Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedim live i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në rrjetet sociale dhe gazetarët, në vigjiljen e takimit më të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare, Samiti BE-Ballkani Perëndimor, në Tiranë

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjes të gjithëve, në këtë të dielë me shi, domethëne e mirë se ardhur me gjithë shiun për arsyet që ju i dini shumë mire dhe ndërkohë dëshiroj  ta filloj nga arsyeja e këtij bashkëbisedimi pikërisht sot, sepse jemi 48 orë nga një ngjarje e jashtëzakonshme, një ngjarje historike, në këndvështrimin tim, më e rëndësishmja në historinë e marrëdhënieve ndërkomëbtare të vendit kur i gjithë Bashkimi Evropian, të gjithë liderët e Evropës së bashkuar,  zbresin në Tiranë për herë të parë në një vend jo të BE-së, për një Samit që Këshilli Evropian zhvillon së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Një vlerësim pa diskutim strategjik nga ana e organizatorëve për ta vendosur pikërisht në Tiranë këtë stacion të një rrugëtimi që për arsye, të cilat i kemi thënë, dhe do t’i shtjellojmë më tutje sot edhe në të ardhmen, po bëhet një rrugëtim gjithmonë e më i përbashkët në një botë, e cila na vendos përballë sfidash gjithmonë e më të përbashkëta.

Është një kthesë strategjike në historinë e BE-së të shumë viteve të fundit, kjo kthesë drejt një qasjeje tërësisht të re ndaj Ballkanit Perëndimor dhe modestish duhet ta them që kemi luajtur rolin tonë për të ardhur në këtë kthesë dhe kemi dhënë një sërë provash se jemi gati për t’u vlerësuar dhe konsideurar ndryshe dhe këtu kam parasysh, jo vetëm Shqipërinë, por Ballkanin Perndimor në tërësi. Është një kthesë strategjike patjetër e nxitur nga pandemia si fillim, pastaj edhe nga agresioni rus në Ukrainë në vijim, por është edhe një vlerësim strategjik për Shqipërinë. Kjo nuk ka pa diskutim asnjë pikë dyshimi.

Nuk është një stacion i zgjedhur kështu rastësisht, është një stacion i zgjedhur në një mënyrë shumë të mirëmenduar. Ndërkohë, ne po përgatitemi për këtë samit për të luajtur ndërkohë edhe rolin tonë, si Shqipëri, por edhe si rajon pa diskutim siç jemi përpjekur dhe besoj e kemi luajtur prej kohësh tanimë, në kohën kur në tryezën e të mëdhenjve të Evropës jemi ulur gjithnjë si të barabartë mes të barabartësh dhe pavarësisht se jemi shumë të vetëdijshëm për rrugën që ende na duhet të bëjmë për t’u bashkuar me atë tryezë si anëtarë të barabartë mes të barabartësh, nuk kemi penguar asnjëherë në vetëdijen tone, por as në këtë përpjekje tonën për të qenë të drejtpërdrejtë dhe për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pa asnjë kompleks dhe pa asnjë frikë.

Besoj ju kujtohet të gjithëve kur unë ngrita zërin posaçërisht lart në momentin që BE refuzoi të na shikonte si pjesë të proçesit të shpërndarjes së vaksinave në fazën e parë, në dallgën e parë të frikshme të covidit, shumëkush tha se kjo ishte një marrëzi dhe se ky ishte faktikisht fundi i një marëdhënieje normale me BE dhe se BE do të hakmerrej për këtë. Në fakt ndodhi krejt e kundërta.

Dhe jo vetëm spese ne ishim në të drejtën tone, por edhe sepse BE nuk është një strukturë, nuk është një institucion, nuk është një forcë e cila reagon si  “i forti’’ i lagjes, përkundrazi. Rëndësi ka të kesh të drejtë dhe të dish ta përcjellësh mesazhin mbi atë qe të takon në mënyrë të kuptueshme, të drejtë, të qartë dhe pa diskutim që zëri yt, pa diskutim herët ose vonë, në këtë rast më herët sesa vonë, u dëgjua.

Të gjitha këto për të hyrë në temë dhe siç e bëmë një bashkëbisedim të tillë, me shumë dobi besoj, edhe disa kohë më parë, vijmë përsëri më te njëtin format me gazetarët që janë të pranishëm zakonisht në konferencat tona të shtypit, dhe me ndjekësit  e rrjeteve tona sociale në mënyrë që të marim sa më shumë pyetje dhe ku dua ta ritheksoj nga ndjekësit, jemi përpjekur, të paktën ky ka qenë edhe qëllimi i skuadrës që ka pregatitur këtë bashëkbisedim, për të përzgjedhur ato pyetje që janë më me ‘’spec’’, në thonjëza nëse mund ta themi kështu. Ndërsa për ‘’specin’ e gazetarëve, ata e kanë vetë parasysh, s’është nevoja për ndihmën tonë.

Atëherë fillojmë drejtpërdrejtë me një pyejte nga ndjekësit tanë dhe pastaj me gazetarët, dhe pastaj prapë me ndjekësit e pastaj prapë me gazetarët.

 

Pyetje nga rrjetet sociale – O Edo, ka ndonjë lek ky samiti me BE apo vetëm foto?

Kryeministri Edi Rama:  Pyetje tipike në një kohë kur sigurisht është e mirëkuptueshme që nevoja për të pasur sa më shumë mundësi ekonomike, është shumë e pranishme, por kjo pyetje më jep edhe mundësinë që të zgjerohem pak për të rikujtuar edhe një herë që jemi në një fazë të jetës së vendit ku nuk jemi të vetëm ne, por janë të gjitha vendet të prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë nga lufta e Vladimir Putinit në përpjekje për të pushtuar dhe për të marrë me dhunë një pjesë të Ukrainës dhe nga inflacioni i luftës, e ndërkohë dua të sjell këtu në vëmendje një lajm gjithmonë e më insistues për nga përmbajjta realisht shumë domethënëse për kohën që jetojmë, mbi largimet masive të njerëzve nga Italia dhe nuk është vetëm Italia, por janë shumë vende që po përballen me këtë proces, sepse sigurisht gjithmonë bari i komshiut është më i gjelbër, thonë, dhe gjithmonë hesapet e tjetrit bëhen më kollaj, por për të gjithë ata që thonë se atje pagat, atje jeta, atje mundësitë etj etj, mendoj që është koha për ta riparë këtë pozicion, sepse e kundërta është e vërtetë.

Para se të vija këtu, në këtë konferencë isha me disa miq italianë, dhe më tregonin se paguanin  67%  

Dhe cfarë ishin? Ishin sipërmarrës të vegjël në manifakturë në Itali. 67% taksa pa TvSh brenda. Kjo është një shifër që tregon qartë që ato të ardhura që ne i lexojmë nga larg janë njëra anë e medaljes, ana tjetër e medaljes janë kontributet dhe kur vjen puna tek raporti mes të ardhurave dhe kontributeve, si dhe kur vjen puna tek mundësitë në raport me një periudhë tjetër, në periudhën e le të themi viteve ‘90 apo 10 vjeçarit të parë të viteve 2000 mjafton të pyesim njerëzit tanë të afërm, të njohur që i kemi në Itali për të kuptuar që realisht vështirësitë janë në rritje. 

Dhe nga ana tjetër dhe këtu e mbyll këtë parantezë, ka një problem shumë të madh në mënyrën sesi reflektohet ekonomia dhe si reflektohet puna në pasqyrat tona mediatike dhe në pasqyrën e debatit tonë publik, në mënyrë komplet të deformuar. 

Lajmi i mirë është se pagat reale në Shqipëri kanë rritje dhe aktualisht që flasim sidomos në sektorin privat. Lajmi i keq është që kjo e dhënë jo vetëm nuk reflektohet por përkundrazi, e kundërta i thuhet përditë shqiptarëve, ashtu sikundër problemi i krahut të punës bëhet gjithë gjithmonë e më i madh. 

Përsa i përket samitit, “a ka ky samit nai lekë” siç pyet Agimi apo është vetëm për foto, dëshiroj të them që jemi gjithmonë e më shumë të përfshirë në një proces ku mbështetja financiare BE bëhet gjithnjë e më e konsiderueshme dhe ne do bëjmë çdo përpjekje që ajo të zgjerohet pavarësisht se në ndërkohë duhet të vazhdojmë me procesin e integrimit të plotë dhe çka po insistojmë shumë fort nga ana jonë, si Shqipëri, por kemi besoj dhe mirëkuptimin dhe mbështetjen në këtë ide edhe të vendeve të tjera të rajonit, është që për disa pjesë të përfitimeve t’i quajmë kështu në gjuhën e Agimit nga procesi i integrimit, të mos pritet që ne të bëhemi anëtarë të BE dhe këto janë pjesë që kanë të bëjnë me universitetin. Universitetet që kanë të bëjnë me bujqësinë, që kanë të bëjnë me të rinjtë dhe që kanë të bëjnë natyrisht edhe me investime strategjike, në infrastrukturë, në digjitalizim dhe në energji. 

 

-Zoti kryeministër, do doja një koment tuajin për refuzimin që i ka bërë Serbia ardhjes në Samit dhe në një farë mënyrë ky qëndrim i Serbisë që distancohet në njëfarë mënyrë nga BE dhe nga Perëndimi me mungesën në këtë samit, a i ndikon raportet tuaja me zotin Vuçic, raportet me shtetin shqiptar me Serbinë dhe nismën me Ballkanin e Hapur. 

Pyetja e dytë është për një çështje aktuale, por që nuk lidhet me Samitin. Autoritetet spanjolle në ditët e fundit në bashkëpunim me SPAK po hetojnë një skemë mashtrimi që e ka pasur bazën në Tiranë dhe që u ka zhvatur 200 mijë qytetarëve europianë rreth 2.5 miliardë euro. Në fakt në krye të kësaj skeme është identifikuar një ish zyrtar i qeverisë suaj, i cili ka qenë ortak me vëllain tuaj në biznesin e Call Center-ve nga viti 2014 deri në vitin 2018. Sipas mediave spanjolle “El paise” ai ka pasur mbrojtje shtetërore në kryerjen e këtij aktiviteti. A ka qenë qeveria juaj mburojë për këtë aktivitet? Faleminderit !

Kryeministri Edi Rama: Po, shumë faleminderit. Po e filloj nga pyetja e dytë. Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti dhe qeveria jonë nuk i bëhet mburojë askujt, cilitdo qoftë, por për të ardhur te rasti konkret, këto spekulime të natyrës që “një ish zyrtar etj”, janë të pavlerë, janë pa asnjë vlerë sepse faktikisht e para, ky “ish zyrtar” sot është në kërkim nga drejtësia dhe ky është një proces për kujtesë që nuk është bërë nga organet ligj zbatuese spanjolle në mënyrë krejt të pavarur, por është bërë në bashkëpunim të ngushte me organet tona ligj zbatuese dhe me të tjera ku ka të përfshira të tjera vende. Pra, organet tona ligjzbatuese dhe këtu kam parasysh Policinë e Shtetit gjithashtu që është në njëfarë mënyre nën ombrellën e ekzekutivit, nuk kanë pasur absolutisht dhe nuk kanë në asnjë rast për askënd asnjë lloj pengese dhe asnjë lloj ndikimi për të mos vepruar. 

Ndërsa përsa i përket sjelljes në valle të emrit të tim vëllai, kjo është pjesë e valles së madhe të shpatave që zhvillohet në mexhlisin tonë politik dhe këtë mund ta them me plot bindje edhe pse im vëlla është adult edhe mban përgjegjësi vet për të gjitha gjërat që bën, por në rastin konkret jemi thjeshtë përpara një sjellje në valle për vallen e shpatave të politikës dhe nuk ka absolutisht asnjë lloj baze dhe nëse personazhi për të cilin flasim do të kishte pasur mburojë shtetërore ai nuk do ishte sot në kërkim. Shumë shumë e thjeshtë. 

Përsa i përket pyetjes së parë, unë nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda apo jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në Samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në Samit, jua them këtë me bindje sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht. 

 

Pyetje nga rrjetet sociale: Shpresoj që ky samit të na shkojë sa më mirë e të mos kemi asnjë incident. 

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk besoj se do të kemi incidente. Samiti ka kohë që organizohet. Është një nga ato organizime që përfshijnë shumë institucione dhe natyrisht përfshin dhe një numër të konsiderueshëm personash dhe zyrash që janë në këtë rast të BE. Ndër të cilat hyjnë edhe forcat e organizmit të të gjithë sigurisë së Samitit duke pasur parasysh që mblidhen në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, jo vetëm 27 liderë të BE me delegacionet e tyre, por edhe delegacionet e vetë Brukselit, delegacioni i Presidentit të Këshillit Europian, delegacioni i Presidentes së Komisionit Europian, pa harruar 5 liderët e tjerë që vijnë nga rajoni me delegacionet e tyre, pa harruar dhe delegacionet e institucioneve të tjera ndërkombëtare që janë të përfshira. Kështu që, në këto kushte është afërmendsh që duhen marrë masa ekstreme sigurie . të cilat janë të panegociueshme me askënd dhe për askënd. Ndërkohë që Policia ka bërë publik perimetrin e sigurisë, i cili është i panegociueshëm me askënd dhe për askënd, nuk diskutohet dhe nuk ka asnjë arsye që të kemi ndonjë shqetësim për të pasur ndonjë incident.

 

– Zoti Kryeministër, pavarësisht deklarimeve tuaja apo një përgjigje që Partia Demokratike ka marrë nga Policia e Shtetit, sërish nuk ka një tërheqje nga ana e zotit Berisha i cili vazhdon të deklarojë se protesta do të mbahet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Si e shihni ju këtë qëndrim dhe nëse mundtë na thoni nëse ka pasur ndonjë tentativë nga ana e Partisë Socialiste për të negociuar nëse mund të them kështu, me Partinë Demokratike për të mos e bërë protestën ditën kur liderët e BE do të mbërrijnë në Shqipëri? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Tani, së pari kjo fjala Partia Demokratike është një fjalë që sot ka më shumë se sa një kuptim. Kështu që janë pjesë të një force që mban ende emrin Partia Demokratike por nuk është një forcë, është një forcë e shpërbërë dhe nga ana tjetër, unë nuk shoh asnjë arsye në botë për të negociuar me askënd, sepse siç e thashë, perimetri i sigurisë së samiteve ndërkombëtare nuk negociohet me askënd, askund. Natyrisht që ndodh që forca të caktuara, organizata të caktuara, grupime të caktuara që  janë kundër këtyre samiteve, të bëjnë protesta. Nuk ndodh, nuk ka ndodhur ndonjëherë e nuk ka se si të ndodh që të bëhen protesta pro samiteve. Protesta kundër, po, ndodh, por ato zhvillohen jashtë perimetrit të sigurisë në të gjitha rastet, në të gjitha vendet, kudo qoftë e kurdo qoftë. Kështu që unë nuk e shoh fare këtë si çështje midis Partisë Socialiste jo e jo, por qeverisë dhe një pjese të të ashtuquajturës opozitë. Unë këtë e shikoj si një çështje sigurie që i takon organeve përkatëse në bashkëpunim me strukturat përkatëse, të angazhuara nga organizatorët. Këtë samit nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është vendi mikpritës dhe Shqipëria ka detyrën të marrë të gjitha masat organizative, për ti garantuar organizatorëve dhe organizatori i këtij samiti është Bashkimi Europian, është Këshilli Europian, është Presidenti i Këshillit Europian, që ky samit të ketë mbarëvajtje të suksesshme sikundër dhe do ta ketë. Tani, çfarë ka këtu për të negociuar dhe me kë? Për të mos hyrë pastaj në vlerësime të tjera që kanë të bëjnë me këtë protestë absurde, të jemi realist. Kjo është një protestë absurde që nuk ka asnjë lidhje me asgjë tjetër përveçse me vazhdimin e një misioni që tanimë, për ata që duan të shikojnë është një mision i qartë, i zbuluar në sytë e të gjithëve. Është e njëjta forcë e cila është paguar me para ruse, për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi e ky është një fakt. Është e njëjta forcë e cila ka bashkuar votën me partinë e Vladimir Putinit për të ngritur akuzën më monstruoze në historinë e Këshillit të Europës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke njollosur jo vetëm luftën çlirimtare por duke njollosur Kosovën dhe Shqipërinë dhe është e njëjta forcë e cila udhëhiqet nga një individ i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë e të gjitha të zezat e mundshme e të imagjinueshme që mund të përmblidhen në një copë letër.

Kështu që përtej këtij vlerësimi, që është një vlerësim i njohur dhe i ditur, këtu nuk jemi fare në kushtet e pasojave të vlerësimit. Këtu jemi në kushtet që siguria e samitit nuk negociohet me askënd dhe jam i bindur që askush nuk do ta provojë që ta thyejë perimetrin e sigurisë, jam i sigurt për këtë, se është pa sens, pa kuptim, se është një çmenduri e një niveli që edhe çmendurakëve për të cilët flasim, nuk u shkon.

Pa hyrë pastaj në atë pjesën më të tmerrshme të gjithë kësaj që është njollosja e qëllimshme e një dite, e një ngjarje, për të tërhequr vëmendjen për halle personale e nga ana tjetër, për të mos e lënë Shqipërinë që të lulëzojë atë ditë në të gjitha mediat ndërkombëtare por patjetër të ketë nga pas dhe një ferrë, që po, ishte ky samiti por ishin dhe ca të tjerë që protestonin për narkoshtetin. Domethënë mblidhet gjithë BE-ja në një narkoshtet. Një  çmenduri.

 

– I dashur Edi, a është në dijeni qeveria juaj dhe vetë ju se Shqipëria është bashkëthemeluese në idenë për Europën e bashkuar demokratike po aq sa Gjermania, Franca, Italia, Polonia e të tjerë. Shpresojmë të përgjigjnei seriozisht se nuk kemi kohë për të humbur me gallata pa vlerë që ju bëni. Faleminderit!

Kyeministri Edi Rama: Nuk e di për cilën gallatë është fjala në këtë rast dhe nuk di se si mund të konsiderohet e tillë, si një gallatë pa vlerë një ngjarje kaq e madhe, kaq e rëndësishme për historinë tonë, kur siç nuk e kemi imagjinuar me thënë të drejtën, mblidhet i gjithë Bashkimi Europian në Shqipëri. Për herë të parë Bashkimi Europian del nga kufijtë e bashkimit Europian, për të organizuar një samit të vetin e këtë e bën në Shqipëri. Domethënë gjë më serioze e më për të ndjerë mirë në aspektin e marrëdhënieve tona ndërkombëtare nuk shoh. Ndërsa që Shqipëria të jetë bashkëthemeluese e Europës së bashkuar dhe demokratike, këtë e dëgjoj për herë të parë sepse Shqipëria nuk ka pasur asnjë mundësi të marrë pjesë në këtë bashkëthemelim dhe as të hedhë apo të bashkëhedhë këtë ide, sepse kur bashkëthemelohej Europa e bashkuar demokratike, Shqipëria ishte në rrethin e nëntë të ferrit komunist.

 

–  Zoti Rama, duke qenë se e quaj pak surprizuese deklaratën e presidentit Vuçiç për mospjesëmarrjen e tij në këtë samit, deri në këto momente a e kanë konfirmuar të gjithë liderët e tjerë europianë prezencën e tyre dhe a ka ndonjë prej tyre të cilët nuk do të jenë pjesë e këtij samiti në 6 dhjetor? Pyetja e dytë, ndoshta nuk lidhet me samitin por është aktuale dhe e rëndësishme. Ju keni zhvilluar një telefonatë me homologun tuaj britanik pak ditë më parë për sa i përket çështjes së emigrantëve. Për çfarë është folur konkretisht? A ka një marrëveshje të re në këtë raport? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për të dyja pyetjet. E para, nuk e di çfarë ju ka surprizuar juve në deklaratën e presidentit të Republikës së Serbisë por unë do ju sugjeroja shumë miqësisht të mos surprizoheni asnjëherë për deklarata politike për konsum të brendshëm, sado ekstreme e sado nganjëherë të papërshtatshme ato të jenë. Ndërkohë që ka vetëm një deri tani të paktën, nga liderët e Bashkimit Europian që nuk do të jetë i pranishëm, kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez i cili më ka çuara një letër shumë miqësore me sqarimin që atë ditë Spanja ka ditën e Kushtetutës dhe është një ditë me rëndësi shumë të madhe për Spanjën, ju i dini pastaj dhe tensionet e brendshme në Spanjë lidhur me integritetin, kushtetutën e për këtë arsye ai nuk do të jetë i pranishëm por letra e tij është jashtëzakonisht mbështetëse dhe më shumë se sa e mjaftueshme për pamundësinë e pjesëmarrjes thjesht për një koincidencë date. Ndërkohë që të gjithë të tjerët besoj që do të jenë të pranishëm. Kjo është përgjigja ime.

Për sa i përket pyetjes tjetër, po është e vërtetë që kam pasur një bisedë, bashkëbisedim telefonik jo të shkurtër me kryeministrin e Britanisë së Madhe i cili më ka kërkuar vetë, më ka shprehur keqardhjen për çfarë ka ndodhur dhe ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur për shkak të deklaratave të pamenduara e të lëshuara qesim, siç i themi ne këtej nga fshatrat e Tiranës në raport me shqiptarët dhe kemi diskutuar për këtë çështje, por jo vetëm për këtë çështje. 

Nuk është folur për asgjë të re, thjeshtë për të bashkuar forcat më shumë për t’u organizuar më mirë dhe unë kam përsëritur të njëjtën gjë që ia kam përsëritur të gjithë paraardhësve të tij, qysh se unë jam në këtë detyrë lidhur me sesi, sipas nesh, bëhet e mundur një luftë efikase, jo propagandistike, por efikase, kundër këtyre rrjeteve të trafikut që shfrytëzojnë nevojën e njerëzve për t’u larguar dhe nga ana tjetër, edhe lidhjet. E dimë shumë mirë që emigrimi në Britaninë e Madhe është një emigrim, i cili është shumë i lidhur dhe me bazat e krijuara, nga pjesëtarë të familjeve që janë atje më parë ose të afërm, fqinjë e kështu me radhë për të zhvilluar këtë veprimtari. 

Kështu që, e kam përsëritur, i kam thënë shumë qartë që përsa kohë të gjithë thonë që kjo është rruga e duhur, por askush nuk ka bërë asgjë, nuk e di pse duhet të shpresoj që do të bëhet këtë radhë, megjithatë unë po jua them që kjo është rruga e duhur për ta zgjidhur këtë problem, për ta adresuar si duhet të paktën. 

Të shikojmë nëse pala britanike do të jetë më aktive këtë herë dhe nuk do të kujtohet vetëm kur ka ngjarje televizive, mediatike që e vënë në vështirësi pastaj qeverinë përpara opinionit publik. 

Nga ana tjetër, kemi folur për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, jo në mënyrë kështu diplomatike ose formale, por në mënyrë konkrete dhe shpresoj që së shpejti do kemi dhe një këmbim vizitash. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një kryeministër i Britanisë së Madhe të vijë këtu për një vizitë bilaterale. Ka ardhur kryeministri Blair, por ishte për të mbështetur këtu në territor gjithë përpjekjen për mikpritjen e emigrantëve të luftës nga Kosova dhe nga ana tjetër, në kujtesën time nuk ka pasur asnjë vizitë bilaterale zyrtare. Mbase do të ndodhë këtë herë. 

 

-Pyetje nga rrjetet sociale:Çfarë do të bëhet me Sali Berishën në qoftë se ai guxon e çan perimetrin e sigurisë në bulevard? Për mua si qytetare ky është shqetësimi më i madh. Më pikon në zemër kur njerëzit mitingashe të paguar djegin e shkatërrojnë Tiranën tonë të dashur. Ju uroj suksese gjigand në këtë samit historik. 

Kryeministri Edi Rama: Besoj që këtë temë e trajtuam, kështu që nuk ka nevojë që të zgjatemi më shumë në këtë pikë sepse këtë herë është kaq e qartë dhe nuk ka sesi të jetë më e qartë dhe besoj është shumë e qartë edhe për ata, të cilët në paqartësinë e tyre kanë ndjekur pas berihajit një individ non grata dhe vazhdojnë ta ndjekin. Në këtë rast, nuk ka të bëjë fare kjo me askënd. Është domosdoshmëria e sigurisë së një eventi historik me një pjesëmarrje masive të njerëzve më të rëndësishëm, që praktikisht, hyjnë në kategorinë A të mbrojtjes protokollare që duhet garantuar. Çfarë të diskutojmë për këtë, përveçse të ndjehemi të keq ardhur që ndajmë të njëjtin atdhe me personazhe të tilla kaq qesharake, kaq groteske, kaq tragji-komike sa i gjori non grata?

 

-Zoti kryeministër, a ka patur shqetësime nga Bashkimi Europian për çështjen e sigurisë duke qenë se në të njëjtën kohë zhvillohet dhe Samiti, mbahet dhe protesta. A janë shprehur shqetësime në lidhje me këtë? 

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi sepse nuk ka arsye pse të ketë asnjë lloj shqetësimi. Ne jemi të bindur që në fund të ditës mund të ketë një shfaqje alla koncert në vitin ’36 ku në vend të të ndjerit dhe të madhit Albert Verria të jetë një tjetër i lënë nga mendja, por përtej kësaj nuk shohim asgjë më shumë sesa kaq. 

Janë marrë të gjitha masat dhe unë shpresoj që individët e tjerë nuk do të shkojnë me këmbët e tyre në atë qorrsokak ku ka pastaj pasoja ligjore shumë të qarta se nuk kanë arsye ta bëjnë. 

E para, mund të protestojnë pak më tutje, lirisht pa asnjë problem. E dyta, sepse mund të protestojnë çdo ditë tjetër, po këtu ku e kanë bërë zakon ta bëjnë dhe e treta sepse kjo nuk është një çështje e qeverisë shqiptare, nuk është çështje e vlerësimit që kam unë apo kemi ne për “të marrin” që ata kanë vënë në krye dhe të cilit i shkojnë nga pas. Kjo është një çështje sigurie, nuk ka asnjë arsye tjetër dhe asnjë vlerësim që ka ndikuar në këtë. 

Parafytyroni vetëm kaq; për shkak të mënyrës sesi funksionojnë këto evente ka gjithmonë një sistem back-up, një sistem mbështetës për çfarëdolloj gjëje që mund të ndodhë. Larg qoftë, në rast se do bjerë zjarr në vendin ku do të mblidhet Samiti, në rast se do ketë një problem teknik që do ta bëjë të pamundur mbajtjen aty të mbledhjes, godina e dytë e zgjedhur është Kryeministria, e zgjedhur nga organizatorët, jo nga ne. Pra, mbledhja do të zhvillohet këtu nga ku unë po flas dhe kjo sallë do bëhet gati për çdo eventualitet të natyrës teknike.

Ashtu sikundër, për çdo eventualitet të natyrës teknike, edhe dreka ka një backup tjetër. Si mund të bëhet këtu Samiti me njerëz rrugëve? Është e pamundur. Jo për shkak se çfarë do të bëjnë protestuesit, por imagjinoni si mund të shfrytëzohet kjo gjë nga të tjera forca që mund të infiltrojnë njerëz që mund të kenë qëllime keqbërëse ndaj X dhe Y që janë liderë të vendeve të caktuara të Bashkimit Europian. Këto janë gjëra kaq elementare sa fakti që diskutohen sot në Shqipëri dhe fakti që ka ngritur një shqetësim, besoj që e bën me një faj shumë të madh personazhin të cilit i ka vajtur në mendje kjo marrëzi dhe nuk e di se çfarë presin dhe çfarë duan prova të tjera se po i marrin përditë provat ata që i ndjekin nga pas këto halucinacione të një “të marri” që ta lënë në shenjtërinë e tij, kur thoshte Migjeni. 

Mbase nuk ia vlen të merremi më me këtë temë sepse ka gjëra të tjera që besoj vlejnë të diskutohen sepse nuk është as kjo arsyeja e këtij bashkëbisedimi, për hir të vërtetës.

 

Pyetje nga rrjetet sociale: Pse u prish tani hoteli i Irfanit që mirë se u bë, po sikur bie erë që u la atëherë dhe tani u prish, apo mos i dhatë kohë për reflektime dhe ai nuk reflektoi?

Kryeministri Edi Rama: Tani, është shumë e rëndësishme që kur gjykojmë dhe marrim në konsideratë që të përfshihemi në diskutim në çështje të kësaj natyre, të shikojmë se si funksionon në aspektin ligjor një proces i tillë.

Dhe ju siguroj që ligjërisht janë ndjekur të gjitha hapat nga institucionet për të çuar përpara një operacion, i cili nuk është ad-hoc për një sipërmarje apo për një zhvillim të paligjshëm, por është një operacion për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë me një goditje përfundimtare, një mendësie, e cila është ngushtuar, ësht ngushtuar, është ngushtuar, por nuk është asgjesuar plotësisht, që individë të caktuar i frymëzon, i nxit, i motivon, ju jep një bindje që nuk ka gjë që i pengon, të abuzojnë me të drejta të caktuara apo të vazhdojnë të ndërtojnë pa leje për qëllime fitimi. Nuk po flasim për ata, të cilët kanë ndërtuar dhe ndërtojnë ende sot, tek-tuk, jo shumë, por tek-tuk për strehimin e tyre. Po flasim për ndërtime të mëdha dhe në këtë operacion që në fillim u paragjykua, u përqesh dhe u nënçmua siç ndodh me çdo gjë që bëhet në këtë vend, janë marrë deri tani 15 vendime konfiskimesh. Dhe po të shikoni ligjin që është bërë enkas për këtë punë, që ka kaluar në parlament, është shumë i qartë. Mjafton të lexohet ai ligj se si procedohet dhe nuk procedohet vetëm në një mënyrë, se tjetër është kur dikush ka dalë nga leja e ndërtimit deri në 10 % të masës së përgjithshme të lejes, tjetër është kur dikush ka dalë nga leja e ndërtimit më shumë se sa kaq, tjetër është kur dikush ka bërë komplet një ndërtim pa leje, tjetër është kur godina shembet apo godina konfiskohet, pra janë në ligj këto të gjitha. Nuk janë gjëra të improvizuara dhe në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me një proces që ka nisur në kohën kur ka nisur dhe që vazhdon, dhe do vazhdojë deri në fund se nuk mbaron këtu. 

Për rastin për të cilin flet qytetari dhe për raste të tjera, në dijeninë time do të ketë edhe shembje të tjera për të cilat ka procedura, kështu që dhe nuk do të ketë asnjë lloj individi cilido qoftë, që do të tolerohet, se kur nisi kjo punë, u dha e u sollën shembuj, “jo po pse i bëhen atij, jo po pse s’i bëhen atij”. Bujrum, urdhëroni. Jeni të gjithë të mirëseardhur të denonconi nëse ka raste të tjera, ndërkohë që të tjera raste po evidentohen nga strukturat shtetërore.

Dhe nga ana tjetër, po bëhet gati edhe ndryshimi ligjor që do të imponojë që kontrolli mbi lejet e ndërtimit nga ana e strukturave vendore, për ato leje që japin strukturat vendore dhe nga e Këshillit të Rregullimit të Territorit për ato leje që jep Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, do të bëhen në mënyrë periodike dhe jo më pak se çdo 60 ditë, në mënyrë që askush, dhe do të firmoset aty nga Grupet e Kontrollit , në mënyrë që askush të mos thotë, “jo se pashë, jo se pa”. Nuk ka asnjë mudnësi  më që “se pashë, se pa’’. Dhe ky është një proces të nxjerrjesh mësime me thënë të drejtën, edhe për ne, se nuk i kemi ditur dhe nuk i dimë të gjitha, kështu që nuk ka këtu lidhje fare as me çfarë thuhet dhe pretendohet, dhe as më pak me rolin e viktimës, liria e medias nuk ka lidhje fare. Kjo është një çështje ligjshmërie dhe ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht nëse janë në politikë, janë në media, janë në biznes, kudo qofshin.

 

Pyetje nga rrjete sociale S’na thatë për çmimin e energjisë, a do vihet fasha a s’do vihet fasha?

Kryeministri Edi Rama: Tani përsa i përket fashës kemi patur një komunikim shumë të qartë çdo muaj, besoj dhe këtë muaj në ditën e caktuar, çështje 2-3 ditësh, përsëri Ministrja e Energjitikës do të informojë me publikun lidhur me qëndrimin tonë, por besoj në kushtet kur kemi pasur reshje asnjëherë të mjaftueshme për hir të së vërtetës, por shumë të mirëseardhura, nuk jemi, të paktën nga informacionet që kam unë deri tani, në drejtim të vendosjes së fashës për muajin dhjetor, nuk jemi.

Megjithatë informacionin e plotë, të detajuar dhe zyrtar për publikun do ta japë ministrja.

 

-Kam një pyetje e cila në fakt duket sikur është pak soft, por është kthyer në çështje politike. Ju zakonisht, gjithmonë keni shprehur krenarinë për ata futbolllistë shqiptarë, të cilët luajnë me skuadrat e huaja, ndërkohë që nuk keni reaguar për atë që ndodhi pas ndeshjes Serbi-Zvicër, ku FIFA ka parashikuar gjithashtu ndëshkim me sanksione edhe ndaj një lojtari me origjinë shqiptare. Ka bërë përshtypje kjo edhe në opinion publik dhe unë doja një koment tuajin, pse keni heshtur këtë herë për Shaqirin edhe për Xhakën? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Nuk kuptoj realisht sepse duhet të flisja. Unë nuk jam kryeministër i Zvicrës, jam kryeministri i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga kombëtarja zvierane dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë, të cilët ne i shohim me dashuri dhe pa diskutim, simpati të madhe, që të gjithë për një ndeshje të veçantë, çfarë do të bëja? Konkretisht çfarë do bëja? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë. Dhe në një mënyrë aspak dinjitoze për hir të së vërtetës sepse është ekipi kombëtar i një shteti tjetër dhe “do t’i fryja zjarrit’’ të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak. Por nacionalizmi është gjiithonë sa qesharak aq edhe i rrezikshëm, nuk është e nevojshme. Nuk e shoh fare të nevojshme dhe më duket se kush e bën këtë, nuk bën gjënë e duhur. 

Kështu që faleminderit për pyetjen, meqë m’u dha mundësia, se e kam dëgjuar si koment dhe më është dukur vërtetë për të ardhur keq. Si mund të shkëputen nga skuadra e tyre dy lojtarë që janë qytetarë të denjë dhe të nderuar të atij shteti dhe për atë arsye luajnë me atë skuadër, për shkak të kombësisë së tyre të përdoren si mish për top për një lojë luftash ballkanike. 

Përsa i përket pastaj pjesës së sanksioneve, ato janë çështje që lidhen me politikën e FIFA-s, e cila ju e dini shumë mirë, ne e dimë shumë mirë, është një politikë tejet strikte për mos cenimin e kuadrit të aktivitetit sportiv në asnjë lloj nuance, e cila ka apo e cila mund të jetë me natyrë politike. 

Këtu mund të kemi ne mendime të ndryshme nga FIFA, por kjo është politikë e FIFA-s dhe FIFA është qeveria e futbollit, nuk është as qeveria e Shqipërisë e as mediat shqiptare, kështu që janë rregulla të cilat kush merret me futboll i ka pranuar dhe duhet t’i zbatojë, kaq. 

Unë vetë personalisht, më duket pak e tepruar që të hyhet në këto detaje sepse gjithsekush ka të drejtën e vet të manifestojë sipas meje, siç ka dëshirë. 

Më kujtohet nëse nuk gabohem Xherdan Shaqiri në një fitore të mëdhe në mos gabohem të Liverpulit të Kupës së Kampionëve u mbulua me flamurin e Kosovës, edhe askush nëse unë e kujtoj mirë përsëri, nuk i kërkoi hesap për këtë, është e drejta e tij mendoj, por në këtë rast FIFA ka tjetër qasje, ajo është UEFA! Nuk e di, nuk jam i përgatitur të hyj në shumë detaje këtu, por besoj që e dhashë përgjigjen e pyetjes. 

 

Pyetje nga rrjetet sociale: “Si ka mundësi me e shit lirë dhe me e ble shtrenjtë energjinë? Ne këna dhe energji diellore apo duhet me kap nai lek tenderash?”

Kryeministri Edi Rama: Si ka mundësi! E kemi shpjeguar me qindra herë në mos mijëra sesi ka mundësi dhe ky është problemi në fakt, që pikërisht pse ne nuk kemi ende një kapacitet rezervues të ujit kur e kemi me tepri, pra për ta thënë ndryshe, pikërisht pse ne nuk kemi akoma Skavicën të cilën jemi në proces për ta ndërtuar më në fund pas nuk e di sa u bënë tani, por të paktën nja 60 vjet nga ideimi, ne detyrohemi ta shesim energjinë atëherë kur dhe të tjerët nuk janë në pikë të hallit dhe duke mos pasur rezervë ne detyrohemi ta blejmë kur jemi në pikë të hallit. Pra e blejmë shtrenjtë kur s’ka dhe kryesisht në periudhën e thatësirës së madhe gjatë verës dhe e shesim lirë kur ka. Kjo është e gjitha, në thelb, pastaj në kushtet e sotme kur çmimi ka marrë përpjetë në mënyrë të frikshme këto janë lëvizje që bëhen në bazë të një përllogaritjeje milimetrike financiare që bën kompania, nuk janë gjëra që diskutohen kaq kollaj “hajde se po flasim”. 

Nga ana tjetër, kjo nuk është punë tenderash sepse energjia vlerësohet në bursë, ka një bursë dhe blihet në burse, kështu që janë shumë të qarta proceset dhe janë shumë transparente dhe është e pamundur për t’i bërë ndryshe. 

Kështu që, me ndërtimin e Skavicës, ne do të kemi më në fund kapacitetin që të krijojmë rezervë dhe me gjithë projektet e tjera përfshirë dhe parqet me energji diellore që njeri prej tyre ka nisur nga ndërtimi, tjetri është në proces për të nisur dhe janë dy parqet më të mëdha në rajon dhe së bashku bëjnë një kapacitet të konsiderueshëm, shtuar këtu fillimi i prodhimit të energjisë ato anijet që kemi sjellë në Vlorë për të cilat kemi bërë edhe një operacion shumë të rëndësishëm për të garantuar furnizimin me një kosto të arsyeshme dhe pastaj që mos t’i numëroj të gjitha me radhë projektet e tjera, ne do ta arrijmë që në 2025 të jemi plotësisht të vetëmjaftueshëm, pra të mos kemi nevojë për import kur kemi vit me reshje normale dhe në 2029 të jemi totalisht sovran edhe në mos paçim reshje normale si pasojë e krimit të gjithë këtyre burimeve të tjera. 

Pra, na duhet edhe ca kohë, por për herë të parë në historinë e këtij vendi, të paktën qysh nga momenti kur ka ndryshuar komplet struktura dhe nevoja për energji, pra nga ’90-ta, kemi një proces të mirë konceptuar, të mirë organizuar dhe të detajuar deri në fund për të arritur atë që duhet të kishim arritur me kohë, sovranitetin e plotë energjetik të Republikës së Shqipërisë. 

 

-Edhe një pyetje të fundit, duke qenë se çështja e samitit u ezaurua pak a shumë pikat kryesore më të rëndësishme, duke qenë se ditën e sotme Partia Demokratike po përgatitet më së miri për ndeshjen e fortë të 14 majit me primaret që po zhvillon, Partia Socialiste i ka gati emrat zyrtar që të jenë atë ditë përballë kandidatëve të opozitës, ndoshta dhe të Partisë Demokratike që po zhvillon sot këto primare? 

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di cila parti po përgatitet fort, por di që është herët për të marrë vesh se kush është kush në anën tjetër ose në anët e tjera. Nga ana tjetër, di që përgatitjet tona për zgjedhjet e ardhshme kanë filluar të nesërmen e zgjedhjeve të shkuara si gjithmonë dhe falë sigurisht edhe sistemit gjithmonë e më të hekurt të patronazhistëve ne jemi të pathyeshëm,kështu që këto janë zgjedhje me një rëndësi të veçantë. 

Ne i kemi dhënë shumë rëndësi, e kemi bërë këtë punë me kohë. Ju jeni dëshmitarë sepse keni qenë tek dera e selisë së Partisë Socialiste kohë me pare, kur ne e kemi filluar këtë proces dhe ne jemi një forcë pa diskutim më e organizuara në politikën shqiptare. Përsosim çdo zgjedhje organizimin tonë dhe jemi një makineri që nuk thyhet. Të tjerët i duartrokasim në të gjitha përpjekjet që bëjnë për t’u përmirësuar, por janë shumë larg nesh, janë shumë larg nesh. Natyrisht pastaj ne e paguajmë këtë me gjithë ato akuzat që vijojnë, “jo na i vodhët, jo na i morët, jo na i grabitët”. Në fakt jo. Ne zgjedhjet vetëm i fitojmë. Nuk i marrim nga askush. Marrim atë që na takon nga zgjedhësit. Kjo është një periudhë e vështirë, njerëzit kanë shumë probleme, në gjithë botën, në gjithë Europën, në Shqipëri nuk diskutohet po e po. Unë jam shumë optimist që gjërat do të shkojmë shumë e shumë më mirë sepse ka shumë arsye për të qenë optimistë. 

Samiti është një arsye e madhe për të qenë optimist, jo për faktin që do bëhet një mbledhje por për faktin që thellohet një proces afrimi me Bashkimin Europian që sjell me vete mbështetje të reja edhe të natyrës financiare për Shqipërinë.

Kini parasysh që me portin e Durrësit, ja doli një pyetje këtu, shumë mirë që doli, për ta mbyllur me një pyetje nga rrjetet. Me portin e Durrësit, po bëjmë një hap kolosal përpara që do të ndikojë drejtpërdrejtë bilancin e pagesave të Republikës së Shqipërisë. Flas me portin turistik, sepse shumëkush i sheh këtyre investimeve njërën anë e nuk sheh anën tjetër që është dhe arsyeja pse këto investime mbështeten. Arsyeja pse këto investime mbështeten kështu është sepse këto investime shkojnë shumë më përtej gjësë aty. Këto kanë ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit, në gjithë zinxhirin e ekonomisë së vendit, pa harruar që pastaj këto sjellin një numër eksponencial konsumatorësh të rinj në vend përmes turizmit dhe këta konsumatorë konsumojnë këtu prodhimet e këtushme e konsumojnë këtu, shërbimet e këtushme, por nga ana tjetër, në 12 dhjetor ne bëjmë prezantimin e projektit përfundimtar për portin e ri tregtar të Durrësit, i cili jemi gjithnjë e më shpresëplotë që do të ketë dhe komponentin ushtarak, me NATO-n. Në fillim të vitit të ardhshëm projekti hidhet në garë ndërkombëtare e me shpresë që nëse të gjitha gjërat shkojnë sipas parashikimeve, ne në fund të gjashtëmujorit të parë, fillim të gjashtëmujorit të dytë të vitit të ardhshëm, fillojmë ndërtimin e portit të ri tregtar. Kjo, për tu përsëritur për të gjithë ata që flasin paraqende që “si do mbetemi pa port”. Ne nuk do mbetemi pa port dhe ne, për t’ju përgjigjur Anduela Bakiut, nuk po e falim portin për vila luksoze. Ne nuk po falim asgjë në fakt. Për herë të parë në historinë e vendit në këto 30 e kusur vite qeveria është ortak, pra publiku është ortak me një investitor privat në investimin më të madh të huaj në vendin tonë dhe shtëpitë për të pastrehët, meqë përmenden dhe shtëpitë për të pastrehët në pyetjen e Anduelës, po bëhen dhe merreni me mend tani, po bëhen nga e njëjta dorë. Janë rreth 2000 apartamente të reja në Durrës që po ndërtohen nga e njëjta dorë, që do të thotë nga kurora e Emirateve të Bashkuara dhe nga Mohamed Alabbar në Spitallë, është një pjesë e konsiderueshme e tyre, mund të shkoni, ti viziton ndërtimet e reja që po bëhen e aty do të ketë edhe për të gjithë ata që mezi presin të kthehen në shtëpi, në apartamentet e tyre nga pallatet e prishura nga tërmeti por edhe për të pastrehët dhe për më tepër edhe sikur mos të ishte kjo konicidencë, këto investime sjellin të ardhura të mëdha në buxhetin e shtetit. Unë e thashë në parlament por këtu çështja është çfarë zgjedh të dëgjosh e çfarë zgjedh të mos dëgjosh, por nëse zgjedh ti dëgjosh të gjitha, atëherë duhet të ishte dëgjuar e kuptuar që impakti i dhjetë viteve në ekonominë e vendit është rreth 8 miliard euro. Në ekonominë e vendit, llogariteni tani krahasuar me Prodhimin e Brendshëm. Impakti në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar të këtij investimi është nga 1.2% deri në 1.6% çdo vit. Çdo vit ne do të kemi një rritje të tillë në prodhimin e përgjithshme kombëtar për shkak të këtij investimi.

Ta mbyllim me një pyetje të fundit nga rrjetet.

 

– A do të gjykohet kryetari i SPAK për shpërdorim detyre që nuk merr të pandehur Sali Berishën dhe Ilir Metën?

Kryeministri Edi Rama: Ju lutem shumë, unë e kuptoj shumë mirë frustrimin, jam pjesë në fakt e të frustruarve të panumërt të këtij vendi për punën e SPAK, për çfarë SPAK duhet të bëjë më mirë, më shumë, por kurrsesi në asnjë mënyrë nuk mund të shkohet as tek mohimi i punës së SPAK as tek hedhja e baltës apo edhe e insinuatave të kësaj natyre mbi drejtuesin aktual, mbi prokurorët e SPAK sepse për hir të vërtetës këto nuk janë gjëra që bëhen me sustë e nga ana tjetër, do isha shumë mirënjohës nëse çështjet e lidhura me këto dy personazhe dhe raportet e tyre me drejtësinë, të mos më vihen mua përpara si çështje që kanë të bëjnë me mua, si çështje që kanë të bëjnë me kryeministrin, me qeverinë, me shumicën qeverisëse. E kemi bërë këtë zgjedhje në vitin 1990. Nuk dënon, nuk arreston, ,nuk gjykon, nuk bën prokurorin, nuk bën hetuesin, nuk bën gjykatësin kryeministri, qeveria, shumica qeverisëse. Nuk e bën dhe fatmirësisht që nuk e bën. Nëse do të vazhdonte të ishte kështu, unë do isha i pushkatuar me kohë për shembull e nuk do kisha pasur mundësi të pushkatoja, apo jo? Kështu që është e kotë të bëjmë një diskutim të tillë. Njerëzit i kuptoj shumë mirë, jam dhe unë pjesë po e përsëris e këtij frustrimi të përgjithshëm që nuk ka më shumë avancim në procese që janë evidente që duhet të ndodhin, por ti dhënë një formë e një përmbajtje kuptimplotë gjithë kësaj përpjekje për drejtësi në këtë vend, por kjo nuk do të thotë që t’i hidhemi në fyt SPAK.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe edhe një herë, më lejoni që ta mbyll duke e përsëritur që jemi realisht në vigjilje të një ngjarje të jashtëzakonshme. Në 6 dhjetor, në këndvështrimin tim Shqipëria do të përjetojë ngjarjen e vetë më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve të veta ndërkombëtare. Është një arritje e padyshimtë kjo. E padyshimtë! Kush e imagjinonte që këto do mblidhej gjithë Bashkimi Europian për të bërë një samit, sëbashku me Ballkanin Perëndimor, duke e vlerësuar Shqipërinë për 1001 arsye le të ngrejë dorën e të thotë që “unë po e kam imagjinuar”.

Nuk besoj se e ka imagjinuar kush dhe ky është rezultat i një politike të jashtme e cila mund të ketë e patjetër i ka me siguri të metat e veta por pa diskutim i ka dhënë Shqipërisë një përmasë komplet tjetër por është dhe rezultat i politikës së brendshme, sepse politika e jashtme reflekton atë që ti bën në politikën e brendshme, nuk mund të jetë një fasadë pas të cilës nuk ka asgjë e Bashkimi Eurpian është institucioni i duhur që bën vlerësimet më skrupuloze për vendet. Nuk ka një institucion tjetër. Nuk ka asnjë qeveri e asnjë vendi që mund të flasi për një vend tjetër. Nuk e ka një zyrë si zyra e Bashkimit Europian në vendin tonë që të analizojë në 7 ditë të javës, 24 orë, çdo gjë që ndodh këtu dhe të nxjerrë konkluzione. Asnjë organizatë ndërkombëtarë që nxjerr raport e që bën vlerësime bazuar në anketime, perceptime, nuk e ka kapacitetin që ka delegacioni i Bashkimit Europian dhe asnjë raport mbi Shqipërinë, në asnjë lloj instance nuk e ka thellësinë, konkretësinë dhe objektivitetin teknik të raportit të Bashkimit Europian. Kështu që nëse Shqipëria do të ishte vendi që shumëkush e percepton apo e lexon sipas një këndvështrimi të caktuar që është këndvështrimi i mirënjohur i atyre që duan të protestojnë ditën që vjen Bashkimi Europian në Shqipëri, Bashkimi Europian nuk do vinte në Shqipëri. Kjo është pak por e sigurt. Nuk do vinte në një vend që do ti kishte realisht ato probleme ekstreme për të cilat dërdëllitet çdo orë e çdo minutë. Nuk do vinte, është shumë e thjeshtë, sepse Bashkimi Europian nuk është si të tjera vende të përvetshme, është një gjë komplet tjetër në raport me objektivitetin teknik, që bën për cdo vend. Nuk kanë gabuar asnjëherë deri tani në nivelin e Komisionit Europian, asnjëherë, as me Shqipërinë e me asnjë vend tjetër. Raportet e tyre janë një spektakël i tërheqjes së litarit deri në pikën e fundit. 

Për këtë unë ndjehem shumë krenar që Shqipëria do jetë në fokusin e të gjithë Europës atë ditë. Është mbyllja më e bukur e këtij viti që u hap me një finale europiane, të cilën deri përpara disa vitesh, njësoj si këtë Samit, askush nuk e imagjinonte që do vinte këtu UEFA të bënte një finale europiane. Ku ta bënte? Tek stadiumi antik që nuk donin që të prishej për t’i ruajtur të vetmen pjesë të trashëgimisë kulturore që u ruajt dhe për tu ngritur stadiumi europian i Tiranës? Aty do ta bënin? Tek stadiumi i shpallur non grata nga FIFA dhe UEFA që e Shqipërinë në pozitën që ta çonte ekipin kombëtar në Maqedoni për të luajtur ndeshjet e shtëpisë? 

Nuk e bënin dot apo jo? 

Kështu që, ajo finale europiane që hapi këtë vit ishte një ogur fantastik dhe na ka ndihmuar shumë për imazhin, na ka ndihmuar shumë edhe për turizmin padiskutim. 

Kemi vitin më spektakolar me turizmin në Shqipëri dhe kjo mbyllje është edhe më fantastike nga kjo pikëpamje. 

Kështu që, le të themi që jemi me fat që do të kemi një ngjarje, por do kemi dhe një hudhër, që të mos marrin më sysh. 

Shumë faleminderit të gjithëve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.