Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedim publik i Kryeministrit Rama përmes rrjeteve sociale:

Mirëmbrëma!

Mendova se do ishte mirë që të bënim një bashkëbisedim, duke u nisur nga pyetjet dhe nga shqetësimet tuaja.

Po filloj me pyetjet:

“Ata që janë me leje lindjeje, pse përjashtohen nga bonuset?”

Nuk përjashtohet nga bonuset askush që është me leje lindjeje. Bonuset e lindjes nuk ndërpriten.

“Duke parë situatën që po ndryshon, ndrysho pak masat lehtësuese. Së shpejti, me shpresë te Zoti, bëj të mundur të rifillojë shkolla.”

Jemi akoma herët për të folur për rifillimin e shkollës dhe pikërisht për këtë do flas, për situatën sot, në kontekstin e panoramës së përgjithshme, nisur nga momenti i parë dhe për si e shohim perspektivën e afërt.

“Po për pagën e luftës, a duhet të interesohemi në banka, apo do njoftohemi me sms?”

Nuk e di për çfarë ekzakt bëhet fjalë dhe në cilën kategori hyn dhe nga e pret, por di që sot ka shkuar faktikisht në 17200 persona numri i atyre që kanë marrë pagën e luftës nga kategoria e biznesit të vogël. Janë vetëm dy ditë. Vazhdon përditë miratimi dhe lëvrimi i fondeve dhe siç e kam thënë, do mbulojmë brenda javës, me ndonjë ditë vonesë për shkak të dokumenteve që nganjëherë kthehen për t’u plotësuar, të gjithë ata që i përkasin kategorisë që hyjnë nga biznesi i vogël në paketën e parë.

“Do doja të jap mendimin tim lidhur me pasaportat e emigrantëve. Të shtohet personeli në ambasadë.” 

Nuk ka nevojë. Afatet e kaluara për shkak të bllokimeve të ndodhura jo vetëm këtu, por në të gjitha vendet nuk janë afate të shkelura prej jush. Pra, nuk do penalizoheni ju për faktin që objektivisht e keni të pamundur të lëvizni.

“Sapo më erdhi refuzimi për pagën e luftës. Kam dyqan të vogël rrobash. E kam mbajtur të mbyllur. Nuk e përfitoj. Jemi të falimentuar. Detyrime, qera për të paguar.”

Kështu siç e shkruani keni të drejtë. Duhet thjesht e vetëm të ngrini këtë shqetësim tek faqja online e Drejtorisë së Tatimeve. Absolutisht, nëse është kështu siç e shkruani këtu, ju jeni në atë kategori, në kategorinë e bizneseve të vogla që janë mbyllur jo se nuk kanë dashur të punojnë, por sepse në zbatim të urdhrit për mbyllje kanë mbyllur derën e dyqanin të njësisë përkatëse.

“Për KEMP-in, më mbaron afati tani në qershor. Mjekët thonë që nuk lëshohet asnjë lloj rekomandimi.”

Këto janë afate, të cilat nuk do të respektohen jo sepse nuk duam ne, por sepse kushtet janë të tilla që kemi vendosur të gjithë bashkë. Të gjitha afatet nuk do të konsiderohen afate të shkelura. Kur të lehtësohet situata pjesë-pjesë, edhe ju do bëni procedurën për të dalë në Komision. Pa asnjë merak, do vazhdoni të merrni KEMP-in deri ju kur të keni mundësi të nisni procedurat.

“Ajo faqja www.shqiperiaqeduam.al vazhdon akoma, apo janë në karantinë, se kemi një javë që ngremë shqetësim aty, po s’merr njeri në telefon?” 

Mos ngri 100 herë të njëjtin shqetësim. Numëro ditët. Të gjithë ata që kanë ngritur shqetësim aty telefonohen. Volumi i telefonatave është i jashtëzakonshëm dhe durimi duhet të jetë të paktën i madh, nëse s’mund të jetë i jashtëzakonshëm.

“C’do bëhet me ne që kemi punuar nëpër restorante? Tani jemi pa punë dhe pa asnjë bazë.”

Të gjithë ata, të cilët kanë punuar në restorante që janë mbyllur si rezultat i kësaj situatë hyjnë në kategorinë e atyre që do paguhen nga ne; paketa e parë, biznes i vogël me punonjës të regjistruar. Nëse ti je punonjës i regjistruar me një biznes të vogël restorant, do paguhesh në këtë kategori. Nëse je i regjistruar në një biznes të madh, atëherë kjo i takon zgjerimit të paketës, për të cilën do flas më tutje.

“Të lutem, si i bëhet me këto fasonët. Pak se na lanë pa punë, po dhe nuk po paguajnë asnjë rrogë.” 

Nëse ju jeni në pamundësi pune dhe jo se nuk shkoni se nuk doni të shkoni, do të jeni subjekt i zgjerimit të paketës.

“Në muajin nëntor kam aplikuar për patentë. Me 20 prill më skadojnë letrat.” 

Letrat janë të gjitha të ngrira në pikën ku urdhrat përkatës, si rezultat i fillimit të luftës kanë ndaluar proceset. Pra, mos ki merak, me patentën që ke, do vazhdosh njësoj si të ishte e rregullt. Nuk ka patentë të skaduar, nëse afati i skadencës është brenda afateve që fillojnë nga fillimi i luftës deri kur lufta të deklarohet e përfunduar.

“Masat për distancimin social janë super, por masat ekonomike janë të tmerrshme. Ju lutem reflektoni.” 

Nuk e di për çfarë reflektimi e keni fjalën. Lufta në vetvete është e tmerrshme. Masat ekonomike janë as më shumë as më pak, por mbështetje për ekzistencë, duke filluar nga ata që janë më në pikë të hallit, tek ata që janë më pak, natyrisht, duke mos harruar që të gjithë janë në hall, përfshirë edhe ty, kështu që mos prit masa ekonomike që ti mos ta ndjesh luftën. Luftën e ndjejmë të gjithë. E ndjen kjo shtëpia jonë e madhe, shteti, e ndjen arka e shtetit që është njësoj si arka e çdo familjeje, sepse nuk ka të ardhurat që kishte normalisht në të njëjtën kohë të vitit shkuar, për faktin se shumë anëtarë të familjes sonë të madhe nuk punojnë dhe duke mos punuar, nuk kanë çfarë kontribuojnë, por përkundrazi kërkojnë ndihmë. Kështu që masat ekonomike nuk janë të tmerrshme. Janë masat e nevojshme dhe të dobishme për të marrë frymë dhe për të ekzistuar, jo për të bërë të njëjtën jetë, siç bënim më parë. Për sa kohe ke dhe internet, je shumë më mirë se disa të tjerë që janë shumë më keq. Sot, 63142 familje kanë marrë ndihmën ekonomike dyfish. Është dhe një pjesë tjetër, 6% e të tërës që paguhet nga bashkitë që po lëvrohet edhe sot që po flasim dhe në pak ditë, të gjithë ata 71 mijë persona, familje në ndihëm ekonomike do marrin dyfishin e pagesës, siç ishim zotuar.

“Për baret…?”

Për baret nuk do vazhdojë puna. Nuk jemi te baret. Baret janë në fund të kësaj. Kur të hapen baret, d.m.th që është koha për të festuar fundin e luftës.

“Për berberët që janë mbyllur…”

Për berberët që janë të regjistruar dhe janë mbyllur, do të marrin edhe ata pagën, mbështetjen përkatëse, të cilën po e studiojmë dhe do të jenë pjesë e paketës së zgjeruar brenda datës 15.

Të vijmë pak te situata, sepse është e rëndësishme.

Situata në vijën e zjarrit është një situatë që është shumë inkurajuese. Sot, ne kemi 56 të shtruar në Spitalin Infektiv, prej të cilëve 5 në reanimacion dhe 7 të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, prej të cilëve 6 në reanimacion. Këto janë shifra tejet të rëndësishme, siç është shumë i rëndësishëm trendi rënës këto ditë i personave të shtruar në spital, sepse aty duket rezultati i masave. Aty duket gjendja në fushën e luftës. Të gjitha të tjerat janë hamendje, janë parashikime, janë plane, programe, spekullime, por në fund ka vetëm një arsye, pse e gjithë bota është mbyllur dhe pse karantina është kthyer në rendin botëror të ditës, sepse përmes karantinës, ne mbrojmë sistemin tonë shëndetësor dhe bëjmë të mundur që sistemi ynë shëndetësor të ketë kapacitetin që të përballojë nevojat për kujdes shëndetësor. Ajo që ka ndodhur në vende të tjera, që nga Italia e në shumë vende të tjera, ajo që po ndodh sot në mes të Amerikës, në Nju Jork, është mbingarkesa e sistemit shëndetësor dhe pamundësia për t’iu shërbyer të gjithëve në të njëjtën kohë.

Ne, sot që flasim disponojmë 310 shtretër vetëm në 2 struktura, pa llogaritur shumë shtretër të tjerë, që janë të lire, përtej këtyre të dyjave, po në dy struktura, në Spitalin Infektiv dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”, që janë spitale Covid, 310 shtretër. Nga 310 shtretër, ne kemi 63 pacientë sot, pra, kemi vetëm 23.5% të kapacitetit të zënë. Kjo është gjëja më e madhe, të cilës të gjithë duhet t’i gëzohemi si rezultat i masave të forta që kemi marrë dhe si rezultat i rezistencës fantastike që ju të gjithë keni bërë. Po mos kishim marrë këto masa dhe po mos kishit bërë të gjithë bashkë këtë rezistencë, ne sot duhet të ishim në një gropë ku vetëm do lusnim Zotin që të shpëtonim gjallë. Kaq e thjeshtë dhe kaq e vërtetë është kjo. Të gjitha të tjerat janë dokrra.

Një nga gjërat që sot po luan tepelekun e kokës së të gjithë planetit, të vendeve shumë të zhvilluara, po të dëgjoni konferencat dhe përditësimet e përditshme që bën Presidenti i SHBA-ve, i vendit më të fuqishëm dhe më të pasur të botës, atëherë kuptohet se çfarë po them, për të mos shkuar vend pas vendi, flota e respiratorëve që lëviz me ushtri nga një shtet në një shtet tjetër, nga këtu-atje. Sepse menaxhohet sipas nevojave më alarmante. Ndërkohë që jo më larg se dje, Presidenti i tregoi popullit amerikan grafikun e blerjeve të reja, për të pasur një numër respiratorësh që do përballojë luftën pa mbingarkesa dhe pa vatra zjarri që nuk shuhen dot. Ne kemi sot që flasim 200 respiratorë gjendje, plus 54 të rinj dhe 30 të tjerë që janë rrugës, plus 20 respiratorë në paketën e parë të ndihmës së Bashkimit Europian që është për Covidin, në total janë 304.

304 respiratorë, ne i kemi sot në dispozicion, në kuptimin që, nëse do kishim 200 veta që do donin respirator sot, ne do t’i kishim të gjithë ata në respiratorë. Lavdi Zotit, falë masave dhe rezistencës tuaj fantastike, ne, sot, në respiratorë kemi 4 veta, 1.3% të kapacitetit të të gjithë respiratorëve që kemi qoftë tani që flasim në dispozicion, qoftë që do të jenë këtu në ditët dhe në javët që vijnë. Pra, këto janë 2 anët e medaljes që tregojnë situatën e luftës.

Jemi vendi në Europë me më pak persona të intubuar sot në respiratorë dhe me një përqindje shtretërish që janë në dispozicion akoma, që është më e larta. Pse, se jemi më të mençur? Se jemi më të pasur? Se e kemi sistemin më të mirë se të tjetër? Absolutisht jo. Sepse i morëm të parët masat dhe i morën masat të forta, si në pak vende të tjera dhe prandaj jemi këtu, sot dhe prandaj nuk do lëshojmë sot, por duhet të rezistojmë që të dalim kryelartë nga kjo histori.

Sot, partia e Ndrecës [një komentues] kishte dalë dhe thoshte që ne paskemi gënjyer, unë paskam gënjyer që kemi 2000 teste. Ky është kulmi, sepse jemi në një fazë ku unë e kuptoj stresin, ngarkesën, padurimin, por jemi në një fazë ku ka një mungesë të madhe vëmendjeje edhe për të lexuar gjërat që janë thënë. Unë kam thënë shprehimisht, testet janë çështje e Komitetit Teknik të Ekspertëve, nuk janë çështje e politikës, nuk janë çështje e qeverisë e lëre më pastaj e Partisë Demokratike, 7×7=42. Nuk mund të jetë kurrë, as në këtë botë dhe as në tjetrën nuk mund të marrim mendjen e Partisë Demokratike për teste. Kurrë! Çka unë kam thënë, ka qenë që kjo është strategji, e përcaktuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ne e mbështesim. Nëse Komiteti Teknik i Ekspertëve do na thoshte na duhen 2000 teste në ditë, patjetër. E kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, 3000-3000, 5000-5000. Në këtë luftë, ne nuk kemi hyrë qorrazi dhe unë nuk kam hyrë me “të dalë ku të dalë”. Jam përgatitur për gjithçka. Në çdo moment që do duhet diçka, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk do u mungojë edhe sikur të jetë prapa diellit sot që flasim, por për fat të mirë deri sot nuk na mungon asgjë. Natyrisht na mungon sensi i mirëkuptimit dhe sensi llogjik i atyre që i thonë vetes opozitë dhe që vazhdojnë rrotullojnë të njëjtin gramafon të vjetër, të njëjtën pllakë, të njëjtin avaz të vjetër, a thua se këtu nuk jemi në luftë, a thua se këtu nuk jemi në një përplasje të fortë me një armik të padukshëm, por thua se jemi në kohën e historive që nuk po ua kujtoj, se i përkasin një periudhe paqeje dhe një periudhe kur krijoheshin artificialisht konflikte. Këtu jemi në një konflikt jo artificial. Këtu jemi në një konflikt fatal në rast se ne nuk bëjmë të gjitha gjërat e duhura, me vullnet, me durim të madh, me solidaritet të madh e me largpamësi ditë për ditë.

“Kur do hapen linjat ajrore?”

Linjat ajrore do të hapen atëherë kur kjo situatë të ketë kaluar. Kur do kalojë kjo situatë? Këtë nuk e di askush.

“Kur do të mund të qetësohet situata?”

Situatë më të qetë se kaq në kushte lufte, që natyrisht është një situatë e qetë në kuptimin e raportit me armikun, jo e raportit me  veten dhe atë që do donim në paqe, nuk mund të kishte. Sot mund të ishim duke numëruar qindra e qindra të vdekur e do ishim  në një tunel nga ku do dilnin me mijëra të vdekur e ju thoni kur do jemi në një situatë të qetë. ë

“Ke braktisur popullin shqiptar.”

Unë nuk e di se çfarë lloj mendjesh mund të frymëzohen në këto kushte për të  shkruar e për t’u ankuar, për t’u qarë e për të mallkuar,  kur sot na duhet mirëkuptim dhe solidaritet. Ne kemi detyrë, unë kam mision të mbroj jetën tuaj e këtë nuk e negocioj me asnjë qaraman, me asnjë ankues, me asnjë lloj oponenti apo opozitari që këtu kërkon qiqra në hell. Këtu duhet shmangur helli, kur mund të piqej gjithë  populli shqiptar dhe mund të bëheshim gazi e turpi i botës, në rast  se sot nuk do kishim bërë deri këtu, këto gjëra që bashkërisht kemi bërë dhe faleminderit e mirënjohje që keni bërë gjënë e duhur deri tani. Ju lutem mos ta lëshojmë tani e të vazdhojmë siç kemi ardhur deri këtu. Gjithçka është nën kontrollin tonë sot, por gjithçka mund të dalë nga  kontrolli ynë nesër, nëse ne nuk kontrollojmë vetveten dhe njëri-tjetrin.

Përsa i përket disa problematikave konkrete që kanë të  bëjnë me individë, që kanë të bëjnë me biznese, që kanë të bëjnë me njerëz, të cilët janë në situatë të vështirë. Megjithëse hyj në këtë faqe, vazhdimisht mundohem, sot  shkova Tiranë – Thumanë, Thumanë – Tiranë duke folur me ju, duke komunikuar me ju, pastaj në momente të caktuara, sepse e di sa i rëndësishëm është komunikimi, e di sa shumë e rëndësishme është t’ju jap përgjigje, por ju lutem shumë përqendrohuni kur lexoni gjërat që shkruajmë, përqendrohuni kur merrni informacionet zyrtare dhe përqendrohuni dhe tani.

Kam marrë ankesa, kërkesa, shqetësime nga biznese të vogla, të natyrës rrobaqepësi e vogël në një lagje, servis makinash, por janë disa kategori këto. Servis makinash me ligjin në fuqi është i hapur, por me zakonin në fuqi, është faktikisht i mbyllur, sepse nuk ka tani fluks njerëzish që të lëvizin me makina e të shkojnë nëpër servise dhe kur dalin, dalin për të shkuar në punë, kthehen me vrap në shtëpi. Po kështu, profesione të tjera të lira, hidraulikë të regjistruar, agjenci turistike, dizajner që punojnë me printime për llogari të të tretëve, taksixhi etj. janë biznes i vogël. Të gjithë këta e ndonjë kategori tjetër që nuk e përmenda, do të jenë pjesë e  zgjerimit të paketës së mbështetjes. Të gjithë pa përjashtim, sepse janë biznese të vogla, të mbyllura defacto si rezultat i luftës e po kështu, për të gjithë ata që janë punonjës të linjave të transportit, urbane apo ndërurbane dhe që praktikisht janë në shtëpi, sepse nuk ka transport urban dhe ndërurban, do jenë pjesë e paketës së gjeruar.

“Të pash ë në Thumanë, nuk kishe mjet mbrojtës.”

Unë nuk dola në pazar.  Unë vajta në një vend pune pa njerëz, me distanca të sigurta, as nuk iu afrova njeriu, as mu afrua njeri, kështu që mos ma qaj hallin, sepse unë nuk bëj gjëra që të jap shembullin e gabuar dhe për këtë arsye nuk kam pasur maskë. E kur e nëse maska do të bëhet e detyrueshme për të gjithë, do ta vendos dhe unë. Sot nuk është e detyrueshme për të gjithë. Do të jetë e detyrueshme për pjesë të caktuara, por në momentin që flasim, nuk është e detyrueshme për të gjithë. Mjafton të ruash distancat. Mjafton mos futesh nëpër tregje me shumë njerëz, mjafton të mos takohesh me njerëz, të mos afrohen, të mos i afrohesh  dhe nuk ka shqetësim. Se çfarë nuk po dëgjojmë. Jo duhen, jo nuk duhen. Edhe në Amerikë, edhe në Francë e kudo ku janë mendjet që i kanë dhënë mend gjithë botës çfarë nuk dëgjon. Të fokusohemi tek gjërat tona, sepse, sa është një luftë tmerruese për gjithë botën, është dhe një luftë që pavarësisht se jemi të vegjël, pavarësisht se nuk jemi të zhvilluar si shumë të tjerë, por jemi më pak të zhvilluar, ne këtë luftë mund ta fitojmë në mënyrë shembullore. Duke bërë gjërat që na takojnë me mençuri, me solidaritet, me vendosmëri, me kokëfortësi shqiptari dhe duke u ndarë qartë nga të pabindurit. Kam thënë që individët, të cilët kanë një shtëpi, një pronë që e kanë dhënë me qera, shtëpi apo lokal dhe e kanë të ardhur të vetme, ne nuk do t’i lëmë vetëm, do t’i subvencionojmë në një masë të caktuar, që do t’i përcaktojmë në bazë të regjistrit.

Kemi në tatime numrin e individëve që e kanë regjistruar vetë atë qera. Ndërkohë, edhe një herë tjetër po e përsëris. Marrëveshja e qerasë, e kam shpjeguar, është pak specifike. Ka marrëveshje me fjalë, ka marrëveshje me letra jo të noterizuara, ka marrëveshje me noter. Ata, të cilët ia kanë dhënë dikujt tjetër për ta dhënë me qera dhe prej saj marrin të ardhurat, deri në datën 10 prill, duhet të deklarojnë në tatime e pastaj, të gjithë numrin e individëve që e kanë të ardhur të vetme qeranë, ne do ta përfshimë në paketën e zgjeruar.

“Ku e di ti sa sëmurën e sa shërohen?”

Po çfarë di unë këtu, nëse nuk di sa sëmuren e sa shërohen e nëse sëmurën më shumë sesa di unë, ku janë? Se spitalet janë me 23.5% të kapacitetit. Është një soj i posatshëm, fatmirësisht me pakicë, shqipoje që i di të gjitha, sepse nuk di asgjë. Me këtë soj shmanguni sa më shumë. Unë nuk shmangem dot se i kam për detyrë t’i mbroj deri në fund në këtë situatë.

Edhe për biznesin e vogël që tanimë ka marrë pagën e luftës, por që ka barrë të rëndë me qeranë, për të cilën kemi thënë, nuk do ta paguajë deri kur të jemi në një afat tjetër, askush nga ata biznes i vogël që kanë humbur punën për shkak të luftës. Asnjë biznes i vogël nuk duhet ta paguajë qeranë dhe me kalimin e kësaj faze, bashkë me qeradhënësin do bëjnë marrëveshje e do ta paguajnë në mënyrë proporcionale pjesë – pjesë. Ndërkohë që ata, të cilët janë individë që jetojnë me të ardhura vetëm nga qeraja dhe që biznesi i vogël, që është tërësisht i mbyllur, ne po e shohim me shumë kujdes, jo për t’i paguar të gjithë qeranë, por për të parë sa do ta mbështesim, në çfarë mase. Nuk di ta them sot, sepse duhet të shohim qartësisht numrat dhe llogaritë pa hanxhiun nuk bëhen asnjëherë, por llogaritë pa hanxhiun në këtë situatë dhe hanxhiu është COVID-19 nuk mund t’i bëjmë dot, kurrsesi, sepse duhet të përgatitemi për çdo skenar dhe duhet që në fund, jo vetëm të fitojmë luftën, por të mos jemi të gjunjëzuar e të marrë fund, kur të na duhet të rimëkëmbemi në ekonomi e të shfrytëzojmë të gjithë hapësirat e paqes.

“Kam një lavazh me licencë, punoj me djalin. Kam një muaj që rri në izolim, sot kam shkuar për punë dhe 1 mijë lek të vjetra bëra sot për shkak të masave.”

Ke shumë të drejtë, edhe lavazhet me licencë hyjnë në këtë kategori, si serviset e makinave që edhe ato janë të hapur. Por edhe ti dhe gjithë kategoria që përfaqëson do përfshiheni në paketën e zgjeruar, që do të jetë gati brenda datës 15 prill.

Ndërkohë kemi një vëmendje të veçantë e kjo është shumë e rëndësishme, se janë shumë ndër ju që janë të shqetësuar për këtë me plot të drejtë. Ju që jeni punonjës të pezulluar nga kompanitë e mëdha, jeni punonjës të hequr nga kompanitë e mëdha për shkak se nuk ju paguajnë dot,  për shkak se u ka rënë biznesi, për shkaqe që i dimë shumë mirë, që në thelb është lufta, nuk do t’ju lëmë vetëm! Jua kam thënë dhe po e përsëris, bëni vetëm pak durim, sepse duhet të shikojmë numrat, duhet të shikojmë karakteristikat, se nuk janë të gjithë njësoj në këtë. Ka shumë biznese që kanë bërë pezullime, por japin një pjesë të pagës, ka shumë biznese që kanë bërë shkurtime, por i kanë thënë do ktheheni prapë dhe i japin diçka. Pra, disa janë larguar që në fillim, disa më pas, disa sot që flasim, disa ndoshta nesër. Duhet ti shohim të gjithë  numrat dhe po bëjmë diçka, që do të jetë maksimumi i mundshëm i yni për ju. Nuk do ju lëmë vetëm,  nuk do ju themi vrisni veten, biznesi ju nxori, biznesi t’ju mbajë. Ju jeni jetim lufte e si jetim lufte në këtë moment, largqoftë asnjëherë jetim në jetë, ne nuk mund t’ju lëmë vetëm. Nuk do ju lëmë jetim, prandaj kini parasysh vetëm pak durim dhe shyqyr që ka rënë – edhe pse vazhdon, – ajo “po vdesim për bukë”, sepse faktikisht për bukë, shqiptarët nuk kanë  vdekur kurrë. Nuk ka një rast vdekjeje për bukë që nga koha e Skënderbeut. Unë nuk di. Kush di, le të ma thotë. Jemi njerëz solidar, jemi njerëz që nuk e lëmë njëri-tjetrin në pikën e fundit. Ndërkohë sot, ju keni këtu një person që po ju flet dhe një qeveri që kurrë nuk ju lë vetëm! Me atë që kemi mundësi, me gjithçka që kemi mundësi, por mos na kërkoni të shkojmë përtej asaj që kemi mundësi, sepse i bie pastaj të biem të gjithë bashkë në një gropë dhe të bëhemi gazi i botës.

Pse nuk thua mos paguani taksa, drita, ujë?”

Në qoftë se nuk paguani asgjë, me çfarë të ardhurash ju doni që ky shtet t’ju paguajë të gjithëve e t’ju mbajë të gjithëve pa punë në shtëpi? Nga vijnë dyfishimet e ndihmës ekonomike për kohën e luftës? Nga vijnë pagat e luftës për të gjithë ata 60 e kusur mijë njerëz që janë në shtëpi, se kanë mbyllur biznesin e vogël? Nga vjen garancia 100 milionë për kompanitë që të mund të qëndrojnë në këmbë, të mos mbyllin dyert e të mos pushojnë gjithë punëtorët nga puna? Nga do vijnë këto të tjerat që po përgatisim? Do i sjellë Covid me vete?! Disave Covid u duket si Sudja. Sikur ka ardhur prapë Sudja dhe tani duan të rrinë në shtëpi dhe të marrin njësoj si kur ishin në punë. Prandaj mos flisni absurditete.

Dritat nuk negociohen në asnjë rast. Një vend që negocion dritat dhe një vend që mbetet pa drita nuk fiton asnjë betejë, jo më të fitojë luftën. Harroheni!

Taksat për ato pjesë që kanë të bëjnë me atë që është marrë dhe është fituar nuk negociohen. Taksat, kur ke mbyllur dyqanin, në atë muaj nuk paguan. Por të tjerat nuk diskutohen fare, nuk negociohen fare.

Ata, të cilët janë duke vuajtur sot pasigurinë e madhe, shqetësimin e madh, ankthin e madh, sepse punojnë në një kompani e janë larguar nga puna, jo se kanë dashur ata, por sepse kompania i ka pezulluar, apo i ka shkurtuar ai rezultat i luftës, të jenë të sigurt që nuk do i lëmë vetëm. Por se si, sa dhe kur, për këtë do të na jepni dhe pak kohë, sepse jua kam thënë qysh në fillim që zgjerimi i mëtejshëm i paketës do të bëhet jo përpara datës 15 prill. Sepse duhet të shohim fushën e luftës, duhet të kuptojmë kapacitetet tona për të rezistuar në atë fushë. Duhet të shohim të sëmurët, shtretërit, sistemin dhe nga ajo të kuptojmë si po ecën Shqipëria dhe populli shqiptar përball këtij armiku të padukshëm.

Kur ju thonë s’po bëhet kjo, s’po bëhet ajo, s’ka kështu e s’ka ashtu, unë ju them vetëm kaq, ka ndonjë shqiptar sot që është duke vuajtur për të marrë frymë dhe nuk shtrihet dot në një spital si në shumë vende shumë më të zhvilluara? Ka ndonjë shqiptar sot që, largqoftë, po qan babain apo nënën që ka humbur jetën dhe është i mbështjellë në një thes plastmasë të zi dhe s’ka vend ku ta varrosë? Absolutisht s’ka asgjë nga këto. Pse ka ndodhur kjo, se kemi futur mik tek Covidi apo se Covidi është oligark?! Apo se i kemi dhënë Covidit ndonjë koncesion dhe po sillet në mënyrë të moderuar. Jo, kjo ka ndodhur sepse sëbahku kemi bërë gjithçka që të tjerët mbase edhe pse janë më të zgjuar, zhvilluar, nuk e kanë bërë në kohën e duhur.

Ne nuk mundet që këtë që kemi lidhur sëbashku ta lëshojmë tani, sepse disave ju duket sikur erdhi pranvera dhe duan të dalin. Disa të tjerëve iu duket se gjobat janë për popullin, po gjobat nuk janë për popullin, janë për shkelësit, populli nuk është shkelës. Nëse nuk do të marrësh gjobë, mjafton që të mos bësh shkelje. Është shumë e thjeshtë. Pse shqetësohesh për ndëshkimet, pse shqetësohesh për heqjen e lirisë që do të pasojë tani, sepse është një domosdoshmëri.

Kalojmë tek pjesa e fundit, pse është një domosdoshmëri.

Si duhet ta konceptojmë ne rihapjen.

Rihapjen duhet ta konceptojmë si proces gradual, pjesë-pjesë. Kjo nuk është një luftë që ne imagjinojmë ditën kur do të largohet gjermani i fundit dhe ne do të mblidhemi e këndojmë himnin kombëtar dhe do të përqafohemi. Kjo është një luftë që do të vazhdojë edhe më gjatë, sesa fundi i saj i dukshëm. Do të na duhet për një periudhë kohe të bashkëjetojmë me epideminë, ose më saktë, me hijen e saj. Do të zgjasë. Në jetën tonë do të jemi të detyruar të vendosim dhe respektojmë disa masa që do të na dukeshin absurde. Për shembull, do të vendosim masa që kanë të bëjnë me hapjen, por do t’i shoqërojmë me masa shumë të forta.

Nëse do të themi që do të lirojmë të gjitha automjetet private që do të lëvizin për punë, patjetër që duhet të vendosim edhe masa penguese të tipit që, në qoftë se automjetin privat e përdor për diçka tjetër, atëherë do të humbësh edhe pikë, do të humbësh automjetin për të njëjtën periudhë kohë dhe flasim për vite, jo për disa muaj, përveçse do të paguash edhe gjobë, mund të përfundosh deri prapa hekurave, sepse këtu nuk bëhet fjalë që është vetëm e jotja, sepse kjo është një shkelje që rrezikon jetën e të tjerëve.

Kush më thotë çfarë është kjo, i them shikoni se çfarë ligjesh ka bota për epidemitë. Për fat të keq, në Kodin tonë Penal nuk e kemi fare, kemi vetëm për karantinën e kafshëve. Pra, ata që kanë ndërtuar Kodin Penal demokratik kanë menduar si karantinë kafshët, por nuk kanë menduar se çfarë mund të ndodhë dhe duhet të bëjnë në rastin që një epidemi prek njerëzit. Për këtë arsye, ne do i drejtohemi Parlamentit për ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit Rrugor, të cilat synojnë të hapin rrugën e një kornize të qartë penale dhe shtrënguese në mënyrë që paralelisht masat e reja lëvizëse të respektohen.

Nëse do të shkojmë drejtë hapjes dhe duam të shkojmë drejtë hapjes të të gjitha njësive tregtare, njësive të biznesit që nuk janë njësi brenda një qendre të madhe tregtare, sepse ajo do të jetë pjesa e fundit pasi ka grumbullime të mëdha, sigurisht që do t’i kërkojmë disa rregulla strikte, maska, doreza për sigurinë e punonjësve, për dezinfektimin, dizinfektantin në dispozicion të klientëve për numrin e klientëve që duan të hyjnë. Këto janë disa rregulla, të cilave duhet t’i nënshtrohemi nëse duam të hapemi pak, apo nesër më shumë, apo pasnesër shumë fare.

E përsëris, të gjithë ata që kanë dyqane, të gjithë ata që kanë një njësi tregtare të përgatiten, t’i kenë gati në dispozicion masat mbrojtëse në momentin kur do të duhet të fillojnë punë.

Kjo do të thotë që në rast se shkelen masat është kundërvajtje penale, jo më administrative.

Ashtu sikundër këmbësorët. Ne nuk mund të vazhdojmë më me sensibilizim. Në rast se do të hapim fashën orare dhe do ta hapim shpejt, atëherë këmbësorët do të penalizohen dhe penalizimi i këmbësorëve do të jetë jo më një kundërvajtje e thjeshtë, me një gjobë, por do të jetë kundërvajtje penale me gjobë apo me heqje lirie. Po kështu, të gjithë ata që do të hyjnë në listën e shkelësve do të lënë lejen e drejtimit aty, imediatisht. Kush thotë ç’është kjo, u them mos u lodhni fare të kundërshtoni, apo ta shikoni si një shpikje. Mjafton ta shikoni tek Italia fqinje, e vunë italianët në këtë kornizë, pasi e bëmë ne. Nuk e di, nuk them e morën apo jo nga ne, por e vunë. Humbet direkt leja e drejtimit. Të të dhembē deri në fund, se nuk mund të dalësh në rrugë në mënyrë të palejuar, të kërcënosh gjithë lagjen tënde e të bëhesh i rrezikshëm nga një person normal në një bartës të Covid, duke marrë në qafë nënën e babain, gjyshen e gjyshin, largqoftë dhe t’ia hedhësh paq me një gjobë që në fund e paguan prapë babai ose nëna. Kjo nuk mund të ndodhë.

Po kështu për transportimin e personave të tjerë për të cilët je i pa autorizuar. Nëse ke një automjet për të shkuar në punë, do të të lejojet të marrësh dhe një person tjetër nga puna, i cil do të qendrojë mbrapa, jo në krah me ty. Nëse merr persona të tjerë, ke kryer një kundërvajtje penale dhe do të pavuash për një vepër penale. Nëse pastaj shkon në pikën që të marrësh në makinë persona të sëmurë, persona të moshuar, persona të mitur, për të cilët nuk je i autorizuar, atëherë kjo është e patolerueshme. Gjithsesi, të gjitha këto masa do të jenë active, duke filluar nga java e ardhshme. Do të shkojmë në Parlament për të ndryshuar kodet, Penal dhe Rrugor dhe pastaj, këto do të jenë të zbërthyera në të gjitha këto masa, në mënyrë që të jemi shumë të qartë që për popullin nuk ka gjoba, nuk ka ndëshkime. Gjobat janë për ata, të cilët ndëshkojnë popullin, të cilët kërcënojnë shëndetin e popullit, të cilët vënë në rrezik jetën e njerëzve zbatues të rregullave, që janë në të drejtën e tyre të thonë: Liria jote mbaron aty ku fillon liria ime dhe ti nuk mund të më vish mua me Covid në krah, të futesh në jetën time dhe të më sjellësh mua mort, largqoftë, në familjen time.

“Na çmendët me këto gjëra.” 

Për çfarë u çmendet? U çmende sepse po mbrojmë jetën tënde dhe të familjes tënde!? U çmende sepse nuk po e lemë Shqipërinë të bëhet një gropë me Covid!? U çmende sepse për fat të mirë dhe lavdi popullit shqiptar, i cili është i gjithi sot  në front, Shqipëria nuk është bërë lajm botëror?! Apo u çmende sepse kemi një  situatë krejtësisht të qëndrueshme, ndërkohë që të gjithë mund të bëjnë parashikimet më katastrofike, duke patur parasysh sa shumë njerez si ti që u çmende e doni ligjin, e doni rregullin e doni bashkëjetesen, pa u çmendur.

“Masat OK, por edhe ti duhet të përgjigjesh. Kemi familjarë që kërkojnë ndihmë.”

Për këtë kam gjithë kohës që po flas.

“Po neve që na ka mbetur makina me targa shqiptare në Itali?”

Makinën lere aty, ti do të rrish këtu. Është jeta përpara, pastaj vjen makina.

“Po doganat kur do të hapen?”

Edhe njëherë e përsëris, nuk hapen doganat. Nuk hapet kufiri. Ju lutem shumë kuptojeni. Kjo nuk është çështje as patriotësh, as atdhetarësh, as dëshire. Kush është sot patriot dhe atdhetar, sot mbron popullin shqiptar, sot mbron komunitetin ku jeton, sot mbron familjen, sot mbron vetveten që të mos bëhet nesër padashje një armik që bashkëpunon me këtë armik të padukshëm, duke transportuar bombat nga rruga në shtëpi, nga dogana në doganë, nga kufiri në kufi. A e kuptoni këtë gjë? E lavdi Zotit, gjërat po shkojnë siç duhet. Duhet të rezistojmë sepse kjo është një luftë që, sa më shumë të rezistojmë sot, aq më mirë do të jemi nesër, jo nga shëndeti, por nga shumë aspekte të tjera dhe aq më shpejt do të dalim nga bunkeri ku jemi futur të gjithë bashkë, nga bunkeri ku ju futa unë, d.m.th, nga “bunkeri i Surrelit”, meqë unë jam në bunker dhe ju jeni në lëndinë.

“Ik o mashtrues, njerezit po vdesin nëpër dogana, ti i ndalon të kthehen në shtëpi. S’kanë bukë.” 

Nuk vdes njeri nga asgjë tjetër, përveçse nga budallallëku në këtë kohë që jetojmë, që do të thotë nga shkelja e rregullave, nga mosbindja, nga bashkëpunimi me armikun që atë pret. Ka një shprehje shumë të bukur, që thotë: Virusi nuk ka këmbë, por lëviz me këmbët e budallait. Kaq e thjeshtë është kjo puna jote.

“Kam një pastrim kimik. E hapa dje dhe asnjë nuk vjen. Si i bëhet?”

Edhe ky është një aktivitet në një kategori që folëm edhe më parë. Pastrimi kimik që nuk ka aktivitet, nëse nuk ka më shumë se 140 mijë dollarë xhiro në vit, që është një biznes i vogël, hyn në kategorinë e bizneseve që edhe pse janë hapur, prapë janë mbyllur sepse nuk ka aktivitet. Prandaj do të aplikosh tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi ne të zgjerojmë paketën me të gjitha këto kategori, brenda datës 15 prill.

Çfarë të duket vetja ty, Zoti në qiell që vendos për jetën dhe për vdekjen? Rri në shtëpi dhe mësohu se pas një viti do të rrish gjatë.”

Çfarë t’u thuash këtyre njerëzve! Mua vetja më duket as më shumë dhe as më pak, por mbrojtësi i jetës tënde sot, shërbëtori yt. Sado që ti je shëmbëlltyra më kuptimplotë e shprehjes “nuk ka pyll pa derra” dhe sado që pylli ynë, si ç do pyll tjetër, ka derr dhe vetë, kjo nuk ka pikë rëndësie se ti je për vete, por në këtë kohë, unë jam këtu për të të mbrojtur ty jetën. Ti nuk e kupton këtë sot, mos e kuptofsh kurrë, por e rëndësishme është që ti të dalësh nga kjo luftë i paprekur dhe largqoftë, të mos jesh një bashkëpunëtor i armikut, duke u bërë transportues i bombave të tij në shtëpinë tënde, se me këtë mendje që ke ti, je një bombë në shtëpi. Por ajo që unë mund të bëj, ajo që ne mund të bëjmë është që bombën tënde, përsa i përket kësaj vdekjeje që vjen vërdallë mbi kokat e shqiptareve, ta çmontojmë komplet. Pastaj ty, si bombë në vetvete duhet të të çmontojë, nëse do të ketë fat, familja jote.

Faleminderit të gjithëve dhe vazhdojmë kështu, me durim, me bindje dhe gjithçka që kemi në dorë për njeri-tjetrin, pa diskutim do ta bëjmë. Deri tani keni qenë fenomenalë. Nëse vazhdojmë kështu, nuk ka pikë dyshimi që do të dalim nga kjo luftë faqebardhë. Nuk ka luftë pa viktima, pa vuajtje, pa plagë. Luftërat nuk vijnë për të na gëzuar. Të gjithë kanë sot më shumë halle, sesa kishin dje, por mos harroni asnjëherë, ata që janë në pikë të hallit, janë ata për të cilët duhet të kujdesemi dhe pastaj, duke u ngjitur pak nga pak lart. Për ne që jemi lart dhe që jemi shumë të gjatë s’ka problem, do t’i përballojmë të gjitha erërat dhe furtunat.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.