka 240 mijë hektarë. Ne e kemi dyfishuar sipërfaqen e kullueshme dhe kanë qenë ato investimet që kemi bërë me ato ekskavatorët që ju përmendni gjithashtu, që kanë lehtësuar në mënyrë të ndjeshme efektin e përmbytjeve. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë investimet. Po përgatisim një projekt të posaçëm për të ndërhyrë në të gjitha pikat e dobëta, sepse nuk kemi arritur të adresojmë të gjithë pikat e dobëta që janë krijuar nga çerekshekulli marrëzi, çerekshekulli i vizionit tuaj për këtë vend. Ju do të bënit Zvicrën te Lana dhe u thonit njerëzve, ja ku është damari i kapitalizmit shqiptar, në Lanë. Dhe Saliu e tregonte Lanën si Zvicrën e Ballkanit
Lana ka qenë lumi i fëmijërisë sime, ti Sali erdhe vonë tek Lana. E çfarë i bëre? I preve pemët dhe e ndërtove komplet pa leje, nga fillimi deri në fund të saj. Unë, Lanës i riktheva gjelbërimin dhe pemët. Nuk e kuptoj, çfarë inati ke me gjelbërimin dhe me pastërtinë, se je rritur në mes të ajrit të pastër dhe e në mes të gjelbërimit e të pastërtisë. Pse e shikon degradimin urban si zhvillim?
Falënderuat me të drejtë Forcat e Armatosura. E kam falënderuar gjatë ditëve të përmbytjeve dhe e falënderoj edhe këtu, qëndrimin e mbajtur nga kryetari i partisë suaj e nga ju në tërësi, se Saliun e kemi me status të veçantë, ka statusin e qytetarit dixhital që kërkon vetëm pisllëk, mortje, shkatërrim, kataklizëm kudo, në pritje të revolucionit që e ëndërron, se kujton se e bëri ky atë revolucionin e ’90-s dhe tani kujton se do t’i vijë radha edhe për ndonjë revolucion tjetër. Po ti nuk bëre as atë e jo të bësh tjetër.
Një gjë është e vërtetë; Forca të Armatosura, Shqipëria ka pasur edhe më përpara. Emergjenca civile Shqipëria ka pasur edhe më përpara. Struktura të tjera ka pasur edhe përpara.
Ne kemi kërkuar ndihma për urat dhe kemi bërë shumë mirë. Ndryshe nga çfarë predikoje zotrote edhe në përmbytjen e mëparshme dhe tani, nuk është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme që sjell ndihmat, apo detyrimet karshi njerëzve, por është vullneti. Ne kemi dëmshpërblyer një për një, çdo familje të përmbytur në vitin 2015. E përsëris dhe ia përsëris dhe asaj vajzës që në një moment i shkruajtën të gjithë shkodranët e i bllokuan telefonin, ne kemi dëmshpërblyer të gjitha ato familje që ju i latë rrugëve e nuk u dhatë një kokërr leku. Ato 27 milionët që thoni, nuk e di ku i keni parë, por është ajo matematika, 7 x 7 bëjnë 42.
Sa i përket ushtarakëve, emergjencave e gjithë strukturave të tjera, ato kanë qenë aty gjithmonë, por këtë herë ka pasur superorganizim, sepse jemi përgatitur me kohë për këtë moment dhe e kemi përballuar momentin me maksimumin e eficensës së të gjitha strukturave. Kjo ka të bëjë me organizimin, nuk ka të bëjë vetëm me devocionin.
* * *
Ish kryetari i Bashkisë së Shkodrës është këtu. Lorenc dil dhe mbaj qëndrimin për bypass-in e Bunës që e projektoi Saliu dhe që kryetarja e Bashkisë, si e gjithë Shkodra, mendon siç e mendojmë edhe ne, që duhet absolutisht ndryshuar rrënjësisht projekti. E vetmja pritë që Saliu deshi t’i ngrinte ujit, për të mos përmbytur Shkodrës, u kthye në mur për të qorruar shikimin e shkodranëve në liqen. Në qoftë se mbështet projektin qorr të Saliut, je në lartësinë që të kërkon detyra e përfaqësimit në këtë grup, që vetëm me sytë e vet, vetëm me mendjen e vet nuk mendon, se ja ku i ka sytë, ja ku e ka mendjen dhe ja ku e ka telekomandën, atë ipad-in që ju telekomandon të gjithëve ju.
Po ashtu ka filluar një hetim për çështjen e përmbytjes tek zona e City Park, ku nuk ka asnjë palmë. Fobia juaj ndaj palmave, unë e kam një shpjegim, po do ta ndaj me Saliun veç, se ai ka shumë gjasë që mos ta pranojë, po ta kuptojë nga njohja që ka për psikanalizën.
Ndërkohë, nga të dhënat e para hetimore, në atë zonë është ndërtuar mbi kolektor. Për dijeninë tuaj, lejet e ndërtimit mbi kolektor i kanë dhënë ata që i kanë dhënë gjithmonë, pra, ju. Hetimi do të sjellë si përfundim edhe çuarjen për ndjekje penale të atyre që kanë përgjegjësi për atë dëm të shkaktuar, sepse është e vërtetë, përmbytja tek City-Park nuk është dëm i shkaktuar nga furia e tërbimit të natyrës, por nga njeriu. Patjetër që ne do të ndërhyjmë për ta rivendosur në vend infrastrukturën në atë zonë. E përsëris, nuk janë hapur rezervuare. Këtë informacion e keni nga kazani dixhital i Saliut, që është kazani më i madh.
Kam thënë që aty ku po ndërhyjmë, nuk do të përsëriten përmbytjet. Shkoni dhe verifikoni; Aty ku janë ndërtuar strukturat dhe e gjithë infrastruktura me investimin e bërë pas 2015-ës, nuk kanë ndodhur ato gjëra që ndodhën në 2015-ën dhe kjo si rezultat i infrastrukturës.
Ne kemi dëmshpërblyer një për një, të gjitha humbjet në bagëti, të gjitha humbjet në shpendë, të gjitha dëmet e bëra. Pyesni qytetarët në Fushë-Krujë, a i kanë marrë një për një, të gjitha dëmshpërblimet që nuk i merrnin kurrë dhe që përmbyteshin rregullisht, gjithmonë, për shkak të katrahurës që latë ju atje. Pyetni edhe qytetarët në Novoselë, edhe qytetarët në Fier e kudo. Të gjithë ata që janë regjistruar, janë dëmshpërblyer. Ata që nuk i kanë përmbushur kriteret dhe nuk janë regjistruar, sigurisht që nuk kanë si të dëmshpërblehen. Ama listat kanë qenë të gjitha të miratuara, pasi janë certifikuar nga një strukturë qendrore përkatëse dhe dëmshpërblimet janë dhënë.
Si përfundim, po iu them se 27 milionëshi nuk ekziston fare. Ndërsa për përmbytjet e 2015-s janë investuar 2.2 miliardë; 1.7 miliardë nga BE dhe 500 milionë nga qeveria shqiptare. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje, do vazhdojmë të pastrojmë kanalet që i mbushet dhe i latë llum e bllokim çerekshekulli, do vazhdojmë të ndërtojmë infrastrukturë mbrojtëse dhe do vazhdojmë të zhvillojmë vendin. Sigurisht, çfarë vjen nga natyra është një pjesë, ama, dëmet që vijnë nga njeriu, ne do i minimizojmë hap pas hapi. E çuditërisht, kudo që shfaqen, na del dora juaj, si tek City Park.
Sa ka filluar mandati i dytë, pa llogaritur 6 mujorin që qeverisëm bashkë. Merreni me qetësi, merreni me dashuri, – siç ju porosit edhe presidenti jonë i nderuar, që s’e kemi mes nesh, po është këtu si frymë dhe si shpirt mes jush – dhe katër vjet, aty jeni. Pas katër vjetësh, po vazhduat kështu, do të vini edhe më të pakët dhe do kemi edhe më shumë nevojë për ju, megjithatë, prapë Saliun, aty do ta kemi, jam i sigurt.
* * *
Më vjen shumë keq për këtë që ndodhi, por mësohuni me një gjë shumë të thjeshtë; Unë jam ky e jam nxënësi i Faik Konicës dhe imzot Nolit. Ata më kanë mësuar si të flas. Nuk jam i madh sa ata, jam shumë më i vogël, por problemi që keni ju me sarkazëm është problemi juaj. Unë nuk i them njeriu, “injorant, budalla, kriminel”. Këto quhen fyerje, ose më saktë quhen një mënyrë e foluri me sëpatë. Gjuha nuk është sëpatë. Gjuha është thikë. Sa më e mprehtë të jetë thika, aq më thellë pret, por nuk godet tjetrin, godet në funksion të një debati që po bëhet, nuk është personale. Unë nuk kam gjë personale.
Debatin e kishim tek Shkodra dhe tek by-pass-i i Bunës. Kurrë nuk e kam thënë e nuk e mendoj që Shkodra nuk është vulnerabël, për arsye të pozicionit ndaj përmbytjeve, por është botërisht e njohur, e faktuar, që përmbytja më katastrofike, Shkodrës i erdhi nga keqmenaxhimi i kaskadës. Natyrisht që kaskada menaxhohet dhe në një moment të caktuar ka rregulla sesi hapet, por kaskada u mbajt mbi të gjitha nivelet e lejuara nga rregullorja. Është e faktuar kjo. Kur Erion Braçe jua ka thënë këtu, e përqeshnin, siç keni përqeshur edhe për shumë gjëra të tjera. Por koha bën të vetën, gjërat do shkojnë në vendin e duhur dhe siç po ju dalin pak nga pak mbi ujë, ato që keni kujtuar se do të rrinë gjithë kohës nën ujë, do të dalin plotësisht në dritën e diellit.
Lufta kush është krimineli, kush nuk është krimineli është mizerabilitet politik. Unë nuk kam luftuar ndonjëherë “kriminelësh”. Unë kam menduar, mendoj e besoj që kjo foltore nuk është për të bërë luftë “kriminelësh”. Kjo foltore është për luftë idesh, luftë programesh dhe patjetër, edhe debatesh të nxehta me njëri-tjetrin, por jo për të marrë nëpër gojë gjithë dynjanë, përgojo me libër shtëpie, me libër fqinjësie e me libër prokurorie. Nuk ka parlament të planetit ku të flitet për emra kriminelësh, më shumë sesa për problemet e ekonomisë. Nuk ka kriminelë që marrin statusin e të qenit “top” në lojën e debatit parlamentar në asnjë vend.
Për by-pass-in në fjalë është ankuar zyrtarisht Voltana Ademi, janë ankuar zyrtarisht shoqatat në Shkodër dhe unë jam vënë në lëvizje, qeveria e ministri i Infrastrukturës është vënë në lëvizje nga ankesat e tyre për dëmin katastrofik mjedisor, që sjell ai projekt.
Më kujtohet atëherë kur isha më i vogël, kur dilje e thoshe takova Jacques Attali, takova Jacques Delors… Këtë punë ke bërë gjithmonë…, të gjithë të mëdhenjtë e botës erdhën të takuan ty e të konsultuan për by-pass-in. Nëse të gjithë të mëdhenjtë e botës kanë dalë në atë konkluzion, atëherë bota paska marrë fund. Ty të gjithë të mëdhenjtë të kanë ardhur e të kanë dhënë mend. Si ka mundësi, me mendjen e gjithë të mëdhenjve të botës e bërë Shqipërinë leckë?
Lorenc, je në të drejtën tënde të bësh ekzaktësisht atë që bën Lulzim Basha, mos u përgjigj. Shkodranët duhet ta dëgjojnë që Saliu, Lorenci, deputetët e PD-së duan të ndërtojnë atë mostër atje, që është dëm i pallogaritshëm në të gjitha aspektet e nuk i bën asnjë gjë fryrjeve të lumit e përmbytjeve. Është një projekt njësoj si projektet që ju keni bërë në gjithë Shqipërinë, si urën tek rruga Qukës – Qafë Plloçë, nga njëra anë, 14 metra më lart e nga ana tjetër, 14 metra më poshtë, si trampoline për ski. Projektet tuaja janë një nga dëmet më të mëdha që i është bërë këtij vendi. Më thoni një projekt të saktë që keni bërë 8 vjet. Projekte arna-arna. Ne kemi marrë konsulent, do bashkëpunojmë më Bashkinë e Shkodrës dhe do bëjmë projektin e duhur. Ishalla nuk po i thoni Voltanës të dali të bëjë deklaratë e të bashkohet me Saliun. Unë e kam për Shkodrën, se Voltana të bëjë çfarë të dojë.
* * *
Përsa i përket luftës me krimin e organizuar, luftës me korrupsionin, luftës me rrjetet kriminale dhe luftës për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që detyrën e marrë nga populli e kanë abuzuar për zullumet e tyre, nuk kam më asnjë merak. Është e padiskutueshme dhe do të shikojmë e do të flasim prapë. Është një luftë që zhvillohet nga organet ligjzbatuese, në bashkëpunim të ngushtë me agjenci të superspecializuara, që janë në punë çdo ditë dhe shumë shpejt shqiptarët do të shohin edhe çfarë do t’ju sjellë reforma në drejtësi, çfarë do t’ju sjellë vetting-u, çfarë do t’u sjellë operacioni “Forca e Ligjit” dhe çfarë do t’u sjellë investimi në votën e 25 qershorit.
Unë kurrë s’bëj dhe kurrë s’do bëj politikë me emra kriminelësh, me emra krushqish. Këtë, historikisht ta kemi lënë ty Sali, ke bëre edhe kazanin dixhital dhe vazhdo.
* * *
Sali, sot na ke ndihmuar të kuptojmë pse i thua “skape”, atyre që i hedh në betejën qorre të luftës politike. E paske nisur me qenin e shtëpisë këtë punë dhe të paska ngelur si nevojë e brendshme për të pasur gjithmonë qen që i turr për të kapur të tjerët. Një gjë është e sigurt, që kur akuzon pa fakte, o i ke bërë vetë, o je në gjendje t’i bësh vetë. Sa herë që ti merr nëpër gojë librin e shtëpisë së kundërshtarëve të tu, o i ke bërë vetë dhe mendon se të gjithë janë si ty, o të shkon mendja t’i bësh vetë, se një burrë që i shkoi jeta duke marrë nëpër gojë dynjanë dhe duke akuzuar dhe baltosur këdo që i del para, vetëm nëse është në gjendje t’i bëjë vetë ato gjera, që të këmbëngulë, siç këmbëngul ti. Nuk merrem me akuzat e tua, s’jam marrë kurrë. E ke ezauruar të gjithë fantazinë e akuzave. Jo sot, por që në shfaqjen time në këtë fushë.
Një gjë ka rëndësi dhe për këtë e mora fjalën. Fole për partnerët europianë dhe the “çfarë na thonë neve, ata”.
E di se çfarë na thonë neve, ata? Ata thonë diçka që është realisht diçka që mua më vjen shumë zor. Ata thonë, nuk mund ta duam ne Shqipërinë, më shumë seç e do opozita juaj. Ata thonë, si është e mundur që opozita juaj nuk e kupton gjëkundi këtë periudhe kaq të rëndësishme për vendin dhe jo vetëm që nuk jep asnjë kontribut, por, përkundrazi, gjithë këto fantazi, këtë luftë me baltë, nuk lini rast pa jua hedhur në vesh kujtdo që ju drejtohet në anglisht dhe ju dëgjon në anglisht.
Unë isha në Bruksel, javën që shkoi. Ju flisni në emër të tyre. Ata nuk hyjnë gjëkundi tek organizatat që e kanë problem të thonë çdo gjë, kur kanë një shqetësim. Si ka mundësi që të gjithë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve në Bruksel ishin në një zë për të mbështetur çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë? Si ka mundësi që të gjithë përfaqësuesit e lartë, edhe ata që vijnë nga familja juaj politike, qoftë Presidenti i Parlamentit, qoftë Presidenti i Komisionit u shprehën me notat më pozitive për ecurinë e Shqipërisë, për luftën kundër krimit të organizuar, për luftën kundër korrupsionit. Hyjnë ata tek institucionet që nuk kuptojnë çfarë bëhet, apo tek institucionet që flasin me para?
Ju keni arritur nivele që janë realisht të paimagjinueshme për një parti që lindi si forca e parë pro perëndimore në Shqipëri. Ju keni arritur në nivele absurde. Luftoni me ambasadorët dhe akoma pas 27 vjetësh i trajtoni ambasadorët sikur i keni komshinj dhe ziheni me komshiun, sikur ata janë persona që bëjnë politika personale dhe flasin në konflikte interesi, siç thotë Saliu, që e di shumë mirë, në fakt, se nuk thotë të vërtetën, se kaq gjë e shumë të tjera, Saliu i di shumë mirë dhe i kupton shumë mirë. I turreni ambasadorëve dhe i trajtoni sikur janë në një rresht me Habilin dhe me Balilin.
A është Komisioni Europian, a është Bashkimi Europian që i krijoi gjithë ato vështirësi, me të drejtë, vendeve që janë sot anëtare, apo që duan të anëtarësohen, sepse ndryshe nga ne, ndryshe nga ju, ata i shikojnë të gjitha faktet me lupë, të gjitha të dhënat me lupë dhe nuk bëjnë peshqeshe. Nuk bëjnë deklarata bujarie, kur thonë që 6 mujori i ardhshëm është vendimtar dhe Shqipëria mund të çelë negociatat për anëtarësim. Nuk e thonë për të na bërë qefin neve. Kurrë nuk ka ndodhur në të tria këto nivele, siç ndodhi këtë herë.
Luftërat tona për lumin e Bunës mund të vazhdojnë pafund. Këto sherret tona këtu mund të vazhdojnë pafund. Problemi është Shqipëria, a duhet apo s’duhet t’i hapë negociatat, a duhet apo s’duhet të jemi bashkë për hapjen e negociatave? Këtë na e thoni ju.
Negociatat për anëtarësim, ndërkohë që ju e dini shumë mirë se, në qoftë se na ikën ky stacion për fajin tonë, për problemet që i krijojmë vetes ne këtu, nuk do të thotë që treni do jetë aty, një muaj më mbrapa, dy muaj më mbrapa, apo 6 muaj më mbrapa. Të paktën për fajin tonë nuk duhet të ndodhë absolutisht që ne të humbasim asnjë milimetër pozicion.
A ka një vend anëtar, që në një moment të caktuar vendos një pengesë për arsyet e veta, se këto janë gjëra që mund të ndodhin, kjo është çështje tjetër. Këtë nuk e kemi ne në dorë. Po si ka mundësi, që vini këtu dhe flisni sikur Shqipëria është komplet diçka tjetër nga ajo që thonë ata?
Do ta vazhdojmë zbatimin e reformës në drejtësi bashkërisht? Pse të mos e vazhdojmë? Për çfarë arsye? Çfarë na pengon që në këtë 6 mujor të jemi një zë, kur flasim për Shqipërinë, jo për qeverinë, për Shqipërinë. Na pengon vetëm paaftësia për të kuptuar momentin strategjik për vendin. Na pengon vetëm mungesa e paaftësisë për të bërë opozitë me çështjet reale, jo për t’i bërë opozitë qeverisë me negociatat.
Pushtetin, e mësuat, nuk fitohet as me fotografi, as duke sharë Shqipërinë jashtë kufijve të Shqipërisë. Pushteti fitohet këtu, votat merren këtu. Shqiptarët nuk janë budallenj. Nuk bën vaki që të ndryshojë diçka këtu, sepse thanë ata atje, apo sepse ne i bindëm ata atje që këta të tjerët janë me të këqij se ne dhe kështu po vijmë ne. Kaq gjë nuk keni mësuar akoma? Shajeni sa të doni Shqipërinë në sytë, në veshët e tyre. Shqipërisë i bëni dëm, por vetes nuk i jepni asnjë lloj avantazhi. S’keni pse sajoni dhe shpifni, sepse dukeni qesharakë, por bëni qesharake gjithë Shqipërinë.
Kështu që, kjo është pyetja që bëjnë ata; Çfarë duan këta, e duan këta Shqipërinë më pak se ne? E duam ne, më shumë se këta? Dhe është pyetje që e bëjnë vazhdimisht, sepse nuk mund ta kuptojnë dot, si është e mundur që të dëgjojnë gjithë këtë çorbë që e dëgjojnë shqiptarët, çdo të enjte. Është e pangrënshme kjo çorbë, është e pagëlltitshme, është e patretshme. E nëse shqiptarët janë të detyruar dhe të neveritur, ata nuk janë as të detyruar dhe neveria ata nuk i çon kundër Partisë Demokratike, ose kundër qeverisë, i çon në pozicion të pafavorshëm ndaj Shqipërisë.