Në mbyllje të Ditës Shqiptare në Vjenë, Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në Kreisky Forum, për të folur mbi Shqipërinë dhe Ballkanin, në fokusin e perspektivës europiane. Në Forum ishte i pranishëm edhe ish kancelari austriak Franz Vranicki.
Ndërsa theksoi se integrimi europian është qëllimi më madhor i Shqipërisë, Kryeministri Rama u shpreh se qeveria shqiptare e sheh atë në radhë të parë, si procesi i ndërtimit të Europës brenda vendit.
“Integrimi europian në vetvete është për vende si Shqipëria si dhe për vendet e rajonit është më i rëndësishëm se anëtarësimi, sepse është i vetmi instrument i modernizimit real dhe i ndryshimit real.”
Në këtë proces, u shpreh Kryeministri Rama, ndihma e mbështetja e Austrisë ka qenë dhe mbetet për Shqipërinë, me rëndësi.
“Për qeverinë tonë, rrugëtimi drejt Bashkimit Europian është një rrugëtim drejt prosperitetit në paqe, liri dhe dinjitet. Unë shpresoj që ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj të brendshëm të zhvillimit dhe transformimit dhe Austria të vazhdojë të jetë krah nesh, të jetë gjithnjë e më pranë nesh për të na shtyrë drejt drejtimit të duhur duke na ndihmuar në drejtimet ku duhet të ecim më shpejt.”
Kryeministri konsideroi gjithashtu një sfidë, rilindjen e imazhit të Shqipërisë.
“Ne kemi shumë për të ofruar, por ne e dimë gjithashtu se kemi shumë për të ndryshuar perceptimet negative dhe ne do të bëjmë më të mirën tonën për t’ia arritur kësaj.”
Teksa e vlerësoi integrimin europian si perspektivën e përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit tonë, Kryeministri shprehu bindjen se një integrim i suksesshëm kërkon edhe një bashkëpunim e komunikim aktiv ndër rajonal.
“Të vetëdijshëm se bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç për një integrim të suksesshëm, ne mbetemi aktivisht të angazhuar në komunikimin rajonal, për të dalë me vizione dhe projekte në fushën e sigurimit të energjisë, turizmit, kulturës dhe sigurisht tregtisë dhe tregun të punës. Qartësisht, BE është perspektiva më e mirë për Ballkanin, por Ballkani do të jetë gjithashtu i mirë për BE. Dhe ky është mesazh që unë dua ta përçoj”
Kryeministri foli gjithashtu, për përpjekjet e forta të Qeverisë për formalizimin e sektorëve informalë të ekonomisë, për reformën në sistemin e taksimit, për të siguruar rritje ekonomike që bazohet në drejtësinë sociale dhe reformat rrënjësore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Qeveria shqiptare po bën përpjekje për formalizimin e sektorëve informalë të ekonomisë dhe ka ndërmarrë reformën në sistemin e taksimit për të siguruar rritje ekonomike që bazohet në drejtësinë sociale,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama duke iu përgjigjur interesit të pjesëmarrësve të këtij forumi.