Kryeministri Edi Rama zgjodhi të bashkëbisedojë sot me qytetarët, përmes rrjetit social Facebook.
Kryeministri iu përgjigj interesit të publikut mbi çështje të ndryshme, shumë prej të cilave do të jenë pjesë e pyetsorit të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë.
* * *
Jemi ive mesa kuptoj, para kohe. Kishim për të dalë në 5 e 30, por mesa duket ishte piku i padurimit, kështu që pa problem për ata që janë lajmëruar për më vonë, se këtu do jemi dhe do të kemi mundësi të komunikojmë me të tërë, për aq sa na krijon kushtet ky ekran.
Ndërkohë, po shikoja të dhënat e sotme për atë që askush tanimë nuk ka dëshirë të dëgjojë, por ja që duhet dëgjuar.
1236 raste pozitive, dy herë më shumë sesa javën që shkoi.
Efekti i festave, efekti i mungesës së plotë të shtrëngimeve, shtrëngesave dhe patjetër edhe efekti i variantit të ri, Omikron, që ka një shpejtësi shumë më të madhe sesa variantet e mëparshme në shtrirjen e kthetrave të infeksionit.
107 persona gjenden sot që flasim, tani që flasim të shtruar në Infektiv. Janë fatkeqësisht plagë që në përqindjen dërrmuese të rasteve, mbi 95% lidhen me mosvaksinimin. E duhet përsëritur për të gjithë ata, që duan të dëgjojnë natyrisht, se ka një pjesë që nuk duan e nuk duan e duhet të dëgjojnë e pastaj, largqoftë fatkeqësisht gjenden në kthetrat e virusit dhe heqin keq, madje ndërrojnë dhe jetë dhe vetëm një përqindje shumë e vogël janë ata të vaksinuarit, por të cilët kanë mundësi që ta kalojnë pa problem, përgjithësisht me ndonjë përjashtim shumë të rrallë kur kanë sëmundje të rënda dhe kur pastaj kjo vjen si goditje fatale.
Gjithësesi uroj që viti që sapo ka nisur të jetë i mirë për të gjithë ju, për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët kudo ku janë dhe për vendin tonë e për kombin tonë patjetër.
Lajmi i mirë, ndër disa lajme të mira që më vjen të përsëris është se tanimë, duke filluar nga fundi i këtij muaji, pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra nuk kanë tatim, pra janë me zero tatim. Pagat deri në 500 mijë, kanë minus 50%, pra kanë gjysëm, përgjysëm tatim dhe pagat plus 1.5 deri në 2.5 në mos gabohem, kanë një ulje të konsiderueshme, gjë që krijon një lehtësi të madhe për një pjesë shumë të konsiderueshme të punësuarve, qofshin në shtet, qofshin në sektorin privat.
Ndërkohë, meqë flasim për pagat, duke kaluar edhe te fakti që kemi hyrë në vitin e pagës minimale plus 20 mijë të vjetra, që do të thotë, kemi pagë minimale tanimë 320 mijë lek të vjetra, i rikthehem për një moment historisë së daljes së të dhënave mbi pagën, duke qendruar tek aspekti që ka të bëjë me çfarë lidhet drejtpërdrejt me administrimin e këtij sistemi, nuk flas për sistemin e të dhënave, sitemin e IT-së, pasi aty çështja është nën hetimin intensiv të Prokurorisë. Shpresoj të ketë së shpejti rezultate domethënëse për të nxjerrë në pah sesi ka ndodhur dhe për të ndëshkuar fajtorët. Flas për sistemin e pagave, ku në një farë mënyre, dalja e këtyre të dhënave ka ndihmuar që të kemi një qartësi në një masë të gjerë besoj njerzish, lidhur me çfarë ndodh dhe me pse, disa masa që duam të marrim janë masa që shkojnë në drejtimin e duhur.
Së pari, i është dërguar një letër nga Drejtoria e Tatimeve të gjithë atyre të cilët në deklarimin e pagave rezultojnë të dyshuar për një pasaktësi, e cila fsheh evazion dhe ju është kërkuar që të ndërhyjnë për të vetërregulluar deklarimin në 20 janar, kur deklarohen pagat e punonjësve dhe ndërkohë ju është bërë e qartë se letra do t’u shkojë të gjithë punonjësve të kompanisë apo të ndërmarrjes ku tatimet kanë vendosur një fokus të veçantë për shkak mospërputhjesh në deklarim.
Kemi parasysh që deklarimi i pasaktë është një shkelje administrative që dënohet me gjobë, por në rast se do të hyjmë në hetim për evasion, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje penale që dënohet me burg.
Kështu që, një apel për të gjithë ata, të cilët e kanë marrë apo do ta marrin në ditët në vijim këtë letër nga Drejtoria e Tatimeve, që të reflektojnë seriozisht pasi ne duam patjetër një klimë sa më pozitive, sa më të favorshme për biznesin, por në asnjë mënyrë një klimë ku në emër të pozitivitetit dhe të favorshmërisë së biznesit të goditen pagat e punonjësve dhe saktësisht të goditen pensionet e tyre. Pensionet e tyre, por dhe skema në tërësi e pensioneve në Shqipëri sepse nëse deklarohet një pjesë e pagës dhe pjesa tjetër jepet në dorë, siç ndodh rëndom për një pjesë të aktiviteteve, atëherë këtu kemi të bëjmë me një grabitje të skemës së pensioneve.
Nga ana tjetër, një temë, e cila ka qenë edhe më parë një prej temave ku do të vendosej dhe ku do të vendoset fokusi i këtij mandati, është tema e dhënies së pagave ashtu siç ato deklarohen, kur jemi në rastin e pagave më të ulta dhe sidomos pagës minimale, pasi e dimë shumë mirë që ka raste abuzimi me pagën minimale dhe edhe këtu, ne do të bëjmë ndërhyrje të vazhdueshme duke sigurisht, shkuar deri në sanksione të forta për abuzuesit e pagave të punonjësve.
Nga ana tjetër, dua të theksoj përpara se të filloj t’i jap përgjigje disa prej pyetjeve që janë mbledhur se këtë vit duam të vendosim një nivel të ri mes njëri-tjetrit, duam ta dëgjojmë njëri-tjetrin më shumë, në radhë të parë ne të dëgjojmë opinionet tuaja, opinionet e njerzve tanë, shqiptarë pa dallim dhe për këtë ka nisur procesi dhe do të filloni pak nga pak të merrni në shtëpitë tuaja letrën e Këshillimit Kombëtar, Këshillimi i parë Kombëtar që qeveria organizon për të marrë opinionin tuaj lidhur me një sërë temash. Tema që kanë të bëjnë me ekonominë, që kanë të bëjnë me punën, që kanë të bëjnë me familjen, me drejtësinë, luftën ndaj kriminalitetit dhe me Bashkimin Evropian, në kuptimin me ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Është një formular shumë i thjeshtë, tërësisht anonim në sensin që çdo familje do të marri një formular, kryefamilari apo çilido anëtar i familjes, natyrisht mbi 18 vjeç do ta plotësojë krejtësisht lirshëm dhe do ta kthejë mbrapsht për të na mundësuar të mbledhim një opinion tërësor lidhur me këto tema.
Nuk është një proces zgjedhor, nuk është një proces ku kemi ndonjë qëllim të diskutueshëm lidhur me shifra, numra, përqindje e të tjerë, e të tjerë dhe as me autenticitetin, po themi individual të përmbushjes së çdo formulari, për një sërë pyetjesh, përgjigja e të cilave në të shumtën e herës është një përgjigje që mund të jepet dhe me karton drejtpërdrejtë, por qëllimi dhe ndjesia e fortë e jona është që duam që këto përgjigje për këto pika të jenë sa më shumë shprehje e një mendimi të rrahur me njerëzit, e një dëgjimi pak më të thellë e njerëzve në formën e një përfshirje referendare, por pa asnjë obligim të asnjë natyre, thjesht një kontribut që secili e jep apo jo sipas dëshirës së vetë.
Pyetje nga FB “Pse po e detyron popullin të vaksinohet me zor?
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë detyrim vaksinimi me zor, por ka një shqetësim që po vjen në rritje pasi po shohim se çfarë po ndodh dhe në vende të tjera dhe ka një domosdoshmëri për të rritur ndjeshmërinë e shumëkujt lidhur me faktin që vaksinimi është shpëtim, është lehtësim i konsiderueshëm, është një garanci e pakontestueshme shkencore. E nga ana tjetër, ka një çështje të natyrës parimore, të natyrës morale po të doni, që ka të bëjë me faktin se shumëkush, i cili ndjek shkencën, i cili ndjek rrugën normale të vaksinimit për të garantuar veten e të tjerët, ndihet në vështirësi apo ndihet i kërcënuar kur në mjedise të përbashkëta ndeshet me dikë që nuk është i vaksinuar.
Vaksina të imunizon nga infektimi i mundshëm edhe pse shkalla e infektimit të të vaksinuarve është shumë e ulët, por të garanton një rezistencë shumë më të lartë dhe sigurisht të garanton që të mos ndërrosh jetë për shkak të imunitetit të ulët. E tjetra që është e rëndësishme është se ti mund të jesh i vaksinuar dhe për ty mund të mos ndodhë asgjë nëse ti infektohesh, por ti mund ta kalosh tek dikush tjetër. Për të gjitha këto arsye, njerëzit e vaksinuar në një masë të madhe pretendojnë se hapësirat e përbashkëta nuk mund të frekuentohen nga njerëz të pavaksinuar dhe për këtë arsye në të gjitha vendet pothuajse rreth e qark në Europë, pa pasur pasaportën e gjelbër, pa pasur kartën e gjelbër virtuale të vaksinimit, ti nuk hyn dot në asnjë lokal, ti nuk hyn dot në asnjë mjedis publik, madje tani pash që po bëhet e detyruar kjo edhe për sportistët, nuk hyjnë dot në fushë nëse nuk janë të vaksinuar. Nuk e di a e keni ndjekur atë që po ndodh me numrin një në tenis, Novak Djokovic, i cili u nis i pavaksinuar për në Australi e tani nuk po hyn dot në Australi për të marrë pjesë në Australian Open. Një humbje shumë e madhe nga pikëpamja komerciale për Australian Open, por një vendim i marrë në bazën e këtij parimi.
Sidoqoftë, në Këshillimin Kombëtar ne kemi një pyetje ku do të marrim një opinion të përgjithshëm të njerëzve se çfarë mendoni lidhur me këtë masë. Pra, a duhet që Shqipëria ta vendosë atë kartën, certifikatën e gjelbër të vaksinimit si kusht për të hyrë në hapësirat publike të mbyllura apo në tubime të mëdha, e kështu me radhë. Edhe pse tani kur flasim për tubime është kohë pak e papërshtatshme sepse kemi tubime për brava, për çelësa, e kështu me radhë”.
Pyetja nga FB: “A keni ndonjë ide, mendim, për krizën energjitike në Kosovë?”.
Kryeministri Edi Rama: Kriza energjetike është një fakt për të gjithë. Natyrisht, vende të ndryshme po e përballojnë në mënyra të ndryshme. Fakti që në Shqipëri, kriza energjitike nuk po ndihet në familje, nuk po ndihet në biznese, nuk do të thotë që Shqipëria nuk po përballet me një krizë energjitike, përkundrazi, do të thotë që Shqipëria po ia del të përballë krizën energjitike, pa e lënë atë të rrëshqasë në kurriz të konsumatorëve familjarë apo të bizneseve, pasi qeveria u është bërë atyre mburojë sikundër jemi zotuar. Por ama, kjo është një përballje e përditshme, është një përballje që ka kosto, se nuk është një përballje trup me trup, e natyrisht që krizës energjitike nuk mund t’i vëmë një bravë apo t’i ndryshojmë çelësin. Duhet ta përballim.
Kosova është në një situatë kritike që lidhet edhe me një trashëgimi të vështirë të një sistemi jashtëzakonisht problematik të prodhimit, garantimit të energjisë e kështu me radhë, ne kemi dhënë ndihmën tonë për Kosovën. Më vjen mirë që mundëm ta ndihmojmë përsëri pasi patëm një ndërprerje për disa ditë për pamundësinë tonë, por sidoqoftë u rikthyem për të dhënë ndihmën tonë për ditët që ndanin vitet, do të shikojmë në vijim çdo rast dhe sido që të jetë mundësia, sado e vogël ne përsëri do të japim ndihmën tonë për Kosovën”.
-Pyetje nga FB: “Cila është e ardhmja e Shqipërisë?”
Kryeministri Edi Rama: “Unë mendoj që e ardhmja e Shqipërisë, është njësoj si e ardhmja e atyre familjeve të panumërta në termat relative të vendit tonë që kur u nisën për të kaluar detin, kishin vetëm rrobat e trupit dhe falë punës dhe vullnetit dhe durimit dhe sakrificave ia dolën të integrohen plotësisht. Një sërë prej tyre kanë arritur dhe në nivele të admirueshme edhe ekonomike, pavarësisht se nuk janë e mbase nuk do të jenë për një periudhë ende relativisht të gjatë ndër më të pasurit e vendeve ku kanë shkuar, sepse ajo pasuri atje është vënë me shumë shekuj, nuk është vënë le të themi sot për sot, përgjithësisht. Kjo është dhe e ardhmja e Shqipërisë. Nuk do të jemi ndër të pasurit e këtij kontinenti për një periudhë relativisht të gjatë, por patjetër që do të jemi të integruar e me dinjitet, si ato familje që jetojnë krejt normalisht sot në vendet ku arritën dikur vetëm me rrobat e trupit. Të mos harrojmë nga vijmë për të kuptuar se ku jemi dhe për të kuptuar se ku mund të shkojmë e për të mirëkuptuar se për sa kohë duam të shkojmë aty ku është e arsyeshme të besohet se mund të shkojmë.
-Pyetje nga FB: Po opozita?
Kryeministri Edi Rama: Nuk është problemi ynë. Ne kemi kaq shumë probleme e kaq shumë çështje serioze për të diskutuar sa mirë është që të kursejmë sa më shumë kohën që kemi në dispozicion për një çështje që në seriozitetin e vetë është aq shumë qesharake sa ajo që po përjeton sot opozita e zënë në kurthin e një kacafytjeje mes një kufome “grata” e një kufome “nongrata” faktikisht”.
-Pyetja nga FB lidhur me pensionet.
Kryeministri Edi Rama: Çështja e pensioneve, e kam shpjeguar dhe rishpjeguar. Nuk është çështje dëshire, nuk është çështje mungese vullneti për të bërë maksimumin për pensionistët. Është një çështje e një objektiviteti ekonomik dhe financiar. Nëse duam që rritjen e pensioneve, rritjen jorelative, sic ka ndodhur vijimësisht me indeksimin apo edhe me bonuset e fundvitit, por një rritje të konsideruehsme të pensionit do e shohim brenda këtij mandate, duhet të shtrëgojmë shumë fort skemën e sigurimeve, në sensin që të gjithë të kontribuojnë, jo një pjesë të kontribuojnë dhe një pjesë të fshihet apo të fshehë paranë për t’iu shmangur taksave dhe kontributeve shoqërore.
-Pyetje nga FB lidhur me shërbimet online.
Kryeministri Edi Rama: Një pyetje që vjen me rëndësi në këtë moment, kur kemi hyrë në vitin kur do mbyllim sportelet. Do mbyllim sportelet e shërbimeve, për të mbyllur përfundimisht rrugën e radhëve, të pritjeve, të streseve, të zvarritjeve e me radhë, duke u dhënë mundësi qytetarëve që 95% përvec atyre shërbimeve që e kanë të domosdoshme praninë fizike, dhënia e gjurmëve të gishtërinjve për ata që marrin pasaportën, kartën ID, apo prania për t’u martuar e me radhë, që nuk bëhen dot me shërbime online, të merren online, përmes portalit qeveritar e-Albania.
Dikush pyet nëse “kjo do ndodhë për të gjithë përfundimisht dhe asnjë qytetar të mos lejohet të futet në ambientet e Kadastrës apo një i nënës i një e njerkës?”. Ideja është që të mbyllet për të gjithë dhe ideja është që, përderisa aplikimet sot për të marrë titull pronësie apo një nga shërbimet e Kadastrës, ku ka një sërë shërbimesh, mund të bëhet online, edhe përgjigja të kthehet online. Jo në mënyrë automatike të menjëhershme, por me një kohë të caktuar pritjeje, që është një kohë pritjeje pa pasur nevojë për të humbur asnjë orë për të shkuar e për t’u kthyer nga zyrat përkatëse. Patjetër që ky është objektivi, për të gjithë, pa përjashtim, njësoj.
Kjo periudhë, ne jemi gati t’i mbyllim sportelet që sot. por kemi lënë një periudhë për të sensibilizuar, për të informuar, për të promovuar këtë që do ndodhë sepse një përgatitje minimale njerëzit duhet ta kenë.
Ata të cilët nuk e kanë e-Albania në telefonin e tyre apo në kompjuterin e tyre në shtëpi, një pëprgatitje minimale duhet ta kenë.
100 herë më mirë nëse shkojnë tek posta, të shkojnë në njësi administrative apo diku tjetër dhe ta kryejnë atë punë në pak minuta sesa të nisen për tek shërbimi përkatës dhe të presin ndonjëherë jo me orë, por edhe me muaj për të marrë një përgjigje.
– Pyetje nga FB: “Kur do dalësh në Open ose Opinion se ngelëm duke parë Big Brother Vip”.
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e ndjek. Jua qaj hallin, por kjo zgjedhje mes këtyre dy “O” nuk është zgjedhje e lehtë për ta bërë këtu live. Është si puna e atyre zgjedhjeve tuaja, jo të lehta kur duhet të votoni kush do rrijë e kush të ikë, e kështu duket se funksionon Big Brother-i Vip apo Rryp. Është e njëjta formulë.
-Pyetje nga FB lidhur me Ballkanin e Hapur: Pse Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina nuk pranojnë ftesën?
Kryeministri Edi Rama: E kam shpjeguar disa here, por edhe “Ballkani i Hapur” është në formularin që të gjithë do marrin në shtëpitë e tyre apo do mund të aksesojnë online, përmes platformës “shqipëriaqëduam.al” për të dhënë opinionin e tyre.
E përsëris, opinionet që do mbledhim janë në funksion të dëshirës sonë, të një dëshire të madhe për të dëgjuar deri në fund se cfarë mendojnë shqiptarët pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht llogoreve të tyre partiake. Unë besoj se sa më shumë në orët që harxhojmë, unë më shumë e jo më pak, por të gjithë ne shqiptarët harxhojmë orë, në muaj, jo gjithë orët në ditë, për t’u marrë me politikë, ne të kursejmë brenda këtyre orëve kohën që merremi me sherrin e përditshëm të politikës dhe të shohim mundësinë që t’i shpenzojmë sa më shumë kësaj kohe, për t’u marrë me problemet reale që kemi, aq më mirë do shkojnë gjërat. Kjo histori i majti-i djathti vlen, natyrisht, kur bëjmë zgjedhje, në momentin kur votojmë, por nuk mund të rrimë çdo ditë në 4 vjet i majti-i djathti, i imi-i joti, tanët-të atyre, sepse ky është konsum shumë i madh, ndërkohë që mund të bëjmë shumë më tepër gjëra të gjithë sëbashku duke u fokusuar tek mënyra si adresojmë problemet e caktuara dhe jo kush e bën këtë, kush është ky e ai, kush jam unë e kush je ti.
-Pyetje nga FB: A do kemi investime të tjera nga Emaar Group në Shqipëri?
Kryeministri Edi Rama: Kjo pyetje lidhet, në mos gaboj, edhe me një pyetje tjetër, ku dikush i referohej, po e them dhe me emër, se e pash në ndërkohë që po prisja këtu këtë pyetje, Shan Demaj i referohej gjoja përfshirjes së bravës në ofertën multimiliardëshe për ndërtimin e Portit të Ri.
E para, Emaar Group është një nga grupet më të mëdha të botës, nuk ka nevojë të vijë në Shqipëri për asgjë tjetër, përveçse për të bërë një projekt të madh dhe për ta bërë me qetësinë, rehatinë dhe konfortin më të mirë të mundshëm, duke i siguruar të gjitha ato që janë bazat ligjore dhe metologjike të një pune, të një investimi gjigant siç është ai, siç bën gjithë bota. Kaq kohë është folur për investime të mëdha, dhe ja; këtu janë investime të mëdha. Një investim i tillë i madh, jo në hidrocentrale apo në një pus nafte, por në një industri si turizmi, do të thotë, jo vetëm investim më vete, por përshkallëzim eksponencial i investimeve të kësaj natyre; jo kaq të mëdha, ndoshta, por të cilat lidhen së bashku, përbëjnë një bazë për të bërë një kapërcim epokal ekonomik dhe social. Në këtë aspekt, të fillojmë me këtë të parin dhe pastaj, në varësi nga klima, ecuria etj, jam shumë besimplotë që edhe një sërë idesh të tjera që kemi diskutuar me këta aprtnerë, do mund të hyjnë në një fazë më të avancuar për t’u realizuar.
-Pyetje lidhur me çmimet.
Kryeministri Edi Rama: Janë disa që ngrenë çështjen e çmimeve. Dua ta them shumë qartësisht. Së pari, të dhënat që kemi marrë nga konsumi i fundvitit janë të dhënat më të hatashme krahasuar me jo vitin e shkuar, por të gjithë vitet me radhë. Kemi konsumin më të lartë, në aspektin e parave të investuara në fundvit për të blerë. Pse e them këtë? Çmimet nuk i vendos qeveria. Nuk jemi më në sistemin komunist ku çmimet i vendos qeveria. Jemi në sistem tjetër, ku çmimet i vendos tregu. Qeveria mund të ndërhyjë kur bëhet fjalë për çmimin e energjisë, pra, kur bëhet fjalë për ato që quhen çmime të rregulluara. Ndërkohë, çmimet e konsumit të përditshëm në treg janë çmimet që i rregullon tregu, nuk i vendos qeveria. Tregu ka një logjikë të vetën për vendosjen e çmimeve. Që do të thotë që ka treg, përderisa ka dhe çmim, të jem realistë për këtë.
-Pyetje nga FB: “ Për Hipotekat se na shkatërruan”
Kryeministri Edi Rama: Ju lutem shumë, nuk keni pse shkoni në Hipotekë. E keni online, përmes Smartphone ose kompjuterit më të afërt. Bëni aplikimin dhe kjo ndihmon që aplikimi juaj të ndiqet, jo vetëm nga një person, siç ndodh kur shkon në sportel dhe dorëzon dosjen dhe ka një person, por nga një numër personash në një mekanizëm, i cili garanton që aplikimi juaj merr përgjigje.
-Pyetje nga FB: Lidhur me punësimin në arsim “A mund të bëhet më shpejt. Kam mbaruar 5 vite fakultetin, 1 vit stazhin. Duhet të pritet licenca e portalit”?
Kryeministri Edi Rama: Patjetër që do presësh licencën e portalit. Kjo është e domosdoshme. Shyqyr i arritëm ditës që të kemi një portal dhe licencë që lidhen me meritën, me një kompeticion midis gjithë atyre që pretendojnë që të bëhen mësues dhe të hyjnë në mësuesi. Lidhen me pikë që merren nga një provim që, deri në sot, nuk ka pasur asnjë kontestim dhe një klasifikim sipas meritës. Sigurisht që do duhet t’i ndjekësh këto hapa se ndryshe c’u kuptua.
-Koment nga FB: “Zoti kryeministër, merru seriozisht me problemet që kanë njerëzit. Nuk e gjejmë të drejtën në zyrat e shtetit.”
Kryeministri Edi Rama: Natyrisht që unë merrem seriozisht me problemet që kanë njerëzit, por edhe çdokush duhet të merret seriozisht me çfarë përpiqemi dhe përpiqem të përcjell. Që do të thotë që nëse ke një problem me një zyrë të shtetit, nuk mund ta zgjidhësh dot këtë problem duke shkruar këtu me emrin “Parti Zani”, por duke u drejtuar tek platforma shqipëriaqëduam.al, e cila ka trajtuar, në 4 vite, shumë çështje dhe ka zgjidhur mbi 50 mijë probleme të vogla, por të vogla kur i sheh nga larg, se për vetë njeriun janë probleme të mëdha, me zyrat e shtetit. Të lutem shumë, drejtohu tek platforma shqipëriaqëduam.al. Nuk humbet kohë dhe nuk do presësh gjatë, por brenda 10 ditëve do marrësh përgjigje. Në rast se të takon, do e marrësh atë që të takon. Në rast se nuk të takon, do marrësh me mirësjellje drejtimin se ku të drejtohesh apo si ta shohësh nga një këndvështrim tjetër, këtë cështje. Në rast se është çështje gjyqësore, do shkosh në gjykatë. Në rast se është një cështje e një natyre tjetër, do marrësh, mbase, një sugjerim se ku të drejtohesh.
-Pyetje nga FB: Në cilën periudhë kohore kalimi në kufi Shqipëri- Kosovë do jetë pa ndalesë dhe vetëm me orientim të kamerave, sic e deklaruan ministrat e Brendshëm në takimin e fundit?
Kryeministri Edi Rama: Qëllimi, objektivi, ambicia është në sezon veror të këtij viti. Ky është angazhimi që kemi marrë të dy qeveritë, kjo është ajo që kemi diskutuar bashkarisht me kryeministrin e Kosovës, kjo është ajo për të cilën po punojnë të dyja dikasteret e punëve të brendshme. Shpresoj të na e plotësojnë këtë objektiv.
-Pyetje nga FB: Kur do vijë koha që në pushtet të vijnë njerëz që janë të interesuar për të bërë mirë, që janë të ndershëm, të mos vjedhin.
Kryeministri Edi Rama: Futja e të gjithëve në një thes nuk është gjëja e duhur. Nuk janë të gjithë njësoj në asnjë kategori. Peshqit nuk janë njësoj, kafshët nuk janë të gjitha njësoj, pemët nuk janë të gjitha njësoj, njerëzit janë të gjithë ndryshe. Edhe politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Nuk janë të gjithë që vjedhin, nuk janë të gjithë “djaj”, nuk janë të gjithë “ëngjëj”, padyshim, por ajo që është e sigurt është se po të ishin të gjithë njësoj, edhe gjërat do ishin gjithmonë njësoj. Por, gjërat nuk janë gjithmonë njësoj. Duam apo jo, gjërat ndryshojnë në vijimësi, ndryshojnë për mirë, ndryshojnë dhe për keq. Varet se për çfarë gjërash flasim.
Pyetjet për pagën minimale dhe për garantimin e marrjes së pagës së plotë janë disa. E përsëris. Ne do bëjmë një punë shumë të detajuar, shumë të fokusuar për të garantuar që të mos i hahet haku asnjë punonjësi që merr pagën minimale dhe duhet ta marrë të plotë. Në Këshillimin tonë Kombëtar, një pikë është pikërisht për këtë pjesë sepse duam të dimë nëse kemi mbështetje nga një shumicë që shkon përtej një shumice e thashë të kartonit politik, për të forcuar më tutje marrëdhënien me këta njerëz e për t’i garantuar atyre një mbrojtje publike dhe financiare. Pra ai që denoncon, sepse si do ta marri vesh inspektori apo shteti këtë punë nëse askush nuk flet? Pra atij që denoncon, ti jepet dhe një garanci financiare që në rast se humbet vendin e punës për shkak të denoncimit, të marri një dëmshpërblim financiar për një periudhë kohe, por natyrisht që është një pyetje që e ndaj me të tjerët sepse në fund të fundit, nëse mendimi i shumicës është që kjo të bëhet, atëherë ky është mendimi i një shumice taksapaguesish që bien dakord që një pjesë X e taksave të tyre, të përdoren për të bërë drejtësi në këtë drejtim.
-Koment në FB: “Populli pret në vijën e parë të përgjegjësisë të gjithë shkelësit e ligjit në të gjitha nivelet”
Kryeministri Edi Rama: E pres unë, po aq sa e pret populli, madje të të them të drejtën edhe më shumë se shumëkush që i thotë vetes populli edhe pse asnjë individ nuk është populli. Të gjithë ne jemi individë, populli është diçka tjetër dhe në këtë aspekt uroj shumë që të kemi akoma më shumë shenja të kësaj natyre, pikërisht nga sistemi i drejtësisë. As majtas, as djathtas, vetëm drejt, në mënyrë që të ndahet shapi nga sheqeri e në mënyrë që politika të marri gjithnjë e më shumë kredibilitetin që i jep një integritet, i cili nuk do të jetë kurrë i pacenueshëm dhe i pacenuar nga thashethemet, nga balta, nga llafet, nga poshtërsitë, nga maskarallëku i atyre që duan t’i nxinë të gjithë e të tregojnë të gjithë njësoj për t’u dukur pak më mirë vetë, por sidoqoftë, kur faktet ndajnë shumëçka, atëherë edhe për baltën do të jetë pak më e vështirë të ngjisë, siç ngjit për fat të keq prej shumë vitesh, në kushtet kur e dimë shumë mirë, edhe populli nuk e ka thënë kot që “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma nuk ka veshur pantallonat”.
-Pyetje nga FB: “Pse nuk ju pajisën edhe shtëpitë atyre që përfituan nga rindërtimi?
Kryeministri Edi Rama: Kam përshtypjen që deri këtu ka qenë detyrimi e bile kam përshtypjen që me taksat e shqiptarëve është bërë shumë më tepër se sa zakonisht ndodh me një program rindërtimi në një vend të prekur, sepse janë ndërtuar e po ndërtohen mijëra shtëpi me buxhetin e shtetit e po jepen falas. Nuk po flas për ato shtëpi, të cilat janë ndërtuar nga donatorët. Po flas nga buxheti i shtetit, falas. Nuk ka programe rindërtimi falas. Të gjitha janë me kredi, sado të butë, por që në këtë rast tani janë falas, t’i shtojmë dhe pajisjet, më duket pak si një kërkesë e pavend.
-Pyetje lidhur me “mbylljen e shkollave në vend deri sa të gjendet lloji i ri i covid”.
Kryeministri Edi Rama: “Lloji i ri i Covid është gjendur”, Është deklaruar që është gjendur. Për momentin nuk ka asnjë plan mbylljeje, por disa masa nuk do të ishte e paudhë t’i prisnim nga komiteti teknik i ekspertëve. Nuk mund të jemi vendi me lirinë më të madhe absolute e ndërkohë të ankohemi që po tentojnë të na vënë maskën, teksa varianti i ri përhapet gjithandej e spitalet mbushen, se nuk mund ta bëjmë. Disa masa do të ishte e arsyeshme të priteshin nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
-A është e vërtetë që ata që kanë marrë shtëpi të reja nuk i shesin dot?
Kryeministri Edi Rama: Në momentin që hipoteka është në dorë, mund ta shesësh, mund ta japësh me qera, mund ta mbash, mund të bësh ça të duash. Absolutisht!
-Kur do eliminohen diferencat në paga?
Kryeminisri Edi Rama: Kjo është një pyetje, e cila do të kërkonte një shpjegim shumë të gjatë sepse jemi në një sistem të diferencave ne paga. Tani janë disa diferenca ekstreme që siç i kemi parë, posaçërisht të botës mediatike, sigurisht ato janë paga të deklaruara për të cilat paguhet një taksë, kur pagat janë të larta 23%, taksa sa më e lartë e mundshme. Por nuk është vetëm ajo anë e medaljes, pjesa që duket. Është e pjesa tjetër ajo që dihet e nuk duket. Pagat e gazetarëve të terrenit që deklarohen në të shumtën e herës, nuk po them nga të gjithë, por që deklarohen pak dhe janë më shumë, u jepen më dorë, pra ju cënohet pensioni, apo grabitet skema e sotme e pagesës së pensioneve për ata që aktualisht janë në pensionistë, pra pamundësohet rritja e pensioneve le të themi kjo lloj sjellje.
Të gjitha këto do të shihen prandaj dhe e thashë dhe e përsëris që kjo që ndodhi ishte shumë e shëmtuar, kriminale dhe shpresoj Prokuroria të marri masa, por kishte dhe një aspekt të vetin që si ajo shprejha, jo të gjitha të këqijat vijnë vetëm për të bërë keq. Aspektin që të gjithë e pamë, të gjithë e dimë se ku jemi, përballë cilës pasqyrë dhe besoj që do jenë shumë të pakët, në mos hiç, por do jenë të pakët ata, që do pretendojnë se ne po persekutojmë njerëz apo se ne po cënojmë biznesin apo ku di unë se çfarë sepse do marrim masa realisht të dhimbshme për ata, të cilët nuk do të reagojnë me deklarimet e pasakta të pagave dhe nuk do të bëjnë vetërregullimin e tyre. Kush do të bjeri në rrjetën e investigimeve, do ta ketë shumë të pamundur t’i shpëtojë dhimbjes së masave që përcakton Kodi Penal.
-Koment në FB: Keni lënë në harresë fshatin
Kryeministri Edi Rama: Kjo është e pavërtetë! Ne nuk kemi mundur t’i mbulojmë të gjitha fshatrat për nevojat që kanë, por fjala “harresë fshatin” është krejtësisht e pavërtetë dhe nuk do rri të numëroj këtu tani shumë e shumë ndërhyrje që janë bërë për fshatrat.
Satelitet do të jenë në dispozicion siç e kam thënë në periudhën e pranverës. Jemi duke punuar me procedurat. Do të bëjmë dhe regjistrimin e tyre në Kombet e Bashkuara sipas rregullit dhe besoj pranverë dhe një javë fillimi-fundi pranverës, por besoj në periudhën e pranverës do të kemi satelitët në dispozicion që do të na ndihmojnë për të krijuar një sistem të ri të kontrollit të territorit dhe për të shmangur edhe më shumë ato inspektimet dhe ato shfaqjet bajate tanimë, të lloj-lloj inspektorëve që kthehen më shumë në problem sesa i japin zgjidhje problemeve në teritor në raportet me njerzit.
-A mund të ngrini një Task force e cila konfirmon nëse zbatohet kontrata e punës apo jo, ditët e pushimit, sigurimet e të tjerë.
Kryeministri Edi Rama: Nuk do të them se çfarë do të ngrihet, por ju thashë që jemi shumë të mirë organizuar për të ecur në këtë drejtim dhe kjo që ndodhi krejt jashtë vullnetit tonë, përveç anës së vet të keqe ka këtë ana të mirë në të keqen e vetë që tani e dimë të gjithë se për çfarë flasim dhe jo vetëm për ata që kanë pagën minimale dhe që e marrin atë gjysma-gjysma, duke u bërë viktima të një abuzimi skandaloz, por edhe për ata që marrin paga të larta, dhe për ata që bëjnë sikur janë biznes i vogël dhe në fakt bëjnë shërbime, të cilat shkojnë përtej të ardhurave të biznesit të vogël, por dhe mospërputhjet midis pasurisë dhe pagave e kështu me radhë.
Besoj që në të shumtën, pak a shumë temave i dhamë përgjigje.
Për konkursin, shumë shpejt do të kemi lajmërimin. Do të organizojmë një event. Do të ftojmë ata, të cilët janë të pranishëm në Shqipëri që të na bashkohen në një event. Do të shohim se si do ta përshtasim edhe për shkak të numrit midis online dhe pranisë fizike. Do të kemi disa çmime që do të shpërndajmë. Atyre që nuk janë do tua çojmë me postë çmimet. Thjesht po pres rezultatet e një jurie modeste që është ngritur dhe mendimin e disa profesioniostëve të fushës, ndërkohë që përveç fotografisë më të votuar nga vetë ju, që do marri çmimin e saj, duhet të marrim të dhëna edhe për urimet dhe videokërkesat edhe për fotografitë e tjera të vlerësuara nga juria.
Ishte një sharje këtu. Nuk po e lexoj, por mirë që erdhi për të mos prishur punë, por përkundrazi, për të prishur syrin e keq.
Ju falenderoj shumë të gjithëve dhe falenderoj posaçërisht Love Albania, jo vetëm një emër shumë i bukur, Love Albania, por edhe një sharje. OK! Të jetë mirë edhe Love Albania, kush fshihet pas Love Albania.
Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë, pavarësisht nëse lëvdoni, kritikoni, mbështesni, përshëndesni, shani, s’ka problem. Shëndet tju bëhen të gjitha dhe me shëndet të gjithë familjarisht!
Shumë shumë shumë faleminderit!