Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me sipërmarrës në fushën e turizmit, në Shëngjin, mbi sezonin turistik 2018:

 

Kryeministri Edi Rama: Së pari, dua të bëj një saktësim sepse Blendi vrapon shumë me shifrat. Objektivi është që të kemi 10 milionë turistë në 2025. Nëse i realizon në 2021, malet e tua më të larta, por objektivi është në 2025 të kemi 10 milionë turistë. E ndërkohë unë do të doja që t’i kaloj fjalën dy miqve që i kam njohur sot dhe që dua t’i përgëzoj realisht, madje me shumë kënaqësi të shfrytëzoj edhe këtë hapësirë që përmes mediave të reklamoj me gojën time, hotelin e tyre, “Princ”-in. Jam shumë i mrekulluar nga investimi që kanë bërë, nga gjithçka pashë, por jam edhe vërtetë i impresionuar nga çka dëgjova lidhur me planet e mëtejshme, lidhur me punën e vështirë për të rekrutuar dhe për të përgatitur stafin sepse sfida më e madhe e turizmit në fund të ditës, nuk janë ngrehinat, por është cilësia e shërbimit. Patjetër do të ishte mirë që të të ndanim me ju dhe me publikun edhe vështirësinë e përditshme për të gjetur njerëz të gatshëm për punë.

Niveli i pagave, jo vetëm këtu, por në një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës sonë të mikpritjes është relativisht i lartë dhe përsëri ka një problem serioz që sot e ka jo vetëm Shqipëria që është në hapat e parë, por e ka dhe Mali i Zi, e ka dhe Kroacia, gjë që e ka bërë tregun e punës vërtetë shumë më konkurrues. Kështu që, pa ju marrë lejen, po ju kaloj mikrofonin, midis ju të dyve, dy lezhjanë, njëri nga Puka, tjetri nga Tropoja, llogariteni vetë tani se çfarë intensiteti ka midis tyre, që reflektohet mrekullisht edhe në këtë investim. Kështu që respekt dhe po ju kaloj juve. Ndajeni vetëm me njëri-tjetrin se unë nuk vendos dot midis një pukjani dhe një tropojani. Ja, si gjithmonë pukjanët e marrin vetë fjalën.

Sipërmarrës: Së pari, dua të falënderoj kryeministrin që e ka gjetur kohën. Normalisht një kryeministër në gusht duhet të ishte me pushime, por ka gjetur kohën për të ardhur në Shëngjin. E falënderojmë kryeministrin dhe ministrat dhe gjithë ju që jeni këtu. Unë kam një kompani ndërtimi, kam 25 vjet në treg, por këtë vit jemi futur në turizëm. Unë e mendoj turizmin dhe ne e mendojmë turizmin si të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Ne nuk do prodhojmë Mercedes, ato i prodhon Gjermania, ne do i shërbejmë tyre që prodhojnë Mercedes. Unë mendoj që e ardhmja e ekonomisë shqiptare do të shkojë drejt turizmit dhe natyrisht pastaj pjesë të tjera që janë mbështetje të kësaj ekonomie që unë e shoh si industri të ardhshme shumë të rëndësishme.

Për hallet e për shqetësimet që ne na kanë ndjekur, ju i dini shumë mirë vetë. Problemi kryesor për ne është problemi i krahut të punës. Këtu janë të punësuar 145 punonjës me paga që fillojnë nga 40 mijë lekë të reja, deri në 200 mijë apo 250 mijë lekë të reja që është administratori. Kemi ndjekur të gjithë procedurën, pra kemi dalë në tregun e punës, kemi bërë shpalljet, kemi bërë ankandet e punës dhe kjo ka qenë vështirësia kryesore, në gjetjen e punonjësve të kualifikuar, megjithëse ne kemi filluar tre muaj përpara se sa të hapej sezonin, kualifikimin e punëtorëve. Ne e kemi hapur më 1 qershor, por punonjësit kanë filluar të paguhen që me 1 mars. Pra, mars, prill, maj, ne jemi marrë vetëm me trajnimin e punonjësve edhe duke i paguar me pagë të plotë.

Sot, thuhet gjithandej se në Shqipëri nuk ka punë. Nuk e them absolutisht se është sot kryeministri këtu, por e them sepse ne jemi në një hall të jashtëzakonshëm, gjithë ne investitorët në fushën e turizmit, por dhe në fusha të tjera. Sot papunësia në Shqipëri është zero. Unë sot në mediat sociale, unë sot në gjithë ato vende ku publikohen vendet e punës, si kompani kam mbi 50 vende pune, të cilat fillojnë jo më pak se 60 mijë lekë të reja e sipër dhe është vështirësi e jashtëzakonshme në gjetjen e krahut të punës, flasim gjithnjë për krahun e kualifikuar sepse punëtorë të pakualifikuar ka sa të duash. Kjo është vështirësia jonë kryesore e megjithatë, periudhën e dimrit ne këtu mendojmë ta kthejmë në një shkollë kualifikimi për punonjësit, në mënyrë që sezonin tjetër të hymë me personel më të kualifikuar. Në këtë rast unë i bëj thirrje edhe kush të dojë të vijë të aplikojë, pra e shfrytëzoj edhe këtë rast për të bërë thirrje për punë.

Sipërmarrës: Ju faleminderit zoti kryeministër që keni ardhur disa herë në Shëngjin. Është viti i parë që vjen era shtet për turizmin. Unë ju përshëndes fort sepse na keni mbështetur me gjithë forcën e duhur dhe ky vit ka qenë një ndër vitet më të mira që unë kam përjetuar në Shëngjin, në turizëm, ka patur cilësi në të gjitha mënyrat e bashkëpunimit. Ka qenë rendi më mirë se asnjë vit. Ka qenë energjia në Shëngjin shumë mirë. Kjo falë ndoshta edhe pushtetit, ministres dhe fjala jote që ka ndikuar shumë pozitivisht. Këto të tjerat i tha Deda dhe normalisht, ka mangësi në kualitet, persona të kualifikuar, por shpresoj që të ecim më përpara.

Sipërmarrës: Përshëndetje zoti kryeministër! Ju falënderoj shumë se keni insistuar që nga fillimi e në vazhdim, në përmirësimin e punës me operatorë turistik. E vetmja gjë sot prisja që të ishe më sportiv, por gjithsesi prezenca jote është shumë inkurajuese për ne të gjithë, po kështu edhe ministrave që kanë ardhur pa pushim. Këtë herë insistuan tek kullat e vrojtimit, që ne i konsideronim të kota, por po ju them që vetëm tek hoteli im kemi shpëtuar 4 jetë njerëzish këtë sezon dhe besoj që ka ndodhur dhe në pika të tjera. Falë insistimit tuaj, u bë e mundur që të vendosen këto kulla, por sigurisht që ka nevojë që të vendosen në një nivel shumë më profesional dhe të krijohet ajo mënyra funksionale. Të jetë më e rregullt se në të gjithë vendet europaine bëhen në bashkëpunim me bashkitë dhe me bizneset.

Vë re prezencën e shtetit të shtuar që realisht ka qenë e meta kryesore si në kontrollimin e territorit, ashtu dhe në zbatimin e rregullave që ne kemi patur probleme të mëdha. Kolegët vënë re që puna e policisë është përmirësuar dhe këtë vit nuk ka shpëtuar asnjë vjedhje banale po prapë ka akoma shumë për të bërë në kontrollin e territorit, sidomos për punën e pronarëve të rërës. Ne jemi detyruar të paguajmë lekë para hoteleve tona.

Unë e inkurajoj kolegun për hotelin që ka bërë se Marku dhe unë kemi vite që operojmë këtu dhe mezi kemi pritur që të shtohet. Dora e shtetit këtu ndihet shumë. Unë e di që ju keni plane të mëdha dhe plani varet nga lekët. I di që i dini edhe më mirë se ne, hallet që ka biznesi këtu, por ju keni dhe gjithë hallet e Shqipërisë, por ne do jua përsërisim sa herë të vini ato që kemi merak për vete. Rruga hyrëse e Shëngjinit është një reklamë e keqe, është një vështirësi e madhe. Flasim për rrugën hyrëse nga Lezha se kjo tek porti është ok. Mezi po e presim atë rrugë sepse ishte vërtetë një prezencë shumë e keqe. Po kështu, është bërë një punë e madhe me shëtitoret, por na janë mbledhur njerëzit në qendër fare dhe nuk shpërndahet dendësia e turizmit. Ndërtimet po shkojnë poshtë, po vijnë dhe këtej dhe si pasojë e mungesës së zgjerimit të shëtitores që ta shpërndajmë këtë dendësi turistike dhe në pjesët e tjera të plazhit, ne e dimë që kjo pjesë do zhvillohet në mënyrë progresive për një elitë më të zgjedhur turistike sepse është vendi këtu që do ta sjellë, por nëse ju i prini me ato plane që keni, duke stimuluar ato njerëz si puna e Dedës për hotele me 5 yje, sigurisht që kjo profilohet vetë pastaj e nuk ka ku shkon.

Thashë, pronarët e rërës duhet të marrin një zgjidhje sepse janë pengesë shumë serioze për planet turistike që ka qeveria. Ne nuk kemi as port skafesh. Na vijnë skafet, kanë filluar të na vizitojnë skafet, por nuk kanë ku të rrinë, ku të furnizohen. Ato sjellin para jashtëzakonisht të mëdha. Unë e di që ju e dini edhe problemin e mbrojtjes nga deti. Është duke na marrë copa të jashtëzakonshme të plazhit. E di se duhen lekë, por shpresojmë që të arrihet me u gjet ato lekë sepse po nuk vumë ato barrierat e gurëve, pjesa e Kunës sidomos është në rrezik shumë serioz. Ne dy pankina që kemi vënë deti është shtyrë gati 20 metra thellë. Me këtë zgjidhje unë mendoj se përfundon ai rrezik.

Unë jam dashamirës i madh i qeverisë suaj pavarësisht se nuk jam servil, dua të ti them ca gjëra që nuk shkojnë mirë. Administrata tatimore shpesh herë bën të kundërtën e asaj që thoni ju. Kështu që të mos jenë agresiv, të mos na përcaktojnë përqindje, të mos na vijnë si xhandarë 3-4 herë në ditë se detyrohemi me u marrë me ta e me lenë shërbimet. Shpesh herë bëjnë ekzakt të kundërtën e asaj që ju thoni. Të gjithë duhet të jenë në rresht për të paguar. Edhe 6% që ju keni caktuar është gjynah që ta diskutojmë. Unë jam prezent edhe jashtë dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë, kështu që ju falenderojmë shumë për nivelin por administrata nuk ka pse të sjelli unin atje. Të sjelli ligjin dhe rregullat e qeverisë.

Mungesa e bashkisë është një problem. Sinqerisht, vijnë ministrat, vjen qeveria këtu disa herë, bashkia nuk ekziston. Nuk është e PS-së plazhi, turizmi, është i gjithë qytetarëve. Ne paguajmë taksat për bashkinë, paguajmë shumë dhe bashkia ka 800 punëtorë ose 1000 fare. Taksat tona shkojnë për të paguar rrogat e tyre që i kanë zyrat me turne. Tre turne janë nëpër zyra. Shkon një palë dy orë, pastaj këta dalin në kafe, pastaj shkojnë të tjerë e kështu. Unë nuk e di a ka një kriter që duhet të ketë në bazë të numrit të popullatës kaq punonjës bashkia apo gjithë anëtarët e partisë që përfaqëson duhet të shkojnë e të bëhen  punonjës të bashkisë. Faleminderit dhe ju kërkoj të falur për zgjatjen!

Sipërmarrës: Përshëndetje! Si tour operator po kështu kam dhe një rrjet hotelesh në menaxhim. Nuk kam më shumë se 250 punonjës, normalisht të kualifikuar. Unë përgëzoj në radhë të parë kryeministrin për vizitat e shpeshta për turizmin. Është hera e parë ndoshta që komunikojmë drejtpërdrejtë, por me ministrin e turizmit jemi shumë afër në komunikim. Nëse flasim për një turizëm të qëndrueshëm, ky është viti më i mirë për aq vite sa ne kemi turizëm se më përpara nuk kemi pasur as traditë, as kulturë, turizmin, por nëse flasim për tour operatorët dhe hotelet e mirëfillta turistike kanë rritje minimumi 20%-30%. Shqipërisë po kështu dhe rajonit i kanë munguar turistët individual, për shkak të krizës së përgjithshme, por ndoshta me këto hotelet e mira që kanë bërë dhe ju sugjeroj të bashkëpunoni me tour operatorët. Kryesore është që të zgjerojmë sezonin turistik sepse në korrik dhe në gusht hotelet mbushen vetë. Po si ti mbushim që në mars e deri në fund të muajit tetor, prandaj ne na duhet ndoshta promocioni në turizëm. Pra, buxheti i ministrisë së turizmit për promocion duhet të jetë shumë më i madh. Ne i kemi komplet, sa ka gjysma e promocionit që bën Dubrovniku ne kemi buxhetin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Pra mendoj që duhet të rishikohet. Po kështu duhet një bashkëpunim me shkollat profesionale. Të gjithë kemi nevojë e ne nuk mund të marrim frymë pa shkollat e mesme profesionale, pa zanatçinjtë, pa ndihmës kamerierët, pa ndihmës kuzhinierët.

Unë publikisht dua t’ju falënderoj për zbritjen e TVSH-së dhe lehtësirat që marrin hotelet e kategorisë së lartë me 4-5 yje që me këto draftet e fundit besoj çdokush është i kënaqur mirë po do thoja që një hallkë është pak e shkëputur. Pushteti qendror me pushtetin lokal. Pushteti lokal është katastrofë. Unë flas për Velipojën. Për 27 vite, nuk kanë hedhur një lopatë asfalt. Duhet parë kjo hallkë që për mua ka të metë. Po kështu, nëse flasim për infrastrukturën gjithkund, ju lutem duhet të shohim rrugët ku kalojnë turistët. Kryesore është pastërtia se çmimet vijnë sepse i kemi çmime të lira. Pra duhet pastërti. Të ketë minimumi një trotuar për të kaluar këmbësorët dhe ndriçim. Pra, minimumin në vende turistike të kemi pastërti, një trotuar dhe ndriçimin.

Drejtues hoteli: Përshëndetje! Unë nuk dua të përsëris dhe një herë ato që sapo u thanë sepse të gjitha janë realizuar. Gjë shumë pozitive normalisht, krahas rritjes së numrit të turistëve është këtë vit edhe numri i rritjes së ditëve të qëndrimit sepse jemi ende një vend që kemi mesatare të shkurtër për ditë qëndrimi, gjë që këtë vit është rritur ndjeshëm. Ka turistë të huaj nga vendet e lindjes kryesisht që kanë edhe qëndrim gati 3 javor – 4 javor.

Për sa i përket stafit, hoteli jonë është në vitin e dytë që punësimin e realizon nëpërmjet shkollës së Hoteleri-Turizmit, në Tiranë. Kemi një bashkëpunim të suksesshëm me shkollën çka na mundëson që përgjatë gjithë sezonit të kemi staf të pranishëm e të kualifikuar. Ndoshta nuk është rasti, por kalimi i shkollave profesionale në varësi të ministrisë së Financave ishte një hap mbrapa në krahasim me gjithë atë punë të mirë që u bë, por le të themi që frytet e bashkëpunimit me shkollat profesionale, ne si hotel i kemi përftuar më së miri. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit të gjithëve për kontributet me opinionet e tyre. Së pari, për sa i përket befasisë nga veshja ime, ditën kur nuk do befasohesh më nga veshja ime, domethënë që unë duhet të bëj një punë tjetër, se ky është i vetmi argëtim që kam, pjesa tjetër pastaj është puna.

Së dyti, nuk jemi këtu as për të thënë që u mbyll sezoni sepse sezoni ju e dini që vazhdon edhe për pak kohë. As për të bërë një bilanc suksesesh, por në të vërtetë për të vënë disa pika mbi “i” lidhur me çfarë ka funksionuar si duhet, çfarë mund të konsiderohet një sukses në këtë sezon dhe çfarë duhet mbajtur parasysh si mësim për sezonin e ardhshëm.

E për këtë arsye, faleminderit që ju e nënvizuat që kemi qenë disa herë në kontakt gjatë gjithë vitit, por do vazhdojmë të jemi në kontakt, sepse pavarësisht se si mund të duket në ekran, se si mund të komentohet nga ata që komentet i kanë si ajrin që thithin dhe që shpesh herë nuk e dinë se për çfarë flasin, ne mësojmë. Ne mësojmë nga këto takime e nga këto bashkëbisedime.

Së treti, ajo që thamë në fillim të sezonit ishte, duam një sezon më të pastër, duam një sezon më të sigurtë dhe duam një sezon me më shumë mundësi dhe argëtim dhe besoj që kemi pasur sezonin më të pastër turistik të të gjithë, po themi periudhës që kur kemi filluar të bëjmë turizëm. Patjetër, që ka akoma probleme. Një nga problemet kryesore është si të intensifikojmë dhe të rrisim cilësisht bashkëpunimin me bashkitë.

Juve ishit shumë kritik me bashkinë tuaj. Unë nuk dua të bëj polemika me asnjë bashki sepse dua të them edhe një gjë tjetër, pavarësisht faktit që ju keni të drejtë në atë që thoni sepse jeni këtu dhe unë nuk mund të gjykoj përveçse, duke aprovuar atë që thatë, kini parasysh që në fazën ku jemi dhe në periudhat e sezonit, kapaciteti i bashkive është po ai, ndërkohë që volumi i njerëzve dhe i mbeturinave, po marrim pastrimin, është shumëfish.

E këtu, nuk mund të  presim që me atë kapacitet që kanë bashkitë të përballojnë me sukses, sezonin, pa një harmonizim me strukturat e qeverisë. Problemi është kur ka mungesë dëshire, mungesë energjie, mungesë qartësie për si bëhet kjo, nga ana e bashkive, por nuk jemi këtu për këtë.

Sidoqoftë, nëse e keni vënë re, edhe nga konstatimet e vizitorëve, ne kemi bërë në vazhdimësi kontakte me turistë të grupeve dhe përkatësive të ndryshme dhe kemi pasur shumë më pak ankesa për pastërtinë se sa në vitet e shkuara, ndërkohë që jemi të vetëdijshëm që ka shumë akoma për të bërë.

Së dyti, për sa i përket sigurisë, kemi sezonin turistik me shifrat më pozitive dhe në rast se nuk do të kishim atë tragjedinë e Vlorës, ku patëm 8 të vrarë në një masakër halucinante, do të kishim numrin më të ulët, me diferencë, të vrasjeve në këtë periudhë, pa llogaritur pastaj edhe faktin që kemi qenë edhe shumë më tepër efikas, siç e tha dhe dikush nga ju, edhe në raport me këto krimet e tjera të vogla që kanë qenë një shqetësim shumë i madh, kur kemi bërë takimin e parë në fillim fare, problemi i parë që më kujtohet që ngriti Marku dhe disa kolegë të tjerë këtu të Markut ishte, aman na mbroni nga këta grabitësit e hoteleve, etj. Sot konstatojmë që ky ka qenë një problem i adresuar me efikasitet.

Po ashtu, po të shikojmë numrin e atyre që kanë marrë shërbime nga qendrat shëndetësore, të vendosura enkas për të fuqizuar sistemin e mbështetjes me kujdes shëndetësor për turistët ka funksionuar mjaft mirë.

Zhurmat, besoj është sezoni i parë kur nuk ka qenë problem, me ndonjë rast tek-tuk, por ama është vendosur një orar dhe është zbatuar ai orar. Kemi një sezon, ku nuk kemi pasur më problem mjetet e ujit që futen midis pushuesve dhe kërcënojnë në vazhdimësi sigurinë e fëmijëve, të notuesve dhe kështu me radhë, sepse kanë pasur zonat e tyre, kanë pasur kufijtë e tyre dhe përgjithësisht është respektuar. Këto gjëra nuk i kishim. Kemi pasur një sezon po ashtu me një kalendar aktivitetesh kulturore dhe sportive në të gjithë gjatësinë e vijës bregdetare, por dhe në zona të tjera më të thella përtej vijës bregdetare dhe ka shumë vend për përmirësime, por realisht ka pasur alternativa argëtimi për turistët.

Kështu që, në këtë pikëpamje, objektivat tona janë adresuar dhe mund të themi që janë realizuar në një masë të arsyeshme pavarësisht se jemi ende në një fazë po themi kantieri në këtë aspekt.

Për infrastrukturën, këtu plaga tjetër ishte rruga. Për arsye procedurash nuk arritëm dot ta vinim më shpejt në lëvizje por faktikisht, besoj që brenda shtatorit do të jetë e përfunduar. Nuk donim që të punonim në anën andej, gjatë sezonit sepse do kishim krijuar një kaos akoma më të madh se sa krijon rruga e prishur dhe praktikash hyrja në Shëngjin do të jetë normale, ndërkohë që nuk është kjo ambicia jonë. Ambicia jonë është të fillojmë Shëngjin-Velipojën dhe të bëjmë lidhjen e gjithë kësaj zone me Malin e Zi, në një kohë më të shkurtër se gjysmë ore që do të thotë që të kemi mundësi të përfitojmë nga fluksi turistik në Malin e Zi sepse ka shumë kërkesë nga ana tjetër, për të dalë këtej e për të eksploruar gjithë këtë pjesë të bregdetit, në periudha të ndryshme gjatë sezonit. Por, jo vetëm kaq, por do të kemi edhe një shtrirje shumë më të madhe të potencialit, domethënë të mundësisë për të shfrytëzuar potencialin turistik në këtë zonë.

Nuk dua të rri pa e përmendur edhe pse nuk ka lidhje me turizmin, faktin që jemi tani shumë pranë finalizimit edhe të një projekti tjetër që është rruga e Torovicës që është një gangrenë e madhe dhe atë e kemi fituar në proces dhe do ta realizojmë ndërkohë që do të fillojë Milot-Balldreni. Do të ketë disa zhvillime të tjera në pjesën Shkodër – Muriqan e kështu me radhë nga pikëpamja e infrastrukturës. Kemi po ashtu Thumanë – Kasharin. Ju po e shikoni që nyja e Milotit po transformohet rrënjësisht dhe faktikisht na është dashur ta bëjmë projektin nga e para dhe është një nyje ku nuk bëhet fjalë vetëm për autostradën, bëhet fjalë për 12 kilometra rrugë dytësore në mënyrë që të jetë autostradë se ndryshe ç’kuptim ka të bësh autostradë dhe çdokush që ka shtëpinë në të dy anët e  autostradës futet në autostradë nga oborri i shtëpisë, ajo nuk është më autostradë. Ajo është një korridor që kërcënon jetën e gjithsekujt. Na është dashur të bëjmë goxha punë me projektet. Praktikisht, nyja është bërë nga e para. Komplet nga e para ndërkohë që në ato librat e propagandës figuron si punë e kryer, atë po diskutonim me ministrin më parë.

Besoj që me këto zhvillime cilësore që po ndodhin, falë edhe këtyre investitorëve dhe përmes këtyre investimeve, do të kemi patjetër një rritje të rëndësishme nga pikëpamja e të ardhurave dhe nga pikëpamja e mundësisë për të paguar, por këtu mbetemi po tek i njëjti debat. Këtu ankohen njerëzit për punë dhe nga ana tjetër ankohen bizneset se nuk gjejnë dot punëtorë, nuk gjejnë dot punonjës. Pra, ka një hendek midis atyre që janë të papunë, por nuk kanë, nuk ofrojnë tek punëdhënësit atë që punëdhënësit kërkojnë dhe punëdhënësit që duan të marrin punonjës dhe nuk i gjejnë.

Këtu, në këtë hotel, nuk besoj që nxjerr ndonjë sekret, menaxherja ishte një zonjë e ardhur nga Amerika, për të punuar menaxhere në hotel me një rrogë më të madhe se timen dhe të merituar plotësisht nuk diskutohet, ashtu sikundër edhe pagat fillojnë nga 400 mijë lekë. Pra flasim për paga jo të vogla, krahasuar me vetë rajonin po të shikojmë, 400, 800 e deri në 250 mijë të reja. Kështu që jemi në kushtet kur duhet të bëjmë shumë, si e tha dhe zotëria aty në fund, për trajnimin, kualifikimin e krahut të punës dhe jam shumë dakord me atë që tha edhe djali në fund, që ka nevojë për një fokus gjithmonë e më të madh, tek shkollat profesionale, por dhe tek pjesa e programeve të trajnimit.

Dy gjëra të fundit. Patjetër që ne kemi nevojë të zgjerojmë sezonin dhe është e mundur dhe unë jam i bindur që me vazhdimin e investimeve këtu në këtë hotel për shembull, me pjesën e pishinës dimërore, të sallës së konferencave e të tjera, kjo do të ndodhi. Ashtu sikundër jam i bindur që eksperienca që po krijohet pak nga pak në gjithë këtë zonë të Lezhës e mos harroni që Cezari ka shkruar për Shëngjinin si për një liman të mbrojtur nga erërat dhe nga armiku, tjetër gjë se juve ju ka dalë armiku tek rëra tani dhe e keni armikun në çdo derë hoteli, se nuk vini dot një çadër, se del armiku nga rëra dhe po shikoja disa dokumente të këtyre pronave të kthyera në rërë, ku pretendojnë se dikur ishin mbjellë hudhra, në rërë. Ndërkohë që kam bërë gati urdhrin dhe do të hapim një proces penal për të gjithë rërën e gjithë bregut të Lezhës. Jo vetëm për t’i hequr këta pronarë nga rëra se nuk ka se si të jenë pronarë në rërë, me gjithë hudhrat që kanë pas mbjellë kur nuk i ka parë askush, por edhe për të ndëshkuar ata të cilët e kanë bërë këtë. I vetmi problem real, që kemi pasur këtë sezon, jam marrë edhe unë personalisht për shkak të ankesave ka qenë pikërisht ky, konfliktet për rërën. Vure çadrën, nuk vure çadrën, nxore kokën, nuk nxore kokën në diell aty ku dielli ka rënë mbi kokën e hudhrës sime dikur. Se kur, këtë e dinë ata të kthimit e të kompensimit të pronave të kohës tjetër.

Në mbyllje, dua ta falënderoj shumë përzemërsisht Linditën sepse ne bëmë dhe një ndarje patronazhesh për kujdestari të anëtarëve të qeverisë në të gjithë vijën bregdetare. Lindita e ka mbuluar, bashkë me Sonila Qaton këtë zonë madje edhe pushimet i ka kaluar këtu. Rregulli i  qeverisë sonë është që askush nuk shkon për pushime jashtë shtetit, kështu që Lindita zgjodhi një nga pikat kur je vërtet si jashtë shtetit, kur thonë. Këtu është vërtetë si jashtë shtetit dhe merita është e dy investitorëve njëri nga Puka, tjetri nga Tropoja. Llogariteni se sa shumë mundësia kemi ne që ta bëjmë Shqipërinë si jashtë shtetit nëse kemi projektet e duhura dhe zgjedhim rrugën e punës e jo të llafeve. Kështu që për ta mbyllur po ia kaloj Linditës meqë është dhe si zonjë shtëpie këtu dhe e plotëson edhe kuadrin Puka – Tropoja – Mirdita dhe bëhet e gjitha, e kemi pastaj gjithë Lezhën në pëllëmbë të dorës me këto tre komponentë, ndërkohë që Lezha ka dhe komponentë të tjera, ka dhe vlonjatë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.