Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimi i përjavshëm i Kryeministrit dhe koordinatorëve të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarë që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre, duke i adresuar në platformën Shqipëriaqëduam.al:

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!

Shumë faleminderit që jeni sot, këtu, të gjithë ju që keni pasur eksperiencë me platformën e bashkëqeverisjes dhe keni pranuar t’i përgjigjeni ftesën për ta dëshmuar këtë eksperiencë, një nevojë e jona që eksperienca e secilit prej jush përcillet me zërin tuaj për të gjithë ata që njësoj si ju kanë nevojë të gjejnë një rrugëzgjidhje të shpejtë e ligjore me zyrat e shtetit.

Juneta Duni, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Bashkëveprimi i platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët solli zgjidhjen e një tjetër rasti, atë të Zotit Qamil Algjoni, banues në Kamëz, drejtuar OSHEE-së. Në ankesën e tij, Zoti Algjoni kërkonte verifikimin e sasisë së energjisë elektrike që kishte konsumuar, pasi përgjatë vitit 2011 kishte një mosrakordim midis sasisë që pasqyrohej në sistemin e faturimit dhe asaj në gjendjen reale të matësit. Nga ana e OSHEE-së u morën të gjitha veprimet, duke kryer verifikimet dhe duke çuar në zbritjen e faturave afrofe për vitin 2011-2013 dhe faturimet e vëna në vitin 2015 dhe mbifaturimin e fundit të matësit në vitin 2019. E gjithë kjo arrinte në vlerën e 10 mijë kilovatëve, me një shumë të konsiderueshme prej 110 mijë lekë.

Zoti Qamil Algjoni: Të jem i sinqertë nuk e besoja, por e bëra provë. Jam drejtuar disa herë tek Kujdesi ndaj Klientit dhe tek OSHEE-ja. Më ka ardh, si i themi, shpirti në fyt. Përfundimisht, i thashë çunit hy në internet dhe ma gjej platformën Shqipëria që duam. Për 8 ditë mua më ka ardhur përgjigja. Ditën e 11-të më kanë ardhur përfaqësuesit e OSHEE-së në shtëpi dhe më kanë bërë verifikimin dhe u zgjidh. Ju faleminderit qeverisë, punonjësve këtu për komunikimin, sjelljen, për mënyrën e shpejtë të zgjidhjes. Në qoftë se të gjithë shqiptarët do ta dinin këtë, jam i sigurt se zyrtarët në çdo administratë që të jetë do të mateshin dy – tre herë  para se t’i jepnin përgjigje një qytetari të thjeshtë për çfarëdo problemi që të ketë. Nuk ka sesi të qeverisë populli ndryshe, sesa duke iu drejtuar qeverisë direkt dhe duke marrë zgjidhjen direkt për 10 ditë. Kjo është fantastike.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt, ky është qëllimi tjetër i platformës, përveç qëllimit që të zgjidhë probleme që mbarten padrejtësisht, edhe të ushtrojë përmes gjithë këtyre eksperiencave presionin mbi të gjithë zyrtarët e administratës publike, ata që janë në zyrat e shërbimit për qytetarëve, duke bërë të qartë që në çdo rast që qytetari ka të drejtë i drejtuar platformës, fiton qytetari, nga ana tjetër zyrtari që bëhet pengesë bëhet objekt i një hetimi administrativ dhe i një mase ndëshkimore. Po të shohim nga momenti kur e kemi nisur këtë proces, shumëçka ka ndryshuar, por po ta shohim se ku duam të mbërrijmë, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe në këtë rrugë të gjatë, edhe dëshmitë tuaja kanë një kontribut shumë i vyer, sepse tjetër është kur e them unë, apo kur e themi ne që përfaqësojmë shtetin dhe tjetër është kur njerëzit e dëgjojnë drejtpërdrejtë nga bashkëqytetarët.

Dorina Ferazoviç, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Ky rast u paraqit në platformën e bashkëqeverisjes në datën 15 tetor nga qytetari Sadedin Bilaj, banor i njësisë administrative nr.3 në Tiranë. Qytetari ankohej për një depozitë gazi prej njëmijë litra, që ishte vendosur gjatë natës në oborrin e pallatit ku banonte. Ankesa u drejtua për trajtim pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial që sëbashku me Policinë e Shtetit dhe Repartin e Zjarrfikëses, në datën 18, kjo depozitë u largua nga oborri i pallatit.

Zoti Sadedin Bilaj: Jemi gati 400 banorë në pallatit dhe një biznes poshtë pallatit, në ambientin e përbashkët lulishte hapi natën një gropë me ekskavator dhe futi një depozitë gati njëmijë litra. Me banorët kontaktuam personin që kishte vënë depozitën, por nuk na u përgjigj fare. Komunikova me platformën për bashkëqeverisjen. Automatikisht më ka marrë në telefon koordinatori i Ministrisë së Brendshme dhe në mënyrë urgjente kanë ardhur punonjësit e policisë së Komisariatit nr.4. Kanë ardhur edhe përfaqësues nga Ministria e Energjetikës, Inspektorati i Pajisjeve me Presion, nga zjarrfikësit dhe Policia Bashkiake. Është hequr depozita në mënyrë rekord, brenda një ditë e gjysmë. Në emër të banorëve falenderoj Kryeministrin, se të gjithë banorët ishim skeptikë. Shumë banorët më thonin mos e ndërmerr këtë punë se nuk ia del dot dhe unë jam i  surprizuar nga kjo ngjarje dhe banorët janë surprizuar. Tani jemi të qetë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë respekte. Natyrisht që janë përgjithësisht mosbesues ata që ndërmarrin këtë hap, por e mira këtij hapi është se nuk ka asnjë kosto, nuk kërkon asnjë mundim, thjesht një hyrje në faqen e platformës online, 2-3 minuta për të plotësuar gjithë ankesën, në rastin kur ankesa ka ardhur me dokumentacion bashkëngjitur dhe koha e shkurtër tregon nëse kjo është funksionale apo jo dhe në fakt është funksionale, siç edhe ju e dëshmoni.

Egesta Ahmetaj, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do të prezantojmë në vijim është ai i zotit Halit Zorba, ankesën e të cilit në platformën e bashkëqeverisjes e ka adresuar vajza e tij, e cila ndodhet jashtë vendit. Kjo ankesë ka konsistuar në rillogaritjen e masës së pensionit, pasi ka qenë mjaft e ulet në krahasim me punën dhe kontributin e tij  prej rreth 40 vitesh. Ankesa u  trajtua në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili konstatoi se ka vend për rillogaritje të përfitimit të Zotit Zorba dhe për këtë arsye dosja, sëbashku me rekomandimet përkatëse, i është adresuar Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Elbasan, e cila bëri sistemimin në masën  e pensionit, si dhe kalimin e shumave që i kanë takuar dhe nuk i ka marrë prej kaq vitesh.

Zoti Halit Zorba: Kam ardhur me kënaqësi para Zyrës së Bashkëqeverisjes se mu zgjidh problemi në një kohë rekord. E kërkova zgjidhjen në zyrat në Elbasan, nuk ma qau njeri hallin, hyr në një derë dhe dil në një derë. Kështu që i thashë vajzës në Greqi dhe i shkruajti Zyrës së Bashkëqeverisjes. Morëm përgjigje dhe na u zgjidh çështja. Falënderoj Kryeministrin që  na krijoi këto kushte që nuk i kemi patur kurrë. Falënderoj Zyrën e Bashkëqeverisjes dhe koordinatoren që më ndihmoi.

Kryeministri Edi Rama: Respekte dhe faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu, por është një ndihmë e madhe, pasi ne jemi shumë të angazhuar në këtë skuadër të platformës, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë pensionistëve që kanë nevojë për rillogaritjen e pensionit. E mira e kësaj pune është që, pasi bëhet rillogaritja e pensionit dhe vendoset pensioni në shumën e drejtë, merret gjithë diferenca kreditore. Në një farë mënyre të gjithë ato lekë të mohuara në disa vite vijnë menjëherë dhe kjo e shlyen deri diku detyrimin moral të shtetit ndaj pensionistëve. Kështu që edhe me fjalët e Zotit Halit, unë i bëj thirrje të gjithë pensionistëve që kanë një problem me rillogaritjen e pensionit të mos mundohen fare të shkojnë në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por direkt t’i drejtohen platformës. Ne, me shumë kënaqësi e bëjmë punën për ta dhe me shpejtësi zgjidhim problemin e tyre.

Ledjana Allka, koordinatore  e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër që do të prezantojmë prek sërish problematikën e pensioneve dhe konkretisht, Zoti Allbani i është drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, duke u ankuar për llogaritjen e gabuar të pensionit, pasi nuk ishin përfshirë të gjitha vitet e punës. Pas verifikimit në dokumentacion, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë ka rishqyrtuar pensionin  e pleqërisë dhe pensionin suplementar si ish ushtarak. Në periudhën e sigurimit janë shtuar periudha e pagesës kalimtare për tre vite dhe periudha e pagesës si ushtarak. Pas rillogritjeve, Zotit Allbani i është akorduar edhe një tepricë kreditore në llogarinë  tij.

Zoti Shaqir Allbani: Falënderoj Kryeministrin nga zemra që hapi këtë rrugë për ne, për zgjidhjen e halleve tona. Unë kam shërbyer tek forcat e armatosura kundërajrore të Shqipërisë për 27 vjet. Dola në pension, por nuk e fitova atë që më takonte. U përpoqa në zyrat e sigurimeve shoqërore, por nuk zgjidha gjë. I shkruaja platformës dhe më erdhi zgjidhja pozitive.

Kryeministri Edi Rama: Platformën e kemi si forcë kundërajrore, kështu që ke bërë shumë mirë që e ke gjuajtur mesazhin në ajër, por mesazhi nuk është si një ankesë e zakonshme që e merr era, por vjen drejt e në destinacion. Siç e patë edhe vetë, ka njerëz që menjëherë angazhohen. E më vjen shumë mirë që i gjithë ky mendim dhe kjo pritje ka sjellë si rezultat afro tre milionë lekë që mund t’ia tregosh gruas dhe t’i thuash ja kush është forca kundërajrore  e qeverisë.

Enada Vruzhi, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do të prezantoj  ka të bëjë me një ankesë adresuar Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Shkodër. Në muajin maj, Zoti Roki Mirocaj ka depozituar një ankesë lidhur me regjistrimin e tre AMTP-ve për pasuritë e ndodhura në njësinë administrative Dajç. Duke mos gjetur zgjidhje, ai iu drejtua më pas platformës së bashkëqeverisjes, ku pas një ndërveprimi me drejtorinë vendore për Zotin Mirocaj janë lëshuar tre certifikata pronësie.

Zoti Roki Miroçaj: Problemi ishte me kadastrën e Shkodrës, ku kisha bërë një depozitim për kërkesë të AMTP-ve dhe nuk po më kthenin përgjigje. Pasi kaluan disa kohë dhe kishin kaluar afatet, unë vendosa t’i drejtohem platformës së bashkëqeverisjes, që më dhanë një përgjigje dhe një zgjidhje dhe sot jam me certifikata pronësie:

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për rrugën e  marrë deri këtu.

Fatmir Shehu, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti i parë është i Zotit Prendë Marku, i cili përfaqësohet nga zoti Pashkë Nika, përfaqësues në prokurë dhe familjar i tij. Problematika e tij lidhet me Drejtorinë Vendore të Kadastrës Shkodër, ku pas një sërë ndërveprimesh administrative nga Zoti Pashkë Nika nuk ishte e mundur që të emetonte lejen e legalizimit dhe certifikatën e pronës. Duke mos gjetur zgjidhje, iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes. Pas ndjekjes së rastit nga ana jonë, ai mundi që ta përfaqësojë denjësisht familjarin e tij, duke iu emetuar certifikata dhe leja e legalizimit.

Zoti Pashk Nika: Sa i përket adresimit tek platforma, në fillim nuk kisha besim. Rasti në fjalë është familjar i imi. Ky dhe shumë emigrantë e mallkonin këtë vend me shërbimet publike që gjenin në Shkodër. I them më bëj një prokurë që ta ndjekë vetë. Kohë pas kohe kërkoja te hipoteka në Shkodër letër nga ALUIZNI, nuk gjendej më as praktika, fare.  Për fat, mandati i postës na shpëton. Kishim paguar miliona për këtë pronë që në 2013-n. Për fat të keq, me mandatin e postës  s’u bë fjalë t’i vije në lëvizje. Sot është përmirësuar pak me këtë mekanizmin e platformës, por në Shkodër është gjendja katastrofike. Një person më thotë drejtoju platformës. Nuk i dhashë shumë rëndësi, na kishte humbur besimi. I shkruaj platformës. Vjen përgjigja, e lexova dhe më dha një lloji vetëkënaqësie. Si përfundim u zgjidh rasti, iu imponua hipotekës, edhe ALUIZNI-t, u  gjendën praktikat. Vetëm mandati i postës e shpëtoi pronën, ndoshta pa u masakruar dhe shpëtoi 5-fish më shumë sa kisha paguar me urdhër pagesë të shtetit.

Kam dhe rastin tim. Që në 2015-n kërkoj zgjidhje të banesës sime. Bëra kërkesën tjetër, mori zgjidhje, më ka ardhur praktika. Për asnjë tjetër s’do kisha ardhur këtu, por ky mekanizëm është ai që i ndihmon qytetarët. Aq hall kanë qytetarët e Shkodrës, sa nuk kanë nga t’ia mbajnë. E gjithë e keqja e shoqërisë vjen nga shërbimet publike. Prona është jeta, pa pronë s’ka atdhe. Kemi dhe familje të shpërngulura nga hidrocentralet, riskun e kredisë të aprovuar në atë kohë e kanë marrë njerëz në majë të malit, jo të përmbyturit. Vërtetë ka filluar të lëvizë diçka në Shkodër, por, nëse vonohet ky dokument, pas pak ditësh e harrojnë ata nëpunësit e administratës. Shkodrën ta shkundësh njëherë, zyrat e administratës as kanë vënë qytetarë të Shkodrës. Bëji dhe zyrat e shërbimeve publike si sallat operative të policisë, s’ke ku të denoncosh rastin. Kjo është ndër punët më të ira që keni bërë zoti kryeministër. Të gjitha mekanizmat e qeverisë si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme e ndihmojnë platformën. Mua më ka dhënë tre herë efektin kjo. Kjo është kryesorja, që shoqëria të qetësohet. Ka djem e vajza, burra e gra shumë të ndershëm që ia duan të mirën këtij vendi se kanë derdhur djersë.  Nëse ju vini në efiçensë shërbimet publike keni kryer ‘çlirimin’  e plotë të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama: Të mirëkuptoj dhe kjo është sfida e madhe, sepse gjitha të tjerat, jo se janë më të lehta, por janë më të qarta. Ndërkohë që ndërtimi i një administrate serioze nuk është fjalë goje. Nuk është e vërtetë se janë të gjithë ashtu. Unë mendoj se shumica nuk janë ashtu. Të gjithë këto vajza, gra, djem e burra këtu punojnë pa orar për t’i shërbyer qytetarëve. Po të krahasojmë shërbimet sot me çka ishin më parë, patjetër janë përmirësuar ndjeshëm, por pa diskutim ka jashtëzakonisht shumë për të bërë. Ne kemi bërë maksimumin deri tani për të futur ekselentët. Janë disa qindra që janë futur në mënyrë të drejtpërdrejtë, do vazhdojmë, por nuk është një proces i lehtë dhe nuk mbyllet shpejt, kërkon kohë. Vendet që ne i shikojmë me admirim dhe duam t’i afrohemi e kanë bërë shtetin para qindra vjetësh.

Nga ana tjetër është e vërtetë që hipoteka e Shkodrës, sëbashku me atë të Vlorës janë dy vrimat e zeza të sistemit. Në të kaluarën janë bërë masakra të mëdha, por edhe më pas nuk është se kanë patur përmirësime të ndjeshme. Tani me unifikimin e hipotekës me ALUIZN-it, gjërat po ndryshojnë pak nga pak, por deri në fund të ditës platforma është ajo që na bashkon dhe na ndihmon reciprokisht, sepse ju zgjidhni problemin, ne identifikojmë njerëzit që duhen larguar. Janë mbi 800 raste, sot që  flasim, njerëzish të ndëshkuar për ekzaktësisht ato që thamë.

Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë sëbashku është që kjo është një përpjekje e përbashkët. Nuk mund të bëhet thjeshtë nga lart, apo thjeshtë nga poshtë. Duhen bashkuar të dyja pjesët, qeveria që e ka gjithë vullnetin për ta bërë këtë punë dhe qytetari që do të gjejë zgjidhje, në mënyrë që gjithë niveli i ndërmjetëm të jetë nën presion të vazhdueshëm dhe të bëjë sa më mirë detyrën.

Fatmir Shehu, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër është rasti i Zotit Myrvet Velcani, banor i fshatit Plyk, Portëz, në Fier i cili kishte problematika të adresuara në vite pranë Drejtorisë Vendore të Kadastrës Fier, mbi pronat e tij. Kishte bërë katër aplikime për tokat bujqësore dhe nuk kishte arritur të gjente dot zgjidhje. Së fundmi, pasi adresoi rastin një platformën e bashkëqeverisjes, ju mundësua emetimi i katër certifikatave për këto aplikime që kishte bërë.

Zoti Mervet Velçani: Kam aplikuar për tokat e mia. Njëherë që në vitin 2011 dhe s’më është dhënë asnjë përgjigje, ikën dokumentet, u humbën, ngelën atje. Dukej si  gjë e ftohtë kjo platforma, po funksion për mrekulli. Bëra një kërkesë këtu. Nuk e bëra vetë. Ma rekomanduan nëpër zyrat tuaja, edhe për 5 ditë më erdhi certifikata në shtëpi.  I kam në shtëpi sot, katër certifikata, jo një. Më kanë njoftuar nga Fieri që më ka dalë dhe ajo e shtëpive. Falë kësaj zyre tuaj, këtij shërbimi, jemi shumë të kënaqur. Ju faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Një gjë është e sigurt, nëse të gjithë qytetarët do ta përdoronin platformën  pa hezituar, një pjesë shumë e madhe e stresit dhe e mallkimeve do avullonin se nuk do ishte nevoja as të stresoheshin, as të mallkonin dhe do të jepni një ndihmë shumë të madhe për të përshpejtuar ritmin e ndërtimit të administratës. Gjithkush atje në ato zyra do ta kuptojë dhe duhet ta kuptojë një orë e më parë që kur të vjen një qytetar i moshuar, i papërkrahur, i panjohur, është me të njëjtën forcë si një deputet, sepse, nëse të çon tek platforma, do përballesh pastaj me pasojat. E për këtë na duhet ta çojmë sa më fort mesazhin, mos nguroni, viJeni në provë këtë mekanizëm, 2-3 minuta dhe as nuk paguan, as nuk humb kohë, as nuk stresohesh dhe në fund do marrësh përgjigje, natyrisht nëse ke të drejtë.

E vetmja gjë që platforma nuk bën dot, është të bëjë gjykatësin. ka raste që detyrohemi të përgjigjemi negativisht, sepse janë çështje gjyqësore. Por çdo gjë që ka të bëjë me të drejtat që merren në zyrat e shtetit dhe nga shërbimet  e shtetit është absolutisht e bëshme dhe bëhet. Platforma ka zëvendësuar gjithë sistemin e vjetër të ankesave. E dëgjova zotërinë që tha kam shkruar letra. I them ke humbur kohë kot, sepse janë shkruar me miliona letra në këtë vend dhe nuk i ka lexuar njeri. Ose çfarë ka qëlluar të lexohen, kanë marr përgjigje që s’dihet, a kanë ardhur në dorë, a s’kanë ardhur në dorë, por janë formale. Nuk ka nevojë për letra. Ky është sistemi i ankesave në bazë të teknologjisë së re, që na jep mundësinë që s’ka nevojë të shkruajmë letra, thjesht çojmë mesazhin dhe ka një strukturë të tërë mbrapa ekranit që merret me mesazhin. Ndërkohë mesazhi nuk mund të fshihet, nuk mund të zhduket, nuk mund të harrohet sepse është aty, lë gjurmë.

Albana Gordani, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Kam kënaqësinë të ndaj sot një nga rastet e trajtuara pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Zonja Alma Gjevori, infermiere pranë fshatit Pajun në Elbasan, adresoi në platformë nevojën për ndërhyrjen dhe rehabilitimin e ambulancës ku aktualisht punon, me synimin e një ofrimi të një shërbimi më cilësor për komunitetin e banorëve në këtë ambulancë. Menjëherë Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Elbasan e vlerësoi rastin dhe aktualisht kanë filluar punimet dhe kjo godinë ka arritur  të përmirësohet. Në të njëjtën kohë, në sajë të një marrëveshje midis Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Elbasan, Bashkisë Elbasan, si dhe zyrës arsimore është bërë i mundur transferimi i ambulancës provizorisht në një godinë alternative.

Zonja Alma Gjevori: Jam infermiere pranë fshatit Pajun, njësia administrative Papër. Duke qenë se kisha dëgjuar mjaft raste, të cilat ishin zgjidhur pranë kësaj platforme, ashtu bëra dhe unë, iu drejtova dhe brenda një kohe rekord filluan punimet pranë ambulancës dhe janë pothuajse në mbyllje. Besoj brenda kësaj jave banorët mund të marrin shërbimin më të mirë. Faleminderit të gjithëve për angazhimin tuaj!

Kryeministri Edi Rama: Kjo është platforma! Një infermiere nga Pajuni, që përndryshe askush s’do ta kishte dëgjuar dot, edhe po të donte që të hapte gojën, sepse s’do arrinte dot të gjente veshët që do ta dëgjonin; Një qytetar i zakonshëm nga Shkodra merr përsipër që të zgjidhë rastin e një të afërmi të vet emigrant; Një familje e zakonshme fermerësh në Plykë, të Fierit; Një tjetër qytetar në pension, njerëz të zakonshëm, që përndryshe nuk do të kishin asnjë rrugë, por platforma është rruga për ta vënë qeverinë në dispozicion të çdo qytetari, qeverinë direkt, ministrat direkt dhe përmes skuadrës së platformës për t’i dhënë zgjidhje problemeve, duke marrë shënim të gjithë ata, të cilët i shkaktojnë problemet dhe për mikun tonë nga Shkodra që foli, janë 806 persona që janë ndëshkuar në zyrat e shtetit si rezultat i rasteve të platformës dhe sot që flasim janë 52 masa të tjera disiplinore në proces.

Kështu që i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos humbin kohë, të mos i hapin rrugë stresit dhe mllefit, por thjeshtë dhe vetëm të klikojnë tek Shqipëriaqëduam.al, të regjistrojnë ankesën e tyre dhe menjëherë kanë dispozicion qeverinë për të zgjidhur problemet.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.