Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me studentët e ekselencës dhe studentë të universitetit Luigj Gurakuqi, Shkodër, në Ditën e Rinisë:
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që më jepet mundësia të jem sot bashkë me ju, jo sepse kjo është fjala që duhet thënë zakonisht, por sepse gjithnjë kur më qëllon të takoj nxënës apo studentë të shkëlqyer është një emocion i veçantë, pasi e di shumë mirë që për t’ia dalë dhe për të prekur këto nivele, nuk është aspak e lehtë. Ka 199 justifikime të mundshme, për të mos luftuar, siç ju luftoni, për dije dhe për sukses.
Jam i bindur se shumica ndër ju, në mos të gjithë, kanë në familjet e tyre probleme dhe kanë prindër që përpiqen shumë dhe që jo gjithmonë marrin aq sa meritojnë. Kjo do të mjaftonte, siç u mjafton në fakt, jo pak bashkëmoshatarëve tuaj për të mos qëndruar mbi libra, por për të thënë, “s’bëhet ky vend mor vëlla, kështu që edhe unë s’po bëhem”.
Ju nuk bëni këtë dhe përkundrazi ju, sigurisht që përpjekjen e bëni për veten në radhë të parë dhe për prindërit, jo për ti dhënë ndonjërit shembull, por faktikisht pa dashjen tuaj jeni shembulli më i shkëlqyer që mund të merret për të thënë që është e pavërtetë që problemet janë pengesa të pakapërcyeshme kur njeriu ka ambicien dhe vullnetin që t’i kapërcejë.
Është e pavërtetë që vështirësitë, sado objektive që të jenë, janë hendeqe të pakapërcyeshme kur njeriu do që të dalë në anën tjetër të hendekut, medoemos. E patjetër që, kur gjendesh përballë shembullit tuaj dhe shembullit të të gjithë atyre si ju, që edhe në zona të thella të vendit, shkojnë në shkollë duke ecur në këmbë edhe një orë apo dy orë dhe kthehen nga shkolla me të gjitha dhjeta, ka një mijë e një arsye për të thënë që, siç ndodh individualisht me këta shembuj, mund të ndodhë edhe me vetë Shqipërinë.
Sigurisht, Shqipëria ka plot probleme dhe shumë vështirësi, që në të shumtën e herëve janë krijuar në vite nga mungesa e vizionit, mungesa e kurajës për t’u përballur me to. Por, siç është shumë e lehtë që t’i shmangesh sfidës për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër duke thënë “s’bëhet” dhe siç është po aq e vështirë që të thuash “bëhet”, është çështje zgjedhjeje, çfarë zgjedh të bësh.
Sot është 8 Dhjetori, është Dita e Rinisë dhe ju e dini pse. Ju nuk kishit lindur në atë ditë. Ndërkohë që disa prej nesh këtu, ishin sa ju, ose më pak më të mëdhenj se ju, kur gjërat morën një pamje të përmbysur plotësisht dhe ndryshuan në pak ditë, duke hapur një perspektivë krejt tjetër. E vërteta është se askush në atë ditë dhe në atë kohë nuk e ka imagjinuar kaq të vështirë rrugën dhe nuk e ka parafytyruar kaq të ngatërruar procesin e bashkimit me Europën.
Në atë kohë, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” u bë një thirrje popullore, një kor në mesin e Shqipërisë, në Tiranë dhe për gjithkënd dukej e mjaftueshme që të rrëzohej regjimi i vjetër për të pasur Shqipërinë si gjithë Europa. Por e vërteta është që siç shkruhet në të gjithë librat e historisë dhe në të gjithë reflektimet për historinë, një regjim mund ta rrëzosh, ose mund ta shohësh të rrëzohet edhe në një ditë, por një shoqëri nuk mund ta ndryshosh në një ditë. Mendësinë e një shoqërie nuk mund ta ndryshosh kurrsesi as në një ditë, as në një vit dhe as në dhjetë vjet. Megjithatë, pavarësisht kohës së nevojshme, ne mund të themi me plot gojën që kemi humbur më shumë kohë, sesa çdo të ishte e arsyeshme të harxhohej për të qenë në një tjetër stad.
Unë s’dua të mbaj një fjalim këtu, por dua thjeshtë që të nxis një bashkëbisedim me ju përtej kornizës së ngushtë – që është shumë e gjerë në vetvete, – të arsimit, të reformës në arsim, të ndryshimit në universitete etj..
Ju keni kaluar në një nivel tjetër dhe për ju sot është pyetja: Çdo bëj unë? Do rri? Do iki? Do kthehem? S’do kthehem? E sigurisht që kjo dileme, pavarësisht se çfarë mund të thuhet për konsum të përditshëm këtu, nuk është një dilemë e thjesht të rinjve dhe të rejave të këtij vendi. Është dilemë normale e çdo studenti dhe studenteje që është në një nivel të atillë që mund të zgjedhë dhe që mund të intervistohet në sferat më të rëndësishme të profesionit të vet, qoftë edhe në vendet më të zhvilluara. Patjetër që kjo pyetje, kur vjen puna tek ne, tek ju, tek njerëzit e këtij vendi, lidhet dhe me disa gjëra që nuk lidhet në rastin kur dikush, po themi një gjerman thotë “mbarova studimet në Harvard, do rri në Amerikë, apo do kthehem në Gjermani?”
Jam Igli Tola, student i ekselencës të Fakultetit Ekonomik. Ndjek studimet në master pranë këtij Fakulteti. Në radhë të parë, doja t’ju falënderoja për këtë nismë. Duke ditur që ALUMNI është një projekt win-win për dy palët, për në studentët por gjithashtu besoj se është fitimprurëse edhe për qeverinë shqiptare, pasi arrin të krijojë një database me të gjithë studentët ekselentë që studiojnë në Shqipëri, si jashtë Shqipërie që mund të japin një kontribut për të përmirësuar realitetin shqiptar në të cilin jetojmë, çfarë plani ka qeveria shqiptare për të inkuadruar, për t’i përfshirë këta studentë në jetën aktive?
Kryeministri Rama: Së pari, që t’i themi të gjitha gjërat siç janë, pavarësisht sesi tingëllojnë, pavarësisht se çfarë thonë qeveritë dhe çfarë thonë qeveritarët në të gjithë botë, askush nuk e ka një tapet të kuq për të siguruar parakalimin triumfal dhe hyrjen në derën më të lartë të shtetit të një individi që ka mbaruar shkëlqyeshëm.
Nga ana tjetër, ajo që unë dua ta theksoj me forcë është që shumë shpesh dhe për fat të keq, në Shqipëri, por dhe në rajon, shumica dërrmuese e vajzave dhe djemve, pavarësisht nivelit të arsimimit, e konsiderojnë të ardhmen e tyre si të lidhur me shtetin dhe punën në shtet si punën më dinjitoze që mund të kenë. Unë shpresoj që ambicia juaj të jetë më shumë se kaq. Sigurisht, të punosh në shtet nuk është absolutisht diçka e rangut të dytë, por pa asnjë diskutim, të punosh në privat nuk është diçka e rangut të dytë, siç e marrin për fat të keq shumë të reja e të rinj. Kjo edhe si rezultat i faktit që shteti konsiderohet si streha që të jep siguri, që të jep garanci dhe ku gjërat mund t’i bësh më thjeshtë dhe ku stresi është më i vogël.
Sidoqoftë, besoj se është e rëndësishme që, në radhë të parë, ky është rrjeti që qeveria ka mbështetur për të krijuar, por nuk është qeveria që duhet ta mbajë gjallë e nuk është qeveria që mund t’i japi këtij rrjeti një vlerë të caktuar, nëse ju që jeni pjesëmarrës në këtë rrjet nuk e përdorni për t’i rritur atij vlerën. Duke përdorur këtë rrjet, ju mund të luani një rol të rëndësishëm realisht dhe mund të jepni një kontribut të rëndësishëm realisht, përtej marrëdhënies tuaj individuale me punën kudo që të jetë ajo, brenda apo jashtë vendit. Pavarësisht ku gjendemi fizikisht, nëse duam që të jemi të lidhur për një punë të përbashkët, këtë mund ta bëjmë nëpërmjet teknologjisë. Në këtë mënyrë, bota shqiptare e dijes, e cila është zhvilluar jashtëzakonisht në këto vite, por është zhvilluar e decentralizuar nga vetë Shqipëria, mund të bëhet një komponent jashtëzakonisht e rëndësishme e zhvillimit tonë dhe mund ta influencojë shumë më tepër botën shqiptare të jetës së përditshme, sepse është investuar kaq shumë nga prindërit e janë ka shumë vajzat dhe djemtë që kanë kryer, apo vazhdojnë studimet jashtë vendit dhe në shkolla shumë të mira, saqë, nëse do arrinim që ta organizonim të gjithë këtë potencial dhe ta kthenim në një botë dijeje që ndërvepron me botën tonë të jetës së përditshme, do ishte një vlerë e shtuar e jashtëzakonshme.
Sigurisht që ne mund të themi që qeveria shqiptare do bëjë këtë apo atë, por në fund të ditës, qeveria shqiptare do bëjë më shumë, në rast se do ketë më shumë shtysa që duhet të vijnë drejtpërdrejtë dhe këto shtysa, në rastin tuaj, janë të mirëpritura, sepse vijnë nga një nivel i lartë i dijes dhe i vetëdijes. Kështu që për të dhënë përgjigje të thjeshtë, do thosha, kjo varet nga ju. Ne e kemi një plan se çfarë duhet bërë me rrjetin, por ky plan mund të mbetet në letër plotësisht, nëse ju që jeni subjekti i këtij plani, nuk jeni aktivë. Ky plan mund të tejkalohet, nëse aktivizimi juaj në këtë rrjet do të sjellë prurje idesh dhe shtysa nxitëse për ne.
E meqë folëm për kohën e shkuar, në atë kohë, ne jetonim në një botë komplet tjetër, por kur ishim në vendin ku jeni ulur ju sot, e vetmja gjë që donim ishte të na linim rehat. Nuk donim çfarë do bënin për ne. Ne donim çfarë do na linin ne të bëjmë. Sepse, faktikisht, në atë regjim nuk të linte njeri të bëje asgjë. Ne ëndërronim një botë ku qeveria e shteti vetëm duhet të na linte rehat.
Mirëpo gjërat erdhën ndryshe dhe është vërtet një nga shenjat më serioze të prapambetjes që kemi akumuluar në gjithë këto vite, që të rinjtë dhe janë në përqindje dramatike në Shqipëri e në gjithë rajonin tonë, zgjedhje të parë kanë punën në shtet dhe gjëja e parë që ju shkon në mendje, kur u del përpara një vështirësi, është të shajnë qeverinë. Jo se qeveria nuk duhet sharë, jo se qeveria s’ka të sharë. Qeveria duhet sharë gjithmonë dhe qeveria gjithmonë ka të sharë, edhe më e mira qoftë, por tjetër është kritizicmi mbi bazën e të qenit i pavarur prej saj, tjetër është e shara mbi bazën e të qenit në kushtet kur do të justifikohesh për paaftësinë tënde, për mungesën tënde të vullnetit, për mungesën tënde të dëshirës, do të justifikohesh që nuk do të çohesh herët në mëngjes, nuk do të shkosh të provosh që të gjesh një punë, por më mirë shan në Facebook. E ke të plotë alibinë, pse gjërat e tua nuk shkojnë, siç ti do meritoje në një botë tjetër, ku nuk do ishte kjo qeveri e poshtër. Në fakt, në çdo vend qeveria është e poshtër nga natyra, në krahasim me çfarë njeriu do dhe kërkon. E ka thënë një burrë shumë më i zoti se unë, Ronald Reagan, qeveria është gjithmonë problemi. Ama, patjetër që raportet tek ne janë shumë larg së qeni normale mes një të riu apo një të reje dhe punës.
Unë jam Ejona, jam një nga themelueset e rrjetit të studentëve ekselentë në 2011. Prej 7 vitesh punoj në një nga kompanitë e telekomunikacionit në Shqipëri. Ajo që unë shoh atje është sesi njerëzit e përqafojnë teknologjinë. Por unë shoh si mungesë fokusin në ato degë të universiteteve që lidhen me dixhitalen, teknologjinë e informacionit etj.. Ata pak profesionistë të mirë që janë në Shqipëri, punojnë jashtë. Këtë unë e shoh si një investim shumë të mirë në këtë drejtim, në mënyrë që njerëzit të rrinë këtu, por të punojnë për jashtë. Ashtu siç kemi përshtatur fasonët, të njëjtën gjë ta bëjmë me teknologjinë e informacionit. Çfarë po bën ministria ose universiteti në lidhje me këtë gjë?
Kryeministri Edi Rama: Ke shumë të drejtë. Fola për raportin e të rinjve me punën këtu. Ky nuk është raporti i shqiptarëve me punën, as i këtij rajoni me punën, pra, nuk është se një shqiptar apo një i ri apo e re shqiptare e ka këtë problem kur del jashtë. Nëse shqiptarët si individë do i përkushtoheshin punës këtu, siç i përkushtohen jashtë, Shqipëria do vraponte shumë më shpejt. Po të shohësh se çfarë kanë bërë shqiptarët jashtë, në të gjitha fushat, që nga punëtoria deri në nivelet më të larta të shkencës, kupton shumë qartë se në një sistem që nuk i josh nëpërmjet gjakut të fisit, nëpërmjet kanaleve të ryshfetit, nëpërmjet indulgjencave dhe meritave që shpërndahen pa meritë, por që i vendos përpara zgjedhjes, ose unë do punoj, ose unë jam i vdekur, se s’kam asnjë mundësi tjetër përveç krahëve të mi e mendjes time, atëherë gjithçka është tjetër. Shqiptarët në Greqi ishin në fillim si delja e zezë dhe u bënë të super respektuar dhe që nga punëtorët e ndërtimit, ishin punëtorët më të kërkuar e më të shtrenjtë, sepse u gjendën në situatën kur duhet të jetonin me punë.
Pra është çështje e sistemit, nuk është çështje e njerëzve.
Kur flasim për teknologjinë dhe për aftësinë për të qenë pjesë e asaj bote krejtësisht të re, në radhë të parë tek të rinjtë, këtu tek ne është plotësisht e vërtetë. Unë isha përpara disa javësh në një investim të ri që është bërë në Tiranë, që është një Qendër Konsultash Mjekësore online, le të themi është një call-center, ku nuk mjafton thjesht të dish italisht, por duhet të kesh dhe dijeni për të konsultuar ata që marrin në telefon dhe ishte vërtet krenari. Ishte plot me vajza e djem nga Tirana, nga zonat rreth e rrotull Tiranës dhe investitorët e huaj më thanë që jemi të befasuar nga shpejtësia me të cilën e kanë thithur këtë punë dhe nga cilësia me të cilën e bëjnë këtë punë.
Është e vërtetë ajo që the që ata që ecin më shpejt e që kanë më shumë aftësi, lëvizin. Për shembull, ne kemi Agjencinë Kombëtarë të Shoqërisë së Informacionit që është një agjenci shtetërore që merret me gjithë aspektet e dixhitalizimit në vend dhe problemi kryesor është se aty vijnë vazhdimisht vajza e djem të rinj e pas gjashtë muajsh, menjëherë ikin e shkojnë në sektorin privat, ku paguhen shumë më mirë. Kapaciteti thithës dhe aftësia për t’u integruar në këtë nivel është ekzaktësisht siç e the, shumë e lartë.
Ne mund të bëjmë shumë më tepër në këtë drejtim dhe ne kemi realisht një potencial të madh për të zhvilluar shumë më tepër sistemin e investimeve në teknologjinë e lartë dhe për të zhvilluar shumë më tepër punësim përmes teknologjisë së lartë, duke nisur edhe nga shkolla. Por ajo që tregon realiteti i përditshëm është se edhe shumëkush që nuk ka bërë fare shkollë për atë pjesë futet në këtë treg dhe është i suksesshëm. Përpara disa kohësh, ne takuam disa të rinj që u përfshinë në programin e start up-ve. Njëri prej tyre, sot është i kontraktuar në Silicon Valley, me kontrata marramendëse. Ai është më i vogël se ju në moshë dhe ka atë ndërmarrjen e vet të vogël në Tiranë e punon për gjigandët e Silicon Valley, duke qenë një njeri si ju, në një vend si ky i yni.
Kjo puna “iku, erdhi”, këtu bëhet shumë propagandë.
Së pari, secili u përpoq dhe secili ëndërronte që ne të kishim një vend nga ku mund të ikej e të vihej, jo një vend nga ku nuk ikej dot. E kemi provuar që të jemi të gjithë këtu. Nuk është maksimumi.
Së dyti, nuk ka një vend të vetëm që të tregojë se mund të zhvillohesh, nëse njerëzit nuk lëvizin, nëse nuk njohin botë dhe eksperienca të tjera dhe këtu nuk flas për atë që ata që ikin sjellin financiarisht, po flas për atë që ata që ikin sjellin në mendësi dhe në dije, jo në shkollë, por në dijen e një kombi dhe një shoqërie. Të jeni të bindur, sepse kjo është një gjë e stërprovuar nga të gjitha vendet, se çfarë po i ndodh vendit tonë në gjithë këto vite është baza e asaj që do t’i ndodhi për shumë herë më mirë dhe më pozitivisht në vitet që vijnë. Nuk do ishin bërë vendet që ne sot i shohim me admirim, nëse nuk do kishin lëvizur, nëse nuk do kishin ikur-kthyer.
Kroacia është anëtare e Bashkimit Europian. 50 mijë të rinj janë larguar nga Kroacia vitin e shkuar. Sigurisht që është një goditje, sepse është humbje e shumë burimeve njerëzore që janë të afta për punë, por është njëkohësisht dhe një lëvizje që sjell shumë në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë për vendin.
Nëse do të shikoni Poloninë, që është vendi që e ka kapërcyer, siç thuhet, me suksesin më shembullor procesin e integrimit dhe është vendi që bashkë me 2-3 vende të tjera jo të Bashkimit Europian ka pasur kapërcimin më të shpejtë nga të ardhurat mesatare në të ardhurat e larta, do të shikoni që lëvizjet migratore të polakëve kanë qenë marramendëse dhe jo në periudhën kur akoma nuk ishin bërë anëtarë të BE, por edhe pasi u bënë anëtarë të BE dhe sot që po flasim. Ne ishim në Poloni pardje dhe u çel kjo bisedë. Edhe ata e kanë problem.
Njëkohësisht kuptojmë që kjo është pjesë e një zhvillimi epokal, që e çon vendin në një nivel tjetër. Kështu që kjo është një histori propagande më shumë, se saç është një qasje racionale ndaj një problemi që sigurisht është problem.
Problemi ynë bëhet artificialisht, në mënyrë propagandistike, një problem refugjatësh për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne nuk jemi pjesë e tregut të lirë të punës. Nuk i numëron njeri për refugjatë, ata që ikin nga Kroacia. As ata që ikin na Polonia. As ata që ikin nga Italia e jugut e shkojnë në Italinë e veriut. As ata që ikin nga Italia e veriut në Gjermani. Po të marrim të gjitha vendet mesdhetare të Europës, të Bashkimit Europian, do shikojmë që ka shumë lëvizje të brendshme, migratore, nga një vend në një vend tjetër. Nuk i llogarit njeri. Sepse ata lëvizin se është tregu i lirë. Ne duke mos qenë pjesë e tregut të lirë, numërohemi, sepse njerëzit shkojnë atje e thonë dua azil. Ata nuk shkojnë atje se kanë probleme politike këtu. Ata shkojnë atje se duan të kenë sot një punë që iu jep më shumë saç mund t’u japë një punë këtu.
Ne kemi pasur një bashkëpunim me Universitetin e Harvardit për një studim të bërë për impaktin e të rikthyerve nga emigracioni në bujqësinë tonë. Është spektakolare – dhe është studim shkencor, nuk është muhabet kazani, – sesi ata që janë kthyer nga emigracioni kanë impaktuar rritjen, që ne e ndiejmë dhe e prekim me shifra në sektorin bujqësor. Kjo sepse sjellin dije, sepse dinë se çfarë kanë parë dhe çfarë duan të bëjnë këtu. Në zonat ku ka zhvillim sot, ku ka rritje të eksponente dhe njerëz që jo thjesht punojnë, por që zhvillojnë dhe fitojnë, do të gjesh shumë prej tyre që janë kthyer nga emigracioni.
Çfarë plani ka qeveria, apo Ministria e Arsimit për ta përmirësuar infrastrukturën në shërbim të studentëve?
Kryeministri Edi Rama: Shumë nga ju këtu keni shkuar në universitete ekselence. Ju me siguri e dini sa është kostoja e një studenti në universitetet ku ju keni shkuar. Nuk flas për shpenzimin që ju kërkohet juve, por flas për koston e një studenti. Po të bëjmë një vlerësim kostosh, sot që flasim, në Shqipëri, një student kushton shumë më tepër saç mund të përballojë tarifa e tij. Pyetja është shumë e thjeshtë, a mundet të rritet tarifa? E lehtë për t’u thënë, e pamundur për t’u bërë. Madje, edhe disa lëvizje të tarifave erdhën jo si rezultat i politikës së qeverisë, por si rezultat i autonomisë. Autonomia është përgjegjësi, në radhë të parë. “Dua autonomi”, do të thotë të vetëqeverisesh. Të vetëqeverisesh do të thotë të marrësh përgjegjësi dhe kur nuk të dalin llogaritë, të mos kthehesh nga qeveria dhe të thuash dua autonomi, por autonominë e dua që ti mos kontrollosh, por lekët të mi japësh ti. Ne kemi bërë shumë në drejtim të autonomisë, por jemi edhe të vetëdijshëm që nuk mundet të pajtohemi me rritje tarifash që janë përtej mundësive të familjeve të studentëve. Edhe disa lëvizje të vogla që janë bërë të tarifave nga universitetet u bënë sikur këtu u rrit çmimi i studimeve nga qeveria. Nuk është e vërtetë. Është një broçkull kazani.
Thënë këto, është e vërtetë po ashtu, që investimet jo vetëm në infrastrukturën arsimore apo universitare, në çdo infrastrukturë në vend po të shohim sa kanë qenë dhe çfarë kanë sjellë, mund të themi që në Shqipëri kemi shpenzuar shumë më tepër para, sesa kushtojnë gjërat që kemi ndërtuar. Edhe për universitetin, sigurisht që nuk ka qenë e mjaftueshme, por me ato që janë investuar nuk është ndërtuar ajo që është pretenduar që do ndërtohej.
Ne mundemi dhe do ta bëjmë në buxhetin e vitit 2018 që të kemi bibliotekën më të mirë në botë, jo më të mirën në botë që të tjerët nuk e kanë, por të kemi bibliotekë njësoj siç e ka çdo universitet që keni ju. Sepse nuk ka nevojë që ne të marrim të gjithë librat në krahë e t’i sjellim këtu, mjafton të paguajmë dhe të kemi bibliotekën dixhitale të universitetit, siç e ka çdo universitet ku ju jeni, ku çdokush mund të ketë akses, çdokush mund të printojë dokumentet që i duhen dhe të jetë shtrirë në të gjithë sektorët. Kjo kushton pak më shumë se gjysmë milioni dollarë. Ne do ta bëjmë këtë vit, sepse nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë më parë, por këtë vit e kemi mundësinë.
Kështu, Bibliotekën Shkencore Kombëtare do ta kemi. Ndërkohë edhe për Bibliotekën Kombëtare të atdheut, ne po bëjmë edhe projektin për të bërë Bibliotekën e re Kombëtare, aty në ato mjedise, por për ta zgjeruar e për ta bërë me standarde europiane. Të gjitha këto mund të ishin bërë kohë më parë, por më mirë vonë se kurrë.
Në emër të gjithë studentëve të ekselencës dhe atyre që kanë një mesatare të lartë, duam t’ju bëjmë një propozim. Qeveria shqiptare mbështet një program trajnimi praktik pranë institucioneve qendrore pranë Këshillit të Ministrave apo Komisionit të Ligjeve, ku studentë, të cilët janë pjesë e formimit kryesisht në fushën e drejtësisë, të kenë mundësi që të jenë pjesë e një trajnimi kombëtar, një program trajnimi.
Kryeministri Rama: Kjo për shembull mua më bën të mendoj që ne duhet të punojmë më mirë për të informuar për gjërat që janë, se kjo është, por ju nuk je të informuar e ky është problemi ynë. Kështu që është shumë e rëndësishme për ne që të krijojmë mundësi dhe ka kohë që funksionon një program internship-esh, i cili zhvillohet çdo vit në Kryeministri, nëpër ministri dhe të tjera institucione. Në gjykata dhe prokurori nuk e di a bëhet, por më mirë prisni që t’i reformojmë njëherë, të bëjnë vetting-un njëherë, pastaj mund ta shtrijmë edhe në këto institucionet e gjyqësorit, edhe sepse ne nuk kemi të drejtë që t’i imponohemi, por me siguri është një program që mund të bëhet, ndoshta edhe bëhet, se boll i kemi rënë në qafë për gjëra që i meritojnë, mos t’i biem në qafë për gjëra që nuk i meritojnë, se shumë të rëndë e kanë këtë që i pret tani.
Unë jam nga ato që vendosa të kthehem. Përpos suportit moral që qeveria do të na japë, përpos asaj që do të ngrihet vërtet një strukturë dhe infrastrukturë që do të ndihmojë të gjithë rrjetin në vetvete, çfarë supozohet realisht që qeveria të bëjë me ALUMNI-n? Qeveria në këtë rast, çfarë roli ka?
Kryeministri Rama: Një gjë ju duhet ta keni të sigurt, ministrja posaçërisht e di shumë mirë dhe është shumë e ndjeshme ndaj çdo kërkese dhe ankese të të gjithë njerëzve të sistemit, por në mënyrë të posaçme e ndjeshme ndaj çdo rasti që na jepet për të mbështetur nxënësit dhe studentët më të mirë. Unë e di vetë, sepse personalisht kam ndjekur disa raste të vetë studentëve të ekselencës që kanë pasur nevojë për mbështetjen tonë, në forma të ndryshme, që pengoheshin për një arsye apo për një tjetër, apo që donin një shtysë dhe gjithmonë e kemi bërë. Duhet ta dini që në këtë aspekt, ju e keni vendosur veten tek të privilegjuarit me rezultatet që keni arritur. Nëse ne e bëjmë për çdokënd, për ju e bëjmë edhe më shpejt, edhe me më shumë vëmendje, sepse për ne është domosdoshmëri. Këtë kijeni parasysh. Pastaj se sa do të bëhet nga plani, kjo do varet nga ju e jo nga ne.
Studentët e ekselencës, do vazhdojnë të japin këto ide, atribute e rekomandime vetëm duke punuar në sektorin privat, apo qeveria shqiptare është e gatshme të lobohet fort që ne të angazhohemi edhe në sektorin publik, qe të japim kontributin tonë edhe në administratën publike, duke e ndihmuar vendin që të eci përpara, duke hartuar politika më të mira?
Kryeministri Edi Rama: Faktikisht, Besa Shahini është zëvendësministre, vjen nga bota akademike, nga ekselencat dhe ka vendosur që të angazhohet si zëvendësministre. Në kabinetet e ministrave ka persona që janë këshilltarë, që janë ndihmës, ata konsiderohen politikë në sensin që emërohen direkt, jo në sensin që janë partiakë. Rruga tjetër është në shërbimin civil të republikës ku ne, këtë mund t’jua them me plotë gojën, kemi një sistem konkursesh, që po shkon duke u konsoliduar, përmes Departamentit të Administratës Publike. Jo e gjithë administrata shtetërore është shërbim civil. Janë edhe një sërë institucionesh, ndërmarrjesh, rrjetesh që nuk përfshihen në shërbimin civil, unë nuk flas për atë pjesë. Atë pjesë e kemi problematike, një problematikë e trashëguar, ju i keni dëgjuar historitë e tepsisë e unë nuk do vazhdoj të kthehem tek tepsia. Flas për shërbimin civil ku përfshihen ministritë, që nga drejtorët e përgjithshëm, drejtorët, shefat e sektorit, nëpunësit e ministrive dhe edhe një sërë institucionesh të tjera, hyhet me konkurs dhe konkurset janë reale. Fakti që konkurset janë reale mund të tregohet vetëm me një të dhënë; 30% e konkurseve nuk nxjerrin fitues. Nëse konkurset do ishin të parafabrikuara, do dilnin fitues ata që e kishin siguruar. Kjo sepse janë konkurse të vështira, që kërkojnë një përgatitje specifike. Fakti tjetër është që nga ata që ne kemi sot dhe të paktën deri përpara muajit qershor që unë e kam ndjekur si shifër kanë qenë afro 3 000 persona, shumica e tyre nuk kanë hyrë me herë të parë dhe ka vajza e djem, por ka dhe të moshuar si puna ime që kanë hyrë dhe në konkursin e katërt, të pestë apo të gjashtë. Rruga e konkurseve është e hapur për të gjithë, sigurisht ka një sistem shpalljesh të vendeve vakante.
Pjesa tjetër është pjesa e administratës shtetërore që nuk është në shërbimin civil dhe ku ka pastaj një sistem ende shumë larg së qeni një sistem meritokratik.
Patjetër, kush e ka me dëshirë që të jetë kontributor në administratën e shtetit, për ne është nder, por nuk ka një sistem që të krijojë mundësi që ne të themi ky apo ai të hyjë se është ekselent e ky jo. Këtë sistem nuk e kemi. Kjo është pak, por e sigurt. Ju mund të pyesni, nuk do gjeni një person që t’ju thotë që hyra kollaj apo me “më gjej ndonjë mik”. Është njësoj si sistemi i universitetit. Sot, në universitet nuk hyhet dot me mik, nuk hyhet dot me lekë, nuk hyhet dot me parti, sepse sistemi është ndërtuar në mënyrë të atillë që të fusë në radhë pikët që ti ke marrë. Ky është sistemi i administratës.
Jam dakord me asimilimin që nxënësit apo studentët sjellin në Shqipëri nga eksperiencat që marrin nga vendet e tjera simotra, apo të rajonit. Këtë eksperiencë që këta studentë përfitojnë, a nuk do të ishte mirë që të shpërndanin dhe të ishin këta elita kryesore që mund të prodhonin elitarë të tjerë në arsim?
Së dyti, a nuk do ishte më mirë që pranimet në universitete të studentëve që shkojnë në Fakultetet e Mësuesisë të kenë kritere të tjera, sepse me këtë sistem që është vendosur, realisht po shkojnë ata që janë me notën 6?
Kryeministri Rama: Për këtë të Mësuesisë, faktikisht kemi diskutuar dhe do të ndryshojmë në mënyrë të konsiderueshme kriteret, do t’iu japim dhe shumë më tepër rëndësi, do t’iu japim dhe shumë më tepër incentiva. Kjo është pjesë e reformës.
Përsa i përket asaj tjetrës, të siguroj që nuk është ashtu. Nuk ndodh në asnjë vend ashtu, nuk ka askund një tapet të kuq. S’ka më që fiton domosdoshmërisht thjesht dhe vetëm duke pasur më shumë gjëra në kokë, se duhet edhe aftësia për t’i transmetuar, edhe aftësia për të punuar në skuadër, edhe aftësia për të promovuar ato që ti di që pastaj dikush tjetër të t’i evidentojë e kështu më radhë. Është një betejë shumë më komplekse. Patjetër dikush që vjen me këto rezultate ka gjithmonë shumë më tepër mundësi. Unë dëgjoj vazhdimisht për vajza e djem shqiptarë që mbarojnë në një universitet dhe fillojnë punë në një kompani të nivelit të lartë. Por jo të gjithë, nuk iu ndodh të gjithëve njësoj. Nuk shkon në proporcion të drejtë me rezultatet, se janë shumë elementë të tjerë që futen në mes, që kanë të bëjnë përsëri me individin, në radhë të parë.
Çfarë mund të bënim ne si të rinj në angazhimin në procesin e integrimit?
Kryeministri Rama: I thotë dikush Mozartit, dua të bëj një simfoni, si ta bëj? Pse me simfoni? Filloje, – i tha Mozarti, – me ndonjë sonatë. Po ti e bëre simfoninë 10 vjeç? – i përgjigjet. Epo, unë nuk pyeta njeri, – ia ktheu – sesi bëhet.” Nga një anë nuk i duhet vënë kufi imagjinatës, se çfarë mund të bëhet. Nga ana tjetër, neve na duheni për ato që dini ju dhe që nuk i dimë ne.
Unë e kuptoj shumë mirë që është dhe një skepticizëm i trashëguar lidhur me përputhjen e fjalës me faktin. Unë i kam shumë bezdi, deri në shqetësim alergjik, politikanët që flasin për rininë, që thonë ne duam të rinj që të jenë në vendimmarrje. Është e gjitha lojë. Unë besoj që ata të rinj, ato të reja që duan vërtetë të marrin pjesë, rrugën e kanë. Nëse e gjetën rrugën atëherë kur s’kishte rrugë, në ’90-ën, tani rruga është për këdo, por dikush e sheh, dikush nuk e sheh rrugën, por rruga aty është. Kështu që ju duhet ta merrni iniciativën dhe duhet të keni bindje që ajo që ju doni të bëni, bëhet. Duhet të këmbëngulni, edhe nëse ndesheni në indiferencë, duhet insistuar.
Ne jemi të gatshëm të vendosim në dispozicion, jo vetëm gatishmërinë tonë, por dhe burime për të ndjekur çdo proces me interes publik që ju mund të inicioni, që mund të jetë në interesin tuaj, por që ka dhe një interes më shumë, sesa thjesht interesi juaj individual. Nëse ju bëni këtë dhe këtu s’është nevoja që ju të mblidhni Rrjetin dhe të merrni vendime si komitet. Qoftë dhe njëri ndër ju, nëse del nga salla dhe thotë unë do e bëj vetë këtë, ne jemi të gatshëm që ta mirëpresim. Nëse bëheni 3, 5, 50, apo 500 aq më mirë.
Na vini në provë. Unë besoj që ne e kalojmë këtë provë. Por, nëse nuk e kalojmë, le të na mbetet neve, por ama duhet të jetë iniciativa juaj.
Edhe unë jam si shumë nga ju të ekselencës, me të gjithë bursat e përfituara, të studiuara nga jashtë. Sot punoj në Kabinetin e Kryeministrit.
Kryeministri Rama: Punon në kabinetin e Kryeministrit? Nuk e kam parë.
Kam 1 muaj që kam filluar. As më ka parë. Nuk më ka përzgjedhur. Kjo do të thotë që nuk më gjeti dhe as më kërkoi për pozicion në kabinet. E kërkova mundësinë dhe jam aty ku doja të isha. Mjafton që ju t’i kërkoni mundësitë.
Kryeministri Rama: Shumë faleminderit për këtë bashkëbisedim! Unë mora të gjithë kënaqësinë që prisja dhe shpresoj që të mos ketë qenë e mërzitshme për askënd prej jush.